Beteja për bustin e Çërçillit


 Nga Ian Buruma



Ian Buruma

Zgjedhja e presidentit të ri të Shteteve të Bashkuara të Amerikës pa dyshim se është gara më e rëndësishme në botën demokratike. Megjithëkëtë, kjo garë mund të duket triviale. Kini parasysh për shembull, çështjen e bustit të Winston Churchillit.Një skulpturë bronzi e kryeministrit britanik ishte vendosur në Zyrën Ovale të Shtëpisë së Bardhë qysh në vitet gjashtëdhjetë të shekullit të kaluar. Kur u zgjodh president, Barack Obama e zëvendësoi me një të Abraham Lincolnit. Mitt Romney, kandidat republikan për president, është zotuar se do ta rikthejë atë nëse vihet në krye të Shtëpisë së Bardhë. Pastaj një zëdhënës i Shtëpisë së Bardhë doli dhe tha se busti ishte zhvendosur në një tjetër dhomë të Shtëpisë së Bardhë, edhe pse rrëfimi ka ndryshuar më shumë se një herë: kishte dy buste të Churchillit; një që ende ndodhet në Shtëpi të Bardhë, dhe një tjetër që Obama ia ktheu Ambasadës britanike. Pse dikush duhet të merret me këtë punë? Një përgjigje është dhënë nga një prej dy këshilltarëve të Mitt Romnneyt, i cili kishte thënë se kandidati i tyre në mënyrë të veçantë vlerëson “marrëdhënien speciale”me Britaninë për shkak të “trashëgimisë anglo-saksone”. Kjo trashëgimi, pretendojnë ata, nuk ishte “çmuar” sa duhej nga presidenti aktual. Kur kjo deklaratë e tmerrshme, me tonet e veta raciste, rrezikonte të shndërrohej në një skandal, Romney u ngut të distanconte veten prej saj. Ai nuk donte të shihej si një racist. Por si mund të vlerësohet ndryshe kjo nostalgji e tij për bustin e Churchillit? Në fakt, fraza “anglo-sakson” nuk është dëgjuar më në SHBA, ku shumica e popullatës nuk ka origjinë anglo-saksone prej një kohe të gjatë (që gjithashtu është e vërtetë edhe për qytetet më të mëdha britanike). Kur amerikanët përdorin këtë term, e bëjnë për t’i dalluar amerikanët e bardhë nga të tjerët, që nuk do të ishte diçka që shumica e amerikanëve, e aq më pak kandidatëve presidencialë, do ta zgjidhnin ta shprehnin në publik. “Anglosakson” është një shprehje që më shpesh përdoret në një sens negativ nga francezët, si në rastin e “bankierëve anglosaksonë” ose “konspiracionet anglosaksone”. Pak kohë më parë “Le Monde” kishte një kryeartikull të mrekullueshëm: “Hollande mbron ‘foie gras’ karshi lobeve anglosaksone” (referencë ligjeve të ashpra të Kalifornisë që çuan në vendimin për të ndaluar përdorimin e një specialiteti të përgatitur me mëlçinë e rosave). Madje edhe vetë Winston Churchill nuk fliste shumë për anglo-saksonët. Ai fliste për “racën britanike” ose për “popujt anglishtfolës”. E ashtuquajtura “marrëdhënie speciale” ndërmjet Britanisë dhe SHBA-së, pa dyshim se rezultati i Churchillit nuk ishte racor, por më shumë produkt i Luftës së Dytë Botërore - dhe madje një çështje më e ndërlikuar se kaq. Gjatë luftës Churchilli dhe Roosevelti ndanin idenë se kur Gjermania dhe Japonia të mposhteshin, forcat ushtarake britanike dhe amerikane do duhej të vepronin si policë të botës. Ata besonin se bota do të ishte e sigurt nga Hitlerët e ardhshëm nëse do të shfaqeshin, së paku për një kohë, nën lidershipin e ndritur të popujve anglishtfolës. Nga fundi i luftës megjithatë Britania ishte shumë e lodhur për ta bërë policinë e botës. Vendi kishte falimentuar dhe temat koloniale të shkëlqesisë së tij ishin kryesisht në rënie. E ardhmja u takonte Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Sovjetik, asnjëra prej të cilave nuk kishte ndjenja sentimentale për Perandorinë Britanike, pa marrë parasysh “anglosaksonët”.
Por elita britanike, plotësisht e vetëdijshme për rënien e vendit të tyre, i mori shumë afër zemre “marrëdhëniet speciale” me SHBA-në, sepse kjo ishte mënyra e vetme që Britania të ndihej ende si një fuqi e madhe, ndryshe, po e zëmë, nga Franca. Ata ende ndjekin avazin e vjetër. Pa dyshim se edhe Churchilli e shihte me këtë sy, po kështu veproi edhe Tony Blair, i cili ia dhuroi presidentit George W. Bush bustin e dytë të Churchillit. Amerikanët, në tërësi, kanë shumë më pak interes se britanikët nga “marrëdhënie speciale”. Por ata shpeshherë janë nostalgjikë për Churchillin. Ai është burri që shumë presidentë amerikanë do të donin ta imitonin, jo për shkak të ndonjë lidhjeje raciale, por për shkak të ngasjes së tij si një lider lufte. SHBA-ja është fuqia më e madhe ushtarake në botë, sikur që ishte Britania në rininë e Churchillit. Dhe, sikur ndërtuesit e perandorisë britanike në të kaluarën, elitat amerikane shpeshherë marrin përsipër një mision morali për ta ribërë botën sipas imazhit të Amerikës. Churchilli, me fjalë të tjera, u bë një simbol i arrogancës presidenciale në SHBA, madje edhe tani kur “marrëdhënia speciale” mund të konsiderohet si një simbol i rënies britanike. Njerëzit janë të prirë të harrojnë se poema e famshme e Rudyard Kiplingut për “barrën e njeriut të bardhë” nuk ishte një odë për perandorinë britanike, por për ndërmarrjen koloniale amerikane në Filipine. Pushteti i tepërt korrupton, diçka që të gjithë e dimë. Presidentët arrogantë që qahen për bustin e Churchillit në zyrat e tyre e kanë shprehi të besojnë se ata e kanë të shkruar të jenë “presidentë luftërash” – se ata, sikur Churchilli më 1940, duhet ta kundërshtojnë Hitlerin e ardhshëm. Kjo këngë sirene çoi Amerikën në Vietnam, Afganistan dhe Irak. Kështu, kur Obama vendosi ta zhvendoste bustin e Churchillit nga zyra e tij në vitin 2008, unë e kuptova si një gjest të ndjeshëm. Më pak arrogancë do t’i bënte mirë Amerikës, sikurse edhe mbarë botës. Ama tani Romney do që ta kthejë. Gjithçka tjetër mund të jetë, por Romney nuk mund të shihet si një lider bindës për kohë lufte. Biznesmenët rrallë shquhen në këtë fushë. Megjithatë ende mundohet ta portretizojë veten si një patriot të regjur, dhe Obaman e paraqet si një amerikan të dyshimtë. Mbase Romney kërkon një tjetër luftë, ku ai do të mund ta luante Churchillin. Ose mbase dy këshilltarët e tij po thoshin të vërtetën. Ndoshta Romney njëmend po ndien nostalgji për “trashëgiminë anglosaksone”, madje edhe tani kur fuqia aziatike po rritet. Nëse është kështu, nostalgjia për Churchillin zor se është një shenjë për vitalitetin amerikan, por më shumë një betejë romantike në praparojë, tipike për një vend në rënie.

Autori është profesor i demokracisë, i të drejtave të njeriut dhe gazetarisë në Kolegjin Bard, laureat i çmimit “Erasmus”, që u ndahet atyre që kanë dhënë një “kontribut veçanërisht të rëndësishëm për kulturën, shoqërinë ose shkencën shoqërore në Evropë”. Shkrimi është botuar së pari në “Project Syndicate”