
Ky apel erdhi vetëm një ditë pasi që skuadra nga Dagestani, Anzhi Makhachkala u sulmua nga tifozët e Moskës pas një ndeshje të Ligës së Evropës ku pati trazira mes tifozëve. "Derisa shumica e tifozëve rusë kanë festuar fitoren e Anzhit, të tjerët janë munduar të përdorin ndeshjen për të iniciuar histeri nacionaliste dhe urrejtje mes grupeve të ndryshme etnike në Rusi", ka thënë lideri i Dagestanit, Magomedsalam Magomedov, raporton agjencia Reuters.
Magomedov ka thënë se nuk është hera e parë që tifozët e Anzhit kanë qenë viktima të dhunës nacionaliste. Në mëngjesin e të premtes, Anzhi ka falënderuar policinë e Moskës që ka mbajtur rendin dhe ka mbrojtur tifozët e tij në stadiumin e Lokomotivës së Moskës, pas ndeshjes së parë të Ligës së Evropës të zhvilluar të enjten kundër AZ Alkmaarit të Holandës.
Anzhi ndeshjet si vendas është duke i luajtur në Moskë, ndërsa të enjten triumfoi me rezultatin 1:0. "Ne duam të falënderojmë Lokomotivën që na ka ofruar stadiumin për ndeshje dhe po ashtu policinë e Moskës që ka ofruar siguri të nivelit më të lartë gjatë ndeshjes", thuhet në faqen zyrtare të Anzhit.
Në ndeshjen e së enjtes u paraqitën disa qindra tifozë të Moskës, që fyen në baza raciste lojtarët e Anzhit dhe hodhën gjësende në fushë. Disa tifozë janë parë duke bërë përshëndetje naziste dhe duke bërë thirrje si "Rusia është vetëm për rusë" dhe "Kaukazianë shkoni në shtëpi".
Tifozët kanë thënë se po protestojnë kundër skuadrës nga Dagestani, pasi ajo po luan ndeshjet në Moskë. Pas ndeshjes rreth 100 huliganë kanë sulmuar tifozët e Anzhit në metro të Moskës, duke lënduar disa persona.
UEFA ka ndaluar Anzhin që të zhvillojë ndeshjet në Dagestan për shkaqe sigurie. Pjesë e Anzhit janë disa futbollistë të njohur përfshirë edhe sulmuesin kamerunas Samuel Eto'o, ndërsa trajner është holandezi i famshëm Guus Hiddink.