Shkruar nga Ali Podrimja
![]() |
| Ali Podrimja |
Në një qytet të Bavarisë, rastësisht më ra në dorë një gazetë e Zagrebit. Duke e shfletuar, hasa një tekst të mikut tim, Mirko Kovaç. Me kënaqësi fillova ta lexoj. Vazhdimi ishte dramatik, me plot gërçe. Ajo që e thoshte shkrimtari i nderuar, nuk dëshiroja të ishte e vërtetë. Ishte diçka monstruoze. Diku në Bosnjë, në qytetin Foça, kryesisht i banuar me myslimanë, jeta kishte marrë tatëpjetën. Iracionalja mbisundonte arsyen. E kuptoja revoltën e mikut, por nuk mund ta merrja me mend se njeriu ishte shndërruar në një gjësend pa vlerë se në mbarim të shekullit XX urrejtja ndërnacionale ishte bërë instinkt dhe Evropa ishte shndërruar në një teatër të absurdit.
Sipas shkrimtarit të nderuar, njëfarë Vojisllavi, profesor serb i Universitetit të Sarajevës, rrugëve të përgjakura të Foçës ishte parë tek luante futboll me koka të myslimanëve të masakruar. Nga ato viktima, ndoshta ca kanë mundur të jenë dhe studentë të tij, të cilët atje buzë Milackës piktoreske, përcillnin ligjëratat e tij mbi të bukurën në art. Vojisllavi kishte harruar se ishte profesor i universitetit e që merrej herë pas here edhe me mjeshtërinë e shkrimit. Ai ishte shndërruar në një fantom dhe me gradën e majorit ushtarak kishte marrë pjesë në vrasje të shumta dhe pastrime etnike. Rrënimi i Vukovarit, i Mostarit, i Dubrovnikut, i Sarajevës dhe i shumë fshatrave e qyteteve të tjera më pak të njohur flitnin bindshëm se nuk ishte fjala vetëm për psiko-etikën e individit.
Paranoja, nga dita në ditë, zbulonte fytyrën e vet të shëmtuar jo vetëm në shkrime bulevardeske, por edhe në etnosin, ideologjinë dhe filozofinë e një populli që i afrohej katastrofës. Në krye të asaj të keqeje, qëndronin shkrimtarë, gjysmë-shkrimtarë, intelektualë, kuazi-intelektualë, politikanë të dyshimtë e kriminelë në zë që i gjurmonte dhe policia ndërkombëtare. Me programe nacionaliste dhe elaborate fashistoide mbusheshin bibliotekat ose krijoheshin të reja sipas skenarëve. E kë nuk shqetëson kjo? Në vetëdijen e krijuesit kishte ndodhur një eklips i tmerrshëm, humaniteti as dinjitet nuk ekziston më. Sipas kokave nacionaliste një “popull qiellor” nuk mund të gabojë. Atij i lejohej çdo gjë edhe krimi. Toka serbe shpalleshin brenda nate edhe ato vende, ku një qorr apo topall i sojit të tyre kishte kaluar ndonjëherë. Ekspeditat ndëshkuese shpejtonin të shlyenin çdo gjurmë nga trashëgimia kulturore e identiteti i të tjerëve në trojet e pushtuara me dhunë. Nga një filozofi primitive nuk mund të lindte diçka njerëzore, pos një krijesë kiç, pikëlluese, pa vlerë, me një mjerim të thellë shpirtëror. Nacionalizmi është një kiç, thoshte Danilo Kishi. Nacionalizimi u bë ushqim kryesor për mediokër që shtoheshin rreth tryezës nacionale. Ata krijues të paktë, të cilët kishin guxim intelektuali t’i kundërvihen kësaj paranoje kolektive, shpalleshin tradhtarë të interesave kombëtare, botuesit ua mbyllnin dyert, ose detyroheshin të marrin udhën e ekzilit. Guximi i Mirko Kovaçit ma kujtonte fatin të një poeti serb i cili, duke parë në ekran televizionet se ç’po ndodhte me fëmijët shqiptarë, në demonstratat paqësore, ku policia serbe masakronte të rinjtë që kërkonin atë për të cilën kishin luftuar më parë edhe prindërit e tyre. Poeti kishte qarë, shkaku i turpit dhe i mjerimit të popullit të vet. Pas disa ditësh, më kishte rënë në dorë një poezi e tij për fëmijët shqiptar, që kishin rënë nga breshëri i plumbave dumdum, e të cilën e kishte shkruar natën e kobshme: “Ti mund ta botosh. Unë do të jem mirënjohës tërë jetën se më ndihmon ta pështyj në fytyrë nacionalizmin e popullit tim”, në telefon kaq më kishte thënë. Por një letër kishte bërë një gjysmë viti udhë. Atë që e thoshte poeti, ishte një përplasje me regjimin totalitar. Poezia për fëmijët shqiptarë, as mllefi i tij nuk ishte gjest. Ai besonte në vlerën dhe lirinë e njeriut. Para së gjithash, ai mbronte etikën e shkrimtarit në një kohë të ligë kur euforia nacionaliste, metaforë e së keqes, është një ekstazë dhe më e fortë se fjala e tij prej humanisti.
Devalvimin shpirtëror të krijuesit, që e mundonte jo vetëm Mirko Kovaçin, e theksonte edhe më rëndë disidenti dhe bardi malazias, Jevrem Bërkoviq, në një tubim të mbajtur në Bled. Por tmerri e agresivitet i një diktature nacionaliste ishte diçka e papritur për shqiptarët. Vrasjet, eksodet, ndjekjet dhe tmerrin e bardhë e kishim përjetuar me dhjetëra herë gjatë historisë sonë. Nëse Evropës nuk i kujtohet tragjedia e Çamërisë, pastaj ajo e Toplicës; nëse Evropa u mbyll në hipokrizinë e vet dhe pas vrasjeve e eksodeve të mëdha të viteve ’50, ’60, ’80 dhe ’90 të shek. XX. Duke konstatuar, vetëm se atje në Ballkan ndodhka diçka e tmerrshme, kujtesa jonë nuk mundi t’i shlyejë vajet dhe britmat mbi të vrarët e fëmijët e masakruar. Mjafton të lexohet librin “Luftërat e Toplicës” të Dimitrije Petroviqit e të bindeni nëpër çfarë golgote kaloi populli ynë, të shikoni deri ku ishin trojet e tij, apo të shfletoni dokumentet e fshehta të ortodoksizmit ekstrem në relacion Beograd-Athinë...
T’i kthehemi të tashmes, që na është bërë shqetësim i përbashkët. Në fillim të viteve të ‘80-të në Beograd u mbajt takimi i parë dhe i fundit ndërmjet shkrimtarëve serbë dhe shqiptarë. Midis fqinjëve kërkoheshin shtigje për një mirëkuptim e dinjitet. Por, ç’ndodhi! Shkrimtarët serbë, në vend që të përkrahnin kërkesat e arsyeshme të shqiptarëve rreth thellimit të bashkëjetesës në këtë pjesë të shqetësuar të Ballkanit, ata u shpallën luftë dhe për çudi, këtë nxitonin ta bënin para Sheshelit, Arkanit, policisë dhe ushtrisë serbe. Gjeniun krijues serb nuk dua ta fyej, por atë nuk mund ta pranoj si kreator të një ideologjie nacionaliste.
Emrat që i përmendte Bërkoviq në tekstin e vet fatkeqësisht i njihja. Ata ishin shkrimtarë që zjarri i brendshëm demonian i kishte mundur. Tashti ata gjendeshin në krye të ekspeditave vrastare, të pastrimeve etnike dhe gjenocidale. Udha e krimeve ishte përgatitur me vite, në kontinuitet: nga poetika e viktimës si popull i shtypur, i persekutuar, i keqtrajtuar dhe i vrarë nga të tjerët deri te mistifikimi i një patosi folklorik. Nëse një nobelist, siç ishte Ivo Andriq, ose një akademik serb, siç ishte Vasa Çubriloviq, njëri nga atentatorët e Sarajevës të vitit 1914, pas të cilit shpërtheu Lufta e Parë Botërore, patën guxim që, sy e faqe Evropës, të shkruanin elaboratet bizare të viteve 1937, ’39 në stilin e Gebelsit, për zhdukjen e qenies kombëtare të popullit dhe të shtetit shqiptar nga faqja e dheut, pse të mos vepronin kështu pasardhësit e tyre mediokër që për virtyt e pranojnë rrenën dhe filozofinë e tyre nacionale e ngrinin mbi të. Apo siç thotë, kryearkitekti i ideologjisë nacionaliste serbe, Dobrica Qosiq: “Rrejmë në mënyrë kreative… të paramenduar”. E, kjo nuk bëhej për shkak të ekzistencës, siç mendon Qosiqi, por për të fshehur dhunën, krimet dhe frikën e fajësisë. Ndërkaq, për një popull dinjitoz: vrasjet, rrënimet e plaçkitjet nuk janë cilësi e dinjitetit. Shkaktar për një rënie kaq të madhe, para se gjithash, është euforia nacionaliste e cila kishte krah të fortë pseudoshkencën dhe propagandën e saj pansllave brenda e jashtë trevës gjuhësore sllave, bën çmos ta mohojnë autoktoninë e të tjerëve, pra edhe të shqiptarëve. E, kjo të shtynë të mendosh se popullin serb ka zënë ta ndjejë ndjenjën e inferioritetit ndaj të tjerëve. Bota e ka të qartë se kush nga është, ndërsa populli autokton askund në botë nuk mund të shpallët ardhacakë. E vërteta për shqiptarët si pasardhës të ilirëve dhe popull autokton në trojet e tyre, nga dita në ditë vjen e forcohet me dëshmi e vepra jo vetëm të shkencës shqiptare. Pjesëmarrjen e shkrimtarëve në euforinë nacionaliste, le të kuptohet si fatkeqësi për artin e lirinë e njeriut. Nëpër veprat e shkrimtarëve që i përmendte Bërkoviq me një shqetësim të thellë, nëpër fjalët e simbolet e tyre bridhte e keqja, e akumuluar me vjet dhe e mbështjell me gjak të zi. Ishin ato imazhe të errëta e përmbajtje të vdekura.
Në të dorë e krijuesit më së pakti hetohej. Theksimi i tepërt e arrogant i krenarisë dhe i ndjenjës nacionale kishte arritur të zhdukë çdo dallim të mundshëm në mes nacionalizmit dhe kombëtares.
Ishte fillimi i verës në Bavari kur i mblodha copat e verdha të gazetave që më vinin nga Jugosllavia e mbeturinave dhe në fund të kopshtit ua vura zjarrin. Njëherë e përgjithmonë dëshiroja të lirohem nga ankthi i tmerrshëm që njeriun e kishte poshtëruar atje në Ballkanin tragjik. Nga leximi i shtypit të verdhë hoqa dorë dhe më rrallë ndizja televizorin.
Në bibliotekën familjare fillova ta kaloj kohën më shumë duke lexuar vepra nga autorët antikë. Më mundonin fjalët: gjak, eksod, vaj, bukë. Fundshekullin e shihja si hynte në oborrin tim mjaft i lodhur dhe i leckosur. Përpiqesha të vë dialog me njerëzoren, me të bukurën dhe me të gjallën që ende frymonte rreth meje. Bota vazhdonte të sillej rreth meje sipas ligjit të dhunës apo si e quaja në shaka me miqtë e mi: pendrek demokracia serbe ishte në lulëzim të plotë. Njeriu nuk vlente më as për pesë para.
Kthehesha në shtëpi dhe në një vitrinë librash, aty ku para ca vitesh, në demonstrata të mëdha paqësore të shqiptarëve ishte qëlluar për vdekje një fëmijë, ma tërhoq vëmendjen një fotografi karakteristike që kishte zënë të zbehet më tepër nga turpi. Ishte një luftëtar serb, i cili kthehej “triumfalisht” nga një fushëbeteja në Kroaci, duke i “falur” botës një buzëqeshje karakteristike me një varg plot gishtërinj njerëzish, që e kishte varur rreth qafës së shkurtuar e të trashë. Fotografia fliste më shumë se çdo libër i tmerrit. Ai luftëtar, me atë pozën karakteristike të ngadhënjyesit, i cili mendonte, ndoshta, se ata gishtërinj njerëzish rreth qafës së shtypur ishin speca të vjelë në ndonjë kopsht të Shumadisë apo të Vojvodinës, e që dëshmonte për një shthurje të madhe në Ballkan. Ai ishte me siguri prototip që e kishte paralajmëruar nga studioja e vet krijuesi i njohur zoti Oruell.
Ditët më shkonin ters. Gishtërinjtë e njerëzve rreth qafe dhe ajo pozë karakteristike e luftëtarit të gjorë më rrinin parasysh e posaçërisht më tmerronte qetësia e akullt e Evropës që nuk i lëvizte as qerpiku i syrit kur ia dërgonin peshqesh kokat e prera të njerëzve. Nëpër gjësendet e mia sapo kishte filluar të shtrihet hija e vdekjes, i shkrova një miku të pendës: “Të lutëm, më thuaj për kë shkruajmë?” Përgjigjja e tij ishte e shpejtë dhe ekuivokë: Për Ballkanin e di ku bie, por Serbia me gjasë nuk gjendet në Evropë…” Ishte ai intelektual i një metropoli.
Tek lexoja librin “Mbretëria e Osmanlinjve” të turkologut të mirënjohur austriak Joseph von Hamerit, nga kapitulli në kapitull, zbuloja mistifikime të mëdha në shumë vepra që i kisha lexuar më parë, në vërtetësinë dhe vlerat e të cilave kisha dyshuar. Koha e humbur më dhimbsej dhe më mundonte mjerimin njerëzor e krijues të autorëve që kishin helmuar breza lexuesish e përçarë popuj. Me këtë rast duhet zënë ngoje, para se gjithash, Mitin për Kosovën (Dardaninë), shfaqjen e tij e që ishte ngritur mbi gërmadhat shpirtërore, e për të cilin bëhet fjalë aq shumë në historiografinë dhe letërsinë e dy fqinjëve shekullorë – serbëve dhe shqiptarëve. Përderisa Betejën e Kosovës e serbët e shpallën luftë të drejtë, shqiptarët e konsiderojnë si luftë të koalicionit ballkanik ku për herë të parë i kishte bashkuar një e keqe e madhe. Derisa serbët Mitin e Kosovës e ngritën si çështje ekzistenciale të serbizmit dhe me Zjarrmi duan të dëshmojnë autoktoninë e tyre në tokë të huaj, shqiptarët nuk vuajnë nga ky kompleks. Përmes Mitit të Kosovës shqiptarët përkujtojnë fatkeqësitë sa herë ndodhën, popujt e këtij rajoni harronin hasmëritë. Te shqiptarët ky Mit shpie te mirëkuptimi, bashkëjetesa e paqja. Këtë nuk e pranon ana serbe për qëllime hegjemoniste.
“Mbretëria e Osmanlinjve”, një çelës i artë, me hapte derën e rëndë të vilajetit të errët dhe më nxiste të rilexoj shumë vepra që i kisha hedhur në një qoshk të bibliotekës familjare. Mallkoja krijuesit ballkanikë se kishin lëshuar një shans jetike të forconin bashkëjetesën në rajon. Shkrimtari ynë i shquar me famë botërore, Ismail Kadare; iu qas të kaluarës me një sensibilitet të ri e vërtetësi historike, duke respektuar e çmuar edhe përpjekjet e të tjerëve në shtegtimin nga drita e largët e vilajetit të errët. Ngjashëm kishte vepruar edhe historiani i nderuar austriak Joseph von Hamer. Njëzet vjet kishte kaluar nëpër arkivat e osmanlinjve, të kërkonte të vërtetën për atë se ç’kishte ndodhur në Ballkan në kohë të shkuara.
Përkundër përpjekjeve të krijuesve dhe intelektualëve shqiptarë për të vënë dialog paqësor me krijuesit serbe, gjenocidi kulturor e fizik në etninë shqiptare në Jugosllavinë e mbeturinave vazhdoi të marrë përmasa katastrofike edhe për vetë rajonin. Se deri ku kishte arritur paranoja dhe radikalizimi i një politike mesjetare serbe e ilustron mjaft mirë një barsoletë, e cila qarkulloi: Ç’bën serbi kur nuk ka para? Shkon në Kosovë, vret ndonjë shqiptar dhe pret Sheshelin t’ia dërgoj 50 marka të marra nga shqiptari i vrarë! Kjo e vërtetë e hidhur, më tepër tragjike për vetë politikën shtetërore serbe, na kujton një këshillë bizare të kohës së Pashiqit: Të lindni fëmijë sa vritni shqiptarë! Nuk kam koment për këtë marrëzi njerëzore. Dhuna e krimi u zhvilluan në kontinuitet, në mënyrë të paramenduar.
Shkaktarë të një gjendjeje të tensionuar, jo vetëm në hapësirën shqiptare, para se gjithash janë ishin elaboratet e memorandumet e shkrimtarëve serbë, ku nxitën dhunën dhe eksode biblike. E tmerrshme është kjo, kur qetësia e Evropës na ishte false. Popullin dhe kulturën tënde ta duash është gjë e shenjtë, as nuk jam kundër atyre që bëjnë programe nacionale. Kundërshtoj ata që rrënojnë qetësinë e njeriut. Populli im nuk pranoi dhunën si mjet për zgjedhjen e konflikteve.
Shtrohet pyetja: Mund t’i iket një katastrofe të mundshme dhe të na kthehet paqja në trojet tona? Apo më parë t’i shkundim nga demonët Kokat e fjalët. Atdheu ynë më i sigurt është Njeriu.






