Joga në zyrë

Nga Europa në SHBA është rritur numri i kompanive që ka futur kurset e jogës për punonjësit. Me një objektiv të qartë: të përdorë teknikat e çlodhjes për të luftuar stresin në vendin e punës dhe për të rritur produktivitetin

Qetësimi i mendjes për të rritur produktivitetin



Prej disa kohësh, kur bie telefoni në zyrat e “YogaAt”, shkolla londineze e jogës, në anën tjetër është pothuajse gjithmonë përfaqësuesja e ndonjë kompanie. “Biznesi ynë po rritet, falë bizneseve dhe kompanive të ndryshme”, thotë i gëzuar James Muthana, një ish-bankier, i cili pas dhjetë vjetësh në “City” ka themeluar një kompani që mëson teknika meditimi dhe çlodhjeje. “Po rritet pasiguria në botën e biznesit e kështu, kompanitë e mëdha kanë nisur të kuptojnë se nuk duhet vetëm të punësojnë njerëz të talentuar, por edhe duhet ruajtur e mbajtur në formë ky talent”. Për këtë arsye, kompani të mëdha si “First Direct” (bankë), “Taj Hotels” (rrjet hotelesh) “West Ham United” (skuadra angleze e futbollit) dhe shumë të tjera shkojnë dhe trokasin në portën e tij. Të frikësuar nga kriza më e madhe që pas Luftës së Dytë Botërore, kapitalizmi perëndimor po e kërkon frymëzimin dhe qetësinë nga një konsulent që deri pak vite më parë nuk këshillohej: spiritualizmi oriental. Kjo nuk po ndodh vetëm në Londër, por në të gjithë Europën dhe SHBA-në apo edhe në Azi. Nuk ka statistika të sakta se sa kompani ofrojnë kurse, momente apo hapësira meditimi për stafin e tyre në vendin e punës, por prej vitit 2010, një e katërta e kompanive më të mëdha amerikane kanë prezantuar programe për reduktimin e stresit, shkruan një raport i shoqërisë së analizave të tregut, “Aon Hewitt”. Në kalifornianen “Silicon Valley”, nisma të tilla janë shumë të përhapura: Nga “Google” te “Twitter” apo “LinkedIn”, nuk ka shoqëri të lidhura me internetin që nuk u kushtojnë rëndësi praktikave të tilla. Duke nisur nga “Apple” natyrisht, themeluesi i së cilës, Steve Jobs, pak para se të vdiste, i kishte treguar biografit të tij Isaacson avantazhet e meditimit për kompaninë e tij. Nga ana tjetër, nuk e thotë vetëm Steve Jobs. Të gjitha studimet shkencore mbështesin efektet e saj pozitive; sipas një studimi të bërë nga “Duke University”, një orë joga në javë redukton me një të tretën nivelin e stresit mes personelit të një kompanie. Studiuesit kanë zbuluar se meditimi e ul nivelin e kortizolit, një hormon i lidhur me stresin. Kur niveli i kortizolit ulet, mendja qetësohet, kthjellohet dhe mund të përqendrohesh më mirë. “Nëse punëtorët e një kompanie janë më të qetë shpirtërisht, do të jenë edhe më produktivë në punë, më të gatshëm për të marrë nisma dhe për të kërkuar një aspekt pozitiv në gjithçka që bëjnë”, thotë William George, ish-punonjës i “Goldman Sachs”. Ai ka nisur të shkruajë një rubrikë në “Harvard Business Review”, revista më e rëndësishme e planetit për biznesin, për të mirat e meditimit mbi ekonominë e tregut. Por fenomeni nuk kufizohet vetëm në Kaliforni dhe në kompanitë e uebit. “Aetna”, një nga kompanitë më të mëdha shëndetësore në Amerikë, ka nisur të organizojë seminare për jogën dhe meditimin me punëtorët e saj. “Çdo mëngjes praktikoj disa metoda për t’u relaksuar para se të ulem në tavolinën time të punës. Ky është programi im për t’u ndjerë mirë. Më ka ndihmuar të bëhem një person dhe një biznesmen më i mirë”, tregon një nga drejtuesit e saj, Mark Bratolini. Ata që hyjnë në “General Mills”, gjiganti amerikan i produkteve ushqimore, çdo të martë në një orë të caktuar mund t’i gjejnë drejtuesit dhe punëtorët me këmbët e kryqëzuara mbi tapetet e vegjël. Mos kujtoni se janë të çmendur, thjesht janë duke bërë joga. Në çdonjërën nga ndërtesat e “General Mills” ka hapësira për meditimin, të pajisur me jastëkë dhe tapete, ku punonjësit mund të hyjnë kur të duan për pak minuta qetësim mendor nga një mbledhje në tjetrën. Meditimi dhe joga, themelet e budizmit, të hinduizmit dhe filozofi të tjera aziatike, kanë infiltruar në disa nga kompanitë më të rëndësishme të globit, shkruan “Financial Times”. Sigurisht që ishin të shumtë në numër ata që thonin se kapitalizmi duhet të ndryshojë pas krizës së vitit 2008. Por shumë pak prisnin një ndryshim të një lloji të tillë. “Nuk ka lidhje me ndryshimin e fesë. Sigurisht që unë nuk e quaj veten budist. Këto janë teknika të mrekullueshme për t’u qetësuar dhe për të rritur produktivitetin në punë”, tregon kreu i zyrës së shtypit në “General Mills”. “Përpiqemi thjesht të bindim mendjen tonë se duhet të jemi më të përqendruar dhe për t’i parë gjërat më qartë, për t’i lënë vend kreativitetit dhe për t’u ndjerë më mirë nga agresionet e jashtme”, thotë Janice Marturano, hartuese e një programi antistres për kompanitë.