![]() |
| NDRIÇIM KULLA |
“Ndoshta ky qe fati i Shqipnisë”, do të nënvizonte më vonë Koliqi, “të qe e pushtuar dhe e fosilizuar nga ‘dominimi’ roman – si Pompei nën hinin e Vezuvit” – fosilizim i cili ndoshta e shpëtoi nga sllavizimi në Veri dhe helenizimi në Jug, dhe e lejoi të rizgjohet më 1912-n, pas pesë shekujsh letargjie, e pandarë etnikisht. Përveç kësaj, në këtë periudhë vihen re dhe disa orvatje të çmueshme letrare në kolonitë arbëreshe, ku më e përmendura është ajo e Jul Varibobës, lindur në Mbuzat (San Giogio Albanese), krahinë e Kozencës, në çerekun e parë të shekullit XVIII; pavarësisht italianizmit të skajshëm të gjuhës, poezia e tij arrin të ngrihet në kulmin e një lavdi të vërtetë poetik. Madje mund të shtohet se lirika shqiptare e merr kështu pagëzimin e saj të vërtetë nga arti, pikërisht me poemthin “Gjella e Shën Mëris Virgjërë” (Jeta e Shën Mërisë së Virgjër) të Jul Varibobës. Natyrë e çrregullt si njeri e si prift, arrivist, luftarak, i nderuar si shenjt nga një pjesë dhe i akuzuar si fajtor për veprime të rënda kundër moralit nga pjesa tjetër, ai punoi me një zell të çuditshëm për t’i bindur bashkëvendësit e tij që ta braktisnin ritin oriental e të përqafonin atë latin. Zhyti në kaos vendin e tij të lindjes ku shërbente si prift, i pacaktuar nga ndokush, dhe e detyroi hierarkinë ekleziaste të largohej nga Mbretëria e Napolit. Jetoi i mërguar në Romë ku dhe vdiq në një datë ende të panjohur. Shkroi shumë himne fetare, disa prej të cilave shumë të çmueshme për vrullin lirik, përderisa përdoren ende dhe sot ndër komunitetet shqiptare të ritit bizantin. Por, vepra e tij më e mirë mbetet poemthi shumë origjinal mbi Jetën e Virgjëreshës, që ai e simbolizon me një vajzë të thjeshtë nga populli, e cila reagon me një realizëm fshatar, për të lajmëruar misionin e saj të jashtëzakonshëm, të shënjuar prej Zotit. Me një gjuhë të painfektueshme nga elementët dialektikë kalabrezë, por të gjallë, të lëmuar e plastike, me kolorit e rrjedhshmëri të lumtur vargjesh e rimash, ai rrëfen jetën e Madonës dhe lindjen e Jezusit. Rrëfen etapa të ndryshme nga ngjarja e madhe, duke përdorur terma të papërpunuar popullorë, për të na i paraqitur ato në pamjet dhe mënyrën më të qartë njerëzore. Kështu, lindjen e Jezusit, ngjarje që do të transformonte botën, autori e transferon nga Betlehemi në San Giorgion e vet, në një banesë çfarëdo të fshatit. Katundi i thjeshtë, me banorët e tij, ndjehen të tronditur nga mrekullia e mishërimit të Zotit në prehrin e një fshatareje të përvuajtur. Në San Giorgio ndihen të kumbojnë melodi engjëllore, hapen papritmas qiejt e rigon një shi i mahnitshëm dritash që e transformon gruan e re, e cila përtej të qenit si çdo grua tjetër e fshatit, e veshur me bukurinë e amësisë misterioze, ka në vetvete diçka të veçantë, që i lartëson jo vetëm gjithë gratë e botës, por edhe botën vetë. Ndërkaq, banorët e San Giorgios jetojnë brenda mrekullisë, të edukuar krejt papritmas nga një frymë që rritet pareshtur dhe i jep hir çdo gjesti të tyre e madhështi çdo fjale, çdo fryme që grafullon nga ndjenja e dashurisë së pastër të Varibobës për Nënën e Zotit, ajo që purifikon realitetin e ashpër dhe që shkrin me një brishtësi të pastër shprehjet më vulgare të zhargonit popullor. Vepra e frymëzueme e poetit nga Mbuzati, paralajmëron pastaj ardhjen e madhërishme të treshes së madhe të poetëve kombëtarë shqiptarë: Jeronim de Radës, Naim Frashërit e Gjergj Fishtës. Duke përmbledhur, mund të themi se i gjithë produkti letrar shqiptar i këtyre shekujve të dhimbshëm është i vulës dhe përmbajtjes katoliko-romane, ndërkohë që edhe autorët e tyre janë të gjithë famullitarë e priftërinj, të të dyja riteve.
Për të gjetur ambiente të tjera të lulëzimit të saj na duhet të presim dorëshkrimet e rralla myslimane të fundit të kësaj epoke, apo produktet pedagogjike – më pak në shqip dhe më shumë në greqisht – të qendrave të lulëzuara kulturore të Moscopolit dhe të Beratit, të gjitha në gjysmën e dytë të shekullit XVIII. Edhe në këto qendra duhet nënvizuar një ndikim i tyre nga ana e Venecias apo e traditës kulturale që nëpërmjet nxënësve të Kolegjit të Shën Athanasit sillte në Shqipëri frymën e ndikimin të Romës. Fillon kështu epoka e tretë e historisë së kulturës shqiptare, që mund të pozicionohet nga fundi i viteve ‘700 deri në ditët tona, një epokë kjo që karakterizohet vërtet nga faktorë të rinj që i japin edhe një fizionomi të re, por pa arritur t’ia ndryshojnë aspak prirjen themelore, që do të bëhet gjithnjë e më perëndimore.
Pra, nëse në dyja epokat e mëparshme, jeta kulturore shqiptare synonte dhe lëvrinte totalisht në ambientin romano-katolik dhe latin për nga kultura, në fillimet e kësaj epoke është ambienti ortodoks i Shqipërisë jugore ai që do të spikasë më fort, veçanërisht në qendrat e tij historike, ku përtej atyre që përmendëm, me kalimin e dekadave nisën të zgjohen edhe qendra të tjera si Gjirokastra, Elbasani dhe Korça. Të gjitha këto i dhanë një kontribut të madh kauzës së kulturës kombëtare, duke filluar që nga “Akademia e re”, shkolla e mesme e Voskopojës dhe me botimet e saj të famshme, si p.sh. fjalorthi greko-rumuno-shqiptar, ose i quajtur ndryshe, një lloj teksti me nocionet bazë në fusha të ndryshme, përpiluar nga Kavaljoti dhe botuar përsëpari në Venecia në vitin 1770. Megjithatë, një ndihmë e kontribut themelor në këtë epokë, jo vetëm për shqipen, por edhe për rringjalljen kombëtare, dhanë patriotët militantë të arbëreshëve të Italisë. Që në fillim të shekullit XVIII, pjesërisht nën ndikimin e nacionalizmit, të ringjallur si rrymë në të gjithë Europën, e pjesërisht nën ndikimin e romantizmit, që i dhuroi aq shumë impuls letrar, kolonitë shqiptaro-arbëreshe të Mbretërisë së dy Sicilive, futen në periudhën e një zjarrmie të ethshme të jetës kulturore, çka manifestohet në ndërmarrje frymëgjera poetike (De Rada) e në orvatje të fuqishme në studimet shkencore të historisë dhe gjuhës shqipe (midis tyre dhe Sqiroi).
Veç më vonë, pas gjysmës së parë të shekullit XIX, do të vijë zgjimi i elementin jo kristian, veçanërisht bektashian, i mbledhur rreth një Naim Frashëri, ai që do të bëhet propaganduesi më i flaktë i nacionalizmës shqiptare. Në këtë pikë do të qe me vend të bënim një sqarim. Sekti bektashian, shumë heterodoks si në aspektin dogmatik, ashtu dhe atë ritual, përfaqëson më tepër një tendencë, në mos kristianizuese, sigurisht, perëndimore në gjirin e shoqërisë islamike, nëse mund të quhet vallë i përfshirë brenda saj, fakt për të cilin gjen shumë dyshues. Ndërkaq, Moskopoli ishte shkatërruar, por copërat e kulturës dhe rrezatimet e saj nisën dalëngadalë të mblidheshin, të grupoheshin e të formonin një rrymë të re në Elbasan, e cila, nëpërmjet përfaqësuesit të saj më të madh, Kristoforidhit, nisi të shndërrohej në njërën nga qendrat më të rëndësishme të jetës kulturore të kombit. Më vonë do të jetë Korça, që pa shumë lidhje me të shkuarën, do të marrë në duar udhëheqjen e lëvizjes kulturore toske.






