Gazeta Shqip
Autoritetet franceze për 2-3 ditë do të nxjerrin një raport për shkaqet e vdekjes së poetit kosovarë
Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës, përmes Ambasadës së Kosovës në Francë, është në kontakte të vazhdueshme me autoritetet franceze për kryerjen e procedurave mjeko-ligjore dhe përgatitjes për kthimin në atdhe të trupit të pajetë të poetit kosovar, Ali Podrimja. Autoritetet franceze po zhvillojnë të gjitha procedurat e parapara ligjore dhe brenda pak ditëve pritet të dalin me raportin mjeko-ligjor për rrethanat e kësaj ngjarjeje.Nga të dhënat e deritashme, dihet se trupi i poetit Podrimja është gjetur në një pyll në anën perëndimore të qytetit Lodeve diku rreth 4 kilometra në vijë ajrore nga qendra e qytetit Lodeve. Trupi i poetit ndodhej rreth dy metra afër një rrjedhe të ujit dhe në trupin e tij nuk kishte asnjë shenjë dhune. Aktualisht trupi i poetit ndodhet në Klinikën e Mjekësisë-Ligjore në Montpellier, kurse gjatë 2-3 ditëve në vijim do të kryhet procedura e autopsisë, për të analizuar hollësisht shkaqet e vdekjes. Pas përfundimit të autopsisë, gjykatësi hetues duhet të vendos për lejen për transportimin e trupit për riatdhesim.
Autoritetet lokale të qytetit Lodeve, ku po zhvillohej festivali i poezisë “Zërat e Mesdheut”, nën organizimin e Kryetares se Komunës Marie -Christine Bousquet, mesditën e sotme kanë zhvilluar një tubim përkujtimor për nder të poetit Ali Podrimja.
22 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Riatdhesimi i trupit të Ali Podrimja, pas konkluzioneve të autopsisë burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip





