“Shumë vite pas luftës, pas martesave, fëmijëve, ndarjeve, librave, ai erdhi në Paris së bashku me gruan. E mori në telefon. Jam unë. Ajo e njohu menjëherë nga zëri. Ai i kishte thënë: Doja vetëm të dëgjoja zërin tënd. Ajo i kishte thënë: Jam unë, tungjatjeta. Ai ishte trembur, ai kishte frikë si më parë. Zëri i tij ishte dridhur papritmas. Dhe bashkë me dridhjen ajo kishte kapur menjëherë theksin e gjuhës kineze. Ai e dinte se ajo kishte filluar të shkruante libra, këtë e kishte mësuar nga e ëma, të cilën e kishte takuar në Saigon… Dhe pastaj ai nuk dinte çfarë t’i thoshte. Dhe pastaj i kishte thënë se asgjë nuk kishte ndryshuar, se e donte ende, se nuk do të reshte kurrë së dashuri, se do ta donte deri në vdekje…” Këto janë rreshtat e fundit që Marguerite Duras i shkroi në studion e saj të vogël, në apartamentin në rrugën “Neauphle-le Chateau” në Paris, në maj të vitit 1984, të romanit të saj të njohur “Dashnori”.
Për katër muaj rresht, në këtë dhomë, ajo ishte shndërruar në adoleshenten e bardhë, e cila përjetonte një histori dashurie me një burrë kinez. Ndërsa dritat shuheshin në rrugën përbri, në studion e Duras, në fletët e bardha të makinës së shkrimit, kishte nisur një nga pasionet më të mëdha të dashurisë, një pasion ku përmblidhej dëshira dhe dhembja, pamundësia dhe varfëria, copëza të vogla lumturie, dhe një oqean i madh ndarjeje që do të vinte më pas. Dhe të gjitha këto pulsonin në trupin e shkrimtares, e cila herë bëhej si ajo, dhe herë si burri kinez, që pavarësisht historisë dhe traditës së familjes së tij, që s’mund t’i tradhtonte asnjëherë, nuk mund t’i vinte fre dëshirës, për këtë adoleshente të pafajshme.” Nuk mund të mos ishim dashnorë. Nuk mund të mos duheshim”, thotë personazhi në libër. E nuk ka lexues që të mos tronditet nga pasioni dhe jeta e tyre. Menjëherë pas publikimit të parë në Paris në vitin 1984, libri do të shitej në 1.5 milionë kopje. Shkrimtarja e quajti librin si gjysmë autobiografik, duke thënë se aty ka shumë elemente nga jetesa e saj në Indokinë. Kritika e vlerësoi “Dashnorin” me çmimin e madh letrar “Prix Goncourt”, si dhe është vlerësuar si një nga dhjetë romanët më të mirë të botuar në dhjetëvjeçarin e fundit. Deri tani, ky roman është botuar në 34 gjuhë. Duras e fillon romanin duke analizuar fytyrën e saj, pasi një burrë i panjohur i thotë se dikur e ka njohur. “Një ditë, tashmë isha e moshuar, në hollin e një vendi publik erdhi drejt meje një burrë. U paraqit dhe më tha: ‘Unë ju njoh prej kohësh. Të gjithë thonë se kur ishit e re keni qenë e bukur, unë erdha t’ju them se për mua jeni më e bukur tani sesa kur ishit e re, se mua më pëlqen më shumë fytyra e rrënuar që keni tani sesa fytyra që keni pasur kur ishit vajzë’”. Në vitin 1992, romani u bë film nga regjisori Jean Jacques Annaud. Marguerite Duras lindi në vitin 1914 dhe që me romanin e saj të parë hyri në letërsinë bashkëkohore franceze si një uragan, ku natyra njerëzore gjeti pasqyrimin e vet më të çiltër. Emri i saj ka mbi pesëdhjetë vjet që udhëton nëpër botë nëpërmjet veprash befasuese, ku problemet e mprehta sociale që shqetësojnë sot botën njerëzore, kanë gjetur te pena e saj të vërtetën e dhembjes. Personazhet e saj përpiqen t’i shmangen vetmisë për t’i dhënë kuptim jetës së tyre, nëpërmjet dashurisë absolute, krimit apo çmendurisë. Duras ndoshta është nga shkrimtarët e rrallë që nuk i kanë fshehur asgjë lexuesit, duke bërë autopsinë e tyre, mbasi kanë bërë autopsinë më të vështirë të njeriut, atë të vetvetes. Vetëm një shkrimtar i tillë mund të shkruajë një roman si “Dashnori”, një nga veprat më tronditëse të letërsisë franceze, por edhe asaj botërore. Duras lëviz në drejtim të artit gjithnjë e më e zhveshur dhe të një frymëzimi në të cilin autobiografia çlirohet nga pëlhurat e saj të fundit. Marguerite ka lindur në Gia Dinh, (ish-Saigon, tani Vietnam), pasi prindërit e saj i ishin përgjigjur një fushate nga qeveria franceze për të inkurajuar njerëzit që punojnë në koloni. Babai i saj u sëmur vetëm pak muaj pas mbërritjes në këtë vend, kështu u kthye në Francë, ku dhe vdiq. Pas vdekjes së tij, e ëma, një mësuese, mbeti në Indokinë bashkë me tre fëmijët. Familja jetonte në varfëri, dhe pse e ëma u mundua të bënte një investim të vogël në një tokë bujqësore. Jeta e vështirë që përjetoi në atë periudhë të fëmijërisë së saj, do të linte gjurmë në letërsinë e Duras. Historia më e bukur e letërsisë së saj, ajo e një adoleshenteje europiane me një burrë kinez, është frymëzuar pikërisht nga kjo periudhë. Në moshën 17-vjeçare, Marguerite shkoi në Francë në vendin e saj të origjinës, ku studio matematikë. Shumë shpejt ajo do ta braktiste matematikën për të studiuar shkenca politike dhe drejtësi. Pas diplomimit ajo u bë anëtare e rregullt e Partisë Komuniste Franceze. Në vitin 1930, ajo punoi në zyrën e qeverisë franceze, duke përfaqësuar koloninë në Indokinë. Gjatë Luftës së Dytë Botërore, nga viti 1942-1944, punoi në qeverinë e Vishisë, si dhe ishte anëtare e rezistencës franceze. Bashkëshorti i saj, Robert Antelme, ishte anëtar i grupit të rezistencës Richelieu, udhëhequr nga François Mitterrand. Ai u kap nga Gestapo, por arriti të mbijetonte. Pas kthimit në Francë, ai e përshkroi këtë përvojë të jetës në një libër me kujtime. Kthimi i tij në Paris do të ndryshonte edhe marrëdhënien mes tyre. Nëse deri në ato momente Marguerite kishte menduar se do të ndahej nga ai, çdo gjë ndryshon kur ata takohen sërish. Kjo është edhe periudha kur Marguerite nis të shkruajë historitë e saj të para, e ndikuar nga shkrimtarë si Heminguej, Virginia Woolf, François Mauriac. Ajo ka shkruar një sërë romanësh si “Të paturpshmit” (1943), “Jeta e qetë” (1944), “Dhjetë e gjysmë e mbrëmjes në verë” (1960), “Hiroshima, dashuria ime” (1960), “Kurva nga viset e Normandisë” (1986) etj. Ashtu si në librat që shkroi dhe vetë jeta e Duras ishte tronditëse. Vitet e fundit të jetës ajo përjetoi një histori të jashtëzakonshme dashurie me Yann Andrea Steiner 38 vjet më të vogël se ajo. Ashtu siç tregon në librin kushtuar jetës me të, Andrea thotë se u dashurua me shkrimtaren përmes librave të saj dhe më pas e vetmja gjë që ëndërronte ishte ta takonte. Në vitin 1980 ai nisi të punonte si sekretar i saj dhe më vonë si ndihmës në disa nga filmat që ajo prodhoi. Marrëdhënia e tyre ishte plot tronditje, pasi në këtë kohë Duras ishte e dhënë pas alkoolit, duke u kthyer në një alkooliste kronike. Në një intervistë Duras tregon se kishte marrë një aspirinë çdo ditë për pesëmbëdhjetë vjet radhazi. Yann Andrea e inkurajoi atë për trajtim mjekësor dhe në vitin 1982 ajo doli nga një trajtim i gjatë në spitalin amerikan të Parisit. Pas kthimit në shtëpi ajo besonte se apartamenti i saj ishte plot njerëz të çuditshëm. Andrea përpiqej t’i tregonte se aty nuk kishte askush. Ajo i lutej të mbyllte derën nga mysafirët e çuditshëm. Duras dhe Andrea jetuan bashkë deri sa ajo mbylli sytë përgjithmonë më 3 nëntor 1996 në Paris. Jeta e saj me Andrean ishte një libër më vete, të cilin djaloshi i dikurshëm francez e ka treguar plot dashuri kur e dashura e tij nuk jetonte më, i vetëm mbi makinën e saj të shkrimit në apartamentin në rrugën “Neauphle-le Chateau” në Paris.





