Ja 27 pikturat e zhdukura të Mios

Një procesverbal paraprak konfirmon mungesën e 27 pikturave të Vangjush Mios, ndërsa verifikimet vazhdojnë. Janë vepra të realizuara që nga viti 1912 e në vazhdim
Oliverta Lila



Sipas inventarit paraprak, në galerinë “Guri Madhi” në Shkodër janë zhdukur 27 piktura të Vangjush Mios. Ndërkohë, të tjera vepra të piktorëve të tjerë janë pjesë e humbjes që u bë publike dy ditë më parë. Drejtori i kësaj galerie, Vladimir Topi, ka bërë dje edhe një denoncim ndaj ish-përgjegjësit të kësaj galerie, piktorit Sotiraq Xega, i cili është kujdesur vullnetarisht prej 10 vitesh për këtë galeri që nga viti 2001 deri më 2010-n. Pikturat e zhdukura janë realizuar në kohën e pavarësisë, të Luftës Nacional Çlirimtare, gjatë viteve të komunizmit. Ato janë të regjistruara në Qendrën e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Drejtori Izet Duraku theksoi se ata kanë kataloguar 440 vepra (piktura) nga galeria “Guri Madhi” në Korçë, nga të cilat 49 i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. “Ne i kemi të regjistruara me fotografi dhe të dhëna shkencore, ndërkohë që kartelat e pikturave gjenden në galerinë e Korçës. Ne kemi shkuar disa herë në këtë galeri për të parë nga afër se si janë të ruajtura këto vepra. Sapo të marrim inventarin, ne do të dorëzojmë dosjen me të dhënat e plota zyrës së antitrafikut në Ministrinë e Brendshme dhe Interpolit”, ka theksuar Duraku. Këto ditë është folur se galeria “Guri Madhi” në Korçë zotëron një fond prej rreth 630 veprash, shifër që nuk përkon me numrin e pikturave të kataloguara nga QKIPK-ja. Në këtë rast flitet për një diferencë prej afro 200 veprash, fakt që do të sqarohet me përfundimin e inventarit të plotë. “Këto janë veprat që kjo galeri ka prurë për të kataloguar te ne dhe tashmë ato janë në arkivin tonë online. Procesi i regjistrimit të veprave të këtij institucioni është konsideruar i mbyllur”, thekson drejtori Izet Duraku. Prej disa vitesh, Qendra e Inventarizimit të Pasurive Kulturore u ka bërë thirrje të vazhdueshme drejtuesve të institucioneve për katalogimin e fondeve, duke e ngritur këtë çështje si një shqetësim të vazhdueshëm. Ndërkohë, një grup në Policinë e Korçës, i përbërë nga specialistë të fushës, po heton për zhdukjen e veprave. Fotografitë dhe të dhënat e veprave do të shpërndahen në të gjitha pikat kufitare, për të mos lejuar daljen e këtyre veprave jashtë vendit.

176 Shkembinjtë në Himarë0001
175 Fshati Mborje0001
170 Tirana 1939
167 Duajt në arë0001
166 Autoportret0001
164 Rrugë në Korçë0001
Vjeshtë në Bukuresht
Vjeshte me 3 vajza
Shtëpia e Asdrenit
Portret gruaje
Pamje në Venecia
Malet e Moravës
Dunaveci
Çadrat e Harixhinjve
Bujku duke lëruar
217 Vjeshtë me kalimtarë0001
201 Kodrat në Dishnicë0001
188 Natyrë e qetë0001
186 Këneta e Maliqit dje0001
183 Mulliri në Mborje0001
182 Liqeni i Pogradecit0001
181 Fusha e Korçës0001
180 Rrugë në Tiranë0001
178 Kositësit në fushë0001


Lista e pikturave të humbura

  • “Natyrë e qetë”
  • “Kodrat në Drenicë”
  • “Vjeshtë me 3 vajza”
  • “Shtëpia e Asdrenit”
  • “Hyrje në Voskopojë”
  • “Malet e Moravës”
  • “Shkëmbinjtë në Himarë”
  • “Venecia”
  • “Fshati Mborje”
  • “Kositësit në fushë”
  • “Çadrat e Harixhinjve”
  • “Portret gruaje”
  • “Bujku duke lëruar”
  • “Mulliri i Mborjes”
  • “Duajt në fushë e male”
  • “Hyrje në Korçë nga Dishnica”
  • “Vjeshtë në Bukuresht”
  • “Këneta e Maliqit dje”
  • “Autoportret”
  • “Rrugë në Tiranë”
  • “Tiranë, 1939”
  • “Rruga e fëminisë’ (Korçë)
  • “Natyrë e qetë” (Fruta)
  • “Dunaveci”
  • “Liqeni i Pogradecit”
  • “Vjeshtë me kalimtarë”
  • “Fushë në Korçë”

Pikturat vazhdojnë të shënohen me çmime të kohës së komunizmit. Këto çmime qesharake, që gjenden në të gjitha fondet e trashëgimisë, i kanë hapur rrugë shpërdorimit. Specialistët bëjnë thirrje për rivlerësimin e tyre

Pikturat e Vangjush Mios

Në inventarë vlejnë vetëm 700 lekë


Pikturat e Vangjush Mios kushtojnë nga 0 në 700 lekë të vjetra. Kjo është shifra që shënohet në inventarë, mbetur që nga koha e komunizmit. Kjo vlen edhe për piktura të tjera të kësaj galerie. Në fakt, problemi shtrihet në të gjitha muzetë dhe institutet që ruajnë fondet e trashëgimisë kulturore. Zhdukja e rreth 60 pikturave nga galeria “Guri Madhi” i ka nxitur edhe njëherë specialistët të ngrenë zërin për rivlerësimin e këtyre objekteve. Në rastin konkret, ka vepra të Mios, të cilat e kanë të shënuar vlerën 0, për të vazhduar me të tjera që vlerësohen me 500, 600 dhe më e larta me 700 lekë të vjetra. Këto çmime qesharake aplikohen në të gjitha fondet e trashëgimisë kulturore, ku vlera më e lartë shkon në 5-7 mijë lekë të vjetra. “Kjo ka qenë një vlerë e vogël për një kohë të caktuar kur veprat i mbronte ideologjia, një shtet që kishte sanksione shumë të rënda. Sot kjo shumë është qesharake. Megjithatë, këto vepra mbrohen nga ligji për trashëgiminë kulturore dhe përgjegjësit duhet të përgjigjen sipas këtij ligji. Këto vepra nuk lejohen të shiten, ose të dalin nga institucionet publike për te privati”, shprehet Izet Duraku, drejtor i Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Çmime të tilla, të mbetura që nga koha e komunizmit, edhe më parë u kanë hapur rrugë vjedhjeve dhe humbjeve të shumë objekteve. Ka disa vite që flitet për rivlerësimin e këtyre objekteve.
 
Ligji u lejon drejtuesve të institucioneve të trashëgimisë të ngrenë komisione vlerësuese me specialistë, që t’u japin vlerën e tregut, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur. Frederik Stamati, kryetar i Shoqatës së Restauruesve Shqiptarë, ka qenë një ndër të parët që e ka ngritur këtë problem. Duke punuar veçanërisht me fondet e Institutit Etnografik dhe atij Arkeologjik, Stamati e sheh të pakuptimtë këtë zgjatje. “Asgjë nuk është rivlerësuar, ngelen prapë po ato çmime. Nuk e shpjegoj dot se pse vazhdon të mos bëhet, ndërkohë që thuhet vazhdimisht se do të fillojë ky proces. Rivlerësimi bëhet nga ekspertë që e njohin fushën dhe e dinë se çfarë vlere kanë objektet dhe sa domethënie kanë për historinë e Shqipërisë. Është një situatë ku vetë shteti nuk e di se çfarë vlere ka në ngarkim”, shprehet Stamati. Sipas tij, ka pasur edhe një ide që të bëhet një rivlerësim në grup (të shpatave, veshjeve, stolive etj.), por sipas Stamatit, një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë, pasi çdo objekt mbart vlera të veçanta. Vitet e shkuara kemi një sërë precedentësh për objekte që kanë humbur e për të cilët nuk është mbajtur përgjegjësi.
4 milionë - Rreth 4 milionë lekë shkon vlera aktuale e fondeve etnografike, vlerësuar në inventarë me çmimet e kohës së komunizmit. Në të vërtetë, vlerat e tyre të tregut janë shumë më të larta dhe përfaqësojnë pjesë të rralla të trashëgimisë kulturore.
2200 objekte të vjedhura - Sipas të dhënave të Qendrës Kombëtare të Inventarizimit të Pasurive Kulturore, pas viteve ’90 në Shqipëri shënohen më shumë se 2200 objekte të vjedhura (objekte fetare, arkeologjike, të arteve dhe etnografike)
Hetimet - Policia e Korçës vazhdon hetimet për zhdukjen e rreth 60 pikturave nga galeria “Guri Madhi” në Korçë, nga të cilat 27 i përkasin piktorit të njohur Vangjush Mio. Drejtori Vladimir Topi ka bërë një denoncim për ish-përgjegjësin Sotiraq Xega, i cili ka thënë se nuk ka pasur asnjëherë inventar për veprat