http://dshm.org/
Intervistë me nismëtarin kryesor të Takimit të Diasporës Shqiptare në Nju Jork
Drejtëpërdrejtë në programin e Radio Fokus (në Tetovë) mbrëmë 30.07.2012, Enver Neziri zhvilloi një intervistë me Xhevat Sherifin nismëtarin kryesor të Takimit të Diasporës Shqiptare në Nju Jork
Nga Tetova, mirëmbrëma, z. Xhevat Sherifi, jeni drejtëpërdrejtë në programin e Radio Fokus (në Tetovë) dhe emisioni shkon live në FM në Maqedoni dhe në internet ku na dëgjojnë gjithë shqiptarët që ndjekin Radio Fokus përmes faqeve tona të shumta?
Nga Chicago, edhe juve z. Enver Neziri, mirëmbrema dhe faleminderit për kontaktin e drejtëpërdrejtë, pasi edhe ne jemi dëgjues të rregullltë të emisioneve tuaja përmes web faqes AlbaNur në internet.
Si jeni dhe si është jeta e shqiptarëve atje ku jeni në Chicago?
Në fillim, më lejoni të ju përshendes juve dhe të gjithë dëgjuesit e Radio Fokus, kurse shqiptarëve të besimit islam t’ua uroj muajin e Ramazanit, agjërim të lehtë dhe Zoti ua pranoftë përkushtimet e tyre gjatë ketij muaji të madhnueshëm. Ndaj edhe ne, këtu në Chicago, jemi këto ditë me valët e këtij muaji të madhnueshëm. Eshtë pak vapë, por më i këndshëm bëhet iftari në fund të ditës, pasi agjërimi bëhet për Zot. Kohëve të fundit, jemi edhe me programet juaja të natës, ku ju jeni shnderruar në një zë që lidh botën shqiptare të diasporës me vendlindjen në Maqedoni dhe gjithandej nga janë shqiptarët.
FLM, po mundohemi në fuqitë tona të jemi sa më shume zë i arsyes në këto kohra të këqija për shqiptarët e Maqedonisë. Vetëm vazhdoni kështu dhe nuk duhet të largoheni nga ky mision i shenjtë se shqiptarët në Diasporë ju dëgjojnë dhe janë me valët e Radio Fokus.
FLM. I nderuar z. Sherifi, ju jeni kryetar i Komunitetit shqiptaro – amerikan për Illionis, me seli në Chicago?
Po, tash një kohë të gjatë drejtoj këtë komunitet.
Para disa jave në media dhe gazeta është botuar një apel, që ishte nënshkruar nga ju, pra, nga Komuniteti i juaj, nga Albanian American Civic League, në krye me Joe Diogardin dhe Lëvizja e Karadakut, ku ju thirrni në unitet të diasporës shqiptare dhe keni caktuar një Takim në New York në javën e fundit të muajit shtator? A mund të na thoni si rrjedhi deri te kjo inciativë?
Para se të përgjigjem në pyetjen e juaj se si erdhi deri te kjo inciativë, dua të përmendi se kësaj inciative i kanë paraprirë disa ngjarje që kanë ndodhur në Maqedoni. Ju e dini se pas përfundimit të luftës së vitit 2001, përkatësisht me nënshkrimin e Marrëveshjes së Ohrit, diaspora shqiptare, që kishte dhënë një kontribut të madh dhe të pakontestuesëm për realizimin e të drejtave shqiptare, disi u pasivizua nga shkaku se mendonte se politika shqiptare tani do të realizojë kërkesat e shqiptarëve dhe se për shqiptarët do të vijnë ditë më të mira në Maqedoni. Por, një gjë e këtillë, tani, për më shumë se dhjetë vjet, nuk ka ndodhur, janë shqiptarët atje të zhgënjyer, jemi ne jashtë vendlindjes të zhgënjyer, ngase punët nuk kanë ecur në drejtim të duhur.
Menjherë pas luftës, dy partitë politike, të ashtuquajtura shqiptare BDI dhe PDSH, filluan luftën e pakuptimtë me njëra tjetrën, duke anashkaluar interesat e shqiptarëve dhe duke nxjerr në pah interesin e tyre individual, të grupit të tyre, që në të shumtën e rasteve, liderët e këtyre dy partive, më shumë u ngjanin bosave mafiozë sesa të jenë lidere të partive politike shqiptare me përgjegjësi kombetare. Kështu, pala sllave, me theks të veçantë, qeveritë e Gruevskit, duke i futur në këtë luftë të pakuptimtë, arriti dalëngadalë të reduktojë interesat shqiptare në interesa minoritare, shqiptarët t’i konsiderojë si bashkësi etnike dhe jo popull shtetformues në Maqedoni. Kësaj politike, pastaj i erdhi në ndihmë edhe Akademia sllave kur doli me një enciklopodi false për historinë e shqiptarëve në Maqedoni. Reagimet atëherë ishin të shumta, por më tepër ishin për konsum të brendshëm marketingu, kurse ne, si diasporë shqiptare, në Amerikë vleresuam punën e Nijazi Muhamedit me botimin e librit “Maqedonia Shqiptare”, që këtu tek ne pati jehonë të madhe, si ndër shqiptar ashtu edhe për studjuesit tjerë në Amerikë. Ndaj ky botim na riktheu atje ku e lamë në vitin 2001, të interesohemi, të organizohemi, të kontaktojmë me aktivistë të ndryshëm të çështjes shqiptare, që të kemi një pasqyrë akoma më reale për situatën politike të shqiptarëve në Maqedoni. Në prag të zgjedhjeve parlamentare të vitit 2011, Komuniteti shqiptaro – amerikan për Illionis, me seli në Chicago, pati vizituar Maqedoninë dhe thirrja e këtij Komuniteti atëherë ishte për unitet, por hasi në veshë të shurdhët, edhe pse qytetarët shqiptare pritnin diçka më tepër nga ana jonë. Duke parë gjendjen reale se ku kanë rënë liderët shqiptar, luftën e tyre për interesa të ngushta personale, që thjesht mund ta quaj një luftë bajraktarizmi me shumë elemente feudale, mafioze dhe, kjo luftë, si e tillë, ujin do e çonte në mullirin e palës sllave, ne si Diasporë patëm marrë një vendim të mos involvohemi dhe të mos keqkuptohemi nga bashkatdhetarët tanë në vendlindje.
Prej atëherë dhe deri më sot, kanë ndodhur edhe shumë ngjarje tjera në Maqedoni, por ne nuk kemi heshtur, kemi vepruar, nuk jemi ndalur, kemi pasur kontakte të ndryshme, pasi që thirrjes sonë për unitet, për veprim politik të përbashkët, i janë përgjigjur qysh atëherë shumë aktivistë të dalluar të çështjes shqiptare, por, duhet të theksoj, kësaj thirrjeje i dhanë një elan për punë lëvizja e Karadakut, që vepron në Europë, Londër – Bruksel. Ndaj ne kemi angazhaur edhe Albanian American Civic League, në krye me Joe Diogardin, i cili njihet si një lobist i fortë i çështjes shqiptare. Të gjithë ne e dijmë se rezoluta e parë në vitin 1987 për çështjen e Kosovës, e futur në Kongres dhe e nënshkruar nga shumë kongresistë ishte rezoluta e Joe Diogardit, pikërisht atëherë kur Jugosllavia kishte marredhënie të shkëlqyera me administratën amerikane.
Pra, kemi ardhur në konkludim se pa organizimin e diasporës shqiptare gjithandej meridaneve të botës, pa një koncentrim intensiv në Washington, politika shqiptare në Maqedoni, me këta dy liderë, Ahmetin dhe Thaçin, do të pësojë disfata tjera dhe interesi i shqiptarëve do të reduktohet edhe më shumë, si në aspektin politik, ekonomik, social, kulturor dhe do të varen nga feudalizmi primitiv i Ahmetit në Reçicë dhe i Thaçit në kafen Dora në Tetovë. Ndaj thirrja jonë për Takim në javën e fundit të muajit shtator të këtij viti në New York është një thirrje që t’u themi “Ndalë..!” politikës vasale të këtyre dy liderëve dështakë në Maqedoni.
Pse keni zgjedhur Nju Jorkun si vend për t’u takuar në vend se të zgjedhni Shkupin, Tetovën apo ndonjë qytet tjetër në Maqedoni, apo pse jo edhe Prespën e juaj. Në Maqedoni kundërshtarët e juaj do thonë se është lehtë të bëhet politikë për shqiptarët nga Nju Jorku, ejani këtu në vendlindje dhe ballafaqoheni me realitetin?
Pikërisht, duke e kuptuar këtë realitet të zymtë të disa shqiptarëve, që për fat të mirë, nuk janë shumë, por numërohen në gishta dhe janë shërbetorë të dëgjueshëm të klaneve mafioze-sllave, por edhe proserbe, që kontrollojnë strukturat e sigurimit të shtetit dhe shërbimit policor, kemi vendosur që takimin ta organizojmë në Nju Jork. Nuk duam që dikush, ndonjë element i keq të na infiltrohet qysh në fillim të organizimit tonë. Nuk e bëjmë këtë as nga frika, as nuk jemi të shtyer nga ndonjë interes grupor apo klanor, por thjesht duam t’ju tregojmë shqiptarëve, vëllezërve tonë në Maqedoni, Mos ke frikë se ke bijt në Amerikë, kurse shqiptarët si popull janë proamerikan dhe miqësia jonë me administraten amerikane fillon me aktivitet e motrave Qiriazi me presidentin e atëhershëm Willson, që ishte faktor kyç për njohjen e pavarësisë së Shqipërisë.
A keni menduar se ju mund të keqkuptoheni nga pala maqedonase dhe Shkupi zyrtar për angazimin e juaj?
Ne jemi shqiptarë nga Maqedonia, ne jemi diasporë dhe jemi pjesë e pandashme e popullit shqiptar ne Maqedoni dhe pjesë e familjeve tona atje. Ne kemi venduar përballë interesin e qytetarëve shqiptar dhe afirmimin e vlerave amerikane për demokraci edhe në Maqedoni. Shqiptarëve nuk guxon askush t’ua mohojë të drejtat legjitime në Maqedoni, janë autoktone, janë në vatrat e tyre dem baba dem dhe patjetër të jemi popull shtetformues, askush nuk guxon në kurriz të shqiptarëve të ndërtojë mite të rrejshëm për Maqedoninë. Shqiptarët nuk janë kundër palës maqedonase, por ata duhet ta kuptojnë nje gjë, nuk ka ekskluzivitete në demokraci të një kombi mbi një komb tjetër dhe anasjelltas. Nuk mund të ketë as dominime politike, pritje se çka ofron kombi që ka përvetësuar në mënyrë të paligjshme gjitha thesaret dhe resurset për komoditetin e vet, për histori me falsitete të papresedant, duhet ta kuptojnë se koha e vasalitetit të shqiptarëve, të përfaqësuara nga Ahmeti dhe Thaçi, po merr fund. Gjithashtu duhet të jenë të përgjegjshëm të mos përzihen në prapaskena, duke ju ndihmuar disa shqiptarëve me qëllim që të na imponohen si patriotë, pasi edhe kjo lojë është e vjetruar dhe Maqedonia nuk ka kohë për lukse të tilla.
Kohëve të fundit liderët e dy partive shqiptare kanë zyrtarizuar koalicionet me partitë maqedonase për zgjedhjet lokale të vitit 2013. Kemi marrëveshjen e Mendu Thaçit dhe Cervnekovskit, poashtu edhe marrëveshjen e Ahmetit me Gruevskin. Ju si i shihni këto zhvillime nga Amerika?
Dialogu politik është kushti i parë për të zhvilluar demokracinë në një vend. Kurse në Maqedoni nuk ka demokraci, por ka elitokraci, ku komoditet luksi nga shqiptarët kanë vetëm personat që preferojnë vasalitetin, pra, për shqiptarët tjerë, që janë shumicë, nuk ka barazi, por ka standarde të dyfishta, nuk ka mjete të lira të informimit, por ka gazeta dhe kanale televizive, ku e bardha paraqitet zi dhe e zeza, paraqitet bardh, ndërsa gjuha shqipe ende është çështje diskutim, statusi i invalidëve të luftës së UCK-se, rehabilitimi i tyre, nuk figuron askundi me ligj, disa nga ata ende persekutohen, ndiqen dhe nuk lihen rehat, kurse numri i nxënësve shqiptare kalon kapacitetin e disa shkollave në Maqedoni, nuk ka punësime, nuk ka investime në vendet ku banojnë shqiptarët, ose punësimet janë vetëm partiake, etj. Por, të gjitha këto dhe të këqijat tjera, që u vijnë shqiptarëve, janë si rezultat që lidhen me statusin e tyre politik në Maqedoni, pasi akoma varemi nga pala tjetër dhe presim në pozita inferioriteti se çka do na japin. Prandaj, koalicionet e tilla, shumëkohë para zgjedhjeve, nga njerëz me të kaluar të dyshimtë, që, njëherit, janë kontribuesit më të mëdhenj për pozitën nënçmuese të shqiptarëve, poashtu, janë edhe fajtorët më të mëdhenj moral dhe politik për moszgjidhjen e çështjes shqiptare në Maqedoni për këto 20 vjet, nuk janë asgjë tjetër këto koalicione veçse ruajtje e statusit të tyre, mbajtja e pozitave të tyre dhe kontrolli i tyre mbi shumicën e shqiptarëve në Maqedoni. Ju e dini se mbi 60 për qind e shqiptarëve nuk dalin në zgjedhje, kurse 40 për qind janë njerëz nga struktura partiake që e kanë patjetër të jenë me liderët e tyre, përndryshe u rrezikohet vendi i punës, biznesi, apo diçka tjetër që lidhet ngusht me dinjitetin e tyre social.
Kryetari i PDSH-së, Mendu Thaçi, koalicionin e tij me Cervenkovskin po përpiqet ta paraqesë si kërkesë të faktorit perëndimor për të debllokuar procesin integrues për Maqedonin në NATO dhe BE. A mendoni ju se në këtë ka gisht faktori perëndimor?
Ky është një mashtrim tjetër i radhës që u servohet shqiptarëve në Maqedoni. Cili faktor perëndimor mund të ju thotë 40 për qind të shqiptarëve në Maqedoni se ju duhet të keni më pak të drejta se 5 për qind e serbëve në Kosovë? Kush është ai diplomat perëndimor që mund t’i detyronte shqiptarët të pranojnë se Maqedonia është shtet ekskluziv i maqedonasve e jo edhe i shqiptarëve. Siç shihet, vetëm Ahmeti dhe Thaçi, mund të pranojnë gjëra të këtilla nga shkaku se janë liderë me hipoteka të ndryshme, kurse tani na qartësohen punët se si politikan janë edhe krijesa sllave, nuk dallojnë nga ata që jemi mësuar dikur në Jugosllavi t’i shohim si shqiptar të ndershën në kohën e komunizmit. Si mund dikush ende të beson se Mnedu Thaçi, që është në listë të zezë për të shkelur tokën e Amerikës, mud t’i fusë shqiptarët në NATO apo në BE? Akoma nuk mund ta besojmë si mundet Ali Ahmeti, një marksist-leninist, enverist të përfaqëson shqiptarët e Maqedonisë, që kurrë nuk kanë pasur asgjë të përbashkët më këtë ideologji komuniste-slave. Ne shqiptarët e amerikës besojmë se ka ardhur koha që këtyre dyve t’ua japin fundin e turpshëm që u takon, largimin kokëulur nga politka si persona që kanë kriminalizuar politikën shqiptare në Maqedoni.
Nga kjo që flitni, siç duket ju nga Diaspora doni të kyçeni në politikë. A do të thotë kjo se ju dhe bashkëpunëtorët që keni do të dilni me ndonjë parti politike në Maqedoni dhe do jeni aktiv në zgjedhjet lokale të vitit 2013.
Projekti ynë, që ka emrin Diaspora Shqiptare për Maqedoni, i tejkalon zgjedhjet lokale të vitit 2013, është projekt më i madh dhe jemi shumë të vetëdijshëm për sfidat me të cilat do të ballafaqohemi në të ardhmen. E dijmë se do ta kemi vështirë, por ne besojmë se vullneti i popullit shqiptar në Maqedoni nuk mund të thehet aq lehtë, sa për t’i siguruar komoditet elitave të korruptuara të Ahmetit dhe Thaçit deri në pafundësi. Për Diasporën Shqiptare të dy janë fajtorë kryesore për këtë pozitë nënçmuese të shqiptarëve në Maqedoni. Ndaj kërkojmë largimin e tyre, por në të njëjtën kohë do kërkojmë edhe shumë gjëra tjera të ndryshojnë në Maqedoni, por për të gjitha këto pas Takimit në Nju Jork. Ndërsa për parti politike është heret të flitet, njëjtë, siç është heret të flitet për qendrimin tonë për zgjedhjet lokale të vitit 2013, edhe pse, përmes aktivistëve tonë, jemi ka përcjellim çdo lëvizje atje të qeverisë së Gruevski dhe qeverisë nën hije Thaçi-Cervenkovski në Maqedoni, dhe përballë lëvizjeve të tyre të sponzorizuara nga faktorët e pansllavizmit, ne do vemë në lëvizje mobilizimin patriotiko-politik shqiptar të Diaspores dhe të përfaqësuesve të shoqërisë civile shqiptare, të të gjitha energjive patriotike-intelektuale dhe morale të shqiptareve, të të gjitha brezave për të marrë fatin shqiptar në duar shqiptare dhe për të marrë përgjegjësit kombetare që na ngarkohen në këtë fazë dhe konjukturë historike, e cila nuk guxon t’i gjejë shqiptarët të pergjumur, të mashtruar, të dëshpëruar, thjesht, shqiptarët nuk guxojnë të munden nga fatalitetet historike dhe politike që ua hedhin të tjerët dhe veglat e të tjerëve përpara jetës së tyre në këtë shekull.
Nga kjo mund të kuptojmë se ju veproni në Maqedoni, keni veprimtarë, kjo do të thotë se keni filluar të ndërtoni edhe strukturat e juaj në terren?
Nuk dua të flas për struktura, as të jap emra, por dëshira ime, e bashkëpunëtorëve, e përkrahësve të kauzës sonë, është më shumë punë, e më pak fjalë. Eshtë e vërtetë se kjo nisma jonë, ne fillimet e saj, koordinohet në terren, po vendosen lidhjet e mbledhjes se saj rreth këtij vizioni ndër shoqërinë civile shqiptare, dhe mbi këtë koncept, është e kuptueshme se kemi nisur të strukturojmë dhe të koordinojmë edhe nismat elektorale për zgjedhjet lokale të shoqërisë civile dhe personaliteteve që përfaqësojnë atë. Ne jemi në një fazë të një përzgjedhjeje të nismave dhe mbledhjes e shkrirjes së tyre në një alternativë kombtare të unifikuar. Si do të institucionalizohet mandej kjo alternative, do të vendoset në takimin e paracaktuar në Nju Jork. Por, një të jeni të sigurtë, rreth nesh do të jenë personalitet që asnjëhere nuk i kanë shërbyer sistemit unitarist në Maqedoni.
Përveç Ahmetit dhe Thaçit, në Maqedoni janë edhe disa lider tjerë, kam fjalën për nje koalicion të paralajmëruar mes Rufi Osmanit, Kastriot Haxhirexhës dhe Bardhyl Mahmutit? Ju si e shihni këtë koalicion dhe a ju ka kontaktuar ndonjëri t’i përgjigjet thirrjes për Takim në new York?
Ne përshendesim çdo inciativë për bashkim dhe unitet që për synim ka çështjen shqiptare në Maqedoni. Pra, përshendesim edhe këtë inciativë, por ne jemi pak skeptikë në këtë koalicion, pasi kemi edhe informata tjera. Këtu kem një problem të madh, p.sh. Kastriot Haxhirexha është në listën e zezë, njëjtë, siç është Menduh Thaçi, rreth tij janë poashtu disa personalitet që njihen se janë me hipoteka të biznesit, etj, kurse Rufi Osmanin jemi mësuar ta shohim si gabon kur zgjedh njerëz për bashkëpunim, kam fjalën afrimin e tij me Menduh Thaçin para disa muajve. Kurse partia e Bardhyl Mahmutit, Hysni Shaqirit janë të fshira nga regjistri si parti me sa kam informata, nuk ekzistojne juridikisht, po edhe politikisht. Duhet thënë se ne angazhohemi për interesin e qytetarëve shqiptar në Maqedoni dhe jo për emra të liderëve, të cilët kanë provuar deri tani gjtihçka, janë shetitur herë te njëri, herë te tjetri. Ndaj unë jam shum skeptik dhe Kastriot Haxhirexhën e shoh në bishtin e Ali Ahmetit, pra, do të na dalë prap se Rufi Osmani gabon në përzgjedhjen e koalicioneve dhe bashkimeve. Megjithatë në thirrjen tonë janë të përmendura këto parti të bëjnë koptimin dhe të na bashkangjiten me qëllim të faktorizimit të politikës shqiptare në Maqedoni. Por, deri tash nga asnjëri nuk kemi marr ndonjë letër zyrtare, pro ose kundër takimit në Nju Jork.
A do të kemi rastin të ju shohim juve dhe Diasporën shqiptare së shpejti edhe në Maqedoni?
Shumë shpejt, pas takimit tonë në New York, ku edhe do të zgjedhim Kryesinë e Diasporës Shqiptare për Maqedoni, që do të jetë kombinim mes diasporës dhe vendlindjes, organet tjera drejtuese, do të jemi ne ata të parët që do të vizitojmë çdo fshat, lagje dhe qytete ku janë shqiptarët, do të dëgjojmë hallet dhe brengat e tyre dhe se çka mund Diaspora të ndihmoje për realizimin e të drejtave të shqiptarëve në Maqedoni. Vetëm kështu ne mund t’i dalim zotë kauzës sonë, duke vepruar në terren, por në të njejtën kohë, duke organizuar Diasporën Shqiptare për Maqedoni për çdo të papritur dhe duke ndejtur aktiv për çështjen shqiptare në Washington.
Nuk më mbetet tjetër pos të ju falenderoj për këtë intervistë dhe të ju dëshiroj suksese, por, me një kërkesë timen në fund. A mund të kem një ftesë për Takimin në Nju Jork?
I nderuar Enver ftesa është e hapur për të gjithë, por ju jeni i ftuar ngase jeni zëri i arsyes së shqiptarëve në Maqedoni, kurse puna e juaj në FB në lidhje me librin shqip, Botimet Shqiptare, nuk guxon askush ta injorojë, as ta përbuzë ngase ne përpiqem për vlera të këtilla të ndërtojmë në Maqedoni, ne jemi pro-dijes, librit, vlerave dhe pastërtisë kombtare që nuk guxon të shitet për një tender dhe të bëhet viktimë e qarqeve mafioze proserbe ne Maqedoni.
Ju Faleminderit dhe Mirëupafshim në New York
FLM edhe juve dhe jeni i mirë se ardhur.
30 Korrik 2012
Permalink
| Leave a comment »





