Revolucionarizimi i ekonomive arabe


Nga Sinan Ulgen



Në të vërtetë, derisa kundërshtimi i ndërhyrjes dhe i ndihmës nga jashtë ka qenë i fuqishëm sa u përket reformave demokratike, liderët e rinj arabë duken më të gatshëm për partneritet me Perëndimin sa u përket objektiveve ekonomike. Në këtë aspekt dobësia ekonomike ofron një mundësi të pashembullt për angazhim ndërkombëtar me udhëheqjen e re arabe




Përballja në Egjipt midis qarqeve islame dhe atyre ushtarake paraqesin dëshmi të qartë se sa i vështirë pritet të jetë tranzicioni drejt demokracisë i botës arabe. Natyrisht se dështimi për të arritur marrëveshje për ndarjen e pushtetit do ta prolongojë jostabilitetin politik. Por, mosveprimi rezultues ekonomik do të jetë njëjtë i dëmshëm për konsolidimin e pushtetit demokratik. Liderët e rinj arabë, prej atyre islamë, e deri tek ish-zyrtarët e rishpikur të regjimit, janë të vetëdijshëm rreth domosdoshmërisë së përmirësimit të perspektivave të tyre ekonomike. Ata e dinë fare mirë se popullariteti i tyre do të jetë i qëndrueshëm, vetëm po qe se janë në gjendje të sigurojnë rritje ekonomike, punësim dhe standarde më të larta të jetesës. Kjo do të jetë sfidë e vështirë në secilën rrethanë – e gjithçka vështirësohet nëse merret vesh destabilizimi i sistemeve ekonomike si pasojë e Pranverës Arabe në mbarë Lindjen e Mesme dhe Afrikën Veriore. Madje edhe në shtetet si Tunizia dhe Egjipti, ku tranzicioni drejt demokracisë është më i avancuar, paqartësia politike ka tendenca që të dëmtojë të arriturat ekonomike. Për herë të parë që nga viti 1986, ekonomia tuniziane pësoi rënie më 2011, për 1.8 për qind. Papunësia arriti 18 për qind gjatë vitit të kaluar, derisa më 2010 kishte qenë 13 për qind. Ndërkohë, ekonomia egjiptiane pësoi tkurrje për 0.8 për qind dhe një milion egjiptianë humbën vendet e tyre të punës. Rrjedha e investimeve të jashtme në Egjipt po ashtu ka pësuar rënie, duke zbritur nga 6.4 miliard dollarë më 2010 në vetëm 500 milion më 2011.
Kombinimi i këtyre trendëve negativë është duke ndikuar në bilancet fiskale si dhe të jashtme të këtyre shteteve. Deficiti buxhetor egjiptian arriti në 10 për qind të GDP-së, derisa rezervat e tij të shkëmbimit me jashtë kanë rënë në 15 miliard dollarë – që mezi mbulojnë kostot e importeve të shtetit për tre muajt e ardhshëm. Edhe në Tunizi, deficiti buxhetor është rritur në mënyrë drastike pas revolucionit, duke u ngritur nga 2.6 për qind e GDP-së më 2010 në 6 për qind më 2011. Ky përkeqësim rapid ekonomik, i kombinuar me pritjet e mëdha pas fillimit të tranzicionit politik, është duke krijuar një ndjenjë të domosdoshmërisë për të vepruar urgjentisht. Aktorët e rinj politikë po e ndiejnë si obligim zhvillimin e programeve më të detajuara ekonomike, për të zgjidhur hallet në rritje të qytetarëve të tyre. Për shembull, derisa islamikët janë përqendruar në radhë të parë në çështje politike, duke vënë theksin tek pjesëmarrja, përfshirja dhe reformat demokratike, fushatat e kohëmëparshme zgjedhore janë dëshmi për një kthesë retorike drejt aspiratave ekonomike.
Marrë në tërësi, aktorët e rinj politikë – posaçërisht partitë islame – janë duke e mbështetur një ton pajtues sa u përket kontakteve  me aktorët ndërkombëtarë. Programet ekonomike të tyre janë pro-tregut, duke e theksuar rolin e sektorit privat në nxitjen e rritjes dhe domosdoshmërisë për tërheqjen e kapitalit të jashtëm. Shteti shihet si motor për të siguruar drejtësi sociale, pasi që parimet e sheriatit përmenden vetëm shkarazi.
Për shembull, si në Tunizi, ashtu edhe Egjipt, politikanët islamikë kanë dhënë garanci se sektori i turizmit, që ka rëndësi vitale për ekonominë, nuk do të pengohet nga kufizimet e lidhura me ligjin islam. Programet ekonomike të islamikëve po ashtu parashohin rol për institucionet ndërkombëtare, në mënyrë që ato t’u ndihmojnë shteteve të tyre në tejkalimin e sfidave me të cilat përballen. Në të vërtetë, derisa kundërshtimi i ndërhyrjes dhe ndihmës nga jashtë ka qenë i fuqishëm sa u përket reformave demokratike, liderët e ri arabë duken më të gatshëm për partneritet me Perëndimin sa u përket objektiveve ekonomike. Në këtë aspekt, dobësia ekonomike e ofron një mundësi të pashembullt për angazhimin ndërkombëtar me udhëheqjen e re arabe, ku do të duhej të inkorporoheshin qëllimet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Qëllimet afatshkurtra duhet të jenë prioritare, pasi që shumica e partive po kanë presion të japin rezultate pozitive brenda një mandati të vetëm zgjedhor. Qeveritë e reja do të përballen me sfidën e menjëhershme të krijimit të vendeve të punës, për të cilën e vetmja mundësi në dispozicion është investimi në projekte të mëdha publike. Kjo formë e shpenzimeve qeveritare mund të krijojë vende pune, për të cilat kërkohet intensivisht punë, gjë që do të zbusë papunësinë në rritje. Bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë qeveritë arabe që të ndërmarrin dhe të jetësojnë iniciativat e tilla në disa mënyra. Së pari, bashkësia ndërkombëtare mund ta rrisë shumën e ndihmës së premtuar financiare. Ajo po ashtu mund të sigurojë ekspertizë teknike për politikanët arabë sa i përket menaxhimit të borxhit. Pa një ekspertizë të nivelit të lartë rreth menaxhimit të borxhit, një ekonomi që zbaton investime publike të shkallës së lartë rrezikon që të lërë anash investimet private përmes varësisë së tepërt mbi kursimet e brendshme.
Më fund, bashkësia ndërkombëtare mund të ndihmojë qeveritë arabe që të krijojnë një kornizë të sigurt dhe të qartë ligjore si dhe rregulluese për partneritetet publiko-private, sa u përket projekteve të mëdha infrastrukturore. Aktorët ndërkombëtarë, së bashku me qeveritë arabe, mund të ndihmojnë që të tregtohen këto mundësi, duke lejuar ekonomitë arabe që të përfitojnë nga financimi afatgjatë ndërkombëtar i përqendruar tek infrastruktura. Vetëm një kombinim i opsioneve të tilla do t’u mundësonte ekonomive arabe krijimin e vendeve të punës në aspektin afatshkurtër, duke e shmangur rrezikun e jobalancave destabilizuese fiskale apo mungesës së financimit për investimet në sektorin privat. Perëndimi në këtë aspekt ka një numër të pakufishëm mundësish për përfitim nga një partneritet solid me botën arabe, me qëllim të përmirësimit të të ardhmes ekonomike të tyre. Madje edhe në mes të një krizë të stërzgjatur valutore, qeveritë evropiane mund ta përkrahin një agjendë që prioritet i jep ndihmës në fushën e ekspertizës, e jo asaj në të holla.

Autori është bashkëpunëtor në “Carnegie Europe” dhe kryetar i institutit EDAM me seli në Uashington. Shkrimi është botuar së pari në rrjetin e gazetarisë botërore, “Project Sindycate”