Profetët dhe lindja e kombeve

NEXHMEDIN SPAHIU 
NEXHMEDIN SPAHIU


Slogani nën të cilin u lindën kombet, “Liri, vëllazëri e barazi”, është një slogan që për herë të parë në mënyrë eksplicite është paraqitur gjatë Revolucionit Francez (1789), por, në fakt, edhe pse nuk ishte shprehur në mënyrë eksplicite, kjo ishte ideja udhëheqëse që shënoi lindjen edhe të tri kombeve më të hershme se ai francez: atë suedez (1523), anglez (1649) dhe amerikan (1776).

Kur lindi, në fakt, ideja e vëllazërisë, lirisë dhe barazisë?

Me këtë ide vepruan gjithë profetët e mëdhenj që njeh njerëzimi: Moisiu, Jezu Krishti, Muhamedi.

Përse atëherë u desh që nën këtë slogan të tuboheshin kreatorët e kombeve moderne? Përgjigjja është se shoqëritë devijuan rrugën që ua trasuan profetët. Nga mishërimi i parimeve morale me Perëndinë u kalua në mishërimin e mbretit apo perandorit me Perëndinë. Mbretërit apo perandorët u shpallën de facto përfaqësues të Perëndisë në tokë.

Madje ky degradim u bë edhe në mesin e klerit te të gjitha fetë. Derisa zbatoheshin ajetet Kur’anore dhe mësimet e profetit Muhamed, civilizimi islam arriti kulmet e civilizimit botëror në histori. Sapo ky zbatim degradoi, civilizimi islam pësoi ngecje dhe shthurje. Edhe te krishterimi ndodhi e njëjta gjë. Kulmi arriti te Kisha Katolike ku parajsën mund ta “siguroje” duke i dhënë Kishës para, veprim ky tërësisht i kundërt me mësimet e Jezu Krishtit.

Iluministët dhe laicizmi i tyre

Kështu shpjegohet dhe përse iluministët patën qëndrime laike që insistuan ndarjen e Kishës nga shteti e madje disa nga ata patën qëndrime antifetare. A nuk ishte qëndrimi i Pashko Vasës: “Mos shikoni kisha e xhamia, se feja e shqiptarit është shqiptaria” një qëndrim antifetar?

Kombi shqiptar, megjithëkëtë, nuk u krijua mbi bazën e antifetarizmit, por mbi bazën e participimit të barabartë të myslimanizmit synit, bektashizmit, ortodoksizmit e katolicizmit, si 4 shtylla të këtij kombi.

Idealizmi i periudhës së Skënderbeut

Kështu, në fakt, çdo komb i krijuar pati “profetët” e vet: ata që e ringjallën. Ata idealizuan periudha të mëhershme të historisë për t’u shërbyer me to si modele. “Profetët” (rilindësit) shqiptarë idealizuan periudhën e Gjergj Kastriotit Skënderbeut si një periudhë ku shqiptarët ishin të vëllazëruar, të lirë dhe të barabartë. E vërteta është se në atë kohë nuk i kishin asnjërën prej këtyre. Lidhja e Lezhës (1444) ishte lidhje politike mes princërve shqiptarë e malazezë, dhe jo një vëllazërim mes qytetarëve të Shqipërisë së asaj kohe. Por, kështu e panë të rrugës rilindësit shqiptarë dhe mbi këtë model u ngrit kombi shqiptar. Ata këtë periudhë e quajtën “Rilindje”, me demek, që kombi shqiptar, me pjesëtarët e tij të lirë, të barabartë e të vëllazëruar, na paskësh ekzistuar që në kohën e Skënderbeut, të cilin osmanët na e paskëshin përgjumur me pushtimin e tyre të serishëm. Pra, me demek, kombi shqiptar tani vetëm po u rilindka.

Zgjimi kombëtar, rilindja kombëtare apo paralindja kombëtare

Shumica e kombeve, periudhën e zgjimit të tyre kombëtar e quajnë thjesht “Periudhë e Zgjimit Kombëtar”. Serbët e kroatët, periudhën e zgjimit të tyre kombëtar e quajnë “Nacionalni Preporod” (Paralindja Kombëtare), që d.m.th. periudha para se të lindet kombi.

Një zgjim kombëtar është më i fuqishëm nëse orientimet strategjike, politika e tij e jashtme, politika e tij e brendshme, hieraldika shoqëruese etj., janë kompakte me psikologjinë dhe traditën e njerëzve prej të cilëve synohet të formohet kombi. Sa më pranë shpirtit të njerëzve të jenë këto gjëra, aq më i fuqishëm ndihet kombi.

Rasti i Kosovës

Kur kam propozuar “Kur ra kushtrimi në Kosovë” për himn të Kosovës më 26 shtator 1999, kam pasur parasysh këtë. Fakti që lideri shpirtëror i Kosovës, Ibrahim Rugova, e përkrahu këtë propozim 3 vite më vonë, më 28 nëntor 2002, e përforcon këtë argument. Shumëkush nuk e kuptonte Ibrahim Rugovën kur ai merrej me Darkën e Lamës, qentë e Sharrit, pekmezin, rasojin, dardhat turshi etj. Intenca ishte që kombi i ri kosovar që po formohej të jetë i lidhur ngushtë me traditën shqiptare, me shpirtin dhe psikologjinë e tij. Vetëm një komb që nuk e gënjen vetveten është simpatik dhe i pranueshëm për të tjerët. Kombi nuk bëhet i fuqishëm vetëm me madhësi numerike, por me kualitetin e ngjizjes së tij.