Vargjet e ringjalljes së Agim Vincës, vit jubile dedikuar botimit të librit të parë me poezi, “Feniksi”, 1972
Në këtë vit të jubileut të madh të 100-vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, ja edhe një jubile i vogël i letërsisë dhe i kulturës sonë. Këtë vit bëhen dyzet vjet nga botimi i librit të parë me poezi “Feniksi” (1972), të poetit dhe kritikut/studiuesit të mirënjohur, Agim Vinca, i cili sivjet feston edhe dy jubile të tjerë: dyzetvjetorin e punës së tij si mësimdhënës në Universitetin e Prishtinës dhe 65-vjetorin e lindjes, respektivisht daljen në pension. Pas këtij libri të parë, profesor Agim Vinca do të botojë edhe një varg vëllimesh poetike, libra nga fusha e kritikës letrare, nga teoria e letërsisë dhe nga publicistika, si “Shtegu i mallit” (1975), “Buzëdrinas” (1981), “Arna dhe ëndrra” (1987), “Kohë e keqe për lirikën” (1997), “Psalmet e rrënjës” (2007) etj., nga fusha e poezisë; “Aspekte të kritikës sonë” (1977), “Qasje” (1980), “Struktura e zhvillimit të poezisë së sotme shqipe (1945-1980)” (1985), “Orët e poezisë” (1990), “Alternativa letrare shqiptare” (1995, që ka përjetuar edhe dy botime të tjera: më 2005 dhe 2009), “Kurs i teorive letrare” (2002), ribotuar edhe në Shqipëri nën titullin “Panteoni i ideve letrare”, “Fije të pakëputura” (2004), “(Po)etika e fjalës” (2010) etj. nga fusha e studimeve letrare; “Populli i pandalur” (1992), “Shqiptarët mes mitit dhe realitetit” (1997) dhe “Arti i reagimit” (2011), nga fusha e publicistikës etj. Është edhe autor i disa antologjive, si: “Nga poezia bashkëkohore shqipe” (Sarajevë, 1985), “Kënga e hapur. Antologji e komentuar” (2005), e para antologji e këtij lloji në letërsinë shqipe dhe “Antologji e poezisë atdhetare shqipe”, e cila pritet të dalë së shpejti, në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë etj.
Vëllimi poetik “Feniksi” është i strukturuar në katër cikle: “Feniksi”, “Anës liqenit”, “Përderësi i dashurisë” dhe “Dy poema”. Në krye të tij qëndron poezia “Në vend të biografisë”, në të cilën poeti, në vargje, shpalos “biografinë” e tij që është edhe biografi e poezisë së tij, por edhe e brezit të cilit i takon poeti.
Për preferencat që kishte poeti për poezinë, mësojmë nga shënimet të cilat i ka bërë ai në margjinat e librit më vonë për të kujtuar kohën e krijimit të poezive të këtij vëllimi: “Poetët e mi të adhuruar të asaj kohe, që kanë ushtruar ndikim tek unë, ishin: Kadareja, Agolli, Preveri... në perceptimin e botës, në figuracion. Por përmbajtja, detajet, emocionet, vrojtimet janë të miat”.
Në vargjet e para të këtij poeti sigurisht që ndihet ndikimi i poetëve të adhuruar, megjithatë, ai, edhe pse i ri në atë kohë, me guxim e shpërfaq credo-n e tij poetike, së cilës do t’i qëndrojë besnik deri në fund:
Dhe vargu im s’gjezdis në qiell
se unë me trollin kam pirë gjak,
në gurë e plisa jam dashuruar;
Njeriut s’i kam hyrë kurrë në hak.
Në këto vargje qartë shihet mospajtimi i poetit me poetët kosovarë të kohës (me një pjesë të tyre), të cilët sa më thellë që depërtonin në “pyjet e simboleve” (Eco), aq më larg iknin nga jeta, nga praxis-i jetësor.
Feniksi i ringjallur
Ishte fillimi i viteve ’70, kur u krijuan vargjet e vëllimit poetik “Feniksi”. Ishte kjo kohë ringjalljeje, atmosfera e së cilës ndihej në çdo anë, ndaj do të ndihej edhe në vargjet e poezisë.
Si do t’i përgjigjej poeti atëbotë i ri, Agim Vinca, kësaj atmosfere? Cila do të ishte metafora me cilën do ta shënjonte këtë kohë, në të cilën, pas shumë shekujsh e lënë në harresë, po ringjallej qenia shqiptare? Cila do të ishte ajo metaforë që do ta jepte në mënyrë më të plotë këtë ringjallje? Dhe, poeti i ri, Agim Vinca, atëbotë, duke e pagëzuar librin e tij me poezi me emrin e Feniksit mitik, rrokte diçka qenësore që e shënjonte këtë kohë.
Çfarë përfaqëson feniksi në poezinë e Agim Vincës?
Feniksi në poezinë e Agim Vincës metaforizon qenien shqiptare, e cila rilind pas shumë shekujsh të mbetjes së saj në harresë nën të huajt. Përmendja e nëntorit, e bën edhe më konkrete këtë figurë, sepse nëntori është muaji i shpalljes së pavarësisë së Shqipërisë. Për poetin shqiptari është zog i stuhive, është feniks që ringjallet nga hiri.
Zog i stuhive!
Kurrë s’t’u shëruan plagët,
kurrë s’t’u mbyllën qerpikët!
Me Nëndorin u nise
drejt bardhësive.
Me këtë figurë, atëbotë poeti i ri Agim Vinca, e metaforizon edhe atdheun e shqiptarëve, i cili ringjallet në nëntor.
Në këtë kohë ringjalljeje, subjekti lirik evokon të kaluarën, përsiat për përvojat e hidhura që ka kaluar feniksi përgjatë historisë, përsiat për përpjekjet e kundërshtarëve të tij që me zjarr përpiqeshin ta asgjësonin, të cilat tanimë kanë dështuar, ndërsa përsëritja e tyre nuk do të ketë më sukses:
Dhe e shpunë Feniksin martir
në zjarr. – Të digjet – thanë. Të humbasë!
Po hiri i tij i përvëloi
dhe vazhdën e ndritur la pas
Feniksi përsëri fluturoi.
(Feniksi përsëri fluturoi)
Pas ringjalljes nga hiri dhe rilindjes në truallin e tij, ky feniks më nuk do të digjet, por do të vazhdojë të jetojë në shekuj. Pra, për të nuk do të ketë më shkatërrim: Ka rënë në fole të ti / ky Feniks i ri,/ që s’digjet më / kur i mbush njëqind, / (as) kur i mbush njëmijë! (Një feniks i ri).
Miti i qëndresës
Pas mitit të ringjalljes, me figurat si kështjella, shkëmbi, lumi, bregu etj., në vëllimin poetik “Feniksi”, poeti ka ndërtuar mitin e qëndresës.
Mitin e qëndresës, i cili zë një vend të veçantë në poezinë e sotme shqipe, poeti Agim Vinca e ndërton në poezinë “Kështjellë e lashtë”. Kështjella në këtë poezi sa shenjon fortifikatën që ka shërbyer për mbrojtjen e shqiptarëve në shekuj, po aq shenjon edhe atdheun e shqiptarëve, i cili për ta është kthyer në fortifikatë mbrojtjeje përgjatë shekujve. Poeti theksin e vë në kontinuitetin e qëndresës shekullore të shqiptarëve, i cili arrin deri në kohën e tij, por i cili kalon edhe tek pasardhësit:
Në damarët e saj
rrjedh gjaku i fisit tim,
(...)
në damarët e saj rrjedh gjaku im
dhe i birit tim t’palindur.
(Kështjellë e lashtë)
Në këtë qëndresë theksi bie mbi brezat të cilët e mbushin kohën, që e “popullojnë” (Borhes) atë, pra, që i japin kuptim dhe qenësi asaj.
Forma e jashtme e kështjellës (sytë e vegjël-frëngjitë) bie në kundërshtim me funksionin sublim që kryen ajo (u shndërruan në dritare të mëdha): Sytë e saj të vegjël-frëngjitë,/ u shndërruan në dritare të mëdha ( Ushtari i ri në kështjellën e lashtë ) .
Përpos me simbolin e kështjellës, mitin e qëndresës poeti e ndërton edhe me simbolin e shkëmbit. Shkëmbi, përkundër tundjeve, të cilat e përcjellin përherë, qëndron, “ai s’lot prej vendit”:
E tundin shkëmbin anës liqenit
po ai s’lot e s’lot prej vendit
(këputen sish veç do thërrime,
nisen në të largëtat udhëtime)
(Anës liqenit)
Shkëmbit, mund t’i shkëputen vetëm disa thërrime, ndërsa si tërësi ai mbetet i pamposhtur.
Plagët e kohës
Siç thamë më lart, poezia e vëllimit poetik “Feniksi” shënjon ringjalljen e përgjithshme të shqiptarëve në këto vite, por ajo nuk lë anash as plagët e veçanta që merr qenia shqiptare në këtë kohë. Agim Vinca është poet i angazhuar jo vetëm në ngadhënjimin e idealeve estetike, por edhe të atyre shoqërore. Vargu i poetit, duke i prekur plagët të cilat e mundojnë qenien e shqiptarit atë kohë, është i angazhuar në luftimin e këtyre të këqijave. Në këtë vëllim poetik ka vargje për kurbetin, plagë që vazhdonte të kullojë edhe në kohën kur sipas propagandës zyrtare po krijohej një shoqëri e drejtë, shoqëria e njerëzve të barabartë. Mirëpo, përkundër kësaj propagande, njerëzit, për të mbajtur familjet e tyre, detyroheshin të largoheshin në dhe të huaj. Në vargjet e poetit kurbetçari, në ditën që niset për në kurbet, asgjë nuk merr nga vendlindja përveç krahëve, duarve, këmbëve, pra përveç forcës fizike, ndërsa kur kthehet në vendlindje kthehet edhe pa të, kthehet i zhveshur tërësisht .
Ne poezinë e sotme shqipe ka mjaft poezi kundër hakmarrjes, ndërsa në poezinë “Hakmarrje”, e cila në shikim të parë duket si poezi kundër hakmarrjes, pas një leximi të kujdesshëm të saj, shihet se kjo poezi nuk është për hakmarrjen. Subjekti lirik i kësaj poezie jeton në mes ëndrrave të bardha dhe ditëve të zeza, ndërsa revolta e tij është në kulm:
Kush na i ra pranverës
dhe zogjtë na i trembi,
kush?
Ndonëse mesazhi i kësaj poezie mbetet disi i mjegulluar, në të “personazh” është një gjel lafshëkuq, të cilin e therin se kërkon dritë. Figura e gjelit gjithnjë lajmëron ndryshimet, për këtë e pëson ai nga ata që janë kundër ndryshimeve. Prandaj edhe protesta e subjektit lirik për këtë “akt” të egër, për vrasjen e gjelit, është e madhe. Kjo poezi të kujton poezinë me motivin e luftës kundër hakmarrjes, por këtu subjekti lirik sikur bën ftesë për hakmarrje ndaj atyre që trembin zogjtë dhe sidomos gjelat që lajmërojnë agimin (kujto simbolikën e gjelit te “Lagjja e varfun” e Migjenit: “Hesht or gjel kryengritës” etj.)
Motivi i mërgimit, edhe pse në realitet mërgimi i shqiptarëve jashtë ishte një fenomen që për dekada me radhë kishte përfshirë shqiptarët në ish-Jugosllavi, por që rrallë haset në poezinë e sotme shqipe, zë një vend të veçantë në poezinë e Agim Vincës. Ndër “personazhet” e këtij vëllimi poetik është edhe mësuesi i cili mërgon në Turqi:
Pat ikur mësuesi im në Turqi,
unë abetaren e laga me lot,
në zemër m’hyri fytyra e tij
dhe s’më hiqet atë dit’ e sot.
(E kujtoj mësuesin)
Ndërkaq, motivin e mërgimit poeti do ta zgjerojë në poemën “Vargje për Veleshtën”, në të cilën jep pamje të gjalla të shkuarjes së njerëzve të vet në dhe të huaj, duke filluar nga xhaxhai i tij, pastaj kushëriri etj., ndërsa nga Gjermania, nga Amerika “Në çanta postierët sjellin mërgimin/ dhe n’zemrat e nënave/ ngulin mijëra thika” .
Me dy poema, e para për vendlindjen e tij, Veleshtën, ndërsa e dyta për Kosovën, e përmbyll poeti Agim Vinca vëllimin e tij të parë poetik “Feniksi”.
Në poemat e tij poeti rrok tablo të gjera të jetës, të cilat mbushen nga pamje dhe disponime të kundërta; në njërën lindja e një jete të re, në tjetrën vazhdimi i plagëve të vjetra, si kurbeti dhe konfliktet e njerëzve të tij, siç shprehet në poemën e parë, “për një shoshë misër”, “për një duaj gruri”, “për një copë arë”.
Në poemat e Agim Vincës koha hyn me gjithë madhështinë dhe tragjiken e saj. Jo një herë në vargjet e tij përballen ndjenja të kundërta, hijedrita të fuqishme, të cilat sikur qëndrojnë afër njëra-tjetrës pa pasur lidhje mes tyre, sikur në mesin e tyre të ketë një shkëputje, një boshllëk... Po, kur jemi tek kjo “shkëputje”, nuk duhet të harrojmë kohën në të cilën krijonte poeti, nuk duhet të harrojmë censurën, kohën në të cilën krijuesi nuk ishte i lirë ta thoshte deri në fund atë që ndiente. Kjo ka ndikuar që disponimet në poezinë e tij të karakterizohen nga një lloj fragmentariteti.
Poezia për Atë
Motivi i dashurisë është motivi të cilit rrallë janë ata krijues që i ikin. As Agim Vinca këtij motivi nuk i ka ikur. Ciklin në të cilin ka vendosur lirikën e dashurisë, poeti e ka emërtuar “Përderësi i dashurisë”. Fjala “përderës”, kuptimin e së cilës nuk e di lexuesi ynë, do të thotë lypës , ai që shkon derë më derë, është e fjalë arbëreshe, gjë që tregon komunikimin e poetit me traditën poetike e shpirtërore shqiptare në kuptimin e plotë të fjalës qysh në fillimet e tij krijuese.
Në poezitë e këtij ciklin shpërthejnë vargjet për takimet me atë që do dhe gëzimet që e përshkojnë këtë ndjenjë, meditimi për të, thurja e ëndrrave të dashurisë, kujtimi i çasteve të bukura etj. Cikli hapet me poezinë “Historia dhe dashuria”. Gjatë kohës sa pret të dashurën, subjekti lirik i kësaj poezie përsiat për historinë, për kohën e lashtë, kur edhe mbreti ilir, Bardhyli, ka pritur te këmba e ndonjë ure këtu afër, siç pret edhe subjekti lirik në një urë të dashurën e tij:
Ja, si unë sonte dhe ai ka pritur
vashën e tij,
nga dashuri e tyre kemi ardhur
në botë ne të dy.
Kështu poeti, duke e vënë dashurinë në qendër të kësaj lidhjeje, në bazë të jetës, e ndërlidh të shkuarën e lashtë me të sotmen.
Në një poezi tjetër, subjekti lirik kujton një çast të veçantë të cilin e ka kaluar me të dashurën e tij, një çast që rrallë përsëritet në jetë:
Të kujtohet e dashur
ajo barka e kthyer përmbys,
ku qemë mbështetur,
ku patëm ndenjur,
gjatë kohë pa folur,
gjatë kohë të heshtur.
Çaste të veçanta, ashtu si të nxjerra nga objektivi i fotoaparatit, i dalin parasysh lexuesit të këtij vëllimi poetik. Subjekti lirik i kësaj poezie, i dashuruar, jeton në harmoni me natyrën, me hapësirën e saj dhe me “personazhet” që e popullojnë atë, siç janë pulëbardhat dhe peshqit:
Ecim këmbëzbathur mbi rërën e plazhit,
të përqafuar ecim ne të dy
pulëbardhat nga lart na ngjatjetojnë
dhe peshqit poshtë nga gjoli
na bëjnë me sy.
Përfundim
Me katër vëllime poetike, të botuara përgjatë katër dekadash, Agim Vinca shënjoi katër kohë: me vëllimin poetik “Feniksi” në vitet ’70 shënjoi kohën e ringjalljes së shqiptarëve në ish-Jugosllavi; në vitet ’80, me vëllimin “Arna dhe ëndrra” mosrealizimin e ëndrrave, sepse ato fillojnë të shqyhen (shenj i shqyerjes janë arnat); me “Kohë e keqe për lirikën” kohën nëpër të cilën po kalonin shqiptarët në ish-Jugosllavi në vitet ’90; me “Psalmet e rrënjës” kohën e zhgënjimit në vitet 2000, ndërkaq me vëllimin poetik “Buzëdrinas” shënjonte gjeografinë e poezisë së tij.
Në kohën kur poezia shqipe e Kosovës po notonte në pyjet e abstraksionit dhe të hermetizmit shterp, ndërsa ajo e krijuar në Shqipëri gjithnjë e më shumë po i nënshtrohej diktatit politik, si poezi që duhej të merrte pjesë krah për krah me klasën punëtore në ndërtimin e shoqërisë socialiste, pra në kohën kur këto dy degë të poezisë shqipe po i largoheshin njëra-tjetrës, vjen poezia e Agim Vincës, e cila qëndron në mes të këtyre dy degëve; as nuk mbyllet në gjuhën e abstraksionit, as nuk i nënshtrohet ideologjisë, por kthehet në varg për jetën, për njeriun shqiptar të kohës, për ëndrrat e tij, për dashurinë, për gënjimet dhe zhgënjimet e tij.
Si përfundim, kjo poezi shpërthen nga mesi në të cilin ka jetuar krijuesi i saj, por në të njëjtën kohë ajo kthehet edhe në zë të këtij mesi, në artikulim të kujtesës së njeriut të tij, të ëndrrave dhe të vizionit të tij për të ardhmen.