Rusia i shpall luftë Mc Donald’s-it

Rusia i shpall luftë Mc Donald’s-it:


Këtu mund të fshihet një agjent i huaj

Shefi i shëndetit publik i kërkon rusëve të mos konsumojnë “ushqimin e huaj”.

Lufta e Kremlinit kundër “ndikimit të huaj” si armik i pushtetit të presidentit tashmë të përjetshëm Vladimir Putin, përfshiu këtë javë edhe hamburgerin, si një simbol i amerikanizmit. Gjatë viteve të fundit, rrjeti i gjerë i dyqaneve të ushqimit të shpejtë McDonald’s është shtrirë në të gjitha qytetet kryesore dhe rusët, si e gjithë pjesa tjetër e botës i pëlqejnë hamburgerat me koka kola dhe patate të skuqura.
Por këtë të hënë, shefi i shëndetit publik në Rusi dhe kreu i njësisë për mbrojtjen e konsumatorit dha një paralajmërim të fortë për të gjithë rusët duke i thënë se nuk duhet të hajnë hamburgera.
“Ky nuk është ushqimi ynë,” deklaroi doktori Gennady Onishchenko.
Megjithëse ushqimet e McDonald’s mund të mos jenë të shijshme për një burokraci shumë dyshuese ndaj çdo gjëje perëndimore që mund të fshihet pas patateve të skuqura, rusët vijuan ta pëlqejnë atë.
Shumë prej tyre vunë si status në rrjetet sociale frazën: “Shokë, kjo nuk është e jona”, për të ironizuar me qëndrimin e burokratit.
“Dua t’i kujtoj bashkëqytetarëve tanë se hamburgerat, edhe kur nuk kanë krimba, nuk janë një zgjidhje e mirë për ushqim për banorët e Mokës dhe Rusisë. Kjo nuk është ushqimi ynë,” tha Gennady Onishchenko.
McDonald’s tha në një deklaratë se pas inspektimeve, në sanduiçët e pulës nuk janë zbuluar “objekte të huaja” dhe se cilësia dhe siguria qenë shqetësimi kryesor i korporatës. Kompania thotë se punonjësit e saj dhe agjencitë e pavarura inspektojnë rregullisht ushqimin nga ferma deri te konsumatori.
Onishchenko, i cili ka lindur në Kirkizistan dhe ka baba ukrainas, ka mbrojtur Rusinë në të shkuarën nga pulat amerikane, vera gjeorgjiane dhe djathi i Ukrainës. Shumë shpesh, deklaratat e tij kanë koinçiduar me probleme politike të Moskës kundër këtyre vendeve.
Në vitin 2006, ndërsa marrëdhëniet me Gjeorgjinë u përkeqësuan, doktori ndaloi prodhimet e Rusisë, përfshirë verërat shumë popullore dhe ujin mineral Borzhomi, duke deklaruar se rrezikojnë shëndetin e njerëzve.
Në vitin 2010, ai ndaloi importin e pulave nga SHBA nën pretendimin se përdoret një lëndë e dëmshme e quajtur Klorinë.
“Mos u mërzisni,” i tha ai Rusëve. “Nëse i keni për zemër kofshët e pulave amerikane, do t’jua sjellim së shpejti. Por dijeni se kofshët e Rusisë janë më të mira. Ka më pak antibiotik dhe hormone.”
Në qershor, doktori sulmoi ushqimin japonez Sushi, pasi pa se u bë shumë popullor nëpër Moskë.
27 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Rusia i shpall luftë Mc Donald’s-it burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip