Velo: Albumin e botova me paratë e burgut


Artisti Maks Velo


Artisti boton vepra të realizuara në vitet ’60-’70

“Isha i sigurt për arrestimin, herë mendoja për vetëvrasje, dogja qindra vizatime”
Çdonjëra prej punëve ka një histori. Kodrat e Ndroqit, imazhi burrëror i bojaxheshës, instrumentistët e kapërthyer në drita ngjyrash, minatori nga Selenica…

Pas çdonjërës prej tyre, artisti Maks Velo fsheh një kujtim, shpesh edhe të dhimbshëm. Shumica u takojnë viteve ’60-’70 asaj kohe, kur pas një ere të ngrohtë liberalizimi do t’ia behte një i ftohtë acar, që do të ngrinte të gjitha shpresat e artistëve shqiptarë për një art të lirë. Janë punë të realizuara përpara arrestimit, për të cilat do të burgosej, e sot, pas kaq vitesh, për ironi të fatit, me paratë e dëmshpërblimit të burgut ai i boton këto vepra në një album të titulluar “Pastel”. Maks Velo na tregon pak nga historia e këtyre pasteleve, si janë realizuar, frikën që e shoqëronte në ato kohë për fatin e tij, teksa ndër mend i shkonte edhe ideja e vetëvrasjes, për të shpëtuar njerëzit e afërm prej persekutimit.

Z. Velo, sapo keni botuar një libër-album me pastele. Pse në pastel, është kjo gjini ndër më të dashurat për ju?

Do ta quaj album dhe jo libër, përderisa nuk ka tekst, por vetëm figura. Është e vërtetë që pastelin e kam dashur që në fillim dhe e përdor akoma, ashtu sikundër edhe gjithë teknikat e tjera. Pasteli ka avantazhe, se transportohet lehtas, ruan freskinë e ngjyrës dhe është praktik në përdorim. Kam punuar mbi 300 pastele, që gjatë viteve edhe i kam dhuruar ose dhe janë shitur. Kam akoma mbi 200.

Një pjesë e mirë e veprave të përfshira në këtë album i përkasin periudhës para viteve ’90, si mbijetuan ato, pasi pas arrestimit tuaj, shumë vepra tuajat u sekuestruan, apo u dogjën?

Asnjëherë nuk kam thënë se veprat e mia u dogjën të gjitha, ato që u sekuestruan dhe u dogjën ishin 248, kjo është e shënuar në vendimin e gjyqit. Kisha qindra e qindra, një pjesë e madhe e të cilave edhe shpëtuan. Këto janë nga ato që nuk u sekuestruan.

Të bie në sy tendenca për të fiksuar portretet e njerëzve të thjeshtë, pastrueses, bojaxheshës, minatorit… dhe nuk ka asnjë fije nga ai ngazëllimi i “njeriut të ri të socializmit”, nuk ishte e dënueshme kjo gjë aso kohe?

Po, ish e dënueshme, përderisa edhe u dënova. Unë këtë gjë nuk e bëja për t’iu kundërvënë realizmit socialist, por kështu më pëlqente, vetëm këtë gjë mund të bëja. Pastaj ky ishte dhe arti i vërtetë. Koha e tregoi këtë. Koha tregoi se unë kisha të drejtë. Në fillim vetëm sa nuk më ekspozonin, më vonë edhe më dënuan. Unë qëndroja jashtë tyre. Një herë doja të bëja një vepër të realizmit socialist, shkova në një kantier dhe bëra me pastel “Bojaxheshën”, që e kam edhe të botuar. Nga pasteli punova një portret të madh në vaj dhe e çova në ekspozitë. Nuk ma pranuan. Këto personazhet e mi janë të vërtetë.

Në vitet ’70 ju shfaqni hapur prirjet tuaja kubiste, ndërsa duket se gjithnjë e më shumë e shtyni realizmin socialist, apo jo?

Kjo që përcaktoni ju, është si aktakuzë. Kështu dhe më akuzuan. Akuza më e rëndë që m’u bë me anën e denoncimit të Edison Gjergos, qe se “Maksi ishte kundër realizmit socialist..”. Kjo nuk ishte e vërtetë. Çdo artist i vërtetë punon ashtu sikurse ai do të shprehet dhe nuk i kundërvihet askurrkujt. Arti është një pasurim dhe jo një luftë, jo një kundërvënie, jo një shkatërrim. Unë i respektoja piktorët, ata nuk bënë të njëjtën gjë. Po, ka kubizëm, ka edhe më shumë fovizëm.

Shumë pastele janë realizuar në Ndroq, ç’bënit ju atje?

Nga Ndroqi dhe Peza kam mbi 70 punime. Në kooperativën e Ndroqit u dërgova për riedukim në nëntor të vitit 1973.

Po ndërkohë duket se Ndroqi nuk po ju “riedukonte” aspak…

Jo, Ndroqi më edukoi, por është si ta kuptosh edukimin. Unë edukim quaj punën e vërtetë dhe kontaktin me njerëzit. Ato vepra sot tregojnë se u edukova, por kryesisht nga kodrat, Kalaja, lumi, pemëtoret, stallat, njerëzit e thjeshtë. Tërë jetën jam përpjekur të përmirësoj veten. Dua të bëj një ekspozitë në Ndroq-Pezë, por nuk mund t’i bëj të gjitha vetë. Po të kem një sponsor, do ta bëj.

Një nga veprat e albumit, ajo e “Dy instrumentistëve”, ka një histori të veçantë. Tablonë në bojë vaji e hodhët në zjarr e pastaj e shpëtuat, pse e bëtë këtë? Keni djegur vepra të tjera?

Po, kam djegur shumë dhe Dega e Brendshme e dinte, më ruante. Thirri një nga komshinjtë, Dilot, dhe e pyeti: “A keni parë Maksin të djegë vepra…?”. Ai erdhi dhe më tha. E dija, isha i sigurt se do të arrestohesha, atëherë më zuri paniku, herë mendoja për vetëvrasje… pastaj dogja gjithë letrat, shumë fotografi dhe pastaj me qindra vizatime… Hodha në zjarr edhe “Dy instrumentistët”… Kur mori zjarr…, më erdhi keq, e hoqa dhe i hodha ujë. E flaka në bodrum. Dhe shpëtoi. Tani është e restauruar nga Tatjana Caca.

Dhe ia behu arrestimi, si e përjetuat?

Arrestimet atëherë nuk ishin si këto të sotmet. Ishe i marrë fund me gjithçka, dhe do ta pësonte edhe familja, njerëz që nuk kishin asnjë lidhje me veprën tënde; Ashtu edhe ndodhi. E pësuan motrat, vëllai, babai vdiq i dëshpëruar gjatë kohës që isha në Spaç. Kisha shumë frikë, por kur më vunë hekurat në duar, e mblodha mendjen, u bëra tjetër njeri. Ai jam edhe sot. Rezistova, jo në sajë të fuqisë fizike, por mendore.

Sa e merr në dorë botimin tuaj, menjëherë të tërheq vëmendjen cilësia e tij… Ju ka ndihmuar kush me sponsorizimin e botimit?

Jo, nuk më ndihmoi asnjë institucion. Po ju them se edhe dietat e firmosura nga Ministri i Kulturës për vajtjen në Spanjë, në 2010-n, nuk m’i kanë dhënë akoma. Nuk besoj se do t’i marr. Kam botuar 3 libra, dy mbi Parisin dhe këtë me pastele. I kam botuar me paratë e burgut. Artin e kam si drogë, nuk shkëputem dot. Do punoj sa të jem gjallë. Atëherë kisha një frikë, një gjendje ankthi të vazhdueshme, sikur më kish kapur njeri prej fyti, sikur nuk merrja dot frymë lirisht, si një handikap. Arti është shenjtëria e njerëzimit.

Kopertina e albumit

“Bojaxhesha”, (1969)

“Dy instrumentistët” (1970)

“Ndroq - pranverë” (1977)

ALMA MILE