Kush e vrau poetin?






       Ka vdekur Ali Podrimja, thanë...
A vdesë poeti? A vritët  poeti? A ndërrojnë jetë poetët, apo vetem hyjnohen në qiell? Ata lindin e vdesin për çdo varg, pat thënë dikur, një poet tjetër.
Sa hije i paske ketij qielli o Ali Podrimja. Lum ai qe do ta prekë yllin tënd.
        Poeti s’vritet as vdes. Ti nuk vdiqe maestro. Ne jemi orkestra jote që nuk shuhet. Ti vetem hyri në një poezi të re. Shkove të Lumi yt. Shkove në dhomën 512, dhomen e dikurshme të Lumit. Ti shkove të Esad Mekuli, të Azem Shkreli, Din Mehmeti, Anton Pashku, Beqir Musliu, Dini…Ti udhëtove për në botën të cilën e preke shumë vite më parë, po aty, në Francë, më femiun - sythin tënd, Lumin. Ti preke skajet e botës, mirëpo nuk vdiqe. Ti e  vrave  vdekjen heret o arkitekt i fjalës. Sot, ti vetem hyre të Lumi, në Paris.U dhe shqelm njëmijë plagëve….
        Ti jetove midis dy lumenjëve . Njëri rrjedhte fushave të Dukagjinit e i dyti brenda damarëve  tu. Njërin e le buzë Gjakovës tënde të plasaritur, e  tjetrin në Parisin tonë prej xhami. Qe të dy, akoma  vazhdojnë  rrugëtimin, njëri  nëpër jetën e vargjet tua e tjetri nëpër arat e kujtimet tona. Ti jetove në këtë anë të dheut, midis  lumit dhe Lumit. Lumi yt i parë,  ishte yt bir,  të cilin vdekja ta mori filizë të njomë. Lumi i dytë, ishte Drini, të cilin e munde duke kërcyer nga Ura e Shenjtë në ujin e etshem për dhe. Keshtu na mesove të mos i frigohemi lumit, duke u bërë kampion i kërcimeve mbi Dri. Kërcimet dhe zhytjet tua djaloshare nga thepat e mpreftë si vdekja, bënë një legjendë të re për uren. Ti ngrite ura mbi Lumin  tënd të dhëmbjes dhe lumin tonë të frigës. Na mësove si të jetojmë buzë lumit e lumenjëve dhe si  ti lexojmë rrjedhat e tyre.
      Ti u bëre  Homer i yni i ri ,  në kohën kur ne akoma po mësonim shkrim-leximin e poezisë..   Nuk kishim shumë  mësues para teje. Të pakten jo si ti. Deri dje, ishe poet. Sot, je  poezia  vet. Poezi, të cilën do ta lexojmë e këndojmë  saherë të na merr malli për lot e lumenj.
      Ti u bëre ambasador i yni , në kohen kur ne nuk kishim pushtet as shtet. Emrin shqiptar, e shpërndave  nëpër botë . Poezia jote, ishte pasaporti ynë kulturor, më të cilën udhëtuam e hymë në sallone e ndaluara kulturore, festivale, antologji, civilizime. Siç e ke thënë vet, në një poezi, zoti yt fliste shumë gjuhë. E kuptonin kudo. Por, edhe zogu yt, këndonte në shumë gjuhë… Dhe të gjitha tingëllonin -  shqip. Pena jote preku edhe atje ku s arrinin  ëndrrat tona.
      “Të jeshë shqiptar e vdekja të mos të gjegj edhe në skaj të botës, e pamundur është”. Ky ishte një varg i yti  Ali Podrimja . E shkrove biografinë tënde në cdo poezi.Tënden e tonën.Ti i shkrove edhe Kosovës biografinë e  hymnin, para se ajo të lindëte -  shtet: ”…Gjaku ynë që nuk falet.”
        Një shok i yti i penës, po të ishte gjallë,sot do të pyeste: Në cilin varg vdiqe o Ali Podrimja?
Nga cili varg do të kethehesh? Dil nga ai varg, ti shpenzojmë thinjat që na kanë mbetur  për ditë të reja. Dil te ngjitemi sëbashku Ç abratit, deri në kaltëri… Te piqemi në Mitingun e Poezisë në Gjakovë, të hidhemi nga Ura e Shenjtë mbi etjen e Dukagjinit,  të ja prekim ujin Strugës poetike, të ja gjelbërojmë Dajtin  Tiranës… 
        Dil nga ai varg, o Ali Podrimja, ëe lumi yt kurrë nuk shterret. Kush do ti shkruaj poezi  Kosovës së re? Ku do ti gjejmë vargjet për njeqind vjetorin e Shqipërisë. Ku do ta gjejme rimën për kremtet tona…Kush do të na e hymnojë të nesermën pa ty? ...
       Sa të varfër na le o Ali Podrimja…
       Tri dekada më parë ti na e shkrove poezinë “Dielli lind në perendim”. Na e lexove agimin aq të largët, në atë kohë. Disa këtë e lexuan vetem si poezi, të tjerët si program të zgjimit tonë. Na mësove të këthehemi kah Perendimi. Sepse, shqiptarët, historikisht, saherë shikuan kah lindja – dolën humbës. Si në kohën e Bizantit, në kohën e Perandorisë Otomane, asajë të Maos, të Stalinit, Titos…
      Ti hyre në enigmën – vdekje,  e cila viteve të fundit mori disa ikona të kulturës shqiptare. Vdekja jote  e errëson edhe më, e bën labirinth atë enigmë. Në shpresonim, së kohrat kur intelektualët shqipëtarë këtheheshin në atdhe në arkivole,  kanë perenduar. Pse u dashka të gjithë Gurakuqët tanë të vdesin në dhe të huaj? ….
      Kush të vrau Ali Podrimja? Cila fjalë, cila kohë? Ndoshta, ata që nuk e njohin fuqinë e vargut…!  Nuk duam të besojme se ke vdekur. Nuk vdes Ali Podrimja... Ai vetem udhëton, nga një kohë në tjetrën, nga një varg në tjetrin…Nga një lum në tjetrin.
      Ti  i  rrënove muret qe na i ngisnin të tjerët. Poezija jote, u bë frymëmarrja jonë atëherë kur na e zinin diellin .Ajo na çonte  edhe atje ku e kishim te ndaluar. Vargu yt , u bë kandil çajupjan. Dëmbja jote u bë grusht i ngjallur i  Migjenit. Më atë grusht, sot, do ta çajmë tokën për ta mbjellë ashtin tënd. Lum ai lis qe do të behet arkivol i yti . Do të mbinë e blerohet  çdo pranverë -  mbi kokën tënde. Aty, buzë lumit e Lumit…Do të bëhet kalendar i lindjeve tona të reja.
        Poezija e jeta jote, ishte plot lum: Dri i Bardhë, Dri i Zi, i kaltërtë, i turbulltë…Lum uji, gjaku, dheu, malli, dashurije… Ah sa i vogël më duket vehtja të shkruaj për te! Po, për poezinë nuk shkruhet. Poezija, thoje ti, nuk lexohet. Ajo jetohet. E ti e jetove poezinë tënde si një boem i plagosur. I lënduar nga dashurija për Lumin, për lirinë  e lumit dhe të lumenjëve shqiptarë, të cilët rrjedhnin e nuk gjenin dot det për të u bashkuar. Edhe vdekja jote , nese ekgizton, do të jetë plot lum e lumenj. Lumenjë lotësh, malli, kujtimesh , kryengritjësh e përplasjesh…
       Ah, Lum lumi…Pse na e more Ali Podrimjen?