Pasojat e diabetit kur shfaqet pa shqetësime e simptoma të dukshme

Rrallë ndonjë sëmundje tjetër sa diabeti arrin të prekë e të dëmtojë aq heshturazi e ngadalë thuajse të gjitha organet kryesore të trupit pa përjashtim, dhe sidomos enët e gjakut. Çudia është se vetëm pak të sëmurë me diabet e dinë këtë të vërtetë dhe akoma më të paktë janë ata që e besojnë. Diabeti arrin mjaft shpesh t’i mashtrojë viktimat e tij. Kjo vjen prej mos dijes, mosnjohjes se tij. Shumë të sëmurë nuk e dinë që diabeti krijon ndërlikime. Nuk i njohin ato, madje dhe kur vuajnë prej tyre, nuk u shkon mendja t’i lidhin me të. Të prekurit gënjehen nga forma apo paraqitja e “ butë “ e diabetit. Ata kujtojnë se vetëm diabeti i “rëndë” “ai që mjekohet me insulinë” është i rrezikshëm, kurse diabeti “i lehtë” pa shenja, me glicemi jo shumë të lartë është jo i dëmshëm. Për vite me radhë diabeti rri i fshehur pa dhënë shenja e shqetësime të dukshme.

Pasojat e diabetit

Kur diabeti nuk mjekohet mirë, apo më keq akoma, kur nuk mjekohet fare, shfaq ndërlikime të tjera në shëndetin e njeriut. Diabeti i pa mjekuar ose i mjekuar keq krijon në mënyrë të sigurt ndërlikime. Ato janë të shumëllojshme. Sipas kohës së shfaqjes mund të ndahen në ndërlikime të mprehta (akute, urgjente të shpejta), dhe në ndërlikime të largëta, apo të ngadalshme, të cilat mund të grupohen në tri kategori të ndryshme: ndërlikime që shfaqen në enët e imta të gjakut, në kapilarët e arteriet me kalibër shumë të vogël; ndërlikime aterosklerotike në enët e gjakut me kalibër të madh; infeksione e dëmtime në inde e organe të ndryshme të organizmit.

Dëmtimi i arterieve

Ndërlikimet që krijohen nga dëmtimet e kapilarëve të gjakut dhe arterieve të vogla, janë më tipiket për diabetin. Ato shfaqen zakonisht 3-10 vjet pas fillimit të tij, por vetëm në ato raste kur mjekimi nuk është bërë në mënyrë të kujdesshme e të vazhdueshme. Sa më i vjetër të jetë diabeti, sa më shumë vjet të jetë i sëmuri me hiperglicemi, sa më e lartë të jetë niveli i saj pra sa më i çrregulluar të jetë diabeti, aq më të shpeshta , me te përhapura e më të rënda do të jenë këto dëmtime. Preket e dëmtohet sidomos i tërë rrjeti kapilar, i cili është i përhapur në të gjitha pjesët sado të vogla të organizmit, në të gjitha organet, duke shkaktuar çrregullime në funksionin e tyre. Keqësimi i mëtejshëm i gjendjes mund të pengohet vetëm me një masë të thjeshtë, ekuilibrimin e mirë e të qëndrueshëm të diabetit dhe me luftimin e disa faktorëve të tjerë rendues, të tille si duhani , dhe sidomos normalizimi i tensionit të lartë të gjakut.

Diabeti dhe presioni i gjakut

Rritja e presionit të gjakut që shfaqet që në fazat e para kërkon kufizimin e rreptë të kripës në ushqim dhe mjekim të veçantë e energjik. Përndryshe ai ndikon nga ana e tij për të rënduar dhe më shumë ecurinë e ndërlikimit. Ata të sëmurë që mjekohen në mënyrë të rregullt i kanë të gjitha mundësitë ta frenojnë e ta ndalojnë deri këtu procesin. Përkundrazi ata që bëjnë mjekim të çrregullt dhe formal shkojnë drejt shfaqjes së edemave (enjtjes), dëmtimeve të rënda të funksionit të veshkave, me rritje të shifrave të azotemisë dhe kreatinemisë, të cilat kërkojnë domosdoshmërisht mjekim të specializuar e të ndërlikuar.
Tabela
Disa këshilla që duhen ndjekur nga diabetikët dhe simptomat
1- Të sëmurët me diabet kanë dhimbje barku

2- Frymëmarrje të ngadalta e të thella

3- Prani e ketoneve në gjak dhe në urinë

4- Pacientët me diabet duhet të kontrollojnë peshën

5- Duhet të kufizojnë sheqernat e rafinuara

6- Duhet të rrisin sasinë e fibrës në dietë

7- Yndyrat duhet të jenë vajra me një lidhje dyfishe

8- Duhet t’i shtojnë dietës së tyre arra

9- Efikase edhe bajamet
Ilaçet më të përdorura për diabetikët

Janë një sërë medikamentesh që përdoren për kurimin dhe luftimin e diabetit, edhe pse ai nuk mund të shërohet plotësisht. Veprimi i Tiazolidinedionet, është i menjëhershëm, por në disa raste mendohet se ulin rezistencqn periferike ndaj insulinës. Kundër diabetit përdorët edhe Glinidet, një lloj bari që shkakton sekretim të shpejtë të insulinës. Këto ilaçe merren para buke dhe ndihmojnë në kontrollin e glukozës postprandiale, pra pas ngrënies. Ndërsa Akarboza është frenues i alfa-glukozidazës intestinale që ngadalëson ritmin e përthithjes së glukozës në gjak. Në fakt rreth 29 për qind e diabetikëve të tipit 2 mjekohen me injeksione insulinë. Diabeti tipi 2 me anë të dietës dhe ushtrimeve fizike nuk duhet të arrijë në këtë pikë të injeksionit të insulinës.
Insulina e lartë në gjak shkakton hipoglicemi

Sulfoniluret, janw ilaçe që bëjnë të mundur stimulimin e pankreasit, duke rritur në këtë mënyrë sasinë e insulinës që derdhet në gjak. Kjo insulinë shtesë e detyron glukozën të hyjë në muskuj me sforcim. Problemi me këtë ilaç është se ato nuk e rrisin ndjeshmërinë e organizmit ndaj insulinës, por ato rrisin thjesht sasinë e insulinës në gjak. Por disa diabetikë e kanë nivelin e insulinës shumë të lartë edhe pa e marrë ilaçin. Nivel që mund të shkojë deri në 5 herë më tepër se normalja. Procesi i rritjes së insulinës në gjak u shkakton shumë diabetikëve hipoglicemi, nivel të ulët të sheqerit në gjak. Për këtë arsye një nga pasojat e ilaçit është se të shtyn të hash sa më shumë. Disa diabetikë për shkak të uljes së nivelit të sheqerit në gjak kanë pasoja si marramendje, hutim deri në humbje ndjenjash.
Diabeti trashëgohet nga gjenet, jo sëmundja

Sipas specialistëve, mosha ndikon shumë në shfaqjen e diabetit të sheqerit. Diabeti i tipit 1, zë rreth 10 për qind të të sëmurëve me diabet sheqeri, ndërsa diabeti tip 2 zë një përqindje më të vogël se i pari dhe është më i shpeshtë se ai. Në kuptimin e përgjithshëm mjekësor nuk trashëgohet diabeti si sëmundje, por ekziston predispozicioni për t’u sëmurur. Trashëgohen gjenet që mbartin vetitë e organizmit, qoftë ato të sëmura. Që ky predispozicion që trashëgohet të bëhet diabet sheqeri, duhet që tek njerëzit të ndikojnë disa faktorë mjedisorë. Sipas studimeve të bëra, në botë në vitin 2025 do jenë rreth mbi 300 milionë diabetikë, ndërkohë që numërohen rreth 170-180 milionë të tillë. Në vendin tonë numri i diabetikëve ka arritur në rreth 2-3 për qind.
Diabeti prek edhe arteriet e zemrës

Përveç çrregullimit të sheqernave, në diabet çrregullohen yndyrat, kripërat dhe çrregullohet metabolizmi i lëndëve. Kjo sëmundje jep ndërlikime akute të menjëhershme dhe ndërlikime kronike që zgjasin gjithë jetën. Në mënyrë të përgjithshme ndërlikimet vijnë si pasojë e uljes apo e ngritjes së sheqerit në gjak, dhe kur këto janë të menjëhershme, të sëmurët bien në gjendje kome ose në gjumë të thellë. Por sëmundja e diabetit ndikon gjithashtu dhe prek arteriet e zemrës, nga ku mund të shfaqen edhe infarkte, të cilat janë sëmundje tepër të rrezikshme ose kur dëmtohen arteriet e këmbës, shfaqet gangrena e këmbës, kur dëmtohen arteriet e syrit, shfaqet një ndërlikim nga i cili sëmuren të dy sytë edhe i sëmuri mund të humbasë edhe shikimin, si dhe dëmtohen arteriet e veshkës.