Detyra e ardhshme e liderëve të rinj të Kinës


Nga Ana Palacio


Me gjithë vazhdimin e paqartësive në lidhje me tranzicionin politik të Kinës, pritet se pragmatizmi – pika e përbashkët e liderëve të saj pas Maos - do t’i bartet grupit të ri të udhëheqësve. Nëse është ashtu, atëherë ata duhet ta dinë se strategjia më e mirë, si brenda ashtu edhe jashtë, është që energjia dhe resurset të përqendrohen në përforcimin e institucioneve kineze që merren me sundimin e ligjit, ndonëse reformat e tilla do ta ndalin në mënyrë të konsiderueshme ndikimin arbitrar të partisë

Ana Palacio



Në një vizitë të kohëmëparshme faktmbledhëse në Kinë, të Organizuar nga Këshilli Evropian për Marrëdhënie me Jashtë, unë u nisa me supozimin sfida më e madhe e shtetit mbetej domosdoshmëria e promovimit të konsumit të brendshëm, me qëllim që të ruhej rritja rapide ekonomike. Deri në fund të udhëtimit, ajo që doli në pah ishte një pamje komplekse e sigurisë dhe e pasigurisë kineze, vendosmërisë dhe shqetësimit. Ndonëse në pritje, Kongresi i 18-të i Partisë Komuniste Kineze është i mbuluar me një vello misteri. Derisa kuvendi supozohet se është caktuar për tetor, datat e sakta mbesin të panjohura, ashtu si edhe të dhënat për proceset e brendshme dhe diskutimet përgatitore. Për pjesën më të madhe të këtij viti, vetëm një gjë ishte e qartë sa i përket tranzicionit të udhëheqjes së ardhshme: Sekretari i ri i Përgjithshëm i CCP-së do të ishte Xi Jinping, një njeri, vizioni politik i të cilit do të mund të elaborohej fare mirë brenda vetëm 30 sekondash. Por, akti misterioz i zhdukjes së Xi, kur ai u zhduk nga sytë e publikut për pothuajse dy javë në shtator - pasi që kishte anuluar papritur takimet me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillary Clinton dhe kryeministrin e Singapurit (gjë kjo e pazakonshme për udhëheqjen kineze, të fiksuar në protokoll) – ka nxitur edhe më shumë spekulime. Një gjë e tillë po ashtu ka nxitur shqetësimet nëse një udhëheqësi aq e izoluar mund ta qeverisë në mënyrë efektive ekonominë e dytë të botës. Megjithëse nga jashtë duket tejet e vendosur, Kina është në një gjendje fluksi, me një vetëbesim të luhatur, derisa po u nënshtrohet presioneve të brendshme të pasigurisë. Suksesi i saj i pamohueshëm ekonomik – ndonëse shumë ngushtë i lidhur me atë të ekonomisë globale – qëndron në kontrast të madh me ndjesinë e shtuar të krizës dhe pasigurisë. Dy probleme të veçanta janë duke preokupuar liderët e Kinës: i pari ka të bëjë me rritjen e kërkesës dhe pakënaqësisë së shoqërisë kineze – prej fshatarëve dhe studentëve e deri tek punëtorët dhe pensionistët. Problemi i dytë ka të bëjë me mënyrën se si po e drejton ky shtet politikën e jashtme. A do të trajtojë administrata e ardhshme këto çështje të rëndësishme? Brenda në këtë shtet, derisa Kina ka kaluar prej varfërisë masive tek pasuria, rritja ekonomike – ndonëse burimi kryesor i legjitimitetit të CCP-së – nuk po mjafton më. Shqetësimi po mbizotëron: ndonëse statistikat janë të ndryshme, varësisht prej asaj se si e definojnë termin agjencitë qeveritare, vlerësohet se ndodhën afërsisht 180.000 “incidente masive” në Kinë vetëm gjatë vitit 2011. Klasa e mesme urbane e Kinës dhe komunitetet e saj rurale, të organizuara shumë mirë, janë duke kërkuar me të madhe një qeveri më pak të korruptuar dhe më të gatshme për llogaridhënie, një ajër më të pastër, ujë, ushqim më të sigurt dhe furnizim me ilaçe, ashtu si edhe një sistem të pavarur dhe funksional gjyqësor. Pakënaqësia popullore pjesërisht pasqyron një fenomen që paraqitet në mënyrë të pashmangshme gjatë bisedimeve të shumta me akademikë, intelektualë dhe zyrtarë të lartë: kufiri i paqartë i ligjshmërisë që aktualisht po mbretëron në Kinë. Paqartësia ligjore krijon një botë të tërë të dykuptimësisë, në të cilën lulëzojnë autoritetet: parashikueshmëria ligjore varet nga konteksti, derisa njerëzit e zakonshëm duhet të kalojnë nëpër ujërat e cektë dhe të trazuar të asaj që do ta tolerojnë të fuqishmit. Në të njëjtën kohë, sundimi i ligjit luan një rol të rëndësishëm në diskursin politik kinez. Por, duke e pranuar rëndësinë e saj, zyrtarët kinezë luajnë në mënyrë kreative me konceptin. Askund nuk ishte kjo e dukshme më shumë se në përpjekjet që rasti i ish-shefit të partisë për Chongqing, Bo Xilai të paraqitet si një mënyrë e “respektimit të sundimit të ligjit”. Megjithatë, po qe se lëmë anash prononcimet formale, po qe se udhëheqja e Kinës dëshiron të trajtojë në mënyrë adekuate rritjen e kërkesës dhe të shuajë pakënaqësinë, atëherë do të duhet që të përkushtohet në sundimin e ligjit. Një hap i tillë do t’i sillte të mira edhe pozicionit të Kinës në botë. Dalja e paradokohshme e Kinës në skenë si lojtare me rëndësi ndërkombëtare e ka vënë në pah pasigurinë e liderëve të saj rreth rolit të ardhshëm të shtetit, duke ngritur në të njëjtën kohë pikëpyetje rreth gatishmërisë së tyre për t’i marrë përsipër përgjegjësitë që i takojnë. Kina ende çalon kur është në pyetje “fuqia e butë” apo kur duhet që t’i sigurojë palët se “ngritja e saj paqësore” do të mbetet paqësore. Në të vërtetë, Kina sot po konsiderohet me të madhe se është duke e shkelur rendin botëror, duke promovuar interpretime të reja të koncepteve si demokracia, pluralizmi dhe përfaqësimi. Për shumicën, sjellja e saj karshi Sirisë – duke u bashkuar me Rusinë për bllokimin e nismave ndërkombëtare – dhe kontestet territoriale detare me fqinjët e saj paraqesin shembull të kësaj tendence. Për këtë arsye nuk duhet të befasohemi se politikat e Kinës konsiderohen me të madhe si pasqyrim i thirrjes së ish-kryeministrit kinez, Ten Hsiao Pin për një strategji të “fshehjes së dritës sonë dhe dhënies së fuqisë”. Por, aftësia e Kinës për të bindur tjerët se sjellja e saj në skenën ndërkombëtare rrjedh nga kërkimi i balancës, do të varet prej aftësisë së liderëve të saj për ta mbështetur sundimin e ligjit – në esencë, e jo vetëm me fjalë – si bazë fondamentale për harmoninë, që e kërkojnë publikisht. Deri më tani, mbijetesa e sistemit politik të Kinës është mbështetur në identifikimin dhe përballjen me çështjet më problematike të ditës. Secili lider kinez që nga vdekja e Mao Ce Dunit më 1976 ka lënë gjurmë të pashlyeshme. Për Dengun, ishte nisma drejt një ekonomie të tregut, të artikuluar përmes “Katër modernizimeve”. Pasardhësi i tij, Jiang Zemin ndërmori rivlerësimin e brendshëm të CCP-së dhe zgjerimin e bazës së saj përmes “Tre përfaqësimeve”. Në anën tjetër, objektivi i Hu Jintaos në largim ishte zhvillimi. Me gjithë vazhdimin e paqartësive në lidhje me tranzicionin politik të Kinës, pritet se pragmatizmi – pika e përbashkët e liderëve të saj pas Maos – do t’i bartet grupit të ri të udhëheqësve. Nëse është ashtu, atëherë ata duhet ta dinë se strategjia më e mirë, si brenda ashtu edhe jashtë, është që energjia dhe resurset të përqendrohen në përforcimin e institucioneve kineze që merren me sundimin e ligjit, ndonëse reformat e tilla do ta ndalin në mënyrë të konsiderueshme ndikimin arbitrar të partisë.

Autorja është ish-ministre e jashtme spanjolle dhe ish-nënpresidente e Bankës Botërore është anëtare e Këshillit Shtetëror spanjoll. Shkrimi është botuar së pari tek “Project Sindycate”