Kriza e librit: Shitet 10-40% më pak

Kriza e librit: Shitet 10-40% më pak:
Nëse bëhet një krahasim i 3-mujorit të parë të vitit 2012 me një vit më parë, kemi një rënie të shitjeve në 10% dhe krahasuar me vitin 2010, rënia shkon deri në 40%. Ky indeks, ndonëse përfshin edhe gazetat e revistat e jo në mënyrë specifike librin, të lë të kuptosh se shitja po shkon drejt një përgjysmimi




INSTAT: Shitet 10-40% më pak  
Oliverta Lila
Libri është në krizë. Shitjet në libraritë e kryeqytetit janë në nivele të ulëta. Botuesit po ashtu ankohen për një situatë që vjen gjithnjë duke u përshkallëzuar. Rënia e shitjeve konfirmohet edhe nga një anketë e realizuar nga Instituti i Statistikave për indeksin e shitjeve në tremujorin e parë të këtij viti. Këto janë të dhënat e vetme zyrtare, ndonëse jo të specifikuara për botimin e librit. Sipas anketës, indeksi i shitjeve në volum, tregon një rënie të shitjes së librave, gazetave dhe revistave, veçanërisht këto dy vitet e fundit. Nëse bëhet një krahasim i 3-mujorit të parë të vitit 2012 me një vit më parë, kemi një rënie të shitjeve në 10% dhe krahasuar me vitin 2010, rënia shkon deri në 40%. Ky indeks, ndonëse përfshin edhe gazetat e revistat e jo në mënyrë specifike librin, të lë të kuptosh se shitja po shkon drejt një përgjysmimi. Krizën e tregut të botimeve e konfirmojnë edhe botuesit, të cilët janë të prekur drejtpërdrejt nga kjo situatë e krijuar. Libri është i pari produkt që shqiptarët kanë lënë mënjanë në kushtet e një krize ekonomike, duke menduar më shumë për produktet e mbijetesës. Një vizitë nëpër libraritë kryesore të kryeqytetit, të bën të kuptosh qartë që në dyert e tyre hyjnë gjithnjë e më pak njerëz. Sezoni veror ka shënuar gjithnjë një kulm të blerjeve, për shkak të librave që pushuesit zgjedhin të marrin në plazh, por edhe për shkak të emigrantëve, nga të cilët pritet të jenë të interesuar për librin shqip. “Ka një rënie në shitjen e librave, por kjo reflektohet më shumë te letërsia për të rriturit. Kemi parë se prindërit nuk kursejnë për të blerë librat për fëmijë”, thekson një nga libraret e një librarie të madhe në Tiranë. Në dy-tre të tjera më të vogla, të vendosur në qendër të kryeqytetit, njerëzit janë veçanërisht të interesuar për bileta lotarie sesa për librat. E njëjta situatë është edhe në qytete që më përpara kanë përbërë një treg të fuqishëm të librit, siç është Vlora. Ndërkaq, duket se kriza e librit do të prekë edhe panairet. Ndërsa kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë, Petrit Ymeri, konfirmon se panairi i përvitshëm i Tiranës do të organizohet dhe botuesit kanë prenotuar rreth 90% të sipërfaqes, panairet që tradicionalisht janë organizuar në qytetet bregdetare, duket se këtë vit nuk do të realizohen. Mungesa e fondeve, por edhe kërkesa e paktë për libra të rinj, duket se do t’i orientojë botuesit gjithnjë e më shumë drejt asaj letërsie të lehtë, që ka paksa më shumë treg. Botuesit nuk janë optimistë për ndryshimin e situatës, ndërsa kërkojnë që të ndërmerren edhe fushata që do të nxisin leximin te të rinjtë, që do të jenë lexuesit e së nesërmes.

“Rënie drastike në tregun e Kosovës”
Piro Misha: Po goditet letërsia serioze




Piro Misha e sheh të zymtë situatën e tregut të librit. Si drejtues i botimeve “IDK”, ai thekson se dy-tre vitet e fundit, shitja e librave ka rënë në mënyrë të ndjeshme. Sipas Mishës, ajo që rrezikon nuk është letërsia e lehtë, por botimet serioze, të cilat bartin edhe vlerat kulturore. Në optikën e tij, nëse nuk merren masa ndaj kësaj situate, do të kemi një goditje për vlerat kulturore.
Zoti Misha, a shihni ju si botues një situatë krize në shitjen e librave? 
Kjo është e dukshme dhe ç’është më e keqja ka ardhur duke u theksuar në mënyrë shumë të ndjeshme. Ndonëse nuk mund të flasim me përqindje, secili botues nga të dhënat e tij shikon se situata është përkeqësuar këto dy-tri vitet e fundit. Më e keqja është se shohim një rënie drastike në tregun e librit në Kosovë. Me një rënie të tillë të shitjeve, shoqëruar edhe me kaosin që ekziston në sistemin e bibliotekave të librit shkollor nga Ministria e Arsimit, po shkojmë drejt një krize që rrezikon së pari tregun e librave seriozë. Librat e lehtë do të botohen gjithnjë sepse do të gjejnë treg shitjeje, ndërkohë që librat që kanë edhe peshën kulturore do të goditen të parët. Në këto kushte, nëse nuk merren masa të shpejta do kemi probleme që do të kenë të bëjnë me kulturën shqiptare. Në mungesë të shitjeve, botuesit do të shkojnë drejt librave të lehtë, që e kanë të siguruar tregun.
A ka kjo situatë lidhje të drejtpërdrejtë me krizën ekonomike? Mendoj se është një situatë më komplekse. Padyshim që kriza ekonomike e godet menjëherë librin, sepse në mentalitetin e shqiptarëve është produkti i parë që lihet mënjanë. Tani për tani kriza ekonomike është faktori kryesor, në të nesërmen, do të jetë edhe rënia e leximit nga të rinjtë. Të rinjtë lexojnë më pak dhe kjo ka të bëjë me mungesën e një edukimi me librin dhe leximin që në bankat e shkollës. Për më tepër, ne kemi mungesë të theksuar të politikave që nxisnin leximin. Në vende si Finlanda e të tjera europiane, shteti ndërmerr çdo vit fushata shumë serioze për promovimin e leximit. Në këtë mënyrë, leximi bëhet interesant, aq më tepër në kohë konkurrence të fortë nga mjetet e tjera të informacionit.
Në këtë pikëpamje, shumë shtëpi botuese do të luftojnë për mbijetesë?  
Ka një deformim të madh në mënyrën se si funksionon veprimtaria botuese. Një sërë shtëpish botuese jetojnë në kurriz të shtetit me librin shkollor dhe kjo është goditje e madhe për të tjerat. E theksoj edhe njëherë se problematike nuk do jetë të botohet letërsi e lehtë, por letërsia klasike botërore dhe letërsia shqipe, e cila do ta pësojë e para dhe rrjedhimisht do ta pësojë edhe kultura e një vendi.


Prirja
Letërsi rozë në plazh 
Mjafton të shkosh në libraritë kryesore të kryeqytetit për të parë prirjen e lexuesit edhe për këtë verë. Si çdo vit, kërkesat janë për librat rozë, libra që flasin për konspiracione apo edhe libra fiction të ngritur mbi hipoteza apokaliptike të botës. Për librarët kjo është një zgjedhje e natyrshme duke qenë se lexuesit  kërkojnë botime që duan më pak përqendrim. Sigurisht që mes pushuesve gjen edhe nga ata që preferojnë tituj të fortë deri dhe autorë të letërsisë abstrakte.


Petrit Ymeri: Libraritë janë bosh




Kryetari i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë thekson se kriza botërore e botimeve reflektohet dukshëm në Shqipëri. Disa librari flasin për 50% më pak shitje të librit

Oliverta Lila  

Petrit Ymeri, kryetar i Shoqatës së Botuesve Shqiptarë pranon se ka një krizë të ndjeshme në fushën e botimeve. Ai nuk mund të flasë në shifra apo përqindje, pasi studime të mirëfillta nuk janë bërë asnjëherë, por çdo botues e ndien në aktivitetin e përditshëm rrudhjen e shitjes së librave. Sipas Ymerit, ky tashmë është një fenomen botëror, ndërkohë që librari të caktuara flasin edhe për një ulje të shitjeve deri në 50%. Kjo ka sjellë detyrimisht uljen e titujve të rinj dhe më pak të drejta autori të blera në tregun e huaj për t’ia sjellë lexuesit shqiptar. Ymeri thekson se situata është qartësisht e dukshme me libraritë bosh dhe me librarët që ngurrojnë të marrin libra të rinj.

Zoti Ymeri, ka kohë që po flitet për një krizë ekonomike. Sa është reflektuar kjo në industrinë e botimeve dhe më drejtpërdrejt në shitjen e librave? 

Këto janë më shumë të dhëna që merren nga veprimtaria e përditshme, por nuk ka tregues statistikorë, siç bën e gjithë bota. Një botues e ndien më shumë e tjetri më pak, një librari më shumë e tjetra më pak, prandaj, për fat të keq nuk mund të  flasim asnjëherë me shifra të sakta. Nuk dimë të jetë bërë asnjëherë asnjë statistikë për shitjen e librave në Shqipëri. Ky është një problem i madh, sepse ne nuk matim dot as lexuesin, as shtresëzimet kulturore, as shtresëzimet e moshave. Megjithatë, kriza në botime ka prekur gjithë botën, duke nisur nga Amerika e Europa dhe ne nuk bëjmë përjashtim. Nga të dhënat që unë kam, vetëm në 2010-2011 ka pasur një rënie të madhe të shitjeve të librit në Amerikë, por janë rritur çmimet e ebook, një fenomen që nuk është shqiptar, sepse te ne thuajse nuk ekziston. Kjo gjendje është edhe në Itali ku gjatë viteve 2009- 2010 ka pasur një rënie mbi 4.3 deri 4. 7%. Vitin që shkoi është shënuar një përmirësim me vetëm 0.3%. Imagjinoni që këto përqindje janë miliona kopje më pak. Kriza çuditërisht është ndier edhe në Gjermani, ndonëse tregu gjerman i librit është quajtur si një nga tregjet më të forta. Ky vend pësoi fenomenin që u quajt “pranvera e zezë” për librin. Të gjithë janë çuditur me këtë gjë. Botuesit kanë pritur që vera do ta zgjidhte këtë problem, por duket sikur nuk ka ndodhur kështu. Franca vazhdon të jetë një treg i librit. Siç e theksova, në Shqipëri nuk kemi evidenca të vërteta statistikore. Ndonjëherë dëgjojmë edhe çudira që nuk dua t’i besoj që janë të vërteta, sepse ka librari që flasin për ulje nga 30- 40 deri në 50%. Por po të shikoni libraritë janë bosh. Unë ndodhem në Vlorë, një qytet që ishte treg i fortë libri dhe shoh që libraritë janë thuajse bosh. Më e keqja është se librarët ngurrojnë të marrin libra të rinj. Gjermanët thonë se këto janë psikoza të krijuara nga jehona që ka në media situata ekonomike, situata politike, etj. Por edhe në Tiranë shihet qartë që në librari hyjnë gjithnjë e më pak njerëz. Sakrifica që bëhet nga publiku te libri është më pak e ndjeshme në një fushë tjetër si tek ushqimi, veshja e kështu me radhë.

A është reflektuar kjo edhe në titujt e rinj që kanë hedhur në treg shtëpitë botuese?

Sigurisht. Kjo situatë jo e këndshme ka sjellë si rrjedhim një ulje të madhe të titujve të rinj. Një vit më parë, në panairin e librit unë e theksova se patëm më pak tituj të rinj për lexuesin dhe sivjet kjo duket fare qartë. Kjo situatë lidhet edhe me tregun jashtë nesh, nga i cili ne blejmë shumë libra. I  referohem këtu blerjes së të drejtës së autorit. Meqenëse botuesit e huaj po shesin më pak të drejta, çmimet e këtyre kontratave janë rritur. Nëse blerja e të drejtës së autorit për një libër shkonte nga 500, 600 ose 700 euro, tani është rritur shumë, sepse shiten më pak kontrata se më parë. Kjo e rrit çmimin dhe detyrimisht botuesit detyrohen të blejnë më pak të drejta. Kjo është një situatë për të cilën ne jemi parapërgatitur që do të vinte duke qenë se ka filluar të ndihet që më parë ndër kolegët tanë jashtë.
A është kërkuar më parë të bëhen studime të sakta mbi këtë problem?
Kemi kërkuar disa herë që të bëhen statistika, raportime shkencore, anketime me studentë, në shkollat e mesme, në nxënësit e fillores, por kjo duhet bërë nga institucione të specializuara.
Një gjë e tillë nuk mund të realizohet nga botuesit që kanë interesa të drejtpërdrejta e që rrezikojnë të kalojnë në subjektivizëm.
Duhet vetëm pak kohë nga organizmi i Panairit të përvitshëm të Tiranës. A mendoni se do të reflektohet kjo situatë në këtë aktivitet?
Për sa i përket panairit të nëntorit, mund të them se gati 90% e sipërfaqeve janë të kontraktuara. Ideja jonë është që këtë vit të përdorim edhe hapësirën e katit të tretë të Pallatit të Kongreseve, e cila nuk është shfrytëzuar asnjëherë deri tani dhe me rastin e 100–vjetorit do të ketë një pamje më ceremoniale.



“Panairi i Vlorës rrezikon të mos organizohet”
Irena Toçi: Botuam vetëm gjysmën e titujve




“Kriza e librit është ndier dukshëm dhe besoj se kjo është pasojë e drejtpërdrejtë e krizës ekonomike. Në situata të tilla, libri është produkti që për forcë zakoni njerëzit e kursejnë të parin, sepse mendojnë fillimisht për produktet e mbijetesës”, kështu deklaron Irena Toçi, drejtuese e shtëpisë botuese “Toena”. Sipas saj, situata është reflektuar në mënyrë të menjëhershme në tregjet e librit dhe këtu Toçi i referohet veçanërisht tregut të Kosovës. “Tregu i Kosovës është rrudhur në mënyrë minimale e po ashtu edhe në qytete të tjera, përveç Tiranës që mund të thuhet se ka mbetur në nivele të kënaqshme. Kjo gjë na ka kushtëzuar në titujt e rinj që kemi nxjerrë në treg, sepse nëse nuk kompensohesh financiarisht për investimet e bëra, atëherë është normale që të arrijmë në këtë pikë”, thekson Irena Toçi. Si rrjedhojë e situatës, ajo tregon se shtëpia e saj botuese ka nxjerrë në treg vetëm 50% të titujve të planifikuar për këtë verë. “Vera nuk ka qenë optimiste dhe besoj se nga fillimi i shtatorit do të nisim botimin e titujve të tjerë. Për më tepër, sivjet rrezikon të mos organizohet as panairi tradicional i Vlorës. Bashkia e qytetit ka një fond minimal në dispozicion edhe pse është 100-vjetori i pavarësisë. Kjo do të thotë kontakt më pak me lexuesin”, thekson Toçi. Sipas saj, shtëpia botuese “Toena” ka parashikuar të mos prekë vetëm fondin që ka parashikuar për botimin e disa titujve të rëndësishëm në kuadrin e festimeve të 100-vjetorit të pavarësisë. Megjithatë, ajo mbetet optimiste se situata edhe mund të ndryshojë. 

Shqip

Related Posts: