Kur kremtohet Dita e Flamurit (Kuqezi në Amerikë)

Për Amerikën, vendin e begative të mëdha dhe të demokracisë së vërtetë, dikur thuhej: "Ha, merr edhe ik!" Kështu deshifrohej emri i këtij vendi të madh e të pasur nga shqiptarët, të cilët shkonin atje për të fituar dhe për t'u kthyer sërish në vendin nga vinin


Agim VINCA

 


I ftuar nga Bashkësia Kulturore Shqiptaro-Amerikane "Hasan Prishtina" e Connecticut-it (Konektikat) për të marrë pjesë në kremten e Ditës së Flamurit, qëndrova në Shtetet e Bashkuara të Amerikës rreth dy javë: nga data 25 nëntor deri më 9 dhjetor 2011. Ishte hera e tretë që shkoja në Amerikë, në vendin e mundësive të mëdha, siç e kam quajtur në një shkrim timin të hershëm, por, ndryshe nga dy herët e tjera, tani rrugën e bëja vetëm dhe në një moshë tjetër në krahasim me atë të dy udhëtimeve të para, atë të vitit 1990 dhe 1998, prej të cilave më ndajnë njëzet e një, përkatësisht trembëdhjetë vjet. Rruga nga Evropa në Amerikë, më saktë nga Vjena në Nju-Jork, zgjat rreth nëntë orë, në të shkuar dhe diç më pak në kthim. Duhet durim e kondicion për ta përballuar atë dhe, pse jo, edhe ndonjë libër i mirë. Disa mijëra metra lart, mbi Atlantik, ku poshtë teje s'ka gjë tjetër veç reve dhe ujit, njeriu ka nevojë të merret me diçka. Nëse ke fat të kesh në krah ndonjë bashkudhëtar të mirë, me të cilin mund të shkëmbesh dy fjalë, e mbyt më lehtë vetminë dhe mërzinë e udhëtimit. Për të tjerat kujdeset personeli i agjencisë së udhëtimit, i "Austrian Airlines"-it në rastin konkret, stjuardesat që venë e vijnë si fluturat nëpër "Boeing"-un që çan qiellin si ndonjë shpend grabitqar. Në të shkuar kisha pranë vëlla e motër nga Vuthaj dhe një çift nga Përmeti, të sjellshëm, por të heshtur, kurse në kthim një bashkëvendës timin muhabetçi nga Ladorishti, Cenka me gruan e tij. Pas formaliteteve të rastit në aeroportin "JFK" dhe ndonjë telasheje të vogël rreth bagazhit, me dy bashkëvendësit e mi që kishin dalë të më prisnin, Xhevatin nga Frëngova dhe Pollozhanin nga Dollogozhda, morëm rrugën për në Waterbury, ku na priste krahëhapur kryetari i Qendrës "Hasan Prishtina", Fluturim Rizvani. Më 27 nëntor, në mbrëmje, në një restorant të bukur, me fjalë rasti, program artistik, muzikë e meny të pasur, u kremtua Dita e Flamurit. Rreth dyqind e pesëdhjetë vetë, kryesisht çifte, të veshur solemnisht, kishin zënë vendet e tyre nëpër tavolina, në sallën e stolisur me flamuj dhe balona kuq e zi. Edhe kostumet e këngëtarëve dhe valltarëve kishin këtë ngjyrë, kurse në tribunë qëndronin po ashtu me ngjyra kuqezi portretet e Skënderbeut, të Ismail Qemalit dhe Adem Jasharit. Mbi kokën e ndonjë mërgimtari pak më të moshuar - plisi i bardhë si shëmbëllim i figurës së Komandantit. "Ndiqni ngjyrat e flamurit kombëtar e jo të flamujve partiakë" - i porosita bashkatdhetarët e mi. "Partitë vijnë e shkojnë, kombi mbetet. Partitë dhe liderët e tyre duan paratë tuaja dhe votën tuaj. Ju duhet të organizoheni mbi baza kulturore e kombëtare dhe kurrsesi jo mbi baza politike. Flamuri kombëtar, simbol i unitetit dhe i shpirtit liridashës të popullit tonë, duhet të jetë udhërrëfyesi ynë".

Edhe në SHBA ndalet rryma 

Mërgimtarët tanë në Amerikë janë shumë të interesuar për atë që ndodh në atdhe, por ata flasin gjithnjë e më shpesh edhe për hallet e tyre atje. "Në tetor ra një borë e madhe", thotë Fluturimi. Ende pa rënë gjethet e pemëve. Bëri shumë dëme. Gati një javë nuk patëm rrymë elektrike. Disa ditë nuk punoi restoranti...". Kisha dëgjuar diç në lajme për këtë stihi natyrore, por më dukej disi e pabesueshme kur shihja në rrugë, në fund të nëntorit, njerëz me bluza vere e me pantallona të shkurtra. "Jeni bërë për t'ua qarë hallin", ua kthej me shaka. "Më keq se ne. Po bile ujë keni. Tek ne ndalet çdo natë në orën dhjetë. Herë-herë edhe në pikë të ditës". Fluturimi flet me entuziazëm për atë që ka ndodhur një ditë më parë. Flamuri ynë kombëtar është ngritur para ndërtesës së Bashkisë, ku do të valojë plot dyzet e tetë orë krahas flamurit amerikan, ndërsa "rolin" e "majorit" (kryetarit të qytetit) do ta "luajë", për aq kohë, një shqiptar. Atmosfera e festës dhe komentet rreth saj ndihen edhe në Nju-Jork e gjetkë, kudo në mesin e shqiptarëve. Në Bronks, ku edhe lypësi zezak flet shqip, në zyrën e "TV-Alb"-it, shpërndahen falas numrat festivë të gazetave "Dielli" dhe "Illyria". Kjo e fundit, në rrafsh treqind faqe me përmbajtje të pasur e shkrime interesante, por edhe me urime e reklama të shumta.Në darkë, me biznismenin e njohur shqiptar Shyqyri Selimaj-Bruno, në restorantin e tij në Menheten, diskutojmë idenë e organizimit të një kremteje të madhe më 28 Nëntor të vitit të ardhshëm, për nder të 100-vjetorit të Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë. Ndryshe nga viti që po lëmë pas, kur në SHBA, në pika të ndryshme, u mbajtën shumë kremtime në të njëjtën ditë, varësisht nga zona nga vijnë mërgimtarët apo edhe nga orientimi i tyre politik, në vitin që vjen do të ishte mirë të bëhet një kremte e madhe e përbashkët në Nju-Jork, ku të marrin pjesë jo disa qindra, por mijëra vetë, përfshirë edhe autoritetet e Nju-Jorkut dhe të Shteteve të Bashkuara. Të marrin vesh i madh e i vogël se ç'mund të bëjnë shqiptarët! Do të ishte ky një rast i volitshëm për t'i artikuluar edhe një herë para botës kërkesat dhe aspiratat tona si komb; këtu, në "kryeqytetin e botës" dhe në shtetin që ende vazhdon të jetë superfuqia e parë në botë, ndonëse kriza dhe recesioni po ia rrezikojnë në masë të madhe këtë status."Jam i gatshëm që dhjetë për qind të energjive të mia t'ia kushtoj organizimit të kësaj feste" - thotë Brunoja dhe e di se ai e mban fjalën. E njoh nga viti 1990, kur isha pjesëtar i "çetës së pajtimit" me profesor Anton Çettën e ndjerë në krye dhe e di mirë se ç'ka bërë ky njeri për ta ndihmuar Kosovën në përpjekjet e saj për liri, duke filluar nga greva e minatorëve e vitit 1989 e gjer tek lufta çlirimtare e UÇK-së në vitet 1998-99. Dhe jo vetëm për Kosovën, por për tërë viset shqiptare, përfshirë edhe Shqipërinë shtetërore. Vehbi Bajrami, editori i gazetës "Illyria" dhe autori i librit "Shqiptarët e Amerikës" (një enciklopedi e vërtetë e diasporës shqiptare në SHBA), që s'm'u nda gjatë qëndrimit tim në Amerikë, premton se do ta mbështesë dhe popullarizojë këtë ide nëpërmjet gazetës së tij, por edhe në forma të tjera, në kontakte me njerëz, duke sugjeruar që qysh tani të caktohen dy-tre veta që do të merren me këtë punë, qoftë edhe me pagesë. Në Amerikë ka traditë të gjatë kremtimi i Ditës së Flamurit. Kjo festë është kremtuar gjithmonë solemnisht, që nga koha e Nolit dhe Konicës, por edhe më vonë, pavarësisht nga rrethanat e vështira në të cilat ka vepruar diaspora jonë. "Vatra" ka qenë deri vonë bartësja kryesore e kësaj feste të rëndësishme dhe e shumë veprimtarive të tjera me karakter kombëtar. Sot, prej saj ka mbetur pothuajse vetëm emri! Në arkivin e gazetës "Illyria", selia e së cilës gjendet pranë godinës së CNN-it dhe të "New York Times"-it, Vehbiu më tregon një fotografi bardhë e zi të përmasave të mëdha, në të cilën shihet pamja e kremtimit të Ditës së Flamurit në vitin 1956 në Nju-Jork. Një sallë e madhe restoranti përplot njerëz, kryesisht meshkuj, ndonëse nuk mungojnë as zonjat e bukura, kurse në krye Noli me fytyrën e tij të qeshur, që rrezaton dritë dhe mençuri. Noli - "Perëndia e shqiptarëve të Amerikës", siç e pat quajtur pasardhësi i tij në Kishën e Shën Gjergjit në Boston, At Artur Liolini. "Të lirë e të pavarur!"Shqiptarët e Kosovës dhe të viseve të tjera shqiptare në ish-Jugosllavi, para vitit 1990 e kanë kremtuar me frikë këtë festë të dyfishtë të kombit, 28 Nëntorin, Ditën e shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë dhe Ditën e Flamurit, sepse kur vinin në vendlindje thirreshin në zyrat e Sigurimit Shtetëror për të dhënë llogari. Edhe sot, pas kaq vitesh, në bisedë me bashkëvendësit e mi, përmenden emrat e ish-udbashëve, të cilët ne këndej pothuajse i kemi harruar, kurse ata i mbajnë mend si të kishin qenë dje. Gjatë darkës, me ndonjë gotë verë përpara, flasin gjatë për Vangjelin e Boshkon, sikurse edhe për ndonjë koleg të tyre shqipfolës; për seancat sfilitëse të marrjes në pyetje; për marrjen e pasaportave etj. Nuk mungojnë as rrëfimet për kërcënime e keqtrajtime fizike e të tjera, dikur vetëm për festat dhe simbolet kombëtare, kurse më vonë edhe për pjesëmarrje në demonstratat për të drejtat e shqiptarëve. Teksa i dëgjoj si flasin, s'më hiqet mendsh deklarata e një shkrimtari dhe politikani të Tiranës se ne shqiptarët këndej kufirit (kosovarët), paskëshim jetuar "në një vend të lirë, por jo të pavarur", kurse ata në Shqipëri, "në një vend të pavarur, por jo të lirë!" Dhe sakaq m'u kujtua një orë letrare në Shkup, aty nga mesi i viteve nëntëdhjetë, kur asnjëri nga kolegët e mi shkrimtarë nga Tirana, njëri prej të cilëve ish-i burgosur politik, nuk e dinin se ç'është Idrizova (si shkas shërbeu leximi i një vjershe me këtë titull nga unë), burgu famëkeq në afërsi të Shkupit, ndërkohë që tek ne, në Kosovë e në Maqedoni, edhe fëmijët e djepit e kishin mësuar Burrelin dhe Spaçin! Më mungon miku im i shtrenjtë, Zijadini, njëri nga banorët shumëvjeçarë të Idrizovës, të cilin moshatarët e tij në vendlindje e thërrisnin "Zinka", kurse amerikanët "Din". Bëri dymbëdhjetë vjet burg në Idrizovë, pjesën dërrmuese të kohës në qeli dhe, pastaj, pas daljes nga burgu, pas rënies së Rankoviqit, iku në Itali dhe, së andejmi, në Amerikë, ku jetoi derisa vdiq. Mbylli sytë përgjithmonë në tetor të vitit 2002, pa u çmallur me gurët e vendlindjes, sepse nuk e lanë vitet e burgut dhe të mërgimit; atë, që si shumë të tjerë, vinte nga vendi "i lirë", siç shprehet shkrimtari i përkëdhelur i Tiranës, i rritur në pekule edhe në diktaturë.

Ndërtesa më e lartë e kryeqytetit

Kryeqytetin e SHBA-ve, Uashingtonin, e vizitoj për herë të parë. Ky qytet, që vendësit ia shqiptojnë emrin duke shtuar secilën herë shkurtesën "DC" (District of Columbia), ndryshon shumë nga Nju-Jorku dhe qytetet e tjera të mëdha të Amerikës, si Çikago e Detroiti, fjala vjen, nga ato që kam parë unë. Në arkitekturë, në shfrytëzimin e hapësirës, në ritmin e jetës etj. Është më i afërt me qytetërimin evropian. Uashingtoni është qytet i monumenteve të shumta kulturo-historike; i memorialeve të ish-presidentëve dhe personaliteteve të tjera të shquara të Amerikës; i muzeumeve nga të ndryshmet, prej atyre të arteve pamore e gjer tek ato të fluturimeve kozmike. Aty është selia e institucioneve kryesore të shtetit: Shtëpisë së Bardhë, që është rezidenca e Presidentit, Kongresit dhe Senatit, kurse jo larg tyre ndodhen edhe Pallati i Pentagonit dhe shërbimi i famshëm inteligjent CIA, i "strehuar" në brendinë e një pylli. Përmes tij kalon lumi i madh me emrin Potomak, që vende-vende duket si det. Asnjë ndërtesë në Uashington nuk mund të jetë më e lartë se Capitoll Hill-i (godina e Kongresit Amerikan). Kjo gjë është e rregulluar me ligj dhe askush nuk mund ta thyejë atë. Sepse, Amerika është vend ku respektohet ligji. Qytetari i gëzon të gjitha të drejtat dhe s'guxon ta cenojë kush në pikëpamje etnike, fetare, racore, gjinore apo edhe sociale, por ai, nga ana tjetër, duhet t'i kryejë me përpikëri të gjitha detyrimet e tij ndaj shtetit. Duke shtëtitur buzë Potomakut, miku im, i lindur dhe i rritur buzë Lanës, befas më thotë: "Për mua Tirana është si çdo qytet tjetër në botë!". Në darkë, i nxehur nga pija dhe muhabeti, shkon edhe më larg: "Unë s'çaj b…në për atë vend!". Mua, që mezi pres ditën e kthimit në Prishtinë, më duket absurde kjo deklaratë (aq më shumë që miku është edhe poet), por, kushedi, ndoshta ai ka të drejtë! Në Amerikë takon shqiptarë që jetojnë në geto, me doket e vendlindjes, por edhe kozmopolitë ekstremë, të tillë çfarë është vështirë të gjesh te përfaqësuesit e etnive të tjera të Ballkanit dhe të Evropës. "S'pjerdh unë për atë vend!" - të bie të dëgjosh në ndeja e takime të ndryshme nga bashkatdhetarët tanë, kryesisht nga vëllezërit "matanë gardhit", që shquhen për zellin për t'u amerikanizuar shumë më shpejt se të tjerët. Natyrisht, këtu s'është fjala për integrimin në shoqëritë përkatëse, që është një proces pozitiv, por për zvetënimin e dashurisë për vendin nga vjen dhe për tjetërsimin nga tiparet që ke trashëguar nga të parët e tu… Procesi i asimilimit tashmë ka filluar jo vetëm në Amerikë, por edhe në Evropë… Brezi i dytë ka filluar ta humbë gjuhën, kurse i treti ka rrezik ta humbë edhe kujtesën. Çrrënjosje e plotë! Atdheu dhe institucionet e tij nuk kujdesen aspak t'i mbrojnë nga ky rrezik dhe ta shtyjnë sa më shumë që të jetë e mundur këtë proces të pashmangshëm. Njerëzit që janë në krye të institucioneve tona kanë preokupime të tjera. 

"Shtrini trupat. Jam unë, bari

"Për Amerikën, vendin e begative të mëdha dhe të demokracisë së vërtetë, dikur thuhej: "Ha, merr edhe ik!" Kështu deshifrohej emri i këtij vendi të madh e të pasur nga shqiptarët, të cilët shkonin atje për të fituar dhe për t'u kthyer sërish në vendin nga vinin. Tani pothuajse nuk e përmend më kush këtë batutë. Edhe vargjet e famshme të Nolit: "Mbahu, Nëno, mos kij frikë/ Se ke djemtë n' Amerikë!" - dëgjohen shumë më rrallë se më parë. Euforia e dikurshme, ajo e fillimit të viteve '90, tani është zëvendësuar në masë të madhe nga njëfarë zhgënjimi dhe indiference. Nuk lë pa vizituar ambasadën e Republikës së Kosovës, ku më presin ambasadori Spahiu dhe stafi i tij. Nga një çaj e pimë edhe në rezidencën në qytetin Kristal City (Qyteti i Kristaltë), ku jeton përfaqësuesi i shtetit të Kosovës në SHBA me familjen e tij. Në mbrëmje shkojmë bashkë në darkë te familja bujare Muço, Marta dhe Betim, në qytetin Rokvill. Aty gjej "motrën" time korçare, poeteshën Natasha Lako, gazetarin e "VOA"-s, Ikonomin dhe poetin simpatik Sami Gjoka, që kujton dajakun që ka ngrënë në burgun e Ohrit, kur ka ikur nga Shqipëria në Maqedoni, në qershor të '90-s, duke kaluar kufirin ilegalisht në Tushemisht. Të gjithë të ftuar për nder tim. Në hyrje të shtëpisë së Muçove, mysafir i të cilëve qeshë plot tri ditë, hasen fjalët: Live (Jeto), Love (Dashuro) dhe Laugh (Qesh). Njeriu i gjorë, që përpara se të jetë i bardhë a i zi; i krishterë, çifut, budist a mysliman; evropian a amerikan; shqiptar, grek, turk, kinez, çek, polak, gjerman a italian - është njeri, gjatë tërë jetës lufton për këto tri vlera të jetës njerëzore: Jetën, Dashurinë, Lumturinë, pushtimi i të cilave nuk resht kurrë, gjersa vjen një ditë e mbyll sytë përgjithmonë. Në Shqipëri, në Kosovë, në Evropë apo edhe në Amerikë. "Shtrini trupat, jam unë bari" - thotë poeti i njohur amerikan, Karl Sandberg, në një poezi të tij. Të gjithëve një ditë na pret varri me një kryq, gjysmëhënë a mbase edhe shqiponjë përmbi si ajo e flamurit tonë kombëtar kuq e zi. Dhe bari, që, herët a vonë, mbin mbi kokat tona… Toka është një kudo në botë, por ka edhe një tokë, ku bukës i thonë bukë e ujit ujë. Shqip kjo copë tokë quhet atdhe a mëmëdhe dhe dashuria për të nuk lind e as nuk vdes me ne.