“Sigurisht, do të doja që ata lojtarë të ishin pjesë e ekipit tonë, por tani i kemi kundërshtarë dhe nuk mund t’i quajmë ndryshe. Në këto kushte, kosovarët që luajnë për Zvicrën i shikojmë thjesht si kundërshtarë, prandaj do të përpiqemi që të mos ndikohemi nga zgjedhja e tyre”.
“Ndeshjen nuk mund ta shikojmë si hakmarrje ndaj këtyre futbollistëve, por do të luajmë dhe do mundohemi t’i mposhtim ata. Ajo çfarë është e rëndësishme ka të bëjë me faktin se në Luzern do të kemi mbështetjen e tifozerisë, e cila parashikohet të jetë e shumtë”, ka thënë Cana, përcjellin mediat shqiptare.
Në vijim Cana i ka bërë thirrje skuadrës që të angazhohet 100% për këtë ndeshje.
“Duhet të jemi gjatë gjithë 90 minutave të kujdesshëm, pasi kundërshtari është i një niveli të lartë dhe mund të na ndëshkojë atëherë kur nuk e presim. Pavarësisht se Zvicra është një skuadër e madhe, ne kemi besim se do të luajmë një ndeshje dinjitoze. Do të bëjmë të pamundurën për të marrë një rezultat pozitiv”, ka shtuar kapiteni i kuqezinjve.





