Sergei Udaltsov kundërshtari i Putinit

Sergei Udaltsov kundërshtari i Putinit:

Deri para pak kohësh, në Rusi e njihnin shumë pak veta. Më pas fjalimet e tij në shesh dhe arrestimet e shndërruan në një hero të opozitës
Një vajzë e veshur me fustanin e bardhë të nusërisë dhe një djalë me pamje serioze, i veshur me pantallona të zeza dhe bluzë me figurën e Stalinit ku shkruhet: “Fitorja është e jona”, janë kapur dorë për dore. Në dorën tjetër djaloshi mban një pankartë mbi të cilën lexohet: “Putin është një kukull e kapitalizmit”. Prapa çiftit, vërehet një imazh tjetër i Stalinit. Udhëheqësi i fuqishëm sovjetik duket sikur po vëzhgon çiftin e sapomartuar me një buzëqeshje miratuese. Anastasia Udaltsova, nëpunëse e shtypit e lëvizjes “Fronti i së Majtës”, ka publikuar foton e martesës në faqen e saj “Twitter”. Ajo dhe Sergei Udaltsov janë martuar në vitin 2001, dy vjet pas ardhjes së Vladimir Putinit në pushtet. Pasi përfunduan procedurat në bashki, çifti vizitoi mauzoleumin e Leninit dhe zyrën e Partisë së Punëtorëve Rusë. Pastaj shkrepën foton para kryekomandantit. Dhjetë vjet më vonë Sergei është ulur në një nga kafenetë e sheshit “Pushkin”. Nuk vesh më bluza me Stalinin. Sapo ka marrë pjesë në një konferencë për shtyp e zhvilluar në sheshin “Pushkin” së bashku me liberalin Boris Nemtsov, rivalin e tij ideologjik. Sergei ka ndryshuar shumë edhe nga pamja e jashtme: krehja e flokëve prej studenti ia kishte lënë vendin një koke të rruar revolucionare. “Dikur bëhej fjalë për një dëshirë foshnjore për t’i trembur njerëzit”, shpjegon në lidhje me foton. “Mesazhi ishte ‘të gjithë keni frikë nga Stalini, por unë mund të vesh një bluzë me foton e tij të stampuar’. Natyrisht që prej asaj kohe, mendimet e mia janë zhvilluar”. Udaltsov nuk do ta pranojë që vazhdon të jetë një stalinist, megjithatë nuk është as gati ta dënojë ish-diktatorin. “Nuk jam nga ata që nuk shohin asnjë lloj ndryshimi mes fashizmit dhe komunizmit. Sigurisht që ka elementë të totalitarizmit në të dyja, por fundi ishte ndryshe dhe është shumë e rrezikshme që t’i barazojmë ato. Stalini donte të krijonte një shoqëri komuniste, një shtet social me të drejta dhe mundësi të barabarta”. Tek udhëheqësi i vjetër, përveç luftës kundër zyrtarëve të korruptuar dhe burokratëve dembelë, Sergei admiron jetën modeste. Koordinatori i “Frontit të së Majtës” kujton që Stalini vdiq veshur me pallton e tij, në një divan të vjetër. Sergei vesh një xhaketë lëkure gjatë gjithë verës dhe të njëjtën xhaketë përdor edhe në dimër. Udaltsov foli për xhaketën e tij të vjetër trevjeçare edhe në fjalimin prekës të mbajtur më 4 shkurt të këtij viti në sheshin “Bolotnaja” për t’ju përgjigjur Putinit, i cili e kishte cilësuar protestën “revolucioni i vizonëve”. Kjo ishte dalja e tij e parë para kundërshtarëve të rinj ose “klasës së mesme urbane të inatosur”, siç i ka pagëzuar zëvendëskryeministri Vladislav Surkov. Në dhjetor, gjatë dy protestave të para dhe të mëdha, Sergei gjendej në burg. Ky ishte një arrestim parandalues. Autoritetet e kishin ndaluar mëngjesin e 4 dhjetorit të 2011-s teksa po dilte nga shtëpia e një miku ku kishte kaluar edhe natën, duke u përpjekur që të shmangte kapjen. Para zgjedhjeve parlamentare askush në Rusi nuk priste që mijëra persona do të dilnin në rrugë për të protestuar kundër qeverisë. Vetë Udaltsov nuk e priste këtë, megjithatë kishte përhapur zëra për një manifestim të paautorizuar në sheshin “Manezhnaja”.
Lider i papritur
Më 4 mars të 2012-s, ditën e zgjedhjeve presidenciale, Sergei u arrestua sërish dhe u mbajt në burg për pesë ditë, zyrtarisht se nuk kishte kaluar rrugën te vijat e bardha dhe kishte fyer një agjent police. “E kanë makth të shohin Sergein që fton masën të mbushë Kremlinin dhe që të gjithë e ndjekin”, shpjegon Ilja Ponomarëv, parlamentare dhe udhëheqëse e “Frontit të së Majtës”. “Gjithashtu nuk duhet të harroni që autoritetet nuk e shohin dot me sy. Për sa i përket ndalimit në dhjetor, në momentin kulmor të ‘revolucionit të borës’, Sergei u burgos dy herë dhe kjo e bëri të famshëm. Nga një politikan pak i njohur u shndërrua në një hero kombëtar”.
Para dhjetorit mjetet e informacionit nuk e kishin marrë kurrë seriozisht Udaltsov dhe për “klasën e mesme urbane të inatosur” kishin dëgjuar shumë pak gjëra të fliteshin. Në vitin 2000 sapo u diplomua për drejtësi, u bë udhëheqësi i Rinisë së Kuqe, organizatës rinore të Partisë së Punëtorëve Rusë. Gjatë viteve pasardhëse ka organizuar rregullisht manifestime kundër ndërtimit të grataçielave të reja, dhe me vështirësi arrinte të bindte 30 persona të dilnin në shesh. Në vitin 2009 u bë koordinatori i Frontit të së Majtës dhe ishte një nga nismëtarët e veprimeve kundër qeverisë në “ditën e kolerës” ku morën pjesë më shumë se njëmijë persona. “Zakonisht shkonte kështu: binte telefoni dhe unë shikoja ekranin para se të përgjigjesha. Nga ana tjetër e receptorit dëgjoja një zë të edukuar që më thoshte se po organizohej në demonstratë përpara Ministrisë së Financave, ku kërkohej që t’u hiqej pasuria të pasurve dhe t’u jepej të varfërve. Janë arrestuar dy persona. A mund të shkruajë gazeta juaj një artikull për të gjithë ngjarjen? Në fakt ministritë dhe kërkesat ndryshonin, por pjesa tjetër ishte gjithmonë e njëjtë. E keqja ishte se unë e dija që nuk do të mund të shkruaja asnjë rresht”, shpjegon gazetarja Andrej Kozenko. “Tani situata ka ndryshuar në mënyrë radikale. Gjatë bashkëbisedimit me Udaltsov, telefoni i tij bie vazhdimisht dhe Sergei përgjigjet gjithmonë. I kërkojnë ndonjë mendim për çfarëdo lloj teme. Tani ai është njeriu më i kërkuar i opozitës.
Politikan apo provokues?
Pas manifestimit të 5 marsit në sheshin “Pushkin”, shumë persona e kanë quajtur Udaltsov një agjent provokues. Pa folur me askënd, atë ditë Sergei njoftoi se do të qëndronte në shesh derisa Putin të kishte dhënë dorëheqjen si president. Natyrisht që kjo ide do të dështonte dhe kështu ndodhi. Fatkeqësisht Sergei nuk di ndonjë mënyrë tjetër se si të veprojë. Di si të organizojë një grevë urie ose një marshim proteste; di si ta arrestojnë. Shkrimtari nacionalbolshevik Eduard Limonov është kritik ndaj tij: e konsideron një burrë të guximshëm, por të paaftë si politikan. Gjithsesi duket se Sergei do të jetë pasardhësi i Gennadij Ziuganov në drejtim të Partisë Komuniste Ruse, edhe pse ai është shumë i kujdesshëm kur flitet për këtë çështje. Vitet e ardhshme dëshiron të krijojë një koalicion me Sergej Mironov, Ilja
Ponomarëv dhe Ziuganov. Udaltsov pohon se Rusia është ende larg nga një revolucion i dytë socialist. “Duhet theksuar se tani po bëhen disa ndryshime, që kanë karakter borgjez-demokratik: liri, të drejta njerëzore, konkurrencë ekonomike. Është normale që të jetë kështu. Natyrisht që unë do të doja një revolucion socialist, por nuk janë pjekur ende kushtet”, përfundon ai.

Udaltsov nuk do ta pranojë që vazhdon të jetë një stalinist, megjithatë nuk është as gati ta dënojë ish-diktatorin
Pas manifestimit të 5 marsit në sheshin “Pushkin”, shumë persona e kanë quajtur Udaltsov një agjent provokues
Stalini donte të krijonte një shoqëri komuniste, një shtet social me të drejta dhe mundësi të barabarta

Detaje

Fillimet – Në vitin 2000 sapo u diplomua për drejtësi, u bë udhëheqësi i Rinisë së Kuqe, organizatës rinore të Partisë së Punëtorëve Rusë
Aktivizimi – Gjatë viteve pasardhëse ka organizuar rregullisht manifestime kundër ndërtimit të grataçielave të reja
Nxitja – Sergei nuk di ndonjë mënyrë tjetër se si të veprojë. Di si të organizojë një grevë urie ose një marshim proteste; di si ta arrestojnë
Kritika – Shkrimtari nacionalbolshevik Eduard Limonov është kritik ndaj tij: e konsideron një burrë të guximshëm, por të paaftë si politikan
E ardhmja – Duket se Sergei do të jetë pasardhësi i Gennadij Ziuganov në drejtim të Partisë Komuniste Ruse, edhe pse ai është shumë i kujdesshëm kur flitet për këtë çështje


Biografia
Lindi më 16 shkurt të 1977-s në Moskë. Drejton Organizatën Rinore të Partisë së Punëtorëve Rusë. Prej vitit 2009, koordinon Frontin e së Majtës. Më 4 dhjetor të 2011-s, në ditën e zgjedhjeve legjislative ruse, u arrestua dhe u mbajt në burg për pesë ditë. Prej nëntorit të 2010-s e deri më sot ka kaluar pothuajse 100 ditë në burg. Më 12 qershor të këtij viti drejtoi protestën kundër Putinit, ku morën pjesë mijëra persona. Një ditë përpara shtëpia e tij u kontrollua.
Sergei Udaltsov kundërshtari i Putinit burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip

Related Posts: