John Dewey ,filozof i pragmatizmit


Përgatiti: Blerta Hyska

Ironi e çuditshme e Historisë: ai është një mendimtar i madh amerikan, ndoshta më i rëndësishmi ndër të gjithë,  ka vdekur 60 vjet më parë, dhe  ne (në Francë, shënim i redaksisë)  sapo kemi filluar ta lexojmë… dhe po zbulojmë se ai flet më mirë se kushdo tjetër për aktualitetin! Për çështjen e  rithemelimit të shkollës? Ai është një nga shpikësit e pedagogjisë moderne. Flasim lart e poshtë për “vlerat”, pa e kuptuar mirë se për çfarë po flasim.  Ai ka menduar rreth formimit dhe kuptimit të tyre. Duket sikur demokracia është në kllapi? Ai shpjegon se demokracia, më tepër se një regjim politik, është një mënyrë jetese. Për çështjen e rolit social të filozofisë, të vendit thelbësor të eksperiencës në ekzistencë, të rishpikjes së humanizmit? Dewey ka zhbiruar të gjitha këto dhe ne kemi një mijë arsye ta lexojmë dhe të kuptojmë përmasën e efikasitetit të pragmatizmit të tij.
Kujdes mos ngatërrohemi! “Pragmatizmi” është një model i llojit. Në fjalorin e filozofëve ky term nuk tregon më, sikurse ndodh në gjuhën e përditshme, realizmin në biznes, ose në politikë, që bën të heqësh dorë nga vlerat dhe idealet në emër të interesave të kuptuara mirë. Në filozofi,  pragmatizmi është një rrymë mendimi që i konsideron të vërtetat si procese dhe mendimet si eksperienca. Po e rizbulojmë në Europë, pasi e lamë  për ca kohë në harresë.
Datat e lindjes së lëvizjes: midis 1865 dhe 1872. Vendi: Kembrixh (Massachusetts). Rreth një filozofi, logjicieni dhe astronomi gjenial, Charles Sanders Peirce (1839-1914) u mblodh një grup shumë diskret, por me shumë ide të reja, Klubi metafizik. Qëllimet e këtij grupi nuk janë modeste: të rimendohen nocionet e së vërtetës, të dijes, të filozofisë – ndër të tjera… Njëri prej anëtarëve, Wlliam James, e bëri popullor termin “pragmatizëm”, “emër i ri për ide të vjetra” gjatë viteve të para të shekullit XX.  Bergsoni shkroi parathënien e përkthimit në frëngjisht të librit të tij “Pragmatizmi”.  Por zhvillimi filozofik i lëvizjes mbeti para së gjithash një çështje amerikane.

Mendimtari – lumë

Figura qendrore ishte  John Dewey. Ky mendimtar – lumë analizoi dhe shndërroi metodat e edukimit, marrëdhëniet me shkencat, konceptimin e demokracisë, qasjen ndaj jetës së përditshme, kuptimin që merr barazia e sekseve, vendin e vlerave, rolin e arteve, rindërtimin e filozofisë. Nga cilado anë, të lexosh Dewey është vërtet stimuluese dhe nuk mund të vazhdojmë ta injorojmë. Shumica e teksteve madhore janë përkthyer tashmë në frëngjisht…me disa dekada vonesë!
Sa turp për indiferencën  tonë, për vetëmjaftueshmërinë, për neglizhencën! Më në fund, ka ardhur momenti të marrim në konsideratë këtë filozof të konsiderueshëm. Për nga shtrirja e veprës së tij: jo më pak se 37 vëllime teThe Collected Works. Për nga jetëgjatësia e ndikimit të tij: ai vdiq në moshën 92-vjeçare, në vitin 1952, pasi jetoi në mënyrë mbiaktive treçerek shekulli. Për nga larmia e ndërhyrjeve të tij politike, për nga fama e emrit, jo më pak i famshëm se  Bertrand Russell. Por para së gjithash, sigurisht, për nga forca e analizave të tij dhe uniteti i  përçapjes së tij.
Sepse ky njeri nuk fluturoi nga njëra temë te tjetra. Mendimi i tij unifikohet nga nocioni i eksperiencës. Ai i jep një përmbajtje të re kësaj ideje të vjetër, shumë më të gjerë se kuptimi i saj i zakonshëm. Për Dewey, përvoja përmbledh dhe kombinon të gjitha ndërveprimet tona me mjedisin, qoftë atë fizik, biologjik, familjar, social. Dhe kjo eksperiencë nuk është kurrë pasive:  për të, nuk është nga njëra anë bota dhe nga ana tjetër ndërgjegjja, që regjistron fenomenet e jashtme. Përkundrazi, çdo eksperiencë dhe çdo ekzistencë ndërtohet nga ndërveprimet, nga formësimet reciproke, nga “transaksionet” siç i quan ai, ndërmjet një pafundësie faktorësh.

Delja e zezë

Pragmatizmi i Dewey është para së gjithash një mendim i procesit: në mendim dhe në botë, gjithçka është “in the making”, në bërje e sipër. Në këtë mënyrë, ndryshon edhe ideja e së vërtetës: idetë tona, kriteret tona morale, estetike ose politike, nuk janë të përjetshme. Ato rezultojnë nga shkëmbimet dhe janë në evolucion të përhershëm. Karakteristika qendrore e kësaj qasjeje është se heq qafe një herë e mirë bashkësitë e mbyllura. Në vend që ta ngurosë njeriun, natyrën, shkencën, shoqërinë në sfera të izoluara  dhe të mbyllura në vetvete, filozofi propozon që marrëdhëniet midis tyre të konceptohen në aspektin e tyre të lëvizshëm dhe evolues.

Këtë kuadër të përgjithshëm, John Dewey e shpjegon dhe e justifikon në shumë punime themeluese me një densitet të madh teorik. Eksperienca dhe natyra, botuar në vitin 1925 dhe përkthyer kohët e fundit në frëngjisht, është “teksti më metafizik ndër ta”, por edhe më i vështiri.
Mendimtari shtjellon atje konceptimin e tij të unitetit të integruar të ekzistencës: eksperiencat tona të natyrës ndodhin në natyrë. Duke u nisur nga ky postulat i parë, shtjellohen statusi i dijes, i artit, i filozofisë. Por lexuesit që nuk janë familjarizuar me tekste të vështira, mund ta fillojnë Dewey nga shkrimet e tij për shkollën, demokracinë, estetikën.
Sepse Dewey e filloi karrierën si mësues. Para Montessorit dhe të tjerëve, që janë dishepuj të tij, ai themeloi një lëvizje pedagogjike që vendos eksperiencën në qendër të nxënies: fëmija mëson duke bërë, duke zbuluar në nevojat e tij domosdoshmërinë për dije të njerëzimit. Në Shtetet e Bashkuara Dewey u konsiderua dele e zezë nga mbrojtësit e një shkolle që zbatonte programet dhe transmetonte dijet. Kundërshtarët e tij i thjeshtuan pozicionet e tij, e paraqitën si rusoist naiv, që donte të zhvillonte vetëm spontanitetin fëminor në kurriz të dijeve bazë. Por nuk ishte kështu. Përkundrazi, forca dhe veçantësia e pedagogut qëndron në idenë filozofike të një eksperience njerëzore që lidh jetën konkrete të fëmijëve me shkencat më të sofistikuara. Pa harruar se ai luftoi pasivitetin në formimin e nxënësve, sepse ajo i zë rrugën lirisë së qytetarëve.

Mbrojtës i zjarrtë i sovranitetit të popujve, Dewey e konsideron shumë më tepër se një regjim politik të përcaktuar dhe të kufizuar. Në fakt është një mënyrë të qeni e eksperimentimit kolektiv të përhershëm. Nga kjo perspektivë, historia rihapet, sepse asgjë nuk është e ngurtësuar ose e vendosur përfundimisht: rruga ndërtohet duke ecur. Kjo e bën këtë filozof një mendimtar pa dogmatizëm: është i bindur se njerëzimi mund të avancojë, se përmirësimi i tij varet nga reflektimet dhe aktet e tij, por nuk i thur lavdi të ardhmes së ndritur. Edhe nëse më e keqja nuk është e thënë të ndodhë – Dewey nuk është pesimist – ajo nuk është shmangur përfundimisht.
I merakosur që idetë dhe lëvizja e tyre të përfshihen në jetën  publike, ky gjigant i mendimit nuk pranoi kurrë të ishte një filozof i tërhequr, i shkëputur nga konfliktet dhe ngjarjet e kohës së tij. Demokrat liberal, mik i shkencave, darvinist, humanist, John Dewey ishte e kundërta e Heidegger, teknofob, mik i regjimeve të forta, shpallte se “shkenca nuk mendon”. Sa keq që nuk e kemi lexuar më herët (në Francë) këtë autor që nuk synon ta dekonstruktojë filozofinë, por ta rindërtojë. Por asnjëherë nuk është shumë vonë.
*Sipas ‘Le Point’.