ERMAL HASIMJA
![]() |
ERMAL HASIMJA |
Së pari, të mos ia fusim kot: nuk janë 100 vjet pavarësi, por 100 vjet nga shpallja e pavarësisë. Sepse Shqipëria nuk ka qenë e pavarur (madje tamam-tamam, nuk ka qene fare) gjatë Luftës së Parë Botërore. Gjatë Luftës së Dytë ishim të pavarur vetëm në mundësinë për të bërë luftë civile. Të tjerat i bënte gjermani dhe italiani. Shto këtu edhe pehlivanllëqet me Jugosllavinë, Rusinë e Kinën. Madje, ka nga ata mistrecë që pretendojnë se realisht edhe tani nuk jemi dhe aq të pavarur nga Ambasada Amerikane dhe zyrat e Bashkimit Europian në Tiranë (madje thonë shyqyr që nuk jemi). Po nejse, i lwmë këto.
Kemi qenë shumë të pavarur nga viti 1920 si dhe në kohën e Zogut. Madje, thyem edhe rekordin botëror të qëndrimit të një qeverie në pushtet: vetëm 6 orë. Përfytyroni, një shqiptar që bëhet Kryeministër dhe jep dorëheqjen pas 6 orësh. Hall të madh do të ketë pasur i gjori, sepse siç dëftejnë këto 20 vitet e fundit, shqiptari më parë braktis jetën, sesa kolltukun. Aq të pavarur ishim gjatë Mbretërisë, sa bëmë revolucion gati proletar dhe kundërrevolucion me ndihmën e serbëve dhe mbeturinave të Rusëve të Bardhë. Gjithsesi, disa gjëra i bëmë në kohën e Zogut. P.sh. Mbreti vishej bukur. Modernizoi ushtrinë, aq sa u qëndruam italianëve si burrat për 5 orë rresht më 1939-n. U dërguan qindra studentë për të studiuar jashtë vendit dhe ata do të kishin bërë namin nëse Enveri me shokë nuk do t’i kishte krasitur ca. Ah po, komunizmi. Ja, të kërkojmë ca krenari edhe këtu. Kishte shtet, mor vëlla. P.sh., a keni dëgjuar ndonjë ankesë për mosfunksionim të shtetit nga ata qindra mijëra të pushkatuar, internuar, burgosur? Kurrë një fjalë. Aq mirë funksionoi shteti, sa po të funksiononte edhe pak më mirë, tani do të kishte shqiptarë vetëm në diasporë. Ne të tjerët do të ishim shndërruar në popullin e parë në botë që pasi hëngri bar pa tradhtuar marksizëm-leninizmën, në fund do të shpallte edhe pavarësinë nga ushqimi.
Në fund, nja 20 vjet shtet tranzicioni. Cili popull tjetër ka pasur guximin për ta shembur nga themelet shtetin e tij, siç bëmë ne më 1997-n? Cili popull ka marrë ndonjëherë armët me aq heroizëm në dorë duke lënë të vdekur rreth 3000 veta brenda 2-3 muajsh, nga të cilët shumica as e morën vesh pse? Dorën në zemër: vetëm sirianët na e kalojnë. Cili popull ka qenë aq trim sa t’u vwrë zjarrin bashkive e zyrave të veta? Cili vend ka pasur një qeveri aq gjeniale sa të vendosë t’i pasurojë njerëzit brenda dy vitesh me piramidat e famshme financiare? Dhe cili popull tjetër e ka mbështetur me kaq vendosmëri këtë nismë? Më kujtohen, në fakt, disa bukëshkalë në një protestë në Lushnjë në mars 1997, të cilët ankoheshin se qeveria ua kishte mbyllur piramidat, sepse nuk donte që të pasuroheshin. Po hahet kjo? Qeveria në ballë dhe populli në këmbë, ne shkuam të gjithë aty ku shkuam. Ah, kujtime të paharrueshme! Më kujtohet një fqinji im, i cili, i stërvitur me instinktin tonë shekullor për t’i pritur armiqtë me pushkë, e bëri shoshë pallatin përballë me mitralozin e tij të dashur të marrë në një depo periferie.
Dhe ja në këto çaste të lavdishme ngashënjimi në 100-vjetorin e pavarësisë, më dalin përpara syve imazhet e zyrtarit që nuk ankohet aspak për punën e vështirë dhe pranon me përunjësi paratë e tua (korrupsion thonë dashakeqët), shtetin dashamirës që merr në punë shtresën më të brishtë të shoqërisë
shqiptare, të paaftët e certifikuar në fushata të majta e të djathta, Kryeministrin që thyen rekordin e notit për inat të zjarrit që na ndriçoi një muaj rresht horizontin lindor të kryeqytetit, i ndershmi zoti Rama me imazhin e tij të papërlyer që premton të bëhet copë për të na shpëtuar nga korrupsioni i qeverisë, gjykatësit heronj që punojnë deri natën vonë pa mundur të kujdesen për vilat dhe llogaritë e tyre bankare, shtetin që jo vetëm hedh fishekzjarrë për festa, por edhe të bën fishekzjarr ty vetë si në Gërdec…, si dhe ja diku aty… shqiptari i panjohur, i gatshëm t’ia fusë mjeshtërisht shqiptarit tjetër, por edhe vetes në respekt të edukatës dhe mendësisë që i ka mëkuar e ëma bashkë me qumështin.
Epo gëzuar 100-vjetorin e pavarësisë! Ca filozofë të pluhurosur thonë se popujt e lodhur dinë vetëm të festojnë, ndërsa të zgjuarit reflektojnë, analizojnë, i vënë gishtin kokës. Dhe se asgjë nuk ecën përpara po e kalove të sotmen duke adhuruar atë që ke bërë deri dje. Po ku marrin vesh ata?! Ne kemi filozofët tanë, historianët tanë, gazetarët tanë, patriotët tanë.
Ndoshta ata që do të festojnë 200-vjetorin do të flasin për ne me po kaq nderim sa ne për të shkuarën tonë të lavdishme. Dhe nga atje lart ne do të shkrihemi nga kënaqësia duke i thënë vetes se vërtet e kemi ndritur këtë vend.