Opsionet e Thaçit e të Haradinajt

Opsionet e Thaçit e të Haradinajt:
ADRIATIK KELMENDI
MBASE MË PARË se gjithçka tjetër, një koalicion i ri qeverisës pritet të krijohet në vjeshtë, për shkak të rrezikimit të votave në Kuvend të koalicionit të tashëm jo vetëm për tema të mëdha që priten të hidhen në tryeza, siç është ajo për Veriun, por edhe nga ato më të thjeshtat. Brishtësia e tashme e koalicionit PDK-KKR-komunitetet u kristalizua qartë edhe për ata që deri më tash kanë pasur ndonjë dyshim ne seancën e fundit pranverore të Kuvendit. Përjashtimi nga AKR-ja, eventualisht koalicioni qeveritar i Emin Gërbeshit, kritikat më të fuqishme të Limajt nga foltorja e Kuvendit për qeverinë e “Thaçi 2”, pastaj klanet e ndryshme brenda vetë deputetëve të PDK-së (veteranët/themeluesit, të rinjtë besnikë të Thaçit, ish-të burgosurit politikë, SHIK-u…) flasin pa ekuivoke se kjo qeveri gjithnjë e më tepër do ta ketë të vështirë që për çfarëdo nisme qoftë të sigurojë shumicën.

Dihet mirëfilli se kur numrat janë në tetik, ashtu siç mendohet t’i ketë tash kjo qeveri në Kuvend, atëherë edhe vendimmarrja ndërlikohet aq shumë sa që mund të shkojë në kufij të bllokadës qeveritare.

Në qoftë se “votat e sigurta” të qeverisë sillen prej 59 deri në 63, atëherë çdo deputet do ta ndiejë veten mjaftueshëm të fuqishëm për ta shantazhuar Kryeministrin Thaçi për çfarëdo teke të interesit personal. Plus, që secili deputet i koalicionit të tashëm është koshient se partitë qeveritare nuk e kanë më luksin të përjashtojnë ndonjërin nga grupet parlamentare gjë që imponon negociata të mundimshme për gjithçka me “deputetët e fuqizuar”.

Një situatë të këtillë nuk do të mund të shihet si e pranueshme për Thaçin, por as për shtetet që do të kërkojnë hapa të vendosur të qeverisë për të avancuar në dialog me Serbinë dhe procesin e liberalizimit të vizave.

Teksa nga të gjitha palët, hiq “Vetëvendosjen”, zgjedhjet e parakohshme shihen si të padëshirueshme tash për tash, më reali duket opsioni i zgjerimit të koalicionit edhe me një subjekt politik.

Këtu hyn në skenë AAK-ja.

E ME DHE RRETH AAK-së thuaja gjithçka varet nga verdikti që do të japë Tribunali i Hagës për Ramush Haradinajn. Mirëpo, cilido që të jetë ky verdikt, rrethanat nxjerrin një skenar si më të mundshmin – atë të hyrjes në qeveri.

Në qoftë se Haradinaj do të lirohej si i pafajshëm, atëherë do të lehtësohej hyrja e AAK-së në qeveri, por me një çmim shumë të madh – postin e Kryeministrit. Ky ka qenë përherë opsioni i dakorduar i pjesës më të madhe të kësaj partie: koalicion me këdo, por me Haradinajn si Kryeministër.

Thaçi edhe do të mund ta pranonte tash këtë kusht, me synimin që të siguronte për vete postin e Presidentit. Në këtë opsion do të pritej të nevrikoste partnerin e tashëm, Behgjet Pacolli, i cili sigurisht se s’do të kishte gjasa më të realizonte ambicien e të qenit president, përballë një Thaçi të nominuar bashkë nga PDK e AAK. Mirëpo, pavarësisht se a do të vazhdonte Pacolli të ishte zv.kryeministër ose jo personalisht, kjo nuk do të nënkuptonte domosdoshmërisht edhe daljen e koalicionit partiak KKR nga qeveria.

Po ashtu, partnerët e koalicionit të ri qeverisës do të mund të siguronin edhe dy të tretat e votave dhe ndonjë “shkelje të rëndë” të zonjës Jahjaga rrugës, që ta shkarkonin atë sipas procedurave të parapara në Kushtetutë.

Paralelisht, një Haradinaj i lirë dhe me plot energji të akumuluar gjatë abstencës – me ndjenjën e njeriut, i cili vlerëson se i është privuar padrejtësisht një e drejtë për t’u dëshmuar lider – do të nënkuptonte një kërcënim të ri të pamatshëm për Thaçin. AAK-ja me Haradinajn e lirë, lehtë mund të shihej si alternativë dhe freski politike për zgjedhje të ardhshme, kur do të mund të merrte edhe nga 2-3 për qind të votuesve të zhgënjyer nga të gjitha partitë e tjera. E në qoftë se nuk do të lidhte koalicion me PDK-në, atëherë natyrshëm do të mund të lidhte me konkurrentët e të parëve – LDK-në.

Kështu Thaçi do të ndodhej para dilemës: më mirë President tash, apo opozitë nesër?!

NË ANËN TJETËR, në qoftë se në ndonjë mënyrë, Haradinaj do ta shpallej fajtor nga Tribunali dhe kështu do t’i pamundësohej marrja e drejtpërdrejtë me politikë, atëherë kjo situatë do të ishte mbase edhe më imponuese për AAK-në që të hyjë në koalicion qeveritar.

Pa Haradinajn, partia e cila i ka vuajtur gjithë këto vjet krize e mosshfrytëzimi të kapaciteteve të plota, do ta kishte të vështirë të ruante unitetin e brendshëm dhe të rritej në zgjedhje. Kjo tashmë është dëshmuar edhe me rënien e rezultatit zgjedhor në zgjedhjet e fundit, krahasuar me ato lokale më herët, si dhe me ikjen e disa anëtarëve si dhe një nënkryetari, siç ishte rasti i Naim Malokut.

Pa Haradinajn si kryetar i plotfuqishëm i partisë, çdo opsion tjetër do të ishte më i pafavorshëm se të përmendurit më lartë. Një AAK me anëtarësi dhe elektorat të dëshpëruar do ta kishte të vështirë të parandalonte rënien në zgjedhje dhe do të kishte para vetes një mundësi ndoshta të vetme për të ardhur në qeverisje, siç do të ishte një koalicion parazgjedhor me LDK-në, ose me LDK-në dhe “Vetëvendosjen” bashkë.

SIDOQOFTË, ËSHTË E sigurt se nxehtësia klimatike e këtyre muajve të verës do të vazhdojë me nxehtësi politike në vjeshtë. Dhe shumë nga aktorët politikë të këtyre vjetëve të pasluftës do të detyrohen të marrin vendime të rënda, ndër më të rëndat, por të domosdoshme, për të ardhmen e tyre politike.

Na mbetet të shpresojmë se do të mendojnë me të njëjtën rëndësi edhe për të ardhmen e vendit.