Karta kineze e Obamës


Nga Malcolm Fraser 

Ish-kryeministër i Australisë


Sipas Rezervës Federale të SHBA-së, vlera neto e amerikanëve ka rënë për 40 për qind që nga viti 2007, duke u kthyer në nivelin e vitit 1992. Progresi drejt rimëkëmbjes do të jetë i ngadalshëm dhe i vështirë, derisa ekonomia amerikane do të vazhdojë të jetë e dobët gjatë tërë periudhës deri në zgjedhjet presidenciale të nëntorit. A mundet një president që kandidon për rizgjedhje - e posaçërisht presidenti Barack Obama – të fitojë në kushte të tilla? Natyrisht se fajin për gjendjen e Amerikës e ndajnë edhe pararendësit e Obamas: Bill Clinton, për inkurajimin e Rezervës Federale që ta largojë vëmendjen nga mbikëqyrja e tregut financiar dhe rregulloret, ashtu si edhe George W. Bush, për luftërat e kushtueshme të tij, që e rritën jashtë mase borxhin e Qeverisë amerikane. Por në ditën e zgjedhjeve, shumica e amerikanëve ka gjasa që të shpërfillë historinë dhe të votojë kundër presidentit që synon rizgjedhjen.
Duke e pasur parasysh këtë, nuk duhet të jetë befasuese që Obama dhe të tjerët në administratën e tij janë duke e vënë theksin te çështjet që nuk kanë të bëjnë me ekonominë, për t’i dhënë energji fushatës. Problemet në përgjithësi të sigurisë nacionale, ashtu si edhe sfida të cilën e paraqet Kina në veçanti, janë duke u shfrytëzuar në këtë aspekt. Politikat e jashtme dhe të mbrojtjes së Obamas kanë qenë këmbëngulëse, posaçërisht në Lindjen e Mesme dhe në Paqësor. Ai ka autorizuar shumë më tepër sulme ajrore sesa Bushi; e ka përhapur depërtimin e shërbimeve të sigurisë në jetët private të amerikanëve; e ka lejuar CIA-n ta vazhdojë programin e vet të burgjeve të paligjshme; ka miratuar gjykime të terroristëve të akuzuar nga tribunalet e dobëta ushtarake dhe nuk e ka mbyllur Burgun e Guantanamos.
Për më tepër, SHBA-ja është duke e rritur praninë e saj ushtarake në Paqësor, gjatë një kohe kur në atë rajon ka më shumë prani ushtarake, sesa në të gjitha shtetet e tjera së bashku. Gjashtë aeroplanmbajtëse, me anijet e tyre shoqëruese përforcuese – në të vërtetë 60 për qind e tërë forcës detare të Amerikës – tashmë janë stacionuar në Paqësor. Krahas kësaj, administrata e Obamas është në bisedime me Filipinet, për ta rritur dhe përforcuar bashkëpunimin në nivel të forcave detare. Po ashtu, zyrtarët amerikanë tashmë e kanë bindur Singaporin për të mundësuar stacionimin e katër anijeve të avancuara të forcave detare. Australia e ka ndërtuar një bazë për marinsat në Darwin dhe një tjetër për aeroplanët spiunues pa pilotë në ishujt Cocos. Kjo nuk është e tëra. Në një nismë që nuk ka bërë edhe bujë aq të madhe, republikanët e Kongresit e kanë shtuar një klauzolë në Ligjin për mbrojtje për vitin e ardhshëm , duke kërkuar që administrata Obama të konsultohet me shtetet në Paqësorin Perëndimor për stacionimin e një numri shtesë forcash – përfshirë armë taktike bërthamore - në rajon. Senatori Richard Lugar më ka thënë se pasi që ka pasur pak ose fare refuzim ndaj amendamentit nga Shtëpia e Bardhë, ai nuk sheh arsye të mosmiratimit të tij në Senat. Gjatë një konference të paradokohshme të sigurisë në Singapor, sekretari amerikan i Shtetit, Leon Panetta, e ka vënë theksin tek konsolidimi ushtarak amerikan në rajon. Më pas, ai ka shkuar në Vietnam, me sa duket për diskutime rreth përdorimit nga Marina amerikane të Gjirit Cam Ranh, një bazë e madhe amerikane gjatë Luftës në Vietnam. SHBA-ja, ashtu si Australia, e mohon se e tërë kjo ka të bëjë me politikën e frenimit, që ka në cak Kinën. Por janë të paktë ata në Paqësorin Perëndimor, që e shohin në mënyrë të tillë. Vizita e Panetës në Vietnam ka ardhur pas vizitës në Pekin të sekretares amerikane të Shtetit, Hillary Clinton, për bisedime strategjike dhe ekonomike. Ato bisedime dukej se shkuan mirë, por është duke u bërë jashtëzakonisht e qartë se SHBA-ja është duke e ndjekur një politikë me dy drejtime: bisedime, por edhe përforcim dhe ripozicionim të fuqisë ushtarake amerikane në Paqësor, për çdo rast. E tërë kjo është duke ndodhur në një kohë kur Kina është duke u përgatitur për ndërrimin e udhëheqjes. Unë jam nga ata që besojnë se tranzicioni politik do të kalojë pa probleme. Të tjerët sugjerojnë se do të jetë – dhe se tashmë është – periudhë e vështirë e trazirave dhe e paqartësisë. Administrata Obama mund të besojë se ashpërsia që ka në cak Kinën do të sigurojë përkrahje të përgjithshme gjatë zgjedhjeve në SHBA. Gjatë incidenteve të mëdha ndërkombëtare apo krizave, Amerika shumë rrallë ka votuar kundër një presidenti. Por a e ka kuptuar ai në masë të duhur se sa provokuese janë për Kinën politikat e tij?
E tërë kjo nuk ka për qëllim të sugjerojë se rajoni i Paqësorit nuk ka nevojë për Amerikën. Por derisa Amerika ka një rol të rëndësishëm për ta luajtur në rajon, SHBA-ja është dashur ta mësonte deri më tani se objektivat politike të saj ka pak të ngjarë të arrihen me mjete ushtarake. Edhe vetë kinezët nuk duan që amerikanët të largohen nga Paqësori Perëndimor, pasi që një gjë e tillë do të shqetësonte edhe më shumë shtetet më të vogla në periferinë e Kinës në lidhje me fuqinë kineze. Kina e kupton tërë këtë; sidoqoftë, një përforcim i madh ushtarak amerikan në tërë rajonin është çështje në vete. Këto janë ditë të rrezikshme, jo vetëm në aspektin ekonomik, por edhe në atë strategjik. Ne duhet të pyetemi nëse Obama po mundohet të luajë me kartën e Kinës, për ta kthyer fushatën presidenciale në favor të vetin. Po qe se ky është qëllimi i tij, atëherë hapi i tillë bart në vete rreziqe të mëdha. Amerika duhet t’i tregojë Kinës se nuk e do një gjë të tillë. Më parë do të heqja dorë nga Traktati ANZUS me Zelandën e re dhe SHBA-në – pra t’i jepja fund bashkëpunimit në fushën e mbrojtjes me SHBA-në – sesa të lejoja që raketat bërthamore të stacionoheshin në territorin amerikan. Qeveria aktuale australiane nuk do të ndërmarrë një hap të tillë, ashtu si edhe opozita. Por, gjithnjë e më shumë australianë kanë filluar të pyeten rreth fuqisë dhe rëndësisë së lidhjeve tona strategjike me SHBA-në. Mbase shpresa më e madhe jona për stabilitet dhe paqe qëndron te refuzimi i Kinës që të provokohet. Kinezët po e kuptojnë lojën që po luhet në kurriz të tyre. Dyshoj se ata do të qëndrojnë duarkryq gjatë fushatës zgjedhore amerikane.

Marrë nga “Project Sindycate”