Nevoja për një konsensus të shpejtë për Sirinë


Nga Javier Solana




Javier Solana

Ndjenja se regjimi i presidentit sirian, Bashar al-Assad, po i afrohet pikës pa kthim prapa po bëhet më e fortë nga dita në ditë. Kofi Annan, i dërguari i posaçëm i Kombeve të Bashkuara dhe i Ligës Arabe, ka hequr dorë nga përpjekjet e tij të pashpresë për të përmbushur një plan të dakorduar ndërkombëtar gjashtëpikësh për t’i dhënë fund dhunës. Tani, komuniteti ndërkombëtar duhet të mendojë seriozisht rreth asaj se si ti minimizojë rreziqet e qenësishme në trazirat e brendshme të Sirisë. Mungesa e marrëveshjes përbrenda Këshillit të Sigurimit të OKB-së ka prolonguar konfliktin dhe ka kontribuar në ndryshimin e natyrës së tij. Ajo që nisi si një kryengritje popullore e inspiruar nga kërkesat e “Pranverës arabe” është zëvendësuar nga tonet gjithnjë e më të zëshme sektare dhe radikale. Kjo gjë reflekton humbjen e shpresës për mbështetje ndërkombëtare, ndërsa e bën edhe më të vështirë arritjen e një zgjidhjeje të negociueshme. Në veçanti, ekziston një rrezik i madh nga hakmarrja sunite ndaj pakicës alevite, e cila përbën 12 përqindëshin e popullatës, por e kontrollon qeverinë, ekonominë dhe ushtrinë. Alevitët, të cilët kapërcyen fazën e të qenit qytetarë të shtresës së dytë vetëm pasi partia e Assadit “Baath” erdhi në pushtet në vitin 1963, tani besojnë se vetë mbijetesa e tyre është e lidhur me atë të regjimit. Në rast se opozita siriane nuk i trajton me seriozitet shqetësimet e alevitëve, shteti mund të zhytet në vite të tëra lufte civile, edhe më të këqija se sa ato të konfliktit shkatërrimtar të Libanit nga viti 1975 deri 1990. Pasojat rajonale tanimë po ndihen. Luftimet ndërmjet kryengritësve dhe forcave qeveritare po përhapen, dhe fluksi rezultues i refugjatëve në Turqinë, Jordaninë dhe Libanin fqinj kërcënojnë t’i fusin këto shtetet drejtpërsëdrejti në konflikt. Turqia është po ashtu e shqetësuar për pasojat e mundshme të konfliktit për popullatën e saj kurde, në mesin e të cilëve aspiratat për pavarësi po dalin sërish në sipërfaqe, si dhe për marrëdhëniet e saj me popullatat kurde të Irakut dhe Sirisë, të cilat kanë një balancë më se komplekse. Jordania, nga ana e saj, e sheh numrin në rritje të rebelëve sirianë që hyjnë në territorin e vet si një kërcënim për sigurinë kombëtare, ndërsa arritja e mijëra refugjatëve në Liban ka ringjallur përçarjet e vjetra sektare në Tripoli ndërmjet alevitëve shiit, shumica e të cilëve mbështesin Assadin, dhe sunitëve, të cilët me të madhe e simpatizojnë opozitën. Kaosi dhe konfrontimi mund shumë lehtë të arrijnë po ashtu edhe në Irak, ku rënia e mundshme e regjimit sirian duket se po  ringjall rezistencën sunite ndaj Qeverisë kryesisht sunite të Nouri al-Malikit. Rezultati i konfliktit sirian mund të ketë po ashtu një ndikim direkt në shtrirjen e pushtetit të Lindjes së Mesme. Sundimi sunit pas rënies së Assadit do të nënkuptonte një ndryshim strategjie në lidhje me Iranin dhe aleatin e tij shiit libanez, “Hezbollah”, qëndrueshmëria e të cilit mund të jetë në rrezik, pasi që një qeveri sunite në Siri sipas të gjitha gjasave do ta ndërpriste kanalin e furnizimit të armëve nga Irani në Liban. Trazirat në Siri tashmë kanë dobësuar disa prej aleancave tradicionale të Iranit në rajon. Për shembull, “Hamas” ka marrë qëndrim në favor të opozitës siriane, duke nënvizuar lidhjet e tij me “Vëllezërit Myslimanë” dhe ka mbështetur vitin e kaluar Qeverinë tranzitore të Egjiptit, pasi vendi ia hapi përhershëm kufijtë Gazës. Edhe pse situata komplekse në Egjipt sugjeron se liderët e vendit do të jenë të stërngarkuar me punët në skenën e brendshme politike për edhe ca kohë, qeveria e re do të përpiqet po ashtu që të ridefinojë marrëdhëniet e saj me shtetet fqinje. Në mënyrë të dukshme, presidenti i porsazgjedhur i Egjiptit, Mohamed Morsi, lider i partisë politike të “Vëllazërisë Myslimane”, e zgjodhi Arabinë Saudite për të realizuar vizitën e tij të parë zyrtare jashtë, një vendim ky që ngërthen në vete edhe një simbolikë fetare, përveç asaj politike. Për sa i përket Arabisë Saudite – shtet ky që së bashku me Katarin, armatos opozitën siriane – periudha post-Assad është një mundësi strategjike për ta thyer aleancën ndërmjet Sirisë dhe Iranit, dhe, në të njëjtën kohë, për t’’ia shkaktuar një goditje të rëndë “Hezbollahut”. Dobësimi i treshes Iran-Siri-“Hezbollah” do ti shërbente në mënyrë të drejtpërdrejtë Izraelit, cili i ka nisur kërcënimet e tij jo dhe aq të fshehura për të ndërmarrë një sulm unilateral ushtarak kundër instilacioneve bërthamore të Iranit. Përveç kësaj, Izraeli e akuzon “Hezbollahun” – bashkë me Iranin – për përpjekjet e fundit për t’i sulmuar caqet izraelite, përfshirë këtu edhe rastin e bombardimit të autobusit që bartte turistë izraelitë në Bullgari. Ky skenar i ri pa dyshim se do të ndikojë në pozitën e Iranit në bisedimet e ardhshme ndërkombëtare për programin e tij bërthamor, të cilat janë qenësore për arritjen e një zgjidhjeje diplomatike. Mirëpo, për aq kohë sa konflikti sirian vazhdon, do të jetë vështirë të shënohet ndonjë progres me Iranin e shqetësuar për ndikimin që qeveria e re në Siri mund të kishte në influencën e tij në rajon. Në po të njëjtën mënyrë, arritja e një marrëveshjeje – apo jo – me Rusinë (dhe si rrjedhojë edhe Kinën) për ndaljen e krizës siriane do të përcaktonte edhe hapësirën e manovrimit do të kenë SHBA-ja dhe BE-ja që bashkë me këto dy shtete të adresojnë programin bërthamor të Iranit. Shtetet anëtare të Këshillit të Sigurimit pajtohen se si të adresojnë programin bërthamor të Iranit, por jo edhe për hapat e zgjidhjes së konfliktit të Sirisë, për shkak të mospajtimeve fondamentale ndërmjet Rusisë (dhe Kinës) dhe të tjerëve. Mirëpo këto, në fakt, janë negociata paralele, shumë të varura nga progresi i njëra-tjetrës. Për hir të arritjes së një marrëveshjeje, është esenciale që Turqia, shtetet e Gjirit dhe Liga Arabe të krijojnë një qëndrim unik. Vetëm në këtë mënyrë ato mund të fitojnë mbështetjen e sektorëve të ndryshëm të opozitës siriane – dyshuese për synimet prapa mbështetjes unilaterale – dhe t’i përafrojnë qëndrimet e tyre me ato të minoriteteve të Sirisë, të cilat nuk mund të lihen jashtë këtij procesi. Kjo mënyrë do të sigurojë presion shtesë për mbështetje nga Këshilli i Sigurimit dhe të vë në lëvizje një proces që çon drejt politikave të transicionit në Siri. Arritja e një marrëveshjeje për skenarin post-Assad nuk do të jetë e lehtë, mirëpo asnjë alternativë tjetër nuk është më premtuese për Sirinë dhe rajonin.

Javier Solana ka qenë ministër i Jashtëm i Spanjës, sekretar i përgjithshëm i NATO-s si dhe Përfaqësues i Lartë i BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri. Aktualisht është kryetar i qendrës “ESADE” për ekonomi globale dhe gjeopolitikë. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”