“The Guardian”
Të gjithë vëzhguesit pranojnë se regjimi do bjerë. Por, a kanë fqinjët e Sirisë fuqinë e nevojshme për të krijuar një shtet të bashkuar dhe të qëndrueshëm? Historia po ecën me hapa të shpejtë në Siri, po në ç’drejtim? Vrasja e krerëve të aparatit të sigurisë dhe ushtrisë javën e kaluar ishte një hap i madh prapa për regjimin. Sulmet erdhën në një moment vendimtar, teksa elementë të Ushtrisë së Lirë të Sirisë po përpiqeshin të vinin regjimin nën presion pikërisht në fortesën e tij, në Damask. Morali ka shënuar rritje në kapin kundërshtar me regjimin, dhe grupe të tjera iu bashkuan betejës, duke çliruar kështu qytete të ndryshme dhe pika kufitare. Por, ushtria qeveritare mbetet ende e fortë, sikundër edhe milicia (e njohur si shabiha) e cila është e angazhuar drejtpërsëdrejti në sistemin pushtetar të Presidentit Bashar Al-Asad. Tanimë ngrihen pyetjet lidhur me fatet përfundimtare të betejës, edhe pse faktet nga terreni tregojnë se të dyja palët dëshirojnë të luftojnë deri në fund. A do të vazhdojë ushtria të shoqërojë Asadin, të vëllanë Maherin dhe kushërinjtë Hafez dhe Rami Makhlouf- personat realë që udhëheqin luftën, jo ata që u vranë në sulmin me bomba në zyrat qendrore të sigurisë? Apo mund të ndërmjetësohet një armëpushim mes ushtrisë së rregullt dhe ushtrisë së “lirë”, me apo pa ndihmën e vëzhguesve ndërkombëtarë? Ajo që e vështirëson një armëpushim të tillë është shabiha, rekrutuar në nivele fisnore dhe të komunitetit, po aq sa edhe grupe të tjera opozitare të drejtuara nga hakmarrës suni, apo persona me ideologjinë e Al-Kaedës, të cilët mbështeten nga fuqitë rajonale. Të parët kanë filluar të nisin familjet e tyre nga qytetet e mëdha drejt fshatrave apo fortesave lokale. Të dytët po përfitojnë nga kaosi i përgjithshëm për të kryer vrasje mbi baza sektariane, sikundër janë vrasjet e fundit në shiitëve në Saida Zeinab. Të dy këto grupe mund ta çojnë Sirinë drejt një spirale dhune me bilanc viktimash tepër më të lartë nga ky i 16 muajve të fundit, dhe drejt një ndarjeje të vendit bazuar në dominancat lokale. Në këtë kontekst, situata e kurdëve në veri-lindje të Sirisë është ekzemplare. Teksa deri më tani niveli i dhunës në këtë rajon ka qenë tepër më i ulët, tanimë po krijohen njësite militare kurde; thirrjet për vetëvendosje të kurdëve do të jetë e vështirë të pajtohen me thirrjet e të gjitha grupeve opozitare për një Siri të së ardhmes me të drejta të barabarta për të gjithë. Këto zhvillime vijnë në një periudhë kohore me aktivitete intensive diplomatike. Marrëveshja e 30 qershorit në Gjenevë për tranzicion në Siri duhej të kishte lehtësuar “luftën për Sirinë” mes superfuqive, duke vendosur për rrjedhojë presionin mbi fuqitë rajonale për sigurimin e një tranzicioni të butë. Por, befasisht, SHBA-ja ka zgjedhur shkallëzimin, dhe një ditë pas vrasjes së shefave të sigurisë në Damask, ajo i kërkoi Këshillit të Sigurimit të vendoste sanksionet e kapitullit të shtatë ndaj një shteti që tashmë po kapitullon - ndonëse kjo nuk pati shans të adaptohej, dhe ndaj së cilës si përfundim u vendos veto nga ana e Rusisë dhe Kinës. Sigurisht që pozicioni i Rusisë mund të rroket në kuptimin që ata preferojnë ta humbin Sirinë si një aleat në vend që të shihen tek e braktisin. Por, ai gjithashtu mund të nënkuptojë se ata mendojnë që ky qëndrim mund t’u japë mundësinë që të luajnë një rol të rëndësishëm në një forcë ndërkombëtare paqeruajtëse që mund të jetë e domosdoshme për të shmangur një luftë civile tërësore pas kolapsit të plotë të institucioneve shtetërore siriane. Rusët e dinë, sikundër amerikanët edhe të tjerët, se regjimi sirian tashmë është “rrëzuar” dhe se Asadi duhet të largohet. Të gjithë grupet opozitare u dakorduan për këtë në konferencën e këtij muaji që u mbajt në Kajro. Ajo që është në pikëpyetje është se çfarë do të ndodhë më pas. Pyetja që duhet shtruar është nëse SHBA-të duan një Siri të bashkuar dhe të qëndrueshme, pas një periudhe të gjatë tranzicioni. Dhe a ka mjetet e duhura për të diktuar një përfundim të tillë nëpërmjet fuqive në zhvillim të rajonit si Katari, Arabia Saudite dhe Turqia? Një pjesë e madhe e popullsisë siriane tashmë është shkëputur nga regjimi aktual. Disa madje edhe mund të imagjinohen tek bëjnë thirrje për bombardim turk apo izraelit vetëm si e si të heqin qafe Asadin; ndërsa Irani dhe Hezbollahu janë transformuar në mendjen e popullatës nga aleatë strategjikë në armiq. Por a do të jetë i mjaftueshëm largimi i Asadit për emirët katarianë dhe sauditë, si dhe për AKP-në, partinë që udhëheq në Turqi? Apo ata kërkojnë më shumë? A mund të pranojnë ata një Siri të bashkuar që në thelb në ruajë bazat e një shteti sekular me të drejta të barabarta për të gjithë qytetarët? A do ta pranonin ata një shtet të tillë, të fortë, demokratik dhe të lirë, qoftë edhe pas një tranzicioni të gjatë? Kjo mbetet e paqartë.





