Kampioni e nis me fitore

Juventusi e ka filluar si më mirë sezonin e ri në Kampionatin italian. Zonja e Vjetër ka triumfuar me rezultat 2-0 përballë Parmës.

Fraksioni i parë i lojës u mbyll pa gola, ndërsa Juventusi e pati rastin më të volitshëm të shënonte nga penaltia. Arbitri i takimit e ndëshkoi me penalti ndërhyrjen e portierit Antonio Mirante në mbrojtësin Lichtsteiner, i cili paraprakisht u duk të ishte në pozitë jashtë loje.

Sido që të jetë, goditjen e Arturo Vidal e ndali portieri (34’). Dhjetë minuta brenda pjesës së dytë (55’) u thye mbrojtja mysafire. Kwadwo Asamoah e gjeti zviceranin Stephan Lichtsteiner, i cili e shënoi golin e parë të Bianconerëve për sezonin 2012/2013.

Nuk kaloi shumë kohë (58’) dhe erdhi goli i dytë. Mjeshtri i mesfushës, Andrea Pirlo, ekzekutoi një gjuajtje të lirë për ta dyfishuar epërsinë. Edhe këtu kishte hapësirë për diskutime, duke qenë se dikush mendonte se e kaloi, e dikush se nuk e kaloi topi vijën fatale.

Një paraqitje e mirë e Juventusit që gjatë gjithë ndeshjes i kërkoi tri pikët, edhe pse lojtarët bardhezinj nuk treguan më të mirën e tyre, ndërkohë që edhe Parma zhvilloi një ndeshje modeste duke krijuar raste, megjithatë nuk arriti që ta rrezikojë seriozisht portierin Marco Storari, i cili luajti në vend të legjendarit Gigi Buffon.

Juventus 2 : 0 Parma