Xhevat Sherifi
(Kryesues i Këshillit nismëtar të Diaspores shqiptare për Maqedoni)
![]() |
Xhevat Sherifi |
Nisma jonë i përgjigjet një domosdoshmërie të pashtyeshme për diasporën. Diaspora shqiptare, në tërë gjeografinë e shtrirjes së saj botërore, duhet të nisë një cikël të ri organizimi dhe riorganizimi në përputhje me realitetet e reja për jetën e kombit shqiptar dhe, poashtu, në përputhje edhe me trendet e globalizimit botëror në këtë shekull që kemi hyrë.
Në këtë 100 vjetor të pavarësisë shqiptare mbyllet poashtu cikli i misionit historik të diasporës shqiptare këtu në Amerikë. Ne që jemi brezi i këtij shekulli në këtë diasporë i përulemi sakrificës së të gjithë veprimtarëve të kësaj diaspore, dhe të diasporës shqiptare përgjithësisht ku ka vepruar ajo, që i bëri histori dinjitoze veprimet e saj për realizimin e idealeve të përjetshme kombëtare të shqiptarëve. Neve pinjollëve të të gjitha moshave të kësaj diaspore, kjo rrugë historike e etërve dhe prindërve tanë pashmangshmërisht na vë përballë përgjegjësisë se sotme dhe të ardhme kombëtare për të vepruar poashtu në dy plane: Në planin e riorganizimit të diasporës dhe aktivizimit të saj për të mirën e komuniteteve diasporike shqiptare në vendet ku jeton dhe vepron kjo diasporë dhe në rrafshin e përgjithshëm shqiptar, në kontekstin e ri global, të jemi pjesa vitale, e pandashme e trungut shqiptar dhe e përgjegjësive të përbashkëta kombëtare, ashtu si mund të shohim dhe të mësojmë si bëjnë në këtë shekull diasporat botërore të shumë popujve që kanë histori pakashumë të ngjashme me tonën.
I pari objektiv, pra, është kjo që thamë, nisja e procesit të ristrukturimit organizativ përmes formave ndryshe prej atyre klasike që e karakterizojnë organizimin e diasporës sonë, sepse tash jemi në kohën e rrjeteve sociale dhe të komunikimeve të tjera teknologjike, të cilat i lehtësojnë dhe i bëjnë më efektive veprimet dhe lidhjet në diasporë.
I dyti, vendosja e objektivave dhe e misioneve të diasporës në realitetet konkrete - në realitetet e diasporës dhe në realitetet kombëtare të saj dhe në këtë drejtim ajo duhet të marrë përgjegjësinë të përballet me sfidat aktuale dhe të ardhme të fateve të saj dhe të Atdheut. Për të përmbushur këto objektiva, morëm nismën që të themelojmë një strukturë organizative diasporike përmes formulës historike shqiptare-të lidhjes, ndaj edhe misioni i Diasporës Shqiptare për Maqedoni është që të vendosë lidhje të qëndrueshme ndërmjet shoqatave të diasporës shqiptare ne Europë, Australi, Amerike e gjithandej ku ndodhen ato; t’i ndërlidhë ato në një rrjet të qendërzuar rreth DSHM, në mënyrë pjesëmarrja, veprimi dhe kontributi i diasporës të shprehet më konkretisht dhe me efektivitet për dobi të progresit të saj dhe të kombit shqiptar tash dhe në kohët që vijnë .
Lidhja e Diasporës shqiptare për Maqedoni themelohet për t’u përballur me një sfidë imediate, të pashtyeshme: të zhbllokojë ngërçin social- kulturor e politik që ka mbërthyer popullin shqiptar në Maqedoni dhe të nxisë një dinamikë të re veprimi përmes impenjimit dhe ushtrimit të influencës së saj të drejtpërdrejtë në proceset e demokratizimit në vend.
Synimi dhe vullneti që përfaqëson kjo nismë është që diaspora shqiptare të manifestojë vendosmërinë dhe përgjegjësinë dhe bashkëpërgjegjësinë për të sotmen dhe ardhmërinë e saj dhe të Atdheut në realitetet e reja kombëtare ende të pakonsoliduara.
Diaspora shqiptare, këtu në Amerikë që përbën një diasporë që ka krijuar një referencë dhe një trashëgimi historike të çmuar në lëvizjen shqiptare të shekullit, me një ripërtëritje të vazhdueshme të substancës së saj, po edhe polet e diasporës sonë në vende të tjera, ishte e kyçur aktivisht në të gjitha rrjedhat e deritashme të ndryshimeve social-politike, demokratike dhe gjeopolitike në realitetet shqiptare që i sollën këto dekada, prandaj kjo nismë është vetëm një vazhdim i ri i impenjimit të saj në këtë vijë, i motivuar nga një vizion kombëtar që i jep një shtysë të qëndrueshme përkushtimi të ri këtij veprimi.
Pritjet e para që iu bënë kësaj nisme janë vërtet të pozitivizuara, ishin pritje që nismëtarët e saj i inkurajon për t’i dalë gjer në fund realizimit të saj, gjithandej ku është shpallur. Është e kuptueshme që, si çdo nismë që motivohet nga një vizion i ri mobilizimi dhe me caqe të reja objektivash, kërkon një kohë të mjaftueshme për ta rrënjosur si projekt.Në anën tjetër, promovimi i çdo projekti të këtillë, si zakonisht në këto realitete shqiptare, nuk e çanë rrugën e vet pa pengime që i dalin përpara.
Shpallja e kësaj nisme bëhet në kohen kur në realitetet diasporike poashtu është i konstatueshëm një ngërç, një impas i aktivizmit të saj, të imponuar nga misionet trazimtare që dërgohen nga poshtë, orientimet e të cilave bëhen në drejtim që, pikërisht në këtë kthese historike, diaspora shqiptare të futet nën tutelën e projekteve të huaja që janë në kundërshti me interesat vitale të kombit shqiptar, në të tashmen dhe në ardhmërinë e tij. Të tilla misione trazimtare në kohët e fundit janë lansuar në disa situata, veçmas këtu në Amerikë ku ndodhet kryeqendra e lobimit shqiptar për interesat historike dhe gjeopolitike shqiptare. Ardhja këtu në Amerikë, sa herë që i dërgojnë me porosi, e një zëvendëskryeministreje « shqipfolëse », si Teuta Arifi dhe e një zëvendëskryeministri të tillë « në emër të shqiptarëve », si Musa Xhaferi, por me misione pansllave dhe si « lobistë shqipfolës » të diasporës së bashkuar maqedonase, të lidhur edhe me një « Këshill kombëtar » shqiptaro-amerikan si degë ashiqare e diasporës së bashkuar maqedonase, sikundër e ka bërë këtë shoqatë anëtari i bordit të saj Ilirian Rusi, janë ndër realitetet dhe veprimet më të shëmtuara që u kanë ndodhur shqiptarëve në këtë vit të shënimit të 100-vjetorit të pavarësisë shqiptare… !
Së kendejmi, themelimi i lidhjes së Diasporës Shqiptare për Maqedoni mund të konsiderohet si nisma kombëtare që i merr në mbrojtje fatet shqiptare, si të diasporës ashtu dhe të Atdheut në këto kohë dhe në këto kthesa, duke iu kundërvënë qartë manipulatorëve të shëmtuar të këtyre misioneve të huaja dhe për t’i bërë të dështuara përpjekjet e tyre që sunojnë kolapsin veprues dhe çorientues edhe të diasporës pas kolapsit që e kanë shkaktuar në trungun e shoqërisë shqiptare në Atdhe, dhe për të penguar rreptësisht tendencat prosllave që synojnë ta bëjnë të delegjitimuar diasporën shqiptare si zëdhënse e vetme dhe legjitime e interesave shqiptare.. !!!
Rreth këtij organizmi diasporik, që do shtrihet dhe do ndërlidhet edhe në atdhe me organizimet e shoqërisë civile, po mblidhen veprimtarë të legjitimuar kombëtarisht edhe të kohëve të para, edhe të brezit të ri, po mblidhen forcat e gjalla kombëtare, me dije,vlera dhe përvojë e kompetenca profesionale, po mblidhet një kapital njerëzor dhe intelektual me një përkushtim veprimi për interesat shqiptare që mund t’i bëjë nderë diasporës dhe Atdheut. Ne u bëjmë thirrje edhe mediave dhe portaleve të shumta mediale shqiptare gjithandej ku janë, që të lidhen me këtë nismë, t’i bëjnë jehonë kësaj nisme, t’i japin një vizibilitet meritor kësaj nisme dhe këtij projekti