![]() |
| SAMI REPISHTI |
Më 7 korrik 2012, në qytetin jugor të Rusisë, Krymsk, valë të mëdha uji shkaktuen përmbytjen e shpejt të këtij qyteti gjatë orëve të natës. Qytetarët e friksuem u larguen nga shtëpitë në panik nëpër rrugët e errëta. Nga këta fatmjerë humbën jetën 172 viktima. Ma vonë doli në shesh se autoritetet e vendit kishin qenë në dijeni të mundësisë së nji katastrofe të këtillë, por nuk kishin marrë masat e duhuna për mbrojtjen e nji popullsie të lanun në errësinë.
Natyrisht, reagimi i popullsisë ruse, sidomos i popullsisë së viktimizueme, ishte shumë i ashpër kundrejt nji autoriteti të shurdhër dhe arrogant. Kjo gjendje u ashpërsue edhe ma shumë kur Presidenti V. Putin, me paturpësinë ma të madhe deklaroi: “Nuk duhet të ekzagjerojmë përmasat e kësaj tragjedie”.(sic!)
Ky qëndrim kaq antinjerëzor krijoi reagime të menjihershme, sidomos nga të rinjtë rusë. Fryma e “volunteerism”-it – shërbim vullnetar – u ngjall shpejt dhe mbledhja e shpërndamja e ndihmave për viktimet filloi menjiherë, me të gjithë pengesat nga qeveritarët. Para syve të popullit, besimi në autoritetin nuk ekzistonte ma; ata ishin nji klasë dembele, e papërgatitun dhe e pandërgjegjshme.
Përballë nji “boshllëku” të këtillë qeveritar, vullnetarët rusë (shumica e të cilëve kishin qenë edhe pjesëmarrës në demonstratat e dimnit të kaluem në temperaturë 20 shkallë nën zero), u banë shembull frymëzimi për popullsinë. “Në mesin e shumë të rinjve rusë, shkruen Prof. Senderoviç, lindi nji ndërgjegjsim për përgjegjsinë e tyne ndaj shoqënisë dhe nji dëshirë me kërkue që qeveria të përmbushë detyrimet e saj ndaj shoqënisë, detyrimet e saj ndaj qytetarëve”.
Në sajë të mjeteve të shpejta të komunikimit, kjo “lëvizje” u reflektue si nji projekt fillestar që tregonte se cila duhej të ishte forma e shoqënisë së re ruse.
Ndërsa qeveria ruse bani nji përpjekje me pakësue efektin e lëvizjes vullnetare, me mbytë informacionin që propagandonte efektin shkatërrues të katastrofës në Krymsk, në popullsinë vendëse u forcue bindja se jeta e njeriut për qeveritarët nuk ka vlerë dhe se ajo peshohet vetëm simbas interesave politike të shtetit që “sundon”. Nji vullnetare 22-vjeçare, Asya Tsaturyan, e përcaktoi frymën e re të kësaj lëvizjeje vullnetare: “Menjiherë lindi kërkesa për nji mënyrë të re marrëdhanjesh me qenie të tjera njerëzore!”. Nji erë e freskët paralajmeronte verën e idealizmit rus!
Në Rusi, nji vend ku demokracia nuk ka lulëzue asnjiherë që nga ditët e Mesjetës e deri sot, edhe mbas ramjes së turpshme të komunizmit, demokracia u kuptue si sundim oligarkik; vetëm disa klika të privilegjueme në qeveri gëzojnë të drejtën e sundimit të pakufizuem nga ligjet e vendit. Prandej, qeveria ruse, e trembun nga kjo “lëvizje vullnetarësh”, dekretoi që tani e mbrapa çdo lëvizje vullnetarësh duhet të regjistrohet (lexo: të kërkojë leje nga qeveria) para se të angazhohet në aksione vullnetare humanitare, si për shembull aksioni për ndihmën e viktimave të qytetit Krymsk. Kjo don të thotë se “vlerat morale” pa sanksionimin e qeverisë, nuk lejohen…!
Por, përgjigjja spontane ndaj katastrofës së Krymsk-it tregoi se populli rus, për ndryshim nga “shteti” rus, mendon se nji shoqëni e re, e ndryshme nga ajo që imponohet, mund të krijohet. Mjetet private të komunikimit, mbrenda pak orëve, mobilizuen dhurimin dhe shpërndamjen e ndihmave në mes të viktimave: ushqim, veshmbathje, medikamente e strehim….
Nji drejtor artistik që dëshmoi suksesin e vullnetarëve u shpreh se “…pjesëmarrja në ndihmën humanitare afroi njerëzit njeni me tjetrin, pa dallim qëndrimesh politike”; me nji fjalë, hjedhe farën e vëllaznimit! Sot, në Rusinë e diktatorit V. Putin, “vullnetarët përpiqen me gjetë nji përcaktim ma të gjanë të qytetarisë”, shkruen Prof. Senderoviç, atë që në Perëndim na njohim si liri me përgjegjsi, ndërsa në mes tyne rritet shpresa se nji brezëni e re me ndërgjegjsim për përgjegjsi shoqënore do të transformojë “shtetin” shtypës dhe uzurpator të sundimtarëve.
Vetëm pak ditë ma vonë, më 18 korrik 2012, shtypi ndërkombëtar njoftoi se katër “vullnetarë” janë arrestue dhe dënue me 15 ditë burgim për “hooliganizëm” (rrugaçëri), sepse akuzuen qeverinë për mshehje të së vërtetës mbi numrin e viktimave të 7 korrikut.
Procesi i dekomunistizimit dhe ndërtimit të nji shoqënie civile të vërtetë ashtë i gjatë dhe plot pengesa. Pak ditë ma parë, katër aktivistë që kenduen kangë ofenduese kundër V. Putinit, në kathedralen “Krishti Shpëtimtar” në Moskë, në muejin shkurt, u arrestuen dhe u mbajtën për afër katër muej. Dy ditë ma parë, dënimi u rrit në shtatë muej dhe mendohet se ky dënim do të përfundojë në shtatë vjet burgim…!
Kali i diktatorit V. Putin nuk ndalohet! Nji javë ma parë DUMA ruse kaloi pa debat dhe gjysëm sekret dekretin që konsideron “agjent të huej” çdo qytetar në lidhje me OJQ-të që merr ndihma nga jashtë. Rrjedhimet e nji legjislacioni të këtill nuk ashtë e vështirë me u parapa.
Mbas ramjes së turpshme të komunizmit sovjetik më 1989, ish-perandoria sovjetike dhe të gjitha shtetet satelite të Europës Lindore po kalojnë nëpër fazën e tranzicionit në demokraci me suksese minimale. Mentaliteti komunist i pozitës prioritare e dominuese të “shtetit” në shoqëni – e në dam të shoqënisë së lirë – predominon. Prandej kemi sundimin e klikave oligarkike sot në fuqi dhe shkeljet e vazhdueshme të Kushtetutës në veprimet e përditëshme shtetnore, si dhe mosdhanje llogari për këto shkelje. Shoqënitë e rilinduna mbas 1989-ës nuk gjejnë forcën e duhun me luejtë rolin e tyne kryesor në shtetet ku jetojnë.
Nji situatë e këtill krijon frikën dhe ma vonë dekurajimin e masave të popullit; si rrjedhim, heshtjen e plotë të tyne para uzurpimit të pushtetit, korrupsionit, arbitraritetit dhe akteve joligjore që lulëzojnë në batakun e krijuem nga mungesa e demokracisë.
Fenomeni negativ që vonon për shume vite demokratizimin e këtyne vendeve, viktime të mentalitetit komunist të udhëheqjeve të tyne, nuk vrehet në vendet e Europës Perëndimore të lirueme nga diktaturat fashiste e naziste të munduna gjatë L2B. Ka arsye me besue se shtypja nën komunizëm ka qenë ma e randë dhe përpjekjet “partiake” për shnjerëzimin e plotë të njeriut dhe ndërtimin e “njeriut të ri sovjetik” kanë qenë ma të egra dhe ma sistematike. Rezultati i këtyne përpjekjeve shihet sot në disorientimin e masave që nuk gjejnë rrugëdalje nga ky qorrsokak. Koncepti i demokracisë perëndimore, ose euroatlantike, ashtë komprometue randë nga ish-vendet komuniste, megjithëse ashtë konfirmue, pa asnji dyshim, si koncepti ma logjik dhe ma premtues për botën e mbas L2B.
Mjerisht, nji përfundim i këtill nuk ashtë pranue në Shqipërinë e tranzicionit për ma shumë se njizet vjet eksperimentimi. Ideja e “shefit shpëtimtar” dhe e “Partisë” përqafohet – ose nuk kundërshtohet- dhe i gjithë sistemi qeveritar sillet përreth këtij koncepti thellësisht të gabuem. Deri sot, brezënia e edukueme në Perëndim nuk ka tregue fuqi të mjaftueshme me luejtë role komanduese në shoqëni dhe në shtet. Deri sot, kjo brezëni premtuese ka lejue që Shqipëria të mbetet në bisht të procesit spontan të historisë.
Letargjia qytetare në Shqipëri frikëson! Vera e idealizmit në Shqipëri duket e largët.
Sepse, demokracia nuk do të vijë në vendin tonë për sa kohe që vetë populli shqiptar nuk udhëheq në rrugën për ndryshim.






