Kalendari për 100-vjetorin, në listë edhe Dita e Verës

Kalendari për 100-vjetorin, në listë edhe Dita e Verës:


Nga festimet për Ditën e Verës në Tiranë
Lista e aktiviteteve të financuara nga Ministria e Kulturës.
Aktivitete e festa të përvitshme janë përfshirë në listën e festimeve për Pavarësinë.
Që me të hyrë, ky vit u pagëzua si “Viti i 100-vjetorit të Pavarësisë”. U bënë premtime pa fund për aktivitete të mëdha dhe pritshmëria nga ana e publikut ishte shumë e madhe. Tashmë ka kaluar më shumë se gjysma e vitit dhe shumë pak nga aktivitetet e organizuara deri më tani na kanë mbetur në mendje, veçse jehona e sloganit “me rastin e 100-vjetorit të pavarësisë” përsëritet pa fund. Gjithçka në emër të 100-vjetorit, çdo lloj aktiviteti, ka apo nuk ka lidhje me ngjarjen e madhe historike. Promovime librash, shfaqje teatrale, ekspozita, koncerte, konkurse, videoklipe këngësh patetike patriotike, pse jo edhe sfilita kuq e zi… Kush e kush po mundohet të përfitojë diçka prej këtij viti, ndonjë fond, ndonjë sponsorizim… Qysh në fillim të vitit, në një nga daljet e tij për mediat, ministri i Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Aldo Bumçi, premtoi se do të shpallej një kalendar i detajuar aktivitetesh, madje dha edhe afat (10 shkurtin), por ky kalendar nuk doli kurrë. Pasi po mbyllet dhe korriku, me urdhër po të ministrit, specialistët hartojnë një listë me aktivitetet që janë zhvilluar deri tani në kuadrin e jubileut, me datat dhe shumat përkatëse. Kjo listë na rifreskon memorien mbi aktivitetet që janë zhvilluar deri tani. Ndër to renditen konkurset për posterin festiv, për veprat muzikore të kompozuara me këtë rast, për dramën shqipe, që ende nuk dihet se ç’është bërë, dy ekspozita të mëdha në Galerinë Kombëtare të Arteve, si ajo e të mbijetuarve kosovarë “Bogujevci/Histori pamore” dhe ajo retrospektive “Ibrahim Kodra”, koncerte të zhvilluara nga Lushnja, në Kosovë… Por ajo që të çudit, është përfshirja në këtë listë edhe të aktiviteteve të përvitshme, që nuk kanë asnjë lidhje me përvjetorin, madje-madje dhe përfshirja e ndonjë feste pagane popullore. Kështu, në këtë listë përfshihet edhe Festivali Mbarëkombëtar i Fëmijëve në Shkodër, edhe festa e fëmijëve 1 Qershori, por edhe Dita e Verës. Kjo e fundit është festuar shumë para shpalljes së pavarësisë dhe s’ka asfare lidhje me të, por edhe të tjera sa renditëm më sipër janë festa e aktivitete të përvitshme, të cilat nuk kanë përse përfshihen në listën e festimeve apo të përfitojnë para nga fondet e 100-vjetorit. Të gjitha këto i kanë kushtuar MTKRS-së 31.347.630 lekë, plus 12.579 euro. Sa u takon aktiviteteve në vijim, pritet se ç’do miratojë Qendra Kombëtare e Artit dhe Kulturës, e cila nisi punën pak kohë më parë, me një fond minimal prej 30 milionë lekësh. Siç u deklarua nga ministri Bumçi dhe nga kryetari i Qendrës, Frrok Çupi, përparësi do t’u jepen projekteve për 100-vjetorin. “QKAK këtë vit ka misionin e inkurajimit të vlerave të 100-vjetorit të Pavarësisë. Projektet e artit dhe kulturës për vitin e Pavarësisë i dedikohen zbulimit dhe identifikimit të vlerave, identitetit kombëtar dhe diversitetit kulturor”, është shprehur Çupi jo shumë ditë më parë.
Lista e aktiviteteve për Pavarësinë

• Aktivitetet artistike me rastin e festimeve të 568-vjetorit të Kuvendit të Lezhës-Dita e Besëlidhjes, që u kremtua në qytetin e Lezhës, më datë 2 mars 2012

Shuma 3.112.000 Lekë

• Koncert me rastin e 92-vjetorit të Kongresit të Lushnjës, i cili u organizua ne Teatrin “VAÇE ZELA”, në datën 21 janar 2012

Shuma  622.000 Lekë

• Ekspozita “Bogujevci/Histori Pamore”, që u zhvillua përgjatë muajit shkurt 2012, në Galerinë Kombëtare të Arteve

Shuma 451.000 Lekë

• Koncert i Ansamblit Popullor me rastin e 134-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, që u mbajt më datë 10 qershor 2012, në Prizren Kosovë

Shuma 3.914 EURO

• Konkursi për veprat muzikore të kompozuara në kuadër të festimeve të 100-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë (1912-2012) (përfundon në nëntor)

Shuma 5.000.000 LEKË

• Aktiviteti “1 QERSHORI – DITA KOMBËTARE E FËMIJËVE”, që u  organizua në qytetin e Tiranës më 1 qershor 2012

Shuma 577.330 Lekë

• Me mbështetjen financiare të Federatës Shqiptare të Alpinizmit Për pjesëmarrjen në aktivitetin “Everest” 2012

Shuma 4 000 000 Lekë

• Aktivitetet me rastin e festimeve të Ditës së Verës, që u kremtua në qytetin e Elbasanit, më datë 14 mars 2012

Shuma 640.500 Lekë

• Konkursi mbarëkombëtar mbi realizimin e posterit festiv të “100-vjetorit të Pavarësisë”, që u zhvillua në datat 20.01.2012-20.02.2012, pranë Galerisë Kombëtare të Arteve

Shuma 844.000 LEKË

• Ekspozita “Ibrahim Kodra”

Shuma 2.493.400 Lekë

• Konkursi mbarëkombëtar i dramës shqipe

Shuma 2.200.000 Lekë

• Projekti “Homazh për Frashërllinjtë e mëdhenj”

Shuma 300.400 Lekë

• “Panairi i Librit, Leipzig 2012″

Shuma 1 700 000 Lekë

• “Libri në 100-vjetorin e Pavarësisë”, mbështetje për pjesëmarrje në panairet rajonale të librit, shoqëruar me një tur të shkrimtarëve pjesëmarrës në Shkup e Prishtinë

Shuma e përgjithshme 450.000 Lekë + 8.665 Euro

• Veprimtaria e traditës “FESTIVALI MBARËKOMBËTAR I KËNGËS PËR FËMIJË”, që organizohet nga shoqata “Shpirti artistik i Shkodrës” në bashkëpunim me Bashkinë Shkodër, në datat 3-4-5 korrik 2012

Shuma 1.957.000 Lekë

• Mbështetje e pjesshme financiare e Federatës Shqiptare të Aeronautikës për organizimin e takimit ndërkombëtar të fluturimeve të lira “Albania open”, 8-12 maj 2012, Vlorë

Shuma 5.000.000 Lekë

• Aktiviteti “Përjetësisht dashuria”, që u zhvillua në Teatrin Kombëtar, në muajin qershor 2012

Shuma 2.000.000 Lekë

TOTALI I PËRGJITHSHËM 31.347.630 LEKË + 12.579 EURO
ALMA MILE