Ivi Adamou, nga Qiproja me dashuri

Ivi Adamou, nga Qiproja me dashuri:


Këngëtarja qipriote në Tiranë. Foto: Vlasov Sulaj
Përfaqësuesja qipriote në Festivalin Europian, në Tiranë për të përshëndetur festivalin “Hit Fest”, organizuar nga RTSH. Ivi Adamou, 18 vjeçe, për javë të tëra ka kryesuar listat e hit-paradave me këngën e saj “La la love”
Ndonëse në startin e karrierës muzikore, në moshën 18 vjeçe për herë të parë u ngjit në një skenë që shumë artistë të tjerë e kanë ëndërruar, atë të Eurosong 2012. Ivi Adamou gjendet këto ditë në Tiranë për të përshëndetur festivalin rinor “Hit Fest”, që organizohet nga Televizioni Publik Shqiptar. Fituesi i këtij evenimenti do të kualifikohet menjëherë për të debutuar në skenën e festivalit të fundvitit, të RTSH-së. Ndërsa me qiprioten simpatike ne ndajmë përshtypjet e para për Shqipërinë, sukseset muzikore ndërkombëtare dhe pritshmëritë për projektet artistike të Ivit.

Gjendeni në Tiranë. Cilat janë përshtypjet e para për vendin tonë?

U emocionova kur më erdhi ftesa për të kënduar në një festival shqiptar përpara bashkëmoshatarëve të mi. Këtë herë vij në Tiranë vetëm për të përshëndetur festivalin rinor “Hit Fest” me këngën time “La la love”. Më pëlqeu shumë natyra shqiptare, gjelbërimi, njerëzit mikpritës dhe sidomos gatimet e shijshme. Shqipëria është një vend me tradita të mrekullueshme, që mua më ka impresionuar.

Tanimë që eksperienca në Eurosong 2012 ka përfunduar, si ndiheni?

Provova emocione të forta gjatë interpretimit në skenën e magjishme të Eurovizionit. Nuk është pak që për një këngëtare të re si unë, të provoj të tillë eksperiencë në moshën 18-vjeçare. Gjithçka shkoi sipas parashikimeve, performanca, elementet artistike, ndërsa duartrokitjet që mora më emocionuan shumë.

“La la love” është kthyer në hitin e kësaj vere. Çfarë e bën kaq të veçantë këngën tuaj?

Ivi Adamou gjatë performancës së saj në “Eurosong 2012”
Oh! E dua shumë këtë këngë. Nga fillimi në fund hiti flet për dashurinë, këtë ndjenjë të bukur që tjetërson gjithkënd që e provon. Teksti thotë që kur je i dashuruar, je i mbushur me energji, dhe unë këtë energji dua t’ua transmetoj njerëzve, publikut të gjerë përmes këngës sime. Kam punuar shumë deri në realizimin e hitit, videos muzikore. Ka shumë ritëm veror kënga ime, ndaj jo pa qëllim besoj se ajo është e pëlqyera e kësaj vere nga të rinjtë.

Ndërsa në klasifikimin muzikor suedez, për 11 javë rresht ju jeni renditur në vend të parë. Apo jo?

Ishte surprizë për mua ky fakt. Të jesh për kaq shumë javë në vend të parë të preferencave muzikore në tregun botëror, nuk është pak. Kjo tregon që hiti im është pëlqyer dhe ka korrur sukses në shumë shtete të huaja. Kënga është shumë ritmike, verore, dhe dëgjohet në makinë, nëpër klube, në shtëpi, ndaj impakti ka qenë i shpejtë. Të jem e sinqertë, i paparashikueshëm edhe nga unë. Kam marrë ftesën që të këndoj nëpër disa festivale verore në Suedi, jam e ftuar në një televizion shtetëror suedez për të folur në një intervistë për këngën time. Shumë gjëra të bukura janë mbledhur bashkë për mua…(qesh).

Ivi, aktualisht cilat janë projektet e tua muzikore?

Për momentin jam përqendruar te studimet, pasi pres të filloj shkollën e lartë në degën e Sociologjisë. Megjithëse në këtë periudhë verore, jeta ime në Athinë është e mbushur me shoqëri, pushime, det e festivale të ndryshme ku jam e ftuar të këndoj. Dëshira ime është e madhe që të mbetem në botën e muzikës. Por, duke qenë ende në fillimet e mia, preferoj të jem me këmbë në tokë e të mos flas për projekte gjigante. Kam në plan për të realizuar së shpejti një këngë në versionin anglisht, por duhet ende punë deri në përfundimin e saj. Të shohim…
ERMIRA ISUFAJ