ISUF KALO
![]() |
| ISUF KALO |
Të tre ata kanë ndryshuar. Mjekësia, pacientët dhe shoqëria jonë sot nuk janë më ata që kanë qenë dy dekada më parë. Disa ndryshime në brendësi të tyre mund t ë mos perceptohen lehtas nga jashtë, madje mund të mos i njohin mirë as ata vetë. Ndaj nuk është çudi nëse ndodh që të keqkuptohen mes tyre dhe të ankohen me ose pa të drejtë për njëra-tjetrën.
Një fenomen i ri origjinal shqiptar?
Ankesat për mjekësinë, qoftë ato të drejta apo ato nga keqkuptimet e pacientëve dhe qytetarëve, janë shtuar në dekadat e fundit. Si shkak i përbashkët i pretenduar i tyre është “pakënaqësia për shërbimin”. Në këtë kontekst, dy fenomene relativisht të reja janë shfaqur më dendur rishtas në vendin tonë. Ato janë “skandalistika mjekësore” dhe tentativat e para të litigimit. Skandalistika është mediatizuar në skype e tituj shokues: “Rrihet në spital mjeku në Korçë”, “Durrës, tre pijanecë rrahin mjekun”, “Mjeku plagoset me thika nga dy qytetarë në mes të qytetit të Pogradecit”, “Mjeku i urgjencës dhunohet fizikisht nga katër të rinj në Elbasan”, “Policia private e spitalit nuk i përballon dot edhe thërret në ndihmë policinë e qytetit”. Episode kërcënimesh me dhunë verbale e fizike prej pacientëve ose të afërmve të tyre, shantazhe, plagosje me thikë, deri tentativa vrasjeje ndaj mjekëve janë shfaqur herë pas here në faqet e shtypit dhe të mediave tona televizive. Ato nuk kanë lënë pa prekur edhe qendrën tonë më të madhe mjekësore e shkencore të vendit, spitalin universitar “Nënë Tereza” në Tiranë, madje ndaj mjekëve profesorë, specialistë të njohur e titullarë të saj. Ndërkohë, të befasuar, mjekët kanë reaguar duke kërkuar siguri fizike, mbrojtje policore, madje me kërcënime “hakmarrëse” me greva e ndërprerje të shërbimeve. Për herë të parë “uniformat blu” u vendosën në institucionet shëndetësore në mbrojtje të uniformave të bardha. Për herë të parë mjekët dhe të sëmurët, në vend që të ishin bashkë, siç kanë qenë gjithmonë, në të njëjtën llogore, kundër sëmundjes, u gjendën përballë njëri-tjetrit.
Duket sikur një paranojë e re po instalohet nga pacientët dhe familjarët e tyre ndaj mjekëve. Ajo ndryshon shumë nga elacionet e tyre më parë të karakterizuara me glorifikime, elozhe mirënjohëse dhe hyjnëzim të humanizmit mjekësor. Ndërkaq, ambienti ynë shoqëror rri si i mpirë. E përcjell këtë fenomen përgjithësisht me heshtje dhe indiferencë të akullt. Ajo që bie në sy është se ndonëse ankesa dhe pakënaqësia për shërbimin mjekësor dhe deziluzione të padëshirueshme të papritura ka pasur e ka kudo në botë, episodet e mësipërme të dhunës së egër fizike ndaj mjekëve nuk hasen askund e veçanërisht jo në Europë. A kemi të bëjmë kështu me një fenomen autentik shqiptar? Nëse po, ai reflekton një problem të mprehtë e të rëndë, jo aq mjekësor, sesa kulturor, jo aq të cilësisë së shërbimit, sesa të etikës, të sjelljes dhe të edukatës qytetare. Çka meriton meditim të thellë dhe reagimin e duhur nga popullata jonë.
Balanca e vështirë e një të drejte
Fenomeni i dytë lidhur me ankesat e popullatës ndaj mjekësisë është i ri te ne. Ai është shprehur jo me dhunë fizike ndaj mjekut, por me hedhjen në gjyq të tyre, ose të institucionit shëndetësor “fajtor”. Ankesat e paditë e tilla shoqërohen me kërkesa për shpërblim financiar për “dëmet shëndetësore” të pretenduara prej tyre, si të shkaktuara nga gabimet ose neglizhencat gjatë kujdesit mjekësor.
“Një 15-vjeçar në Korçë i kërkon mjekut një mijë euro në shkëmbim për mosshërimin e tij. Një pacient në Vlorë kërkon nga gjyqi që spitali i këtij qyteti ku ka qenë shtruar t’i paguajë 100 mijë euro si zhdëmtim për dëmet shëndetësore që ai pretendon se i janë shkaktuar nga kurimi i gabuar”.
Fenomeni i mësipërm, ndryshe nga i pari, është më i shpeshtë në Europë dhe veçanërisht në SHBA, ku njihet me emrin litigim. Ai bazohet në përgjegjësinë civile të individëve ose institucioneve që në rast se me ose pa dashje i shkaktojnë një personi tjetër një dëm çfarëdo (cenim të makinës, shtëpisë, trupit, shëndetit etj.), duhet t’ia zhdëmtojnë atë. Shfaqja e fenomenit të litigimit te ne gjatë dekadës së fundit ndoshta lidhet me informacionet dhe nxitjen e qytetarëve tanë nga të afërmit e tyre emigrantë në vende ku ai po praktikohet gjithnjë e më shpesh.
Në disa vende perëndimore, avokatë të shumtë mbrojnë kauzën e pacientëve për siguri gjatë kujdesit shëndetësor. Avokatë të tjerë përballen me ta për të kundërtën: mbrojtjen e mjekëve dhe institucioneve shëndetësore nga abuzimet me këtë të drejtë nga ana e pacientëve ose avokatëve të tyre nëpërmjet keqinterpretimeve ose të pretendimeve për gabime ose neglizhime fiktive, fantazi të pabazuara shkencërisht. Ruajtja e balancës mes respektimit të së drejtës së pacientëve për siguri gjatë kujdesit mjekësor dhe mosshpërdorimeve të saj nga ana e pacientëve apo familjarëve të tyre, përbën një nga sfidat e vështira të sistemeve shëndetësore të sotme në vendet e BE.
Natyrisht që dëmi më i madh që mund t’u bëhet pa dashje të sëmurëve gjatë kujdesit shëndetësor është ai i shkurtimit të jetës, por edhe rëndimit të sëmundjes dhe invalidizimit të tyre. Kurse zhdëmtimi financiar i tyre në rastet kur këto vërtet rezultojnë si pasoja të gabimeve të personelit bluzë-bardhë, ka një faturë të lartë, e cila krijon një barrë suplementare të papritur si për buxhetin e qendrave shëndetësore, ashtu dhe për xhepin e mjekëve të akuzuar. Paradoksi është që këtë faturë, në fund të fundit, e paguajnë pacientët e shtruar nëpërmjet rritjes së çmimeve të shërbimeve të ofruara. A janë dy fenomenet e mësipërme rrjedhojë e prapambetjes, e mosmodernizimit ose mosfinancimit të duhur të mjekësisë? Me sa duket jo, përderisa ato hasen edhe në vendet me mjekësi të zhvilluar e të mirëfinancuar. Problemi i mos-sigurisë dhe i rreziqeve potenciale gjatë kujdesit mjekësor është universal. Ai përbën një nga veçoritë e profesionit mjekësor.
Edhe atje?
Shembulli që do tregoj është ngjarje e vërtetë. Ajo ndodhi dy muaj më parë, në një qytet të madh të një vendi shumë të pasur e të zhvilluar të Europës. Unë isha aty pak ditë me pushime pranë sime bije, e cila jeton e punon aty prej shumë vitesh si avokate. Një mbrëmje, një e njohura e saj i telefonoi e alarmuar duke i kërkuar ndihmë juridike për një problem që i kish dalë papritur me mjekët dhe spitalin e atij qyteti. Në parantezë duhet të them se spitali në fjalë është qendër mjaft e madhe spitalore universitare dhe në disa shërbime mbahet si një nga më të mirët, më modernë në atë vend dhe në Europë.
Djali 12-vjeçar i së njohurës së vajzës time ishte sëmurë befas natën me temperaturë shumë të lartë, me të dridhura e deri konvulsione, dhe me një dhimbje të fortë në bark. Urgjenca e thirrur erdhi menjëherë dhe e shtroi në spital. Fillimisht e vunë në një dhomë izolimi të rreptë. Mjekët së pari dyshuan për një infeksion viral të tipit vdekjeprurës të Esherela coli, që ka krijuar kohët e fundit panik në Europë. Atë nuk e përjashtuan dot atë natë. Çuditërisht ai spital i madh nuk i kish reagentët e duhur për të zbuluar të gjitha viruset e kohës. Analiza u dërgua diku në një laborator më të specializuar. Ndërkohë, djali në gjendje të rëndë, me ndërgjegje të turbulluar, u mjekua me serume ushqyese me glukozë e kripëra. Asnjë antibiotik nuk iu dha meqë rregullorja e përdorimit të tyre e ndalonte këtë përpara se të njihej shkaktari i infeksionit. Mjekët e shumtë pranë tij ndërroheshin me turne dhe nëna nuk mundi të identifikonte e bisedonte me asnjë prej tyre si përgjegjës direkt për të sëmurin.
Të pasnesërmen analiza për virusin e dyshuar erdhi negative dhe djalin nga izolimi i rreptë transferuan në pavijon bashkë me të sëmurët e tjerë. Ditën e tretë iu nis një antibiotik. Serumet u hoqën që të ushqehej vetë. Por dhimbja e barkut vazhdonte e palehtësuar. Me gjithë këtë, mjekët e kishin siguruar nënën se në bark djali nuk ka gjë. “Me sa duket kështu do të këtë rezultuar në ekografi?”, pyeta unë, i ndodhur rastësisht në këtë bisedë. “Jo, tha nëna, ekografi ende nuk i është bërë. E kanë planifikuar ta bëjnë pasnesër, sepse kishte radhë”. Në mbrëmjen e ditës së katërt të shtrimit në atë spital gjendja u rëndua edhe më tej. Konsulta në orët e vona të natës dyshoi për një apendicit akut dhe djali iu nënshtrua me urgjencë operacionit. Mirëpo tashmë apendiciti kish plasur dhe djali kish shenjat e peritonitit akut, çka i kërcënonte seriozisht jetën. Mjekët të dëshpëruar u pohuan prindërve që operacioni ish bërë me vonesë. Ata pranuan që ish bërë një gabim diagnostik. Por prindërit ishin të shokuar dhe të revoltuar. Ata nuk kishin ndërmend të falnin. Donin ta padisnin ligjërisht në gjyq.
Ime bijë, e tronditur më pyeti: “Në konfidencë, si mjek, si thua ti ba, a është e pamundur që t’i shpëtohet jeta djalit?”. Unë, duke mos qenë kirurg, heshta gjatë. Pastaj i thashë: “Djali mund edhe të shpëtojë, por mrekullinë do ta bëjnë antibiotikët, jo mjekët. Mjekët në këtë rast do të thonë me vete ‘shyqyr që ai dhe ne qemë me fat’, por mundet edhe që djali nuk shpëton, sepse u diagnostikua dhe u ndërhy me shumë vonesë. Në këtë rast, mjekët, sinqerisht të dëshpëruar, do shfajësohen: ‘Bëmë ç’qe e mundur. Na vjen shumë, shumë keq. Por nuk qe me fat’”. “Çfarë thua, o ba?! – tha vajza ime e habitur – pse çështje fati qenka mjekësia sot?”.
Pamundësi për garanci
Në të vërtetë mjekësia nuk determinohet nga fati – Veprimtaria e saj bazohet në strukturat, mjetet moderne e proceset e mirëkodifikuara e të standartizuara, të hartuara këto sipas fakteve dhe të dhënave më të fundit shkencore mjekësore. Por, rrethanat në të cilat ajo ushtrohet ndryshojnë jashtëzakonisht shumë, qoftë edhe për të njëjtën sëmundje. Ndryshojnë nga një individ te tjetri, nga një vend te tjetri, nga një stad i hershëm apo i përparuar i sëmundjes, nga një gravitet i lehtë me rrezikshmëri të ulët, te një tjetër i rëndë i komplikuar me rrezikshmëri të lartë. Rrethanat, rastësitë apo fati kanë, megjithatë, ndikimin e tyre. Hapësirat për to i krijon fakti që mjekësia, ndonëse me dinamizëm zhvillimi e progresi të pandërprerë, është shkencë jo ekzakte.
Mjekësia ende noton në një oqean të panjohurash, hipotezash e mitesh, të cilat i beson e i zbaton në praktikën e saj më dëshirën të bëjë mirë, por pa pasur gjithmonë mundësi t’i verifikojë e monitorojë në mënyrë afatgjatë. Edhe doktorët më të famshëm, – shkruan Marcel Prusti duke kujtuar të atin mjek, – i besojnë e i zbatojnë me zell të rejat e shkencës së tyre, ndonëse jo më larg se 5 vjet më vonë ato shpesh u rezultojnë të pasakta dhe duhen rinovuar.
Në vitin 2000, Sackett shkruante se “profesionin mjekësor e bëjnë unik në ushtrimin e tij dy vështirësi të jashtëzakonshme: mungesa e sigurisë në vendimmarrje (prej të panjohurave e të papriturave ende të shumta) dhe së dyti, pamundësia për të parashikuar saktë e për të dhënë garanci lidhur me rezultatit që presin prej saj pacientët dhe komuniteti”. “Edhe atëherë kur bëhet siç duhet ajo që duhet, vazhdon ai, nuk është e sigurt që tek individët e ndryshëm të përftohet i njëjti rezultat i pritshëm”.
Në 2008-n, Richard Smith, në prezantimin “Profesioni mjekësor i së nesërmes”, e rrëfeu pasigurinë profesionale që ndiejnë mjekët në formën e një monologu të brendëshm, të sinqertë të tyre si me poshtë: “Mjekësia moderne nuk është e gjithëfuqishme. Mundësitë e saj janë të limituara. Dhe, ç’është më keq, ajo është e rrezikshme – Ajo nuk i zgjidh dot të gjitha problemet e të sëmurëve, veçanërisht ato sociale – Ne, mjekët, nuk dimë çdo gjë, por dimë mirë se sa të vështira janë problemet shëndetësore. Kufiri midis të bërit mirë dhe gabimit nga ana jonë është shumë i ngushtë. Por të gjitha nuk ua themi të sëmurëve që të mos i trembim dhe të mos humbasim besimin e tyre”, përfundon ai.
Edhe dielli ka njolla
“Çelësi për të kuptuar ekonominë, – shkruan George Friedman, – është pranimi se ajo ka gjithmonë pasoja të pasynuara”. E njëjta gjë vlen edhe për të kuptuar mjekësinë.
Raporti i Shoqatës amerikane të spitaleve, i botuar në vitin 1999, me titull: “Të gabosh është njerëzore: të ndërtojmë një sistem shëndetësor më të sigurt “shokoi botën”. Ishte hera e parë që mjekësia shpaloste vullnetarisht me transparencë para publikut “të palarat” dhe të vërtetat e hidhura brenda saj. Në raport pohohej se në spitalet amerikane vdesin çdo vit për shkak të gabimeve njerëzore mjekësore, 98 000 pacientë. Vetëm gabimet në përdorimin e medikamenteve shkaktojnë çdo vit 7000 pacientë të vdekur (A ishte vërtet e tillë edhe vdekja e një ylli si Majkëll Xhekson?)
Në një studim analitik lidhur me sigurinë në spitalet e 22 vendeve të BE-së, rezultoi diçka e ngjashme. Mbi 10% e të shtruarve dëmtohen rëndë ose vdesin në to çdo vit për shkak të gabimeve të evitueshme të personelit mjekësor. Në spitalet e 4 vendeve të zhvilluar të BE ndodhin çdo vit 75 deri 132 vdekje të parandalushme për 100 mijë banorë. Ndër 234 milionë ndërhyrje kirurgjikale që kryhen çdo vit në botë, dëmtohen rëndë dhe mbeten të invalidizuar 7 milionë pacientë. Mbi 10 – 40% e të sëmurëve të operuar preken nga një ose më shumë infeksione spitalore. Dhe çdo vit, 1 milion pacientë në botë humbasin jetën për faj të operacionit.
Ndërkohë, heshtja, mbyllja dhe fshehja që mjekësia tradicionalisht kish zbatuar për bëmat e hidhura brenda saj filloi diku më me shumë e më shpejt diku më pak e më ngadalë të shkërmoqej kudo. Në vitin 2008 u duk sikur fenomeni i ri transparencës publike do e përfshinte dhe mjekësinë tonë. Një “dosje e zezë” me 54 raste vdekje jo të pritshme iu lajmëruan publikut. Por informacioni nuk erdhi nga mjekësia jonë. Nuk ishte gjest i guximit të saj për të hapur e vetëtreguar të vërtetat. Lajmi erdhi nga media e shkruar, e cila humbjen e jetës së pacientëve të mësipërm, ndonëse pa argument, e paraqiste ngushtë vetëm “për faj të bluzave të bardha”. Pra anashkalonte sistemin, rrethanat, karakterin dhe gravitetin e sëmundjeve të tyre. Hapja e mjekësisë ndaj publikut qoftë për arritjet, qoftë edhe për gabimet e dështimet, është një nga treguesit e modernizimit të saj. Sepse krijon shpresë e garanci për vetëpërmirësim. Parimi “nuk është gabim të gabosh, gabim është të fshehësh gabimin dhe të mos mësosh prej tij” udhëheq mjekësinë e vendeve europiane sot. Sepse më e rrezikshme se mjekësia që pohon gabimet është mjekësia që mburret e mbyllur, e trembur që nuk i raporton, por fsheh dështimet e gabimet e saj gjoja me justifikimin atavik të “sekretit mjekësor”.
Mjekësia tonë duhet mirëkuptuar, por dhe mbështetur e nxitur të emancipohet, që të hapet, të mësoj nga gabimet e shmangshme dhe vazhdimisht të përmirësohet. Por kjo nuk arrihet duke i dhunuar e kërcënuar mjekët me grushte e me thika dhe as duke rraskapitur me dhe pavërtetësisht faj nëpër gazeta dhe gjykata.
Rruga që shpie në ferr është shpesh e shtruar me qëllime të mira
“Duhet qartësuar së vuajtjet dhe rreziqet për jetën e pacientëve shkaktohen jo aq nga mjeku, as nga spitali, por së pari nga sëmundjet. Pacientët vijnë në qendrat shëndetësore me trup ose mendje të cenuar prej tyre. Madje vijnë jo rrallë me urgjencë në një gjendje të rëndë mes jetës e vdekjes. Ndërhyrjet mjekësore kryhen me dëshirë e shpresë për t’u ndihmuar e shpëtuar. Por, ndërhyrjet me bisturi apo me transfuzion gjaku, serume, antibiotikë e me endoskopi me ose pa anestezi, ndonëse të gjitha me qëllim të mirë kanë secila një përqindje rrezikshmërie. Shkalla e saj nuk është gjithmonë lehtë e parashikueshme. Përfitimet shëndetësore nga ana e pacientëve prej këtyre ndërhyrjeve janë mijëra herë më të shumta se sa rreziqet e aksidentet e papritura të shkaktuara prej tyre. Por, në përpjekje e përjetshme për të bërë të mundur edhe të pamundurat mjekësia bën pashmangshmërisht edhe “proçka”. Disa pika të zeza gabimesh a dështimesh të saj mjerisht ndodh të nxijnë e të bien në sy më shumë se tonelatat e bardha të dobisë e sukseseve të saj. Probabiliteti që ato të ndodhin është aq i madh, sa më të shumta, më të kompleksuara e më të guximshme janë ndërhyrjet dhe procedurat e reja që mjekësia moderne kryen ose tenton. Prof. Sir Cyril Chantlere pohon se “mjekësia, dikur e thjeshtë, inefektive dhe relativisht e sigurt, është sot shumë më komplekse, më efektive, por edhe më pak e sigurt, madje potencialisht shumë më e rrezikshme”. “E vetmja mënyrë për të mos gabuar, thotë një tjetër, është të mos bësh asgjë”. Por mjekësia është si një adoleshente kurioze e pasionuar dhe e guximshme që rritet nëpërmjet sfidave të pandërprera. Rreziqet e gabimet njerëzore të personelit janë vetëm njëri faktor i pasigurisë në mjekësi. Pasiguri, rreziqe ose defektet jo më të pakta mbartin mjetet që ajo përdor në veprimtarinë e saj të tilla si: medikamentet, produktet, serumet, gjaku, aparaturat si edhe proceset e punës gjatë dhënies së ndihmës mjekësore. Një numër skandalesh prej tyre me pasoja tragjike për të sëmurët kanë rëqethur herë pas here botën.
Ndodh edhe kështu
Një skandali i tillë ishte ai i medikamentit Thalidomidit, një qetësues ky i përdorur në vitet 1950, i cili deri në vitin 1961, kur u diktua, e u ndalua të prodhohej e të përdorej, pati shkaktuar në 46 vende të botës deformime e keqformime trupore tek 20 000 foshnja të posalindura.
Gjaku i infektuar krijoi gjithashtu një skandal gjigand në Francë nga viti 1981 deri 1985, mbi 1200 të sëmurë me sëmundjen e hemofilisë dhe 5000 të tjerë u infektuan me HIV nga transfuzioni i gjakut të papastruar siç duhej. Ata humbën jetën pak vite më pas njëri pas tjetrit. Skandali “Baxter” i vitit 2001 në Kroaci, qe i natyrës teknologjike. Filtrat e hemodializës të prodhuara rishtas nga kompania “Baxter” rezultuan me defekte dhe shkaktuan vdekjen e 23 pacientëve të hemodializuar në Kroaci dhe 15 të tjerëve në Spanjë. Skandali i spitalit “Bristol” në Angli në vitin 1999, krijoi emocione dhe frikë jo vetëm në atë vend, por edhe në gjithë mjekësinë botërore. Ai zbuloi defekte e rënda të veprimtarisë profesionale dhe menaxheriale mjekësore jo vetëm brenda atij spitali, por në të gjithë sistemin shëndetësor anglez.
Nga viti 1983 deri në vitin 1995, në këtë spital vdiqën 265 fëmijë të operuar nga zemra. Anketat e mëpasme zbuluan se 100-170 prej tyre nuk do të kishin vdekur po të ishin operuar në ndonjë spital tjetër. Skandali e nxiti Anglinë të nxirrte mësime për të vendosur standarde të cilësisë dhe monitorizimin e performancës institucionale dhe individuale të mjekëve, vendosjen e detyrueshme të udhërrëfyesve të praktikës klinike në spitale, si edhe transparencën ndaj publikut për gjithccka ndodh brenda tyre.
Në këtë situatë pasigurie të përgjithshme, Dr Archie Cochrane, në vitin 1973, pati idenë gjeniale të inicimit të Mjekësisë të bazuar në Evidencë Shkencore. Me të synohet qasja te të vërtetat e shkencës mjekësore me anë të filtrimit dhe hierakizimit të informacionit e fakteve shkencore të botuara. Me to, nëpërmjet udhërrëfyesve klinikë, do orientohen mjekët drejt praktikës klinike të provuar si më efektive dhe më e sigurtë. Mirëpo, deri më tash vetëm 1 ose 2 % e tyre, pra vetëm disa pika të këtij oqeani të madh informativ ekzistues kanë mundur “të bluhen e të siten” në këtë “mulli të ri”
Një mekanizëm tjetër është standardizimi dhe akreditimi i institucioneve, në të cilët treguesit dhe standardet e sigurisë maten dhe detyrimisht korrigjohen.
Një Aleancë botërore për sigurinë në shëndetësi
Vështirësitë dhe limitet e mësipërme megjithatë nuk mund të shërbejnë si justifikim, as si alibi për qëndrimin e deri sotëm të sistemeve shëndetësore, ndaj rreziqeve dhe gabimeve gjatë kujdesit mjekësor. Ato duhet të adaptojnë një qëndrim të ri, të hapur, aktiv dhe më të përgjegjshëm. Faktet thonë se mbi 50% e gabimeve të regjistruara, kanë qenë të evitueshme. Duhet kuptuar nga ana e tyre se koha kur mjeku mbulonte në gropë gabimet bashkë me të sëmurin ka ikur. Janë të sëmurët dhe gabimet tani që rrezikojnë të “groposin “ mjekun. Për herë të parë, mjekët po kërkojnë mbrojtjen e jetës dhe sigurisë së tyre nga agresionet e të sëmurëve ose familjarëve të tyre me polici private në spitale. Nesër nuk është çudi të kërkojnë të mbrohen me bodyguard personal. Po siguria në institucionet mjekësore nuk mund të jetë e njëanshme vetëm për mjekët. Ajo, para së gjithash, duhet siguruar për pacientët. Prandaj, hapi i parë duhet të jetë dialogu për gjetjen e një mirëkuptimi reciprok. Dr. Halim Kosova dëshmon se nëse ju shpjegojmë të sëmurëve e familjarëve çfarë e pse ka ngjarë, me sinqeritet, me modesti e mirësjellje, ata dinë të falin e të besojnë. Natyrisht, siguri të plotë në praktikën mjekësore nuk mund të pretendohet. Po siguria mund të shtohet e të përmirësohet nëse ndërtojmë për të një strategji dhe platformë të programuar veprimi. Rreziqet edhe gabimet mjekësore janë të menaxhueshme. Ato mund të minimizohen. Strategjia e tillë duhet të synojë: parandalimin, regjistrimin e raportimin me transparencë, kur ato ndodhin, dhe nxjerrjen e mësimeve prej tyre, si dhe korrigjimin dhe zhdëmtimin e të sëmurëve, në rastet vërtetësisht fajtore për to.
Problem i sigurisë në mjekësi shtrihet në një dimension shumë më të gjerë se sa gabimi individual i një mjeku të një qendre, një spitali apo mjekësisë së një vendi. Ai është problem botëror, mjaft shqetësues e prioritar për OBSH. Prandaj, në vitin 2004, ajo inicioi Aleancën Botërore për Sigurinë e Pacientëve me një program dhe objektiva veprimi për minimizimin e rreziqeve e gabimeve në praktikën mjekësore. Në të marrin pjesë tashmë thuajse të gjitha vendet evropiane, përfshi edhe vendin tonë. Në platformën e sivjetshme, objektivi i OBSH në Europë që “Siguria e pacientit në kuadrin e të drejtave të pacientit”, për herë të parë të sëmuret u thirrën që bazuar në të drejtën e tyre për siguri të luajnë edhe ata rol aktiv për të ndihmuar e mbështetur mjekësinë, me anë të sinjalizimit në dhe informimit të anomalive, komplikacioneve, efekteve anësore të barnave shfaqjeve të faktorëve rrezikues ose dëmtues për shëndetin e tyre. Mjek dhe pacientë të jenë me bashkë se kurrë përballë rreziqeve për sigurinë.
Kontratë e re mirëkuptimi e ndërsjellë mes mjekëve dhe pacientëve
Në vitin 2008 Richard Smith tek “Profesioni mjekësor i së nesërmes”, propozoi një kontratë të re mirëkuptimi reciprok mes tyre bazuar në pranimin nga të dyja palët të pohimeve të mëposhtme:
- Vdekja, sëmundja dhe dhimbja janë pjesë e jetës
- Mjekësia i ka fuqitë e mundësitë e kufizuara. Për më tepër ajo përmban rreziqe
- Mjekët nuk dinë çdo gjë. Ata kanë nevojë të ndihmohen në vendimmarrjet delikate të tyre si edhe të mbështeten psikologjikisht
Po lind vallë kështu në mjekësinë e sotme një kulturë e re e sigurisë dhe cilësisë?
Ajo është e mirëpritur dhe për të po punohet jo pak edhe tek ne.






