Gazeta Shqip
Pak minuta më pas u shfaqën edhe imazhet e para të planetit në një ekran gjigant në dhomën e kontrollit, ku ndodheshin të gjithë ata që janë marrë dhe kanë ndjekur këtë mision, deri tani të suksesshëm. Janë imazhe bardhë e zi, që mes të tjerash dhe mbi të gjitha shfaqin edhe horizontin e Marsit. Tre minuta më pas është rishfaqur e njëjta pamje, por tashmë me rezolucion më të lartë se fotoja e parë. Për gjithë stafin ky është një moment i mrekullueshëm dhe ardhja e fotove gjithashtu. Kjo sondë, që është më e madhe dhe më e mirëpajisur se sondat e tjera që janë nisur drejt planetit të kuq, do të shënojë një epokë të re në eksplorimin e planetit dhe mbi të gjitha në kërkimin e gjurmëve të jetës dhe të elementeve që e mbështesin jetën. Ky sukses i jep vlerë “bastit” prej 2.5 miliardë dollarësh që NASA vuri me nisjen e këtij misioni shumë të rëndësishëm. Zbarkimi i sondës ka ndjekur një rregull të parashikuar, duke filluar me kapsulën në të cilën ndodhej sonda, e cila me të hyrë në atmosferën e Marsit është hapur dhe sonda, përmes një parashute ka nisur uljen në tokë. Gjatë javës së saj të parë në këtë planet, sonda do të vendosë antenën e saj kryesore e do ta bëjë funksionale dhe përmes kamerave do të marrë pamjet e para panoramike rreth saj. Me këtë ulje është testuar edhe një teknikë krejtësisht e re për NASA-n. Dy sondat e fundit që prekën planetin kanë qenë “Spirit” dhe “Oportunity” në vitin 2004. Ndërkohë sonda aktuale që ka përmasat e një autoveture dhe funksionon me energji bërthamore, është e pajisur me një sërë pajisjesh kërkimore shumë të avancuara, me kamera, me një mikrokompjuter të cilësisë shumë të lartë. Ajo ka edhe një krah metalik robotik, një laborator shumë të vogël kimik për të bërë analiza të ndryshme dhe një detektor për rrezatime të ndryshme. Për sa i përket vendit ku është vendosur që të ulej sonda, në afërsi të Ekuadorit të Marsit, ai u zgjodh sepse rreth tij ka shenja uji kudo, dhe uji sikundër dihet është edhe elementi kryesor i jetës. Udhëtimet e tjera në Mars kanë zbuluar akuj në afërsi të Polit të Veriut të planetit dhe ky është një dëshmi se dikur uji ka ekzistuar në këtë planet, në periudhën kur ai ishte më me lagështirë dhe ambienti nuk ishte kaq i ashpër dhe i thatë. “Curiosity”, në kërkim të elementeve të jetës, do të përpiqet të gjejë veç ujit edhe karbonin, nitrogjenin, fosforin, sulfurin dhe oksigjenin. Ndërkohë ajo nuk është e pajisur me vegla që do të mundësonin kërkimin e mikroorganizmave. Marsi synohet nga shumë të tjerë. Kështu europianët janë bërë bashkë me rusët shumë shpesh, ndërsa NASA, pas këtij hapi shumë të suksesshëm, do të hartojë menjëherë strategjinë e re për të shkuar në planetin e kuq. Pjesa më e madhe e tentativave për të arritur dhe për të eksploruar planetin e kuq ka përfunduar pa sukses deri më tani, ndaj çdo arritje pozitive jo vetëm që gëzon shkencëtarët, por edhe u jep mundësinë që të justifikojnë kërkimet e ardhshme, të cilat janë shumë, shumë të kushtueshme.
Fakt për Marsin
- Planeti i kuq është larg Diellit në një distancë prej 141.6 milionë miljesh
- Planeti ka një diametër prej 4222 miljesh dhe është sa gjysma e Tokës
- Temperaturat janë shumë të ulëta. Mesatarja e tyre është minus 65 gradë Celsius
- Graviteti është më i vogël, thuajse 40% më i vogël se i Tokës
- Atmosfera është e rrallë dhe pjesa më e madhe e saj, 955 përbëhet nga dioksidi i karbonit
- Marsi mendohet se ka majën më të lartë në të gjithë sistemin diellor, atë të Olimpit, një vullkan i shuar
- Ngjyra e tij e kuqe vjen nga oksidi i hekurit që ndodhet me shumicë në sipërfaqen e tij
- Marsi ka një sasi të madhe akulli në kapuçët e tij polarë. Nëse ato do të shkriheshin, i gjithë planeti do të mbulohej nga një sasi uji me thellësi 11 metra
“Curiosity” prek Marsin dhe nis kërkimin e “jetës” burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip





