Nga Prof. Bashkim Kuçuku
![]() |
| Nga Prof. Bashkim Kuçuku |
Duke qenë mishërim emocional i pakënaqësisë revoltuese ndaj situatave qeniesore me zgjidhje dëshpëruese, që ka përjetuar poeti dhe bashkësia e tij, vetiu ka qenë e paracaktuar të ruajë, në konturet e përgjithshme, gjedhen e vet jetësore, trajta letrare e së cilës terminologjikisht quhet «ironi e situatës». Në to është edhe veçanësia shqiptare, d.m.th., shkuarja në të kundërtën paradoksale e absurde të proceseve historike mbarëvajtëse. Më tepër se brendi, shprehje dhe strukturë zotëruese/ dominante, ajo është një bashkëbanuese dysi-dyfishësi (dualité-duplicité, term i marrë nga teoria e ironisë), 1)
që përshkon ligjëratën lirike, herë më shumë e herë më pak, duke ndërfutur në të shtresa të tjera domethëniesh dhe trajtash, ngjashëm me poezinë moderne e pasmoderne të gjuhëve të tjera. E shtyrë në thellësi, nën horizontalen e saj, në metaforat e strukturat dytësore, ose, edhe tretësore, nuk është lehtësisht e kapshme. Ironia e fjalës, sidomos nëpërmjet llojeve të ndryshme të oksimorit, nga përftesat më dalluese, e thukët dhe tepër e thukët, ndërthurret me atë antitetike të dukurive të absurdes me logjikë sintaksore paradoksale.
Një lidhje parabolike midis vëllimit Torzo dhe Lulet e të Keqes
Kemi guxuar të lidhim e përafrojmë titullin Torzo të Ali Podrimjes me Lulet e të Keqes të Bodlerit. Largësia kohore një shekull e gjysmë, ndryshimet tepër të mëdha midis dy kulturave që i kanë lindur, sidomos nivelet shumë të pabarabartë të poezisë frënge, avangardë dhe përftuese e gjedhes mbarevropiane, që arriti përsosmërinë, pikërisht, me Lulet e të Keqes (1857), dhe, poezisë shqipe me arritje modeste të të njëjtit lloj, e gjithësesi dinjitoze, të gjitha këto e bëjnë, në dukje, të guximshëm përafrimin, edhe pse, sikurse do të shihet, ka një bazë jo të parëndësishme.
Në vëllimin Torzo, botuar më 1971 dhe ribotuar më 1979, janë përvijuar për herë të parë theksueshëm tiparet e saj të modernitetit bashkëkohor, ndër to edhe ironia, thelbin filozofik të së cilës e ka zbërthyer i ndjeri Ibrahim Rugova. 2)
Sinteza bodleriane, më e madhja prej atëherë dhe deri sot, ndikuese në gjithë poezinë evropiane, është ndërtuar mbi një oksimor, ashtu siç është struktura më karakteristike e ironisë bodleriane dhe njëherësh moderne. Lule + keqe. Dy të kundërta, njëra në trajtën e simbolit të bukurisë, brishtësisë, jetës me kënaqësitë e saj- lule, tjetra me shprehje të drejtpërdrejtë e përmbajtje të rëndë, tepër negative, shkallarja më e lartë e saj, pa asnjë përmasë, absolute e kozmike. Këto nuk janë të bashkëngjtura, por të njësuara e të shkrira, vazhdimësi me lidhje vartësie e përcaktueshmërie. E keqja është shkaku mëmë, dhe këto lule janë pasojat, fryte të saj. Në tërësinë e saj, poeti ka zgjedhur lulet- mishërimet më të përkryer- për të thurrur kurorën e titullit. Poetizimi i saj në kulm është edhe burimi kryesor i ironisë.
Torzo në shqip shkurtimisht do të thotë i gjymtuar, dhe, në mënyrë të plotë: figurë njerëzore e gjymtuar, pa kokë e pa gjymtyrë, mbetur vetëm tors, gjoks. 3) Ndërsa letrarisht, dhe, në përgjithësi, figurativisht, sipas konceptit të skulpturës, është simbol i gjymtimit, pra, dhe i shëmtimit. Torzo, kuptimi thelbësor i vëllimit, është vetëm pasojë, e shkëputur nga shkaku. Poezia Torzo gjithsej ka tre vargje:
Gjithkund kaloj e kurrkund s’jam
Në ndonjë kohë po më takuat ndonjëherë
Ju lutem mos më lerëni pa emër
(Torzo) 4)
Vargu përfundues dhe më i rëndësishmi, gati proverbial: ju lutem mos më lerëni pa emër është thirrje kushtruese e lutëse njëherësh për të ruajtur identitetin, për të mos e humbur apo për mos t’i a tjetërsuar askush.
Si çdo gjymtim e shëmtim, edhe ky është pasojë e një të keqeje. Edhe pse rrethanat përftuese, ndryrë edhe në brendinë e vet, janë krejt të ndryshme me ato bodleriane, prapëseprapë, janë pjesë e të njëjtit koncept filozofik e moral- të të keqes. Kjo është themelorja. Shkaku i torzos është gjymtimi i bashkësisë njerëzore e të hapësirës së identitetit të autorit, si dhe i identitetit njerëzor kudo. Në rrafshin letrar, edhe Ali Podrimja ka poetizuar e ngritur në simbol gjymtimin, të keqen më të madhe që i ka ndodhur identitetit të bashkësisë së vet dhe të identitetit njerëzor. Përftesa është gati e njëjtë. Në këtë kuptim, Torzo mund të merret një nga lulet e asaj «të keqeje» që shpalosi Bodleri përmes ironisë, në mesin e shekullit XIX, dhe si «epidemi», në kushte të ngjashme apo të afërta, kryesisht, nga gjendja psiko-emocionale, deri diku, dhe shoqërore, u ngjiz në vetëdijen e dhjetra poetëve të brezave pasardhës, dhe çeli e lulëzoi në veprat e tyre në gjuhët më të ndryshme, e, natyrisht, dikur dhe aty-këtu, buthtoi edhe në poezinë shqipe.
Nga analiza e thjeshtë e kalimthi duket, se, lidhja parabolike që guxuam të bëjmë mes titujve të dy vëllimeve, shkëputur nga tërësia, nuk është e kërkuar, përkundrazi, po të hyhet sadopak në thellësi të brendisë së tyre, besojmë, se, do të mund të jetë në thelbin, veçanërisht në splinin 5) e përhershëm, më saktësisht për të, në trishtimin e përhershëm dramatik, dhe, në tipare të ironisë, që tall nëpërmjet njësimit të vazhdueshëm të të kundërtave, dhe, në radhë të parë, përmes paradokseve të absurdes.
II. Dinamizmi i përftesave dhe i figurave të huazuara prej arteve të tjerë
Dinamizmi, ngjeshja e fortë e mendimit, si veçori dalluese e stilit të tij, përveç shfrytëzimit të madh të epshmërisë së fjalës e të shprehjes shqipe, herë-herë përforcohet edhe me anë të përftesave dhe të figurave të huazuara nga arte të tjerë: skulptura, sikurse u pa (Torzo), piktura (Pikë e zezë në blu) dhe filmi.
Dinamizmi i titullit Pikë e zezë në blu 6) shprehet me anë të figuarve të pikturës, me lojën e ngjyrave.
Sintagma simbolike pikë e zezë është zhvilluar në dy poezi: Thika 7) dhe Pikë e zezë në blu. Në të parën, pikë e zezë është e barazvlefshme me thikën, sepse ajo midis dite është shndërruar në pikë të zezë. Emri pikë dhe cilësori e zezë kanë marrë domethënien e gjëmës, të fatkeqësisë së madhe, që i ka ndodhur subjektit lirik. Në shqip shprehja pikë e zezë ka kuptimin ç’na gjeti, ç’fatkeqësi e madhe!
Gjëma e tij janë skajet që i mori Evropa, verbimi i perëndive, trupi i vet i gozhduar, e, përmbylltas gllabërimi. Të gllabëron pikë e zezë, theksohet në finale të saj.
Në të dytën, Pikë e zezë në blu, objekti metaforë apo simbol, njëherësh pësuesi, është çakalli, shëmbëlltyra e grabitqarit të fortë, por më shumë dinak nga që nuk i mposht dot pretë e fuqishme, siç e ka instinktin e lakmisë. Pika e zezë ose gjëma e tij është humbja e hapësirës dhe e mundësive të veprimit, sepse i a prenë edhe degën e fundit, humbja e drejtimit dhe guri i turpit, njësuar, gjithashtu, edhe me rënien nga lartësia në cirkun nacional, me rrëzimin dhe dështimin në guximet e rrezikshme.
Pika e zezë tek poezia Thika, është vetëm gjëma e subjektit lirik, që i morën skajet e vendit, kurse tek poezia Pikë e zezë në blu ka edhe shkallëzimin cilësues-në blu. Subjekti lirik në të ironizon shëmbëlltyrën e çakallit, duke e përngjasuar më fort me qenin e lidhur në zotërimet e dikujt, por, ndryshe nga të tjerët, ky nuk ka as ku të lidhet se ka mbetur pa padron. Lidhja nga bishti (vargu: bishtin ku do e lidhë) – shprehje me ndjesi përbuzëse, e jo nga qafa e kokës, lidhja e zakonshme e qenve, është zhvlerësimi i tij i plotë.
Vargu tepër i rrasët- Pikë e zezë në blu përmbledh në një pasojat e viktimave të të dy poezive, veçse subjekti lirik-viktimë i Thikës është shndërruar, këtë herë, në ironizues, që nënkupton edhe të shpëtuarin. Pikë e zezë në blu do të mund të thuhej, se më tepër është ëndrra dhe gjendja e të shpëtuarit, e cila po ndryshon për mirë, duke kaluar nga e zeza në blu. Vargu ironizues çakall i mjerë, në fund të strofës së parë dhe në klauzulë, i kthyer në leitmotiv nëpërmjet përsëritjes dhe funksionimit në pikat kyçe strukturore i jep krejt asaj ngjyresën e vet. Kalimi i të zezës në blu mishëron një lëvizje të madhe, përmbysjen e mbrapështisë në historinë e shqiptarëve, shndërrimin e pikës së zezë, të gjëmës a të thikës në blu, pra, nëpërmjet ndërkalimit të ngjyrave, me kahje nga zbardhja, çelja, kthimi nga mbarësia.
Poezia Ekstaza 9) është strukturuar në ngjashmëri me kolazhin e sekuencave filmike, duke bashkëngjitur pamje të shkurtra, sipërfaqshmërisht gjoja fragmentare, prandaj, edhe me një dinamizëm të theksuar mendimi.
Titulli i saj të kujton Ekstaza pranverore të Migjenit. Në një kundërvënie, edhe pse autori, ndofta, nuk e ka paramenduar, mund të merret edhe si ironi me të, duke vetëplotësuar, se rrethanat jetësore e krijuese të Podrimjes janë më dramatiko-tragjike, se të Migjenit.
Ekstaza
vetëm dola
Muret kahmot u shurdhuan
e sytë katërsh u bënë në këtë natë dhelprash
ti pse s’ma thua një fjalë
po rri e më shikon si përplasem nëpër botë
pse s’ma thua një fjalë të urtë
që zemrën shëron, që sezame të panjohura hap…
pëllumbat janë zogjtë më të lumtur
qielli për ta askund s’mbaron
Njerëzit dashurohen në ta
dashurohen në fluturimin e tyre
të mbyllur në kaltri: larg Botës e Kobit
po Ty si të quajë
më është tekur emri yt si vdekja o e paemër
as me zjarr s’po mund të hedh jashtë kohës-kokës
në mua si lumë gjaku yt rrjedh
po ti ku je?
gjërë e gjatë jam shtrirë në livadh Pëllumbat
pse edhe ne s’i kemi krahët e dashuritë e tyre
në kaltri të ngjitemi njëherë
larg Botës e Kobit o e paemër
pastaj të vdesim pas fluturimit të vdesim në një det
të hapët
- Ekstaza- dëshpërimi
Titulli të përgatit për emocione kënaqësie, gëzimi, lumturie, ndërsa teksti në tërësi, me gjendjen dhe bëmat e subjektit lirik të dëshpëruar, e përgënjeshtron semantikën e tij.
- Subjekti lirik është i vetmuar.
- Muret kahmot janë shurdhuar, nënkuptohet nga mungesa e njerëzve.
- Sytë në këtë natë dhelprash bëhen katërsh.
- Përplaset nëpër botë.
- Me zemër të sëmurë pret të hapë sezame të panjohur.
- Pa ndihmën shpëtimtare e tepër të dëshiruar të një subjekti tjetër lirik, të një Ty-je të apostrofuar.
- Në mungesë të lumturisë së lirisë ëndërron me çmimin e vdekjes fluturimin në kaltri bashkë me Ty-në.
Një gjendje e tillë, natyrisht, nuk është ekstazë, njëmendësisht është dëshpërim. Ekstaza e mundshme është në dëshirën-ëndërr për të fluturuar.
- E paemra, pjesë e vetes, prejardhja, identiteti
Në rrafshin kryesor të poezisë funksionojnë dy subjekte lirikë, njëri në trajtën Unë, që flet dhe vepron, tjetri në trajtën Ti, krejt pasiv e pa zë, në marrëdhënie moskomunikimi të plotë, sintetizuar thukshëm nëpërmjet disa paradokseve të shkallëzuar, pa rregullsi, thënë ndryshe, me rregullsi të prishur qëllimisht për t’i përforcuar.
Apostrofa e Unë-it fillon me ankesën lutje: ti pse s’ma thua një fjalë, vetkuptohet inkurajimi e ndihme, dhe zhvillohet me shpejtësi në vargun pasardhës, duke u ashpërsuar me qortim e hakërrim për mospërfilljen e papërgjegjësinë e saj, që rri e më shikon si përplasem nëpër botë. Ti-ja e ndërfutur papritmas, menjëherë pas paraqitjes së gjendjes së Unë-it në tre vargje, nuk karakterizohet në tiparet e veta, duke lenë përshtypjen e njohjes shumë mirë të saj a të vazhdimit të një monologu të mëparshëm për të. Në vargun tjetër, toni i zbutur kthen përsëri gjendjen e lutjes dhe të përgjërimit për domosdoshmërinë e fjalës së saj të urtë (të mençur), që zemrën shëron, që sezame të panjohura hap…
Pas këtyre rrëfimeve intime vjen pyetja befasuese: po Ty si të (të) quaj(ë). Është pyetja më e zakonshme, rutinore, pasi nuk di si ta quaj, si t’ja vejë emrin asaj dhe bëmave të saj. Ligjërata nga majat e abstraksionit metaforik për qeniesinë zbret, kështu, në stereotipet e përditshmërisë, duke nxjerrë më në pah absurditetet e asaj kohe dhe të atij realiteti. Në krahasim me njohjen e hamendësuar të deritanishme të Ti-së, kjo pyetje, në pamje të parë, është jo logjike, paradoksale, gati e përçartur. Paradoksalizmi krijon ironinë, dhe për këtë është logjike, e natyrshme, në përftesën e vet. I bëhet e panjohur dhe e parëndësishme, sepse nuk ka asnjë fjalë të thënë dhe asnjë bëmë në dobi të tij. Po T y si të quaj(ë) është përshtatje e shprehjes bisedore: po kësaj (ti) si t’ja ve emrin, apo shprehjes ironike nuk të njoh se kush je, që mund të perifrazohet Si dhe pse të të njoh? Nuk je e denjë për mua. Strofa e gjashtë e plotëson me pyetjen tjetër, këtë herë retorike: po ti ku je?, d.m.th., nuk je dukur, nuk vepron.
Bijtë dhe bijat, ende të parritur, në çastet më të vështirë, përdorin thirrjen e mbushur me dhembje dëshpërimi «Mëmë/ atë, ku je? », e barabartë me thirrjen «ndihmë!», sikurse edhe prindërit, në moshë të kaluar dhe të pafuqishëm, thërrasin «Bir, ku je?» Edhe vet citimet bisedore dhe të llojeve të tjerë, sipas Umberto Ekos, përftojnë ironi. 10) Mosnjohja e saj përmbyset prej zbulimit patetik të lidhjes së brendshme të pashqitshme me të:
më është tekur emri yt si vdekja…
as me zjarr s’po mund ta hedh jashtë kohës-kokës
në mua si lumë gjaku yt rrjedh
Më është tekur emri yt si vdekja…, në përthyerjen ironike nuk është dëshirë çfarëdo e shkrepur dhe pa arsye të rëndësishme, e lexuar sipas semantikës gjuhësore. E shtjelluar në dy vargjet e tjerë, pa këtë lloj përthyerje, ajo shfaqet si domosdoshmëri e qeniesisë, e kohës, e rrethanave, e mjedisit, e procesit historik, e vet realitetit jetësor, dhe e kokës, e mendimit, e vetëdijes. Kushtet e mundësitë, le të quhen, objektive dhe subjektive, janë që, edhe ai, Unë-i të ketë emrin e saj, që i përket dhe e dëshiron. Këtë e ngre në sipërore shprehja vijuese metaforike: në mua si lumë gjaku yt rrjedh. Lidhja mes tyre është gjenetike, që në prejardhje. Gjaku i saj jo vetëm është i njëjtë e rrjedh në të, por, tanimë, është bërë lumë, pra, i shumtë, i shpejtë, i papërmbajtshëm. Në këtë kontekst, të tekurit si vdekja për emrin e saj merr edhe një kuptim tjetër. Ai është pasojë, kundërveprim ndaj pengimit për ta ruajtur emrin e saj, që, gjithashtu, është i veti, pasi njëjtësia e metaforës së gjakut, shqip e prejardhjes, është edhe njëjtësia e metonimisë së emrit, përkatësisht, të identitetit.
Pikërisht, kjo, me të cilën është e njëjtësuar gjenetikisht dhe identikisht, epitetohet, në trajtën thirrore, dy herë, o e paemër. Një strukturë antitetike e skajshme, prandaj dhe aq ironike. Të quash pjesën e vetes e paemër, e barabartë dhe me e panjohur, për mungesë bëmash, është kulmi i talljes dhe i vettalljes, nxitur prej dashurisë dhe dëshpërimit. Situata e të thënit është tejet dramatike, sikurse është situata jetësore në Botën e Kobit, me rrezikshmëri të madhe, ku jetojnë, e, megjithatë, Ti-ja nuk vepron. Prej saj lind edhe revoltë. O-ja e thirrores, duke tërhequr vëmendjen me anë të veçimit, e ve edhe më në dukje.
- Struktura e kolazhit filmik
Ironia e kësaj poezie është, kryesisht, e pamjeve me kohë të shkurtër leximi, e shprehjeve dhe e fjalëve të veçanta antitetike. Struktura e ligjëratës lirike është e larmishme, me tone të theksuar dramatikë dhe zhvendosje apo thyerje të saj, edhe nëpërmjet një subjekti lirik të tretë, pëllumbave, simbol i lumturisë së lirisë, pra, nëpërmjet tre zërave, edhe pse dy “të pagojë”, ngacmues të monologut të tij.
Brenda saj ka edhe tri zhvendosje, thyerje a fragmentarizime të mendimit e të gjendjeve në formë sekuencash filmike, që janë njëherësh edhe rrafshet e shpalosjes së ironisë. Vet përftesa e zhvendosjes së zërit në shkallare të ndryshme, sipas teorisë moderne është ironi.
Sekuenca e parë, që hap dhe mbyll poezinë, është edhe shtrati i saj. Subjekti lirik është i dëshpëruar, d.m.th., krejt e kundërta e semantikës së shenjuesit të titullit, ekstaza.
Sekuenca e dytë: pranëvënie antitetike e këtij subjekti lirik të dëshpëruar me lumturinë e lirisë së pëllumbave.
Sekuenca e tretë: zhgjëndrra e mungesë së lirisë, e përpjekjeve pa fryt, e vuajtjeve prometeike të subjektit lirik përballë pamundësisë së sendërtimit të dëshirës-ëndërr për të qenë i lirë bashkë me Ti-në e prejardhjes. Kjo është sekuenca njësuese, që i ve në një emërues edhe përbërësit e tjerë të ironisë.
4. Loja me shenjat grafike
Loja me shenjat grafike është ndër detajet e përftesës së përgjithshme ironike. Me germë të madhe janë shkruar gjithsej gjashtë fjalë, pa u nisur nga shenjat e pikësimit, pasi ato thuajse nuk janë përdorur: Muret, Njerëzit, Bota, Kobi, Ty, Pëllumbat, të cilat, me dy kahje të ndryshme, janë në antitezë simetrike, në sasinë numerike dhe në domethëniet e tyre.
- Njerëzit, e dashuruar me pëllumbat; 2. Ty-ja në vetvete, në absolut, mundësia e ndihmës dhe e shpëtimit të Unë-it, pa hyrë në marrëdhënie aktuale me të, pra, kur është e përveçme; 3. Pëllumbat. Tre nga përbërësit kryesorë të poetikës, të shkruar me germë të madhe dhe me përmbajtje semantike e domethënie pozitive, janë përballë: 1. Mureve, të shurdhuar- shkretim njerëzor; 2, 3. Botës dhe Kobit, të barazvleftësuar me anë të lidhëzes bashkërenditëse, shkruar edhe këto me të madhe, por me përmbajtje dhe domethënie negative. Barazpeshimin emocional e prish Ty-ja, kur shkruhet me t- të vogël (me të vogël shkruhen edhe trajtat e saj) dhe quhet e paemër (dy herë), pasojë e vlerësimit emocional në vartësi të marrëdhënieve aktuale me subjektin lirik, për shkak, se ajo është e heshtur, pasive, nuk e ndihmon dhe nuk e shpëton atë, ose ndryshe, përderisa është jo funksionale, e padobishme, pa bëma e vepra, e vogël dhe e përgjithshme. Ty-ja e metamorfozuar, njëherë e shkruar me të madhe dhe të gjitha herët e tjera me të vogël merr domethënie ironike, tallëse e zhvlerësuese.






