Aty ku është dashur ta „mbikëqyrte“ Kosovën, bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë dhe ka lejuar që të ketë një degradim kaq të madh të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Por faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë vendimet kyç politike duke i shndërruar politikanët vendorë vetëm në vegël të tyre. Në këto 4 vjet „pavarësie të mbikëqyrur“ Kosova nuk ka krijuar as kulturën e pavarësisë. Kjo nuk do të ndryshojë as pas vjeshtës, nëse formalisht vendoset „pavarësia e plotë“ apo „e pa mbikëqyrur“ e Kosovës
Ishte viti 2003, diku pranverë e hershme, moti me diell, por bënte ftohtë. Rrugët e Sarajevës dukeshin bosh, kafeteritë edhe më të zbrazëta. Ishin mbushur plot 8 vjet që nga fundi i luftës në Bosnjë-Hercegovinë. Isha për vizitë me Këshillin e Përhershëm të NATO-s në Sarajevë për të parë se sa ka arritur ky shtet në tejkalimin e pasojave të luftës dhe në ndërtimin e shtetit. Sarajeva dukej e lodhur, vrimat e plumbave ende shiheshin nëpër muret e disa ndërtesave, ndërsa vendësit thoshin se është ndryshuar shumë edhe struktura e popullatës së kryeqytetit. Ajo që dukej ndryshim i madh ishte edhe prania jashtëzakonisht e vogël e „ndërkombëtarëve“. Sarajevën e kisha parë për herë të fundit para nisjes së luftës në Kosovë. Në atë kohë numri i ushtarëve të NATO-s, pjesëtarëve të misionit të OSBE-së, Zyrës së përfaqësuesit të lartë ndërkombëtar dhe pjesëtarëve të tjerë të huaj ishte me dhjetëra e mijëra. Largimi i madh i tyre dhe zvogëlimi i numrit paraqitej si dëshmi e suksesit dhe se tash janë vendorët ata që duhet të marrin përgjegjësinë për vete. Thuhej se duhej që lokalët të merrnin „në pronësi“ apo përgjegjësi të ardhmen, apo siç thoshin në anglishte duhej më shumë „local ownership“. Një numër i mirë i „ndërkombëtarëve“ nga Bosnja ishte shpërngulur në Kosovë në mënyrë që tash t’i ndihmonin Kosovës që të përballej me pasojat e luftës dhe të ndërtonte një shoqëri demokratike. Dukej e habitshme se si ata që kërkonin punë në Kosovë në biografitë e tyre shkruanin përvojën nga Bosnjë-Hercegovina si përparësi, ndërsa politika ndërkombëtare ishte që të mos lejohej të përsëriteshin të njëjtat gabime që kjo bashkësi ndërkombëtare i kishte bërë në Bosnjë- Hercegovinë. Kështu, në kohën kur në Kosovë ishte një numër i madh i zyrtarëve ndërkombëtarë, çmimet e qirasë së banesave në Prishtinë kushtonin më shtrenjtë se në Bruksel, me mijëra të rinj gjetën punë si përkthyes, shoferë, mekanikë. Restorantet edhe kafeteritë përfitonin nga prania e madhe e njerëzve me rroga të mëdha. Krejt kjo kishte filluar t’i mungonte Sarajevës, dhe si shkas një numër biznesesh ishin shuar, shumë përthyes kishin humbur vendet e punës, ndërsa shteti i Bosnjë- Hercegovinës kalonte e vendimet prapë i merrte „përfaqësuesi i lartë“ ndërkombëtar. Një pronar i një lokali në Sarajevë më pyeste se „si po kaloni ju në Kosovë me këta të huajt?“. Kur i thashë se popullata e Kosovës është mikpritëse dhe e gëzuar se ka ndihmën e tyre, sidomos me praninë e NATO-s, ai më tha se „së shpejti do ta kuptojnë atë që kuptuan boshnjakët“ . „E çka kanë kuptuar boshnjakët?“ e pyeta. „A e dini atë këngën e këngëtarit Dino Merlin me titull: Teško meni sa tobom-A još teže bez tebe. E titulli i kësaj kënge është mësimi dhe e vërteta. Nuk është lehtë me ta, nuk ka shumë hair prej tyre, por pa ta do ta keni edhe më vështirë“ thoshte ai.
Sot kur e shoh situatën në Kosovë nuk mund të heq nga mendja atë vizitën në Sarajevë në vitin 2003. Sot në Kosovë ka shumë më pak të huaj. Qiraja për banesa në Prishtinë është shumë më e vogël, por shumë të rinj që gjeten punë duke përfituar nga prania ndërkombëtare kanë mbetur pa punë. Kosova nuk e ka ndërtuar shtetin si duhet, demokracia nuk është duke funksionuar si duhet, populli është i varfër, ndërsa është krijuar një shtresë tipike që nxjerr një shoqëri në transicion e njerëzve që duken më të pasur sesa në Perëndim. Mund të gjendet ndonjë shembull ku gjërat në Kosovë janë bërë më mirë se në Bosnje pas luftës. Rindërtimi i shtëpive, për shembull, është bërë shumë më shpejt. „Ju dini të mbaroni shtëpi, por nuk dini të bëni shtet“ pati thënë një diplomat i lartë ndërkombëtar pas largimit nga Kosova. Kosovarët sot janë të pakënaqur me situatën në vendin e tyre. Për këtë fajësojnë edhe politikanët vendorë, por edhe të huajt, sepse Kosova është ende përgjegjësi e përbashkët. Kosovarët i janë falënderues bashkësisë ndërkombëtare për ndihmën që ka dhënë në çlirimin e saj dhe për pavarësimin. Por nuk mund të pajtohen se nuk ka qenë e mundur të bëhej më shumë, sidomos në parandalimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit, në ndërtimin e përgjegjësisë politike dhe standardeve demokratike. Kjo pakënaqësi me ndërkombëtarët nuk do të thotë se kosovarët janë kundër pranisë ndërkombëtare. Atyre nuk u pëlqen se ata nuk e kanë bërë si duhet punën për të cilën kanë ardhur në Kosovë. Prandaj kënga „vështirë me ty, por edhe më rëndë pa ty“ mund të jetë refren i cili përshkruan edhe përshtypjen e shumë kosovarëve sot për bashkësinë ndërkombëtare në Kosovë.
Pavarësia e Kosovës posa është shpallur, ka pasur edhe prapashtesën „e mbikëqyrur“. Kjo mbikëqyrje është dashur të ishte një lloj korrektuesi i ndërkombëtarëve ndaj gabimeve të pushtetit vendor. Kështu së paku ishte shitur para shpalljes së pavarësisë dhe kjo ka qenë edhe arsyeja pse një pjesë e madhe e popullatës ishte e pajtimit që të jetë kështu.
Aty ku është dashur ta „mbikëqyrte“ Kosovën bashkësia ndërkombëtare nuk e ka bërë këtë dhe ka lejuar që të ketë një degradim kaq të madh të demokracisë dhe sundimit të ligjit. Kanë toleruar mashtrimet në zgjedhje dhe madje, sipas disa diplomatëve, kanë ndikuar nganjëherë edhe që për shkaqe politike të ndalen hetimet për krim të organizuar dhe korrupsion. Kanë folur shpesh për „lirinë e medieve“, por nuk kanë bërë asgjë për të ndihmuar mediet. Nuk kanë bërë asgjë edhe për të parandaluar ndarjen e Kosovës.
Por faktori ndërkombëtar në Kosovë ka marrë vendimet kyç politike duke u shndërruar politikanët vendorë vetëm në vegël të tyre. Nuk u ka penguar manipulimi i zgjedhjeve të vetme të përgjithshme, të cilat i kanë organizuar vetë kosovarët vetëm për shkak se institucionet e dala nga to kanë pranuar të bëjnë kompromise me Serbinë. Në vend që t’ia imponojnë Kosovës një demokraci çfarë kanë shtetet perëndimore, pra ku Qeveria u përgjigjet të zgjedhurve të popullit në Parlament, „ndërkombëtarët“ në Kosovë kanë bërë çmos që Parlamenti të jetë vetëm një vegël e tyre dhe e Qeverisë dhe si një lloj dekori i demokracisë. Vendimet kyç për vendin si dialogu me Serbinë, marrëveshjet me Beogradin, që vënë në dyshim identitetin shtetëror të Kosovës në takimet ndërkombëtare dhe rajonale, e edhe zgjedhja e presidentit, liderëve të institucioneve të tjera shtetërore e deri tek guvernatorët e bankave dhe krerët e institucioneve gjyqësore e akademike, edhe tenderët për rrugë dhe shitje të ndërmarrjeve publike, janë bërë jashtë institucioneve, shpesh nëpër shtëpi private apo restorante. Në këto 4 vjet „pavarësie të mbikëqyrur“, Kosova nuk ka krijuar as kulturën e pavarësisë. Kjo nuk do të ndryshojë as pas vjeshtës nëse formalisht vendoset „pavarësia e plotë“ apo „e pambikëqyrur“ e Kosovës. Edhe pas asaj kohe kosovarët nuk do të vendosin për veten. Ata për çfarëdo veprimi të tyre do të kërkojnë lejen e „miqve ndërkombëtarë“. Do ta bëjnë këtë kur duhet e edhe kur nuk duhet. Nganjëherë do ta bëjnë këtë nga nevoja dhe vetëdija se pa ndihmën ndërkombëtare Kosova mund ta pësojë rëndë, por shpesh do ta bëjnë nga pasiguria dhe mungesa e vetëbesimit. Në kushte të tilla, duke i shtuar kësaj edhe faktin se në Kosovë do të ketë prani të huaj ushtarake, gjykatës, policë dhe hetues të huaj të cilët nuk do t’u përgjigjen ligjeve të Kosovës e në të njëjtën kohë do të kenë pavarësi në punën e tyre nga institucionet kosovare, Kosova nuk mund të jetë tërësisht e pavarur.
Në fund duhet thënë se vendimi i atij që quhet „Grup Drejtues Ndërkombëtarë“ që t’i jepet fund asaj që quhet „pavarësi e mbikëqyrur“ është më shumë rezultat i dëshirës së tyre që sa më pak të merren me Kosovën, sesa që reflekton ndonjë përparim të Kosovës në ndërtimin e shtetit dhe zhvillimin e demokracisë. Në kohën kur Kosovës po i thuhet se „do të ketë pavarësi të plotë“, Kosova nuk do të ketë kontroll të territorit të saj, nuk do të jetë anëtare e asnjë organizate kyç ndërkombëtare dhe nuk do të ketë raporte kontraktuale as me BE-në e as rrugë formale të integrimit në NATO, ndërkohë që nuk është e njohur nga gjysma e shteteve të botës. Ajo që është edhe më e rëndë, Kosova do të ketë një Parlament kukull, me deputetë të papërgjegjshëm, të shantazhuar dhe shantazhues, do të ketë një spektër politik, ku secili mund të bëjë koalicion me secilin nëse u përpiqen interesat materiale. E të huajt do të merren me Kosovës aq sa është e domosdoshme në përshkrimin e vendeve të tyre të punës, jo pse e duan Kosovën, por për shkak se marrin rrogë për një gjë të tillë. E edhe numri i tyre do të jetë gjithnjë e më i vogël. Kosova do të jetë e pavarur vetëm atëherë kur kosovarët të vendosin që vërtet të jenë të tillë, por kur të vendosin se vetë duan të marrin përgjegjësinë. Kjo është si duket për klasën politike të Kosovës më e vështirë sesa për gjithçka të pyesin ambasadorin e Amerikës apo diplomatët tjerë, sepse e kanë më lehtë që nga kritikat të mbrohen duke u thirrur në „obligimet ndërkombëtare“. Kështu edhe për dialogun me Beogradin, i cili Serbisë ia solli statusin e vendit kandidat me BE-në e Kosovës fusnotën si njollë në emrin e saj, na u tha se „ishte obligim ndërkombëtar“ dhe kundërshtarëve u dha epitetit si „antievropianë dhe antiamerikanë“. Epitetet edhe ashtu përdoren në mënyrë banale kur s’ka argumente. Mbikëqyrja e tillë çfarë e pati Kosova deri me sot nuk i solli asnjë të mirë. Ajo që është për keqardhje është se kjo „mbikëqyrje“ nuk i dha Kosovës madje as një mësim të vetmin që do t’i shërbente të ndërtonte pavarësinë e plotë, të pambikëqyrur, një ditë.