Funksionari 2


Xhelal NEZIRI

Xhelal NEZIRI
Sa më shumë që zbardhen afera të mëdha korruptive në Maqedoni, aq më shumë bindem se Marrëveshja e Ohrit qenka arritur vetëm për të bërë ndarjen e drejtë të plaçkës midis partisë maqedonase dhe shqiptare që përbëjnë pushtetet.
Duke lexuar dokumentet e Komisionit të Letrave me Vlerë dhe Shkëmbimit të SHBA-ve, ku hetohet korruptimi i dy funksionarëve të lartë qeveritar të vendit në vitin 2005 nga ana e kompanisë që bleu Telekomin e Maqedonisë, më ra në sy pikërisht kjo ndarje e mjeteve të fituara nga korrupsioni. Ne këto dokumente shfaqet një letër e dërguar nga drejtorët e lartë të kompanisë së huaj ku propozohet që për shtyerjen e monopolit të "Mobimak"-ut të atëhershëm të paguhet 2 milionë euro ryshfet, me ç'rast partia maqedonase dhe ajo shqiptare do të merrnin nga një milion euro. Poashtu, aty mund të gjendet edhe konstatimi se "mbështetja e partisë shqiptare në qeveri është kyçe për kryerjen e punës". Në fund, pas shumë kërcënimeve dhe ofrimit të beneficioneve tjera për investuesin e huaj, bëhet pazari për 4 milionë euro ryshfet, të cilat janë ndarë në mënyrë "korrekte" mes "Funksionarit 1" që është maqedonas dhe "Funksionarit 2" shqiptar, duke respektuar në përpikmëri partneritetin dhe barabarësinë maqedonaso-shqiptare.
Nga kjo shifet se në vitin 2005 vërtetë paska funksionuar Marrëveshja e Ohrit, por vetëm në sferën e korrupsionit. Partia shqiptare atëherë vërtetë paska qenë me ndikim në sjelljen e vendimeve, por vetëm në ndarjen e plaçkës. Pra, paska qenë pikërisht partia shqiptare me legjitimitet që i paska mundësuar "Mobimak"-ut t'i vazhdohet monopoli në tregun e telekomunikimeve. Pra, të mos ketë konkurencë me qëllim që të vazhdohet politika e çmimeve më të larta telefonike në Europë dhe të shtyhet periudha e vjedhjes së qytetarëve që shfrytëzojnë shërbimet telekomunikuese të kësaj kompanie.
Kjo i bie se ato dy funksionarë, në emër të partive të tyre, na kanë vjedhë neve si qytetarë me miliona nëpërmjet faturave që ia kemi paguar kësaj kompanie. Ato miliona, që me siguri janë ndarë ndërmjet 3-4 personave që bërbëjnë udhëheqjen e partisë, paskan qenë fryti më i madh i Marrëveshjes së Ohrit, dokument i cili erdhi pas shumë sakrificave të shqiptarëve në 2001 për një barabarësi të njëmendtë të Maqedoni. Sipas kësaj logjike, të gjithë paskemi luftuar që këto përsona t'i biem në pozita e pushtete me qëllim që të pasurohen duke na vjedhë me të madhe, apo duke na shitur toptan. Ky është mazohizëm par excellence.
Për fat të mirë të qytetarëve të Maqedonisë, sot në USA ka filluar procesi gjyqësor kundër personave të involvuar në këtë aferë korruptive, kurse në banken e të akuzuarve pritet të ftohen edhe këta dy funksionarë. Eh sa dëshiroj ta shoh se cili funksionar i jonë, i koduar nga organet hetuese amerikane si "Funksionari 2", na ka vjedhë tërë kohën bile edhe na ka kërkuar votën. A më e keqja është se sërish ja kemi dhënë. E kemi votuar sërish që të na vjedhë sërish. E kur jemi te vjedhjet aktuale nëpërmjet faturave, lind një pyetje tjetër: pse dy partitë në pushtet (ajo maqedonase dhe shqiptare) mbrojnë monopolin e EVN-së në tregun energjetik të vendit? A kanë marrë miliona euro nga EVN-ja edhe për këtë "mision" të rrjepjes së qytetarëve me ç'rast paguajnë gati dyfish më shumë nga energjia e shpenzuar?
Edhe ky rast do të zbardhet, do të vijë në rend dite të hetohet. Kjo gjithësesi se nuk do të ndodhë në Maqedoni por në ndonjë vend tjetër normal ku funksionojnë institucionet e pavarura. Atëherë do ta kuptojmë prapavijën e shtrenjtimeve maramendëse të energjisë elektrike. Çështja është nësë ndonjëherë do të mbushemi me mend!