"Vatra", 100-vjetori e gjen të politizuar

Gjekë Gjonlekaj*

100-vjetorin e themelimit të saj. Ky ishte përvjetori më jubilar në historinë shekullore të kësaj organizate. Në kalendarin biblik numri 12 është fatbardhë. Këtyre përvjetorëve shekullorë u kishte paraprirë 100-vjetori i lindjes së Nënë Terezës. Themelimi i "Vatrës" dhe Kryengritja e Malësisë së Madhe, u kurorëzuan me Pavarësinë e Shqipërisë. Vitet '10, '11 e '12 janë me fat. Ata që lindën ose jetuan në atë kohë, nuk arritën t'i festojnë 100-vjetorët e këtyre datave historike. Për botën e qytetëruar përvjetorët e mëdha kanë rëndësi të veçantë, sepse aty mblidhen brezat e moshave të ndryshme për të festuar të djeshmen,të sotmen dhe përgatiten për të nesërmen. Të moshuarit flasin për të kaluarën, pasardhësit e tyre për të sotmen, ndërsa brezi i tretë për të ardhmen.
Përvjetorët e mëdhenj të "Vatrës" e të "Diellit" i kemi lexuar në shtypin shqiptaro-amerikan të asaj kohe. Bile e kemi dëgjuar edhe fjalimin e Imzot Nolit në 50-vjetorin e gazetës "Dielli". Vatranët e vjetër ishin mjeshtër për organizimin e ceremonive të mëdha. Natyrisht se ata kishin mësuar nga përvoja dhe tradita amerikane.
Vatranët dhe një pjesë e shqiptaro-amerikanëve kremtuan sivjet 100-vjetorin e themelimit të "Vatrës". Organizimi ishte në nivel, pavarësisht se politikisht ishte i njëanshëm, dhe këtë njëanshmëri u munduan ta mbulojnë me pjesëmarrjen e një dyzine klerikësh të shumë besimeve dhe sekteve fetare. Dukej si një konferencë ekumenike, dhe për këtë ligjëruesit u detyruan t'i shkurtojnë kumtesat shkencore. Të gjorët ligjërues i luteshin konferencierit aman edhe një minutë, pavarësisht se në traditën shqiptare prerja e fjalës është fyerje. Ata kishin bërë gjithë atë mundim kërkimesh për atë datë historike. Nuk e dimë nëse ishin ftuar, por asnjë opozitar i Sali Berishës nuk ishte i pranishëm. Kështu kishin vepruar krerët e tanishëm të "Vatrës" gjatë vizitës në Shqipëri, Kosovë e Tetovë. Nuk kishin pyetur fare as për Ulqinin, as për Preshevën.
Në këtë qindvjetor u bë një mrekulli. Për herë të parë në historinë e "Vatrës", Qeveria shqiptare i dhuroi kësaj organizate 33 mijë dollarë, të taksapaguesve të Shqipërisë. Nuk kuptohet pse ajo u dha vatranëve dollarë, kur disa prej tyre janë milionerë këtu në Amerikë. Disa anëtarë të kryesisë së "Vatrës" imigruan në Shtetet e Bashkuara 50 ose 60 vjet më parë. Ata kishin kohë për t'u pasuruar. Të gjithë e dimë se vatranët në fillim të shekullit të kaluar kishin dhënë qindra mijëra dollarë për shpëtimin e Shqipërisë, dhe tani një shekull më vonë takspaguesit e varfër të Shqipërisë japin detyrimisht fondet për darkat dhe ceremonitë ekstravagante të vatranëve në New York, pavarësisht se çmimi për pjesëmarrje në atë darkë luksoze ishte tepër i lartë edhe për standardet amerikane. Bile edhe poema biblike e Nolit: "Jepni për Nënën…" ishte shkruar në atë kohë. Për këto lodra Gjergj Fishta do të kishte thënë: "Eja e të hamë ve të frugueme, te ajo ndrikulla e shurdhueme". Qeveria shqiptare dha fonde për kremtime në Amerikë, ndërsa Akademisë së Shkencave të Shqipërisë nuk i dha asnjë qindarkë për ta kujtuar këtë datë historike. Kaluan tre muaj dhe vatranët e sotëm nuk dolën me asnjë propozim ose premtim për ndonjë aktivitet tjetër, bile as për ndonjë botim më të zgjeruar të gazetës "Dielli".
Akoma nuk është njoftuar se kur do të mbahet kuvendi i "Vatrës". Pëshpëritet se do të mbahet në shtator, por disa të tjerë thonë se do të shtyhet ndoshta për në dhjetor! Para dy dekadash kuvendet e "Vatrës" mbaheshin për çdo vit në muajin shtator. Për pothuajse një çerek shekulli nuk kanë mbajtur një kuvend të hapur siç parashikohet në Kanunorën e "Vatrës". Veprimtaria demokratike e "Vatrës" pushoi para dy dekadash dhe sot e kësaj ditë atje mbisundojnë kultet e individëve. Bile çka është edhe më keq se në Byronë Politike të "Vatrës" bëjnë pjesë tre-katër veta dhe jo 12. "Vatra" në të kaluarën mbante kuvende në Boston, në New York në Detroit, mundësisht edhe në qytete të tjera. Kuvendet ishin të detyrueshme. Aty zhvillonin punimet për dy ditë mundësisht në fund të javës së parë ose të dytë të shtatorit. Delegatët pjesëmarrës ishin nga të gjitha qyetet e banuara me shqiptarë të Amerikës. Bile këto ishin kuvendet më demokratike që kisha parë në jetën time. Kuvendet ishin në pajtim të plotë me normat demokratike amerikane. Pjesëmarrësit diskutonin dhe bënin propozime të ndryshme. Flitej gjerësisht për botimin e gazetës "Dielli" për emërimin e editorëve, për tema dhe editoriale, për shkrimet e korrespodentëve e shumë veprimtari të tjera. Pastaj diskutohej gjerësisht për buxhetin dhe aktivitetet kombëtare e kulturore të "Vatrës". Shumë vatranë sidomos ata të Bostonit kishin qenë bashkëpunëtorë të Nolit e Konicës. Rendi i ditës dhe rezolutat kishin rëndësi në ato kuvende. Por edhe votimi për kryetar dhe nënkryetar të "Vatrës" ishte temë e nxehtë. Flitej shumë për kandidatët që kërkonin poste të larta. Natyrisht se kishte edhe kundërshtime dhe tendenca jo demokratike për emërime të shokëve dhe miqve të atyre që ishin më të pasur dhe më intrigantë. Shumica e atyre që sot e drejtojnë "Vatrën" sot nuk janë parë kurrë në ato kuvende, sepse ishin aktivë pranë grupimeve gjoja politike.
Fillimi i shekullit të dytë të kësaj organizate është një epoke e re. Duhet të jetë një rilindje (renesancë) e vërtetë. Në të ardhmen kjo organizatë mund të bëjë mrekullira në qoftë se respekton parimet e demokracisë amerikane që janë hartuar edhe në Kanunorën e "Vatrës". Sot e kësaj dite e kujtoj ish-editorin e gazetës "Dielli" Dr. Athanas Gegaj për intervistën e tij të fundit dhenë Zërit të Amerikës në vitin 1987. Ai foli gjerësisht për historinë e "Vatrës". U bëri thirrje shqiptarëve të Amerikës që ta ndihmojnë këtë organizatë patriotike dhe kulturore. Për ringjalljen e kësaj organizate duhet të punojmë të gjithë. Pavarësisht gabimeve në të kaluarën "Vatra" mund të bëjë punë të mëdha për çështjen shqiptare. Shqiptaret e Amerikës janë shumë të arsimuar, të pasur e atdhetarë. Tani mund të aplikohen mrekullitë e teknologjisë supermoderne. Por nëse përjashtohet demokracia dhe faktori njeri të gjitha këto janë të kota. Amerikanët thonë "Pushteti absolut, korrupsioni absolut". Organizata Pan-Shqiptare "Vatra" nuk është organizatë private dhe për këtë është dashur të jepet llogari publike për fitimet dhe humbjet nga ceremonia e kremtimit. Pse jo kur të gjitha qeveritë demokratike dhe organizatat shoqërore japin llogari. Jam i bindur se çdo vatran dhe çdo shqiptar është kurioz të dijë për këtë çështje. Sivjet me rastin e 100-vjetorit kuvendi i "Vatrës" në shtator ose në tetor dhe jo më larg do të ishte tepër domethënës për shqiptarët e Amerikës. Një ekspert shqiptaro-amerikan me të cilin kam punuar vite të tëra pranë 'Zërit të Amerikës' më thoshte se një punë që e shtyn për nesër ka mundësi të mos bëhet kurrë, dhe më lutej të mos e lë për nesër. Kuvendi i "Vatrës" i shtyrë për nesër ka mundësi të mos mbahet kurrë. Është mirë qysh tani të bisedohet për ndryshime në udhëheqjen e kësaj organizate. Në shoqërinë shqiptaro-amerikane punojnë e veprojnë personalitete të shquara, që janë arsimuar në universitetet më të njohura të Amerikës, pastaj drejtojnë ndërmarrje shoqërore dhe private të mëdha. Përvoja e tyre do të ishte kontribut i madh për ringjalljen e "Vatrës". Diktatet dhe diktaturat nuk kanë dhënë kurrë rezultate në shoqërinë njerëzore dhe nuk do të japin as në "Vatër". Edhe deliri i madhështisë mund të jetë njësoj i dëmshëm. "Vatra" jetoi treçerek shekulli në Boston dhe po lëngon në New York pothuajse njëçerek shekulli. Vallë mos e sollëm në New York për ta shpëtuar apo për ta … Kryeministri shqiptar Dr. Berisha i dha "Vatrës" një injeksion. Ai nuk mund të japë injeksione të tjera edhe pse është mjek. Është detyra e mjekëve shqiptaro-amerikanë ta shërojnë "Vatrën" tonë të dashur. Të gjitha qytetërimet i nderojnë kuvendet e të gjitha niveleve. Bile edhe nenet e "Kanunit të Lekë Dukagjinit" i japin një rëndësi të veçantë kuvendit. Edhe Parlamenti shqiptar quhet kuvend. Në kuvende bëhen debatet, pëlqimet dhe kundërshtimet, aty miratohen ligje dhe rezoluta. Amerika shpenzon qindra miliona dollarë për kuvende. Do të ishte në nderin e "Vatrës" dhe të shqiptarëve të Amerikës që para 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë të mbajnë këtë kuvend tepër të rëndësishëm për të ardhmen e kësaj organizate. Në tetor të vitit 1970 u bëra anëtar i kësaj organizate. Kam dhënë prova se jam dashamirës i vërtetë. Një fjalë e urtë popullore e Kosovës thotë: "Është me të dhanme e jo me të thanme". 


*Autori ka punuar si gazetar tek "Zërit i Amerikës"