Arianna, zonja e gazetarisë online

Intervistë me Arianna Stassinopoulos, shkrimtarja dhe politikania e cilësuar nga “Time” si një nga gratë më me influencë të planetit, themeluese e gazetarisë online

“Ja sekretet e ‘Huffington Post’”

Disa javë më parë, pak metra nga konventa e demokratëve, punonjësit e “Huffington Post” çlodheshim mes jogës në zyrë dhe masazheve. Kjo është një nga gjërat që ofron Arianna Huffington, pionierja e mediave të reja. “Për të punuar më mirë, për të qenë më kreativë, por edhe për të bërë politikë në mënyrë më konstruktive, duhet të dish të harmonizosh çdo pjesë të jetës tënde, ta shohësh botën me tjetër sy dhe të kujdesesh për veten”. Arianna arrin ta bëjë më së miri këtë: ndërsa flet për ekuilibrin e brendshëm, shkruan me shpejtësi një editorial; ndërsa shpjegon se si duhet të jetosh më mirë, me kufjet e ‘iPhone” të saj ndjek në distancë mbledhjen e redaksisë së super-blogut më të vizituar në botë: pikërisht “Huffington Post”. Arianna ka jetuar pesë apo gjashtë jetë, nga nëntë që ka në dispozicion. Biografia e saj do të bëhet roman fantastik për më tepër edhe një film. E lindur në Greqi, me emrin Arianna Stassinopoulos, në moshën 16-vjeçare u nis për në Angli, ku arriti të hynte në Universitetin prestigjioz Kembrixh, e ku theksi grek nuk e pengonte të bëhej presidente ekskluzive e “Unionit të Studentëve”. U lidh me një nga gazetarët më në zë, Bernard Levin, me të cilin u nda vetëm se nuk donte fëmijë. Sa për fëmijë, ajo ka dy vajza me Michael Huffington, burrin e saj amerikan (i cili u nda nga jeta në vitin 1997), që ishte një deputet republikan. Edhe Arianna u përfshi për një periudhë të shkurtër në të djathtën amerikane, ku u bë një opinioniste e famshme. Kandidoi si ambientaliste e pavarur kundër Arnold Schwarzenegger për guvernator i Kalifornisë, humbi por nisi të spostohej gjithmonë e më majtas. Shkroi 13 libra, mes të cilëve biografitë e Picasso-s dhe Maria Callas, si dhe shumë manuale për të përmirësuar cilësinë e jetesës, ku mes të tjerash u këshillonte grave të kultivonin vetëvlerësimin dhe optimizmin për gjithçka bënin në jetë. Interpretoi në filma dhe shfaqje televizive të satirës politike. U bë autore tekste këngësh, por e gjitha kjo nuk mjaftoi. Ishte viti 2005, kur Arianna do të përfshihej në sipërmarrjen e saj më të madhe deri atëherë.
“The Huffington Post” u krijua ndërsa ajo mori një rol të ri, atë të orakullit të së majtës liberale. Mjeshtëria e saj për të kultivuar miqësi të fuqishme dha frute të dukshme. Që nga fillimi në “Huffington Post” u shfaqën emrat më të mëdhenj të inteligjencës progresiste, politikanë dhe shkrimtarë, yje të Hollywood-it dhe opinionit të mediave tradicionale. Numri i vizitorëve në muaj i kalonte 40 milionë. “Huffington Post” shumë shpejt nisi të rivalizohej me sajte të kalibrit të “New York Times”. Më vonë u bë edhe çështje biznesi, kur në shkurt të vitit 2011, AOL nënshkroi një çek prej 300 milionë dollarësh për ta blerë. Që atëherë, Arianna u bë drejtoresha e gjithë pjesës editoriale të AOL. Falë ekipit të saj teknologjik, lajmet e “Huffington Post” janë gjithnjë të parat në kërkimet online dhe kjo është ndër pikat më të forta. Për më tepër, ideja e komunitetit u zhvillua në versionin më ekstrem: komentet e lexuesve në “Huffington Post”, për nga numri, kalojnë çdo lloj sajti tjetër interneti. Nuk mund të mos flasim edhe për krijesën e saj të fundit, televizionin online të sajtit ku temat e aktualitetit (zgjedhjet amerikane ose në Lindjen e Mesme) diskutohen nga gazetarë dhe ekspertë në studio, bashkë me përdoruesit e “Post”-it që shfaqen në ekrane të mëdha.

Demokracia digitale: lexuesi ndërvepron me të njëjtin dinjitet si të një ministri.

Revista e prestigjiozesColumbia University School of Journalism” iu ka kushtuar një kopertinë, duke iu cilësuar “Click Magnate”, padronia e kontakteve online. Ju eksploroni një formulë të re të mediave të përshtatshme në epokën dixhitale. Në fillim, “Huffington Post” u akuzua se ishte një agregat i lajmeve të nxjerra nga mediat e tjera, si të përditshmet dhe agjencitë e shtypit. Çmimi “Pulitzer 2012” që i shkoi korrespondentit tuaj të luftës David Wood, ishte një kthesë.
Nuk ka vetëm një model për të ardhmen e medias. Gjithsecili eksperimenton shumë të tillë njëkohësisht. Ne jemi një sipërmarrje gazetareske, siç tregojnë fituesit e shumtë të çmimit “Pulitzer” që bashkëpunojnë me ne, si dhe investojmë në prodhimin e lajmeve. Për më tepër, jemi edhe një platformë në dispozicion të kujtdo që ka diçka të rëndësishme dhe me cilësi për të treguar: në politikë, në art, në kërkimin e stileve të reja të jetës. Me ne bashkohen autorë të famshëm librash, qindra gazetarë dhe komentatorë, si dhe të panjohur të shumtë që na përdorin si një lloj trampoline për rrugën e tyre.

Në krahasim me sajtet dhe blogjet e tjera të lajmeve dhe opinioneve, rekordi juaj qëndron te komentet online. Këtu qëndron origjinaliteti?
Rreth 70 për qind e komenteve janë përgjigje dhe reagime të lexuesve ndaj lexuesve të tjerë: është një diskutim i vërtetë, një komunitet autentik ai që e jeton këtë përvojë. Fjala kyç është përfshirja. E njëjta vlerë dallon edhe televizionin tonë. Lexuesi është në qendër të veprimit, në zemër të “Huffington Post”. Për më tepër, nuk bëhet fjalë për komente që shkelin çdo lloj etike. Që nga dita e parë kemi lejuar vetëm ato komente që garantojnë zërin qytetar dhe cilësinë e bisedës.

Si e shihni panoramën e medias pas njëzet vjetësh? Ju kanë akuzuar se “po thithni limfën jetësore” nga organe të mëdha të informacionit si “New York Times”…
Jam e sigurt se njerëzit do të kenë gjithmonë nevojë për “New York Times” apo gazetat e tjera. Nuk e parashikoj fundin e tyre. Por na duhet edhe ta pranojmë se në rrethana të caktuara, çdo qytetar mund të bëhet një korrespondent, një gazetar. Mendoj për Egjiptin, Sirinë ku lajmet shfaqen në “iPhone”. Gazetaria e qytetarëve nuk e errëson aspak rolin e profesionistëve guximtarë, që përmes reportazheve dhe kronikave të tjera, na dhurojnë vërtet perla. Për më tepër, për të garantuar cilësinë e lajmeve po kërkojmë të përhapemi në shumë vende të tjera, pjesë e projektit të një bashkëpunimi konstant mes të gjitha filialeve tona europiane. Për shembull, do të na informojnë për një ngjarje të rëndësishme si kriza në Eurozonë, duke punuar në bashkëpunim të ngushtë me filialet tona në Europë. Kjo na shërben edhe ne këtu në Amerikë, për të shpërndarë sa më shumë informacionet tona: për shembull, nga këtu ne do t’u transportojmë sajteve tona europiane shërbime speciale mbi zgjedhjet në Amerikë. Bota tani është bërë më e vogël dhe ajo që ndodh në Kinë apo në Europë u intereson të gjithëve, në mënyrë të pashmangshme.

Mbi krizën në Europë, ju keni një pikëpamje të veçantë: qytetare amerikane, por gjithmonë e lidhur me Greqinë…
Masat e kursimeve të aplikuara në Europë përputhen me përcaktimin klinik të çmendurisë: përsërit pafund të njëjtin gabim, duke shpresuar që rezultati të jetë i ndryshëm. Jam rritur në një familje të rrënuar nga borxhet sepse babai im, si botues falimentoi, ndërsa mamaja u mbajt fort në një parim: gjithçka mund të sakrifikohet për shkollimin e fëmijëve. Përkundrazi Europa po sakrifikon të ardhmen e të rinjve të saj, që nuk kanë faj për këtë krizë.

Edhe me SHBA, ju nuk jeni treguar aspak e butë. Libri juaj i fundit titullohet “Amerika, një komb i botës së tretë”.
Forca e Amerikës, dikur ishte se këtu, fëmijët tanë do të ishin më mirë se ne. Kjo nuk është më e vërtetë. Ëndrra amerikane është ndërprerë, papunësia e të rinjve ka arritur kulmin, sidomos edhe tek ata që janë të shkolluar. Rënia e shtresës së mesme është shqetësuese, po ashtu dhe problemet sociale që nuk po zgjidhen dot. Sistemi politik nuk po arrin dot më të diskutojë temat që kanë vërtet rëndësi.

Në “Huffington Post”, po u kushtohet gjithmonë e më shumë hapësirë tematikave të tjera: si për shembull stilet e ndryshme të jetës…
Gjithnjë kam dashur të punoj për të bërë ndryshimin në dy plane: përmes politikës dhe jetës personale.
“Huffington Post” po pasurohet vazhdimisht me seksione të dedikuara shëndetit, stileve të shëndetshme të jetesës, sepse kjo vërtet më magjeps. Për më tepër, mendoj se kjo mund të ndërveprojë me cilësinë e veprimeve politike. Nuk duhet të harrojmë kurrë një pyetje të bërë nga Solgenitsyn: nëse do të bësh ndryshimin, do fillosh nga të tjerët apo nga vetja?



Etapat e “Huffington Post”

Krijimi - Më 9 maj u krijua si blog në SHBA dhe u bë menjëherë një nga sajtet më të ndjekura
Blogu më i mirë - U vlerësua në “Webby Award” si blogu më i mirë kushtuar politikës
Zgjedhjet e 2008-s - Ishte një nga sajtet më të klikuara në kohën e zgjedhjeve amerikane të vitit 2008
AOL - Në vitin 2011 u ble nga AOL për më shumë se 300 milionë dollarë
“Pulitzer” - Më 16 prill të vitit 2012 fitoi “Pulitzer” me një reportazh për ushtarët e plagosur në Irak dhe Afganistan
169 mijë - Rekordet e komenteve për një artikull të vetëm
776 - Pjesëtarët e stafit në SHBA
30 mijë - Numri i blogjeve në Amerikë
59.3 mln - Vizitorët në gusht të vitit 2012
9.9 mln - Komentet e ardhura në gusht të vitit 2012

Related Posts: