POET ME VETËDIJE TË LARTË KOMBËTARE DHE ESTETIKE (Xhevoja si e kam njohur unë. Kujtime dhe opinione)

Agim Vinca



POET ME VETËDIJE TË LARTË KOMBËTARE DHE ESTETIKE
(Xhevoja si e kam njohur unë. Kujtime dhe opinione)



1. Kur dëgjova lajmin për sëmundjen e Xhevahirit u pikëllova shumë. Aq më shumë kur mora vesh për llojin e sëmundjes. Po e humbte të folurit njeriu që edhe bisedën e bënte art. Ç’fatkeqësi! Sepse, është kënaqësi të lexosh poezitë e Xhevahir Spahiut, të cilat me bukurinë e tyre të ofrojnë një përjetim të rrallë estetik, por është përjetim i veçantë të rrish me të rreth tavolinës, sidomos kur mbi të ka edhe ndonjë gotë verë a raki. E kam provuar këtë shumë herë jo vetëm në Tiranë, por edhe në Prishtinë. Në Strugë gjithashtu. Kam pasur kënaqësinë ta shijoj “artin” e tij bisedor. Fjalën e mençur, humorin, gjestin, temperamentin.
Dhe ja, tani, ky lajm i dhembshëm, që tronditi të gjithë miqtë dhe dashamirët e tij.
Herën e fundit ia kisha dëgjuar zërin pak muaj më parë dhe pikërisht më 17 shkurt 2008, në ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Atë ditë Xhevahir Spahiu nuk mund të mos ishte në Prishtinë, sepse aty atë ditë ishin të gjithë ata që e kishin pritur gjatë atë ditë dhe që kishin kënduar e luftuar për të. Xhevoja kishte rënë “në konak” te një ish-student imi, adhurues i poezisë së tij, me të cilin e kisha njohur unë vite më parë dhe ndërkohë ata ishin bërë miq bashkë.
Atë ditë bënte ftohtë në Prishtinë, por zemrat e njerëzve i nxente një zjarr i madh, i ndezur shumë kohë më parë. Një zjarr që dehte turmën e njerëzve që festonin me këngë e valle rrugëve të Prishtinës dhe të krejt Kosovës, ku mbizotëronte ngjyra e kuq e zi e flamurit kombëtar. (Mbesa ime, Bora, që tani është në klasë të parë, edhe para se të shkonte në shkollë e dinte përmendsh dhe e recitonte shpesh poezinë e bukur të Xhevos për shqiponjën trimërore që zuri vend në flamur). Në një ditë si kjo nuk mund të mungonte poeti, që kishte shkruar vargjet lapidare: “Kosova është në muajin e nëntë dhe do të pjellë lirinë”.
Në mbrëmje, në shtëpi tek unë, në orët e vona të natës, ra edhe një herë zilja e telefonit, që s’kishte pushuar pothuajse gjatë tërë ditës. Në pamundësi që t’i takonte, Xhevahiri nuk mund të mos i uronte miqtë e tij në këtë ditë të madhe të kombit, qoftë edhe përmes telefonit.
“Shtatzënia “ e Kosovës kishte zgjatur shumë, por liria kishte ardhur më në fund, falë gjakut të derdhur dhe sakrificave të shumta, pa harruar as vargjet e poetëve që kishin kënduar për të.
2. Tash tridhjetë e sa vjet u flas studentëve për poezinë e Xhevahir Spahiut. Në çdo fillim të vitit akademik, kur flas për rrethanat historike në të cilat është krijuar letërsia shqipe, u them se një poet shqiptar ka arritur ta përmbledhë historinë shqiptare në vetëm dy vargje. Dhe, duke dashur të zgjoj tek ata kërshërinë për poezinë dhe dëshirën që të mësojnë vargje përmendsh, shtoj se vetëm me dy vargje ky poet ka arritur të thotë për historinë shqiptare më shumë se historianët tanë me dhjetëra vëllime.
Ky poet quhet Xhevahir Spahiu, kurse poezia për të cilën e kemi fjalën titullohet Historia jonë. “Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne” - thuhet në të. Ky është teksti i saj. Dy vargje gjithsej, asgjë më shumë. Por poezia, më shumë se nga teksti, jeton nga nënteksti i saj. Kurse vlera dhe kuptimi i saj, nuk varen shumë nga sasia e fjalëve, por nga mënyra si shfrytëzohen ato.  
“Tehut të shpatës kemi ecur rrufé./ Pastaj shpata ka ecur mbi ne”.
Ritmi, rima, kadenca, gjithçka këtu pret si shpatë. Vargu i parë ka 11 rrokje dhe merr fund me fjalën oksitone: rrufé, së cilës poeti qëllimisht i vë edhe një theks (ndryshe nga ç’parashohin rregullat e drejtshkrimit), kurse vargu i dytë është më i shkurtër (ka gjithsej nëntë rrokje), por edhe ky mbyllet me një fjalë oksitone: me përemrin vetor “ne”. Është një poezi që flet për fatin kolektiv, për dramën e një populli që ka luftuar gjatë tërë jetës me shpatë në dorë, që “ka ecur rrufeshëm tehut të saj”, duke çuditur botën me bëmat e tij (le të kujtojmë për një çast epopenë skënderbejane), por që pastaj, si për ironi të fatit, “shpata ka ecur përmbi të” (vini re: poeti thotë “ka ecur” e jo ka rënë). Fjala “shpatë”, ndonëse del veç dy herë në këtë poezi që ka gjithsej 11 fjalë, është bartëse e kuptimit të saj. Jo pushka, as topi, shpata. Ajo që zgjon më së shumti asociacionin e Skënderbeut dhe të dikuj që deshi të bëhet Skënderbe i dytë! Herën e parë, në vargun e parë, shpata është simbol i shpirtit kryengritës e liridashës, i guximit dhe i trimërisë, kurse në vargun e dytë, i pësimit nga pushtuesit dhe agresorët; diktaturat dhe diktatorët.
Është poezia e parë e ciklit Shkurtima të vëllimit Kohë e krisur (1991), një poezi-sentencë, ku fjala shpatë është fjalë-çelës, kurse antiteza prosede krijues.
Si për ta plotësuar idenë dhe mesazhin e saj, pason vjersha me titull Popujt e vegjël, që ka dyfishin e vargjeve të saj, katër sosh dhe që ndërtohet në formë të një pyetjeje dhe një përgjigjeje. Pyetja shtrohet shtrohet në dy vargjet e para, kurse përgjigjja jepet në dy vargjet pasuese. “Për popujt e vegjël/ ka fat apo s’ka? / Hyjnë e dalin nga dyert e tragjedive të mëdha”. Kurse në kllapa, poshtë titullit, shënimi: “Sipas I. Qemalit”, që do të thotë se poeti ndërlidhet me një thënie të themeluesit të shtetit shqiptar, Ismail Qemalit, i cili e kishte provuar mbi kurriz të tij se ç’do të thoshte të ishe përfaqësues i një populli të vogël. Edhe këtu efekti poetik sajohet (përftohet) mbi kundërvënien ose antitezën: “e vegjël/ të mëdha”. Popujt e vegjël, me fat tragjik historik, çfarë është edhe populli shqiptar, hyjnë e dalin nëpër dyert e tragjedive të mëdha. Kështu thotë përvoja historike dhe këtë përvojë poeti ka arritur ta shqiptojë me një gjuhë lapidare poetike, koncize e metaforike njëkohësisht.
Vetëm edhe Azem Shkreli ka ditur ta shkruajë kaq bukur poezinë sentencë, që me pak thotë shumë. “Sikur të takoheshim me vetveten sy më sy/ Do t’putheshim apo kishim për t’u pështy?” ose: “Mësojeni kohën të mos i hajë të vetët/ Ç’u shemb shëmtie do të ngrenë poetët”.
3. Xhevahiri i deklamon bukur vargjet e veta. Shumë sosh i di përmendsh dhe i reciton pa përtesë. Në takime letrare dhe rreth tryezës me miq. (Mjafton të kujtojmë sidomos vjershën Këngë e dalldisur të recituar në mënyrë maestrale në darkën e organizuar në hotel “Adriatiku” në edicionin e parë të “Poetekës” në Durrës). Por ai edhe këndon bukur. I këndon si një këngëtar i vërtetë këngët polifonike të Jugut, sidomos po qe ka kush ta shoqërojë. (Për këtë kujtoj darkën në Vlorë, në konferencën shkencore për Petro Markon më 2009-n, ku pedagogu i letërsisë, Petrit Qejvani, mik i poetit, i mbante ison). E njeh mirë folklorin shqiptar dhe di të përfitojë prej tij, edhe pse në asnjë rast nuk është e as nuk ka qenë ndonjëherë poet foklorizant. Jo, aspak. Ai është një poet me sensibilitet modern. Sinteza e mendimit është një nga veçoritë kryesore të poezisë së Xh. Spahiut. Vargu plot nerv e temperament gjithashtu. Si për nga ndjeshmëria, ashtu edhe për nga shprehja, poezia e tij përafrohet me tipin e poezisë së revoltës. Jo rastësisht Migjeni është ndër poetët e tij të preferuar. Lorka gjithashtu. Në mars të vitit 1997,  për shkak të një cikli poezish kushtuar Vlorës, desh e pësoi si Lorka. Reagoi me atë rast, me vargje, bardi Dritëro. “Poeti natën kohën shtynte/ Dhe sillte vargje nëpër mend,/ Kulloste hëna dhe përtypte/ Mes yjesh fijet me argjend. / Ai përhumbej mes lirikash/ Prej botës larg si çdo poet/ Kur i treguan katër shikas/ Realitetin krejt konkret” - do të shkruante, ndër të tjera, poeti devollit në vjershën me titull Poeti i fyer, kushtuar Xhevahir Spahiut, shkruar më 12 mars 1997. Ndërsa shkrimtarja dhe përkthyesja e njohur Mira Meksi, në letrën dërguar Sabatos, po në mars ’97, shkruante: “Të kujtohet Xhevua? E goditën, e përgjakën Lorkën tonë, Ernesto”. Në jetë e donte shumë Petro Markon, dashuri kjo që ishte e dyanshme. Në ciklin Migjeni flet, të përbërë nga pesë poezi  (Shigjeta, Plagosja ose Migjeni i censuruar, Poeti, Në emër të gëzimit tuaj dhe Zemra), nëpërmjet figurës së poetit të Vargjeve të lira, ai flet për fatin e poetit në kushtet e censurës dhe të mungesës së lirisë. Ligjërimi në vetën e parë i bën të mundur shfrimin e pakënaqësive ndaj kohës në të cilën jeton. Kjo vlen sidomos për vjershën e parë të ciklit, poezinë me titull Shigjeta. “Ma shkulni, shokë, atë shigjetë prej gjoksit/ me të u bini atyre që më ranë!”. Vargu i tij është i fortë, i ashpër, goditës, sarkastik, por di të jetë edhe i butë, skofiar, lirik, varësisht nga tema që trajton dhe nga qëllimi që i parashtron vetes poeti.
Në poezinë Kalorësi ngre lart figurën e Petro Markos si njeri dhe krijues, që e stolisin guximi, krenaria dhe stoicizmi. Kalorësi është, siç dihet, simbol i triumfit dhe i lavdisë. Ishte temë e preferuar e Lorkës dhe poetëve të brezit të tij, spanjollë e të tjerë. Petro Marko i Xh. Spahiut është kalorës i vetmuar i një kohe të vështirë dhe si i tillë edhe më i çmuar. Ai “fliste për ne kur qemë pa gojë”, në diktaturë, kurse tani, kur s’ka më censurë, por as gjeste kalorësiake (S’ka më kalorës,/ s’ka kapedanë),  edhe nga varri dërgon mesazhe guximi, qëndrese e shprese. Duke shkruar për Migjenin dhe Petron, Xhevahiri shkruan në të vërtetë për veten: “Me thikat e sarkazmave ju rashë”, me të vetmen armë që pata, fjalën, si Herkuli çomangen - flet shpirti i tij i rebeluar, që nuk e njeh heshtjen.
3. Më shumë se për poezitë e tij origjinale fliste për shqipërimet që bënte. Ndoshta për shkak të modestisë, për të mos e mburrur veten si poet, por të tjerët. Më ka folur me shumë pasion për shqipërimin e poemës Zotit të Serembes, të cilën poeti arbëresh e shkroi italisht në Buenos Aires në vitin 1897. Këtë poemë komplekse, si nga pikëpamja përmbajtësore, ashtu edhe nga ajo ritmiko-intonative, që ishte pjesë e një projekti të madh të Serembes prej 120 kangjelesh dhe rreth dyqind mijë vargjesh, të humbur mizorisht në rrugë e sipër, do të na sjellë në shqip pas njëqind vjetësh poeti ynë Xhevahir Spahiu, i cili do t’i hyjë shqipërimit të saj me shumë dashuri e përkushtim dhe do ta përfshijë atë në librin Rreziku (2003). Më ka folur gjithashtu dhe për vjershën Fatalistët të poetit grek Kostas Varnalis, e cila me bukurinë dhe harmoninë e saj në shqip t’i kujton shqipërimet e Nolit (Korbi), të Mjedës (Mbreti i Tules) dhe të Lame Kodrës (Punëtorët e avlëmëndit), përkatësisht Ponë, Gëten dhe Hajnen. Mënyra se si fliste për kërkimin e ritmit, rimës, fjalësit dhe figuracionit të këtij krijimi të veçantë poetik, ta kujton rrahjen me shkop të shkëmbinjve nga Izedin Jashar Kutrulija, alias Mitrush Kuteli, kur shkruante Poemin kosovar.
4. Xhevahiri bëri përzgjedhjen e poezive të librit tim të botuar nga “Onufri” në vitin 1999 dhe ia vuri titullin: Dri’. Me apostrof, ashtu siç edhe shqiptohet në të vërtetë. “Ky titull i përgjigjet poezisë sate”, më pat thënë duke ecur bulevardit, aty tek e pata takuar rreth njëzet vjet më parë, në vitet ’70 të shekullit të kaluar. Duhet të ketë qenë viti 1979, nëntor. Unë kthehesha nga Biblioteka Kombëtare, ku punoja për temën time të doktoratës për poezinë e sotme shqipe, kurse ai nga redaksia e “Zërit të popullit”, ku punonte si gazetar. Qemë njohur pak muaj më parë, në maj të atij viti, në Gjakovë, në “Mitingun e poezisë”, ku ai pat marrë pjesë tok me Fatos Arapin, por në Tiranë takoheshim për herë të parë. Biseduam gjatë në këmbë, në trotuar, pranë lumit të njerëzve që rendnin bulevardit, në kohën kur mbaron orari i punës. Ishte ai që fliste më shumë, kurse unë dëgjoja. Mbaj mend se në një çast më tha, nuk e di pse: “Ju duam të gjithëve, por ty më shumë”. Më ka ngelur në kujtesë kjo fjali. Ai sigurisht e ka harruar, por unë jo. Dhe kurdo që e kujtoj përpiqem ta zbërthej kuptimin e saj, që më ka mbetur pak a shumë enigmatik.
Dhe ja tani, plot njëzet vjet më vonë, në vitin dramatik 1999, kur Kosova përpëlitej me shpirt ndër dhëmbë, por ishte në dhembjet e saj të lindjes së lirisë, ai përzgjodhi dhe sistemoi poezitë e mia për librin Dri’ te “Onufri”. Kur libri doli, unë nuk u tregova sa duhet i kujdesshëm që Xhevos t’i jepja një kopje me autograf nga ato pak copë që më dha botuesi dhe më duket se atij i mbeti hatri. Mbase me të drejtë. Mendoja se këtë do ta bënte botuesi, Bujari,  i cili jo vetëm e kishte botuar “Ferrparajsën” e tij, por e kishte edhe bashkëpunëtor të botimeve që bënte. Pastaj nuk ishte që shiheshim çdo ditë. Unë në Prishtinë, ai në Tiranë, ku ardhja nuk ishte aspak e lehtë. “Një mal na ndan, një mur,  një hon/ Një mall, një dhembje na bashkon” - them në një poezi të shkruar natën e Vitit të Ri 1995, në të vërtetë më 31 dhjetor 1994, në Prishtinë. “Të pimë sonte, o mik, të pimë/ Dhe në Tiranë dhe në Prishtinë/ Një shishe verë, një gotë raki/ Ta zbrazim sonte gjithsesi. / E tha s‘e tha Lope de Vega/ Jeta është ëndërr, or tungjatjeta/ E pas çdo ëndrre zgjimi vjen/ A ferrparajsa të rrëmben” - shkruaja ndër të tjera në atë poezi kushtuar Xh. Spahiut, që ishte në të vërtetë një korrespondencë në vargje me të. Në librin Ferrparajsa, të cilin ai ma kishte dhuruar pak kohë më parë, si shumë të tjerë, ka edhe një poezi me titull Nata e Vitit të Ri, të shkruar me distikun elegjiak dhe të përbërë nga gjithsej shtatë distikë të rimuar, po aq sa ka edhe poezia ime që i referohet asaj. Në atë poezi, ndër të tjera, hasen edhe vargjet: “E tha s’e tha Omar Khajami, stacioni i fundit: Varri i Bamit”. Ishte një korrespondencë poetike nga larg në atmosferën festive dhe njëkohësisht të përzishme të natës së Vitit të Ri në mesin e viteve ’90, kur Kosova rënkonte në robëri, kurse Shqipëria po kalonte nëpër një periudhë të vështirë tranzicioni, ku mbizotëronte ngjyra gri, kurse si titull i librit shfaqej një kompozitë origjinale, e sajuar nga autori, oksimoroni Ferrparajsa, që shprehte në mënyrë paradoksale frymën e kohës.
5. Në tri vargje të vjershës Art (libri Pezull, 1976, f. 7), shpaloset ars poetica e Xhevahir Spahiut si poet. “tek tingujt vdes/ tek ngjyrat çmendem/ tek fjala vdes çmendem përmendem”. Tingujt, ngjyrat, fjala - tri elemente që sajojnë artin poetik, me të cilin identifikohet plotësisht subjekti lirik. Një sinestezi bodleriane sui generis. Sinestezia shqiptare e poetit fjalëxhevahir - Xhevahir Spahiu, këtij poeti me talent të rrallë dhe me ndërgjegje të lartë kombëtare e estetike, që tashmë ka hyrë në panteonin e poezisë shqipe.

Prishtinë, 17. 10. 2011