Nga Aurora ALLUSHAJ*
![]() |
| Aurora ALLUSHAJ |
(Temperaturat e larta nxisin krimet dhe problemet mendore)
Vera sezoni i pushimeve, i detit, notit dhe… krimit! Jeni duke lexuar drejt: numri i krimeve, sidomos atyre të dhunshme, rritet ndjeshëm gjatë verës. Sipas statistikave të FBI-së gjatë të nxehtit krimet e dhunshme mund të rriten deri në 20%. Studime të tjera konfirmojnë se me rritjen e temperaturës mbi 30 gradë edhe dhuna në familje është e dyfishtë. Për amerikanët këto të dhëna nuk përbëjnë një surprizë, në të vërtetë në vitin 1997 Shërbimi Weather SHBA, e cila u quajt më pas Byroja e Motit, hetoi marrëdhëniet e mundshme ndërmjet kushteve të motit dhe sjelljeve kriminale. Rezultatet e publikuar në New York Times më 9 gusht, 1997, konfirmuan se u numëruar rreth 1700 vrasje në tremujorin nga janari deri në mars ndërkohë në tremujorin e nxehtë nga korriku deri në shtator kjo shifër u rrit në 2500 raste.
Por pse i ngrohti ndikon në rritjen e krimit?
Sipas John Simister, Universiteti i Londrës, hormonet janë fajtorët kryesore. Kur është nxehtë, trupi prodhon sasi të shtuara të testosteronit dhe adrenalinës, duke ndihmuar për të ruajtur temperaturën e trupit brenda kufijve të pranueshëm, megjithatë, kjo rritje bën që njerëzit të bëhen më agresive dhe për këtë arsye ka më shumë gjasa për të kryer krime të dhunshme.
Megjithatë, përveç arsyeve fiziologjike, po aq të rëndësishme janë edhe arsyet sociale: sipas studiuesve në Universitetin e Floridës, në fakt numri më i madh i krimeve është kryesisht pasojë e faktit se kur është nxehtë, njerëzit kalojnë më shumë kohë larg nga shtëpia, kështu rriten shanset e takimeve dhe mundësitë për të kryer krime.
Kjo situatë paraqitet alarmante edhe në vendin tonë. Tashmë në dy dekadat e fundit numri i krimeve në familje dhe jashtë saj trefishohet në muajt e verës. Vetëm në muajin e fundit janë numëruar mbi dhjetë krime të dhunshme. Duke bërë paralelizma me rastet shqiptare në tre muajt e fundit vihet re jo vetëm një rritje e kriminalitetit, por edhe një pasiguri që mbizotëron kudo. Funksionimi i organeve kompetente, konkretisht policisë shqiptare, duket se nuk është në nivelet e duhura. Mund të themi se rasti i Elbasanit ku mbeti i vdekur Gentjan Beqiraj, i cili në momentin momentin e vrasjes ndodhej me arrest shtëpie dhe nën vëzhgimin e dy punonjësve të policisë, ka rritur edhe më shumë skepticizmin në radhët e qytetarëve. Po ajo që do të konsiderohej vërtet për të vënë alarmin, është se ky krim shënoi dy viktima, pasi vetëm pak minuta më vonë humbi jetën edhe i ati i të arrestuarit, i ekzekutuar me mjete të forta menjëherë pas të birit.
Por ditëve të nxehta të verës ju janë shtuar edhe raste makabre si ekzekutimi i 45-vjeçarit Fiqri Muça, nga 18-vjeçarja Nazmie Visha, një fenomen ky tejet shqiptar. Një rast për tu studiuar dhe kuptuar në thelb. Visha është zëri i shumë femrave të tjera që përdhunohen, përdhosen dhe humbasin në shtigjet e abuzimit të përjetshëm duke mos guxuar kurrë të denoncojnë në mënyra “paqësore” tutorin. Të studiosh krimin dhe arsyet derivuese të tij është komplekse, por kriminologë dhe psikologë të ndryshëm botërorë tashmë prej vitesh po japin alarmin SOS për muajt e nxehtë të verës. Zgjidhja e këtij fenomeni kërkon studim të gjerë social, ekonomik dhe shoqëror dhe ndryshon duke marrë vlera të ndryshme nga një zonë në tjetrën.
Përse kryhet një vrasje
Por përse kryhet një krim? Cilat janë shkaqet që çojnë deri në vrasjen e tjetrit? Kriminologjia, shkenca që studion krimin jep disa përgjigje për këtë fenomen që ka evoluar dhe ka ndryshuar në shekuj. Nuk ka një përgjigje fikse, në mendjen e vrasësit ndodh një proces zemërimi i pakontrollueshëm. Ky zemërim ngacmohet nga motive të ndryshme sociale, ekonomike dhe shoqërorë. Për të mos hyrë ne thellësi të këtij fenomeni po rendisim disa prej tipologjive të vrasjeve. Vrasjet janë dyllojshe: vrasje me paramendim dhe rastësore. Të cilat nënndahen në kategori të tjera më të vogla. Sidoqë të ndodhi një krim, ai duhet studiuar hap pas hapi për tu kuptuar dinamika dhe shkaqet e tij. Vetëm duke studiuar këtë fenomen të komplikuar do të arrijmë të kuptojmë dhe pse jo në shumë raste të parandalojmë krime të tjera të ngjashme. Në vendin tonë duke marrë parasysh edhe situatën kulturore, ekonomike dhe shoqërore duhet t’i jepet më shumë përparësi studimit të krimit. Vetëm kështu raste si ai i pak ditëve më parë i 18-vjeçares Visha nuk do të gjykohet pa pasur më parë një analizë të thelluar psiko-kriminale të gjithë situatës.
*Kriminologe dhe gazetare investigative. Asistente pedagoge e “Masterit në gazetari investigative” organizuar nga Shoqata e gazetarëve investigativë italiane






