Ja sekreti ‘brutal’ i suksesit të Kinës në olimpiada

Ja sekreti ‘brutal’ i suksesit të Kinës në olimpiada:


Lojërat Olimpike Londër 2012, të cilat kanë startuar prej 4 ditësh, janë dominuar në mënyrë të dukshme nga sportistët kinezë, të cilët mbajnë vendin e parë për numrin e medaljeve të arta të fituara, siç ka ndodhur në fakt edhe në olimpiadat e shkuara. Por ajo që ka ndezur një debat të madh mes sportistëve dhe pjesëmarrësve nga vende të ndryshme në olimpiadë, ka qenë triumfi i notares 16-vjeçare Ye Shiwen, e cila me fuqinë, shpejtësinë dhe paraqitjen e jashtëzakonshme në not ka mahnitur mbarë botën.

16-vjeçarja Ye Shiwen, e cila fitoi medaljen e artë në not, Londër 2012
Ajo fitoi medaljen e artë, duke vendosur një rekord në këtë sport nisur edhe nga moshën e re e saj, madje duke notuar edhe më shpejt se sa fituesi i së njëjtës disiplinë për meshkuj, amerikani Lochte. Fuqia mashkullore e një vajzë vetëm 16-vjeçare ngriti fillimisht dyshimet e para për doping, gjë që në fakt nuk ka rezultuar aspak e vërtetë dhe sportistja nga Kina e ka justifikuar suksesin e saj të jashtëzakonshëm me një punë të palodhur dhe shumë intensive, që kur ishte në moshë fare të vogël.

Duke u nisur nga ky fakt, mediat britanike kanë investiguar dhe kanë zbuluar se cila është në fakt, kostoja e një suksesi të padiskutueshëm dhe të vazhdueshëm të sportistëve kinezë në olimpiada. E përditshmja britanike ‘Daily Mail’ ka publikuar ditën e sotme disa foto ku tregohen fëmijë kineze 4-5 vjeç që detyrohen, mes lotëve, të bëjnë ushtrime fizike ekstremisht të vështira për moshën e tyre, në mënyrë që të përgatiten për lojërat olimpike në të ardhme.

Mediat britanike theksojnë se fëmijët kinezë merren nga familjet e tyre që në moshën 4-vjeçare dhe i nënshtrohen një disipline brutale, që do t’i bëjë ata fitues të sigurt në olimpiadat e radhës. Kjo është kostoja që paguan Kina për gjithë ‘arin’ e marrë në olimpiada, dhe ky është shpjegimi i forcës mashkullore të 16-vjeçares kineze që mahniti botën në Londër 2012.
31 korrik 2012 (gazeta-Shqip.com)
Ja sekreti ‘brutal’ i suksesit të Kinës në olimpiada burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip