Pamjet ekskluzive
Gazeta “Shqip” publikon pamjet që fiksuan grabitësit, teksa nën presion e kallashnikovit morën 2 kg flori nga një argjendari në mes të Fierit. Videon e plotë, me 24 sekonda, do ta gjeni ekskluzivisht sot online në: www.gazeta-shqip.com
- Sekonda 1 - Në argjendari ndodhen 8 persona, gjashtë klientë dhe dy shitësit. Midis klientëve edhe tre gra, ku njëra prej tyre duket e moshuar. Të gjithë po shohin sendet që ndodhen në argjendari
- Sekonda 3 - Dy persona, të armatosur, njëri prej të cilëve me kallashnikov, futen në argjendari. I pari mban një pistoletë në dorë, ndërsa tjetri armën automatike. Njëri prej shitësve ngre duart lart
- Sekonda 4 - Autorët futen në banakun ku ndodheshin shitësit. Autori i veshur me të zeza godet shitësin dhe e përplas në dysheme. Shitësi tjetër ulet poshtë banakut. Autori i dytë mban një çantë të zezë
- Sekonda 5 - Një nga autorët i drejton kallashnikovin shitësit që ndodhet në dysheme. Autori i dytë vepron me shpejtësi dhe merr tabakët në të cilat janë varëset, unazat dhe vathët e floririt
- Sekonda 6 - Në këtë sekuencë, një nga autorët arrin të nxjerrë jashtë argjendarisë klientët. Autori i dytë vijon me shpejtësi të marrë sendet me vlerë, duke i futur në çantë. Armët drejt shitësve
- Sekonda 9 - Në këtë kohë kanë dalë jashtë të gjithë klientët. Një nga autorët i drejton pistoletën shitësit dhe tjetri mban tabakanë në duar, duke i futur me shpejtësi në çantë
- Sekonda 12 - Një nga autorët godet gjatë hapjes me sirtar shitësin e veshur me të bardha
- Sekonda 18 - Në këtë kohë, një nga autorët godet me qytë kallashnikovi shitësin
- Sekonda 21 - Autorët ia kanë arritur qëllimit, por shpejtojnë të mbyllin çantën sportive
- Sekonda 22 - Autori me kallashnikov godet me qytë shitësin dhe me shpejtësi i drejtohet derës
- Sekonda 23 - Autorët dalin jashtë derës. Dy shitësit ndodhen të ulur poshtë banakut. Ankthi mbaron
Mban kapele dhe i veshur me të zeza. Në këmbë, atlete. Ka pistoletë në dorë
Autori 2
Është i veshur me xhinse e bluzë me vija. Ka kapele dhe shall. Me kallashnikov në dorë
Edmond Hoxhaj
Në çdo film aksion, ku protagonist janë grabitësit e bankave apo bizhuterive të shtrenjta, jemi mësuar të shikojmë parapërgatitjet që ata bëjnë. Madje në disa raste, në skenarët që na ofrohen prej filmave të “Hollivduit”, këta grabitës që kërkojnë të fitojnë lehtë, na serviren si “heronj”, të cilët kërkojnë “Ëndrrën amerikane”. Aktorët, që zgjidhen për të interpretuar këto role, zakonisht janë simpatikë, me turp të ndërtuar dhe mjaft inteligjentë. Por ata kanë edhe cilësinë tjetër vendimtare, për t’i mbrojtur atributet e tjera, gjakftohtësinë. Por, ajo që ndodhi dy ditë më parë në mes të ditës, në qytetin e Fierit, nuk ishte film, ku teleshikuesi mund ta ndiente veten protagonist. Ata që patën fatin e keq të ishin pre e agresionit të dy të rinjve të paidentifikuar, që mbanin në fytyrë maska e në duar kallashnikovë, përjetuan çaste terrori. Por, ajo që vërehet në këtë grabitje është fakti se dy të rinjtë duket se kanë parë shumë filma aksion dhe janë përgatitur prej kohësh të bëhen protagonistë. Ata kanë zgjedhur të jenë protagonistë të ngjarjeve reale, e jo të filmave hollivudianë. Gazeta “Shqip” ka siguruar ekskluzivisht videon e grabitjes, ku duken dy autorët që futen me shpejtësi në argjendari. Videoja e plotë zgjat 24 sekonda dhe duken dy autorët që veprojnë me shpejtësi për të marrë sendet me vlerë.
Autorët
Me fizik sportiv e të bëshëm, të shpejtë në lëvizje, të ftohtë në mendime, me pak fjalë e shumë veprime të sakta. Të tillë kanë qenë dy grabitësit e argjendarisë “Ilija” në qendër të qytetit të Fierit, që u vodh nën presionin e kallashnikovëve në mes të ditës, në orën 11:00 të së enjtes. Dy agresorët, me fizikun dhe veprimet e tyre, më shumë ngjanin me forca speciale të ndërhyrjes së shpejtë teksa hyjnë në aksion. Gazeta “Shqip” publikon pamjet, ku janë fiksuar sekondat e tmerrit të pronarit të kësaj argjendarie, Ilija Kabucit, punonjësit të tij dhe disa klientëve që ndodheshin në çastin e grabitjes. Nga pamjet duket qartë se dy grabitësit kanë planifikuar çdo lëvizje që do të kryenin gjatë operacionit të tyre.
Grabitja
Me mjaft zhdërvjelltësi hyjnë në dyqan dhe njëri prej tyre, i cili mban veshur një bluzë me mëngë të shkurtra ngjyrë gri, drejton automatikun tip kallashnikov nga pronari. Duket një dorë e stërvitur mirë me armën të cilën e mban drejt, gati për të shtënë kundrejt çdo qëndrese të presë së tyre. Asnjë dridhje, asnjë emocion nuk e turbullon atë djalë, i cili, edhe pse ka maskë në fytyrë, në pjesën e prapme të kapelës i shquhen flokët biond. Ai mbush armën, duke e vendosur fishekun e parë të karikatorit në gojë, gati për të qëlluar. Ndërkohë që klientët dalin nga dyqani të tmerruar, bashkëpunëtori i “biondit”, i cili mban veshur një bluzë të zezë, duket se e njeh mirë zanatin e hajdutit. Ai hyn prapa banakut dhe me një lëvizje të dorës, që ngjan më shumë me një kapje mundësi, e shtrin përdhe punonjësin e dyqanit. I shpejtë dhe i përpiktë në çdo lëvizje ai hap raftet e dyqanit e në pak sekonda zbraz katër tabaka ku ekspozoheshin bizhuteri të ndryshme të florinjta. Në të njëjtën kohë, me dorën tjetër kujdeset që punonjësi i dyqanit të jetë i neutralizuar. Ndërsa grabitësi tjetër, i cili mban në dorë kallashin, e godit me qytë punonjësin e dyqanit, duke e lënduar në hundë. Gjatë gjithë kësaj kohe, si pronari i argjendarisë “Ilija”, ashtu edhe punonjësi i tij nuk arrijnë të kryejnë asnjë veprim. Vetëm në çastin kur grabitësit kanë hyrë, Ilija ka mundur të ndezë sinjalin e alarmit dhe pastaj lëvizjet e tij janë paralizuar nën kërcënimin e automatikut. Ndryshe nga grabitësit e zakonshëm që përdorin armë, me të cilët Ilija është përballur edhe tre herë të tjera, këta të dy janë gjakftohtë. Ata nuk bërtasin apo të thyejnë xhamat e banakut. Dinë mirë atë që bëjnë dhe çdo veprim i tyre duket si i një profesionisti. Asnjë lëvizje e tyre nuk është e gabuar. Në brendësi të çantës sportive ngjyrë blu të errët, kanë zbrazur rreth dy kilogramë flori, nuk pretendojnë të marrin gjithë floririn që ndodhet në argjendari. Në një moment, kur grabitësi me bluzë ngjyrë gri i drejton tytën e kallashnikovit punonjësit të dyqanit, përbri këtij të fundit ndodhet bashkëpunëtori tjetër me bluzë të zezë. Në mënyrë instiktive “biondi” e vendos në siguresë armën, si për t’u siguruar që ajo mos të shkrehet aksidentalisht, duke qëlluar ndaj ortakut. Por, pikërisht në këtë moment “biondi gabon”. Ai vendos mbi banak dorën e tij, ku mendohet të ketë lënë gjurmët e gishtave, që mund ta çojnë drejt prangave. Ndërkaq, tjetrit i janë rrëzuar syzet e diellit me ngjyrë të errët, të cilat nuk ka pasur mundësi t’i marrë para se të largohet. Ndërsa kanë qenë duke dalë nga dyqani, grabitësi, që mbante kallashnikovin në dorë, është kujdesur që pronari dhe punonjësi të mos vepronin. Madje para se të ikë ai e ka qëlluar edhe Ilijan me automatik, por pa e lënduar rëndë.
Arratisja
Më pas, ata janë larguar me motorin e tyre ngjyrë gri, tip “Skuter”, duke shkuar në drejtim të shkollës nëntë-vjeçare “Mark Dashi”, ku edhe janë parë nga persona të rastit. Sipas dëshmive të këtyre të fundit, grabitësi, që mbante veshur bluzën e zezë, e ka pasur ende shaminë me të cilën maskonte fytyrën dhe armën në sup. Ndërkaq, të dëmtuarit kanë mbetur të shokuar dhe nuk kanë kryer asnjë lëvizje, derisa e kanë kuptuar se personat, që po u rrezikonin jetën, ishin larguar. Ka kaluar gati gjysmë minute derisa ata e kanë marrë veten dhe kanë nisur të kërkojnë ndihmë. Por të vetmit që kanë mbërritur aty, kanë qenë familjarët e Ilijas dhe disa miq. Ndërkohë, policisë i janë dashur rreth 20 minuta për të mbërritur në vendngjarje. Blutë kanë nisur të ngrenë postblloqe në gjithë kryqëzimet e qytetit dhe në periferi të tij. Por, për 20 minuta autorët kanë pasur mundësinë të largohen me motorin e tyre jo shumë kubikësh, të paktën 15 kilometra jashtë qytetit të Fierit. Kontrollet dhe verifikimet e policisë nuk kanë arritur të identifikojnë autorët e ngjarjes.
Policia
Nëpërmjet një njoftimi zyrtar, të dhënë dje nga Drejtoria e Policisë së Qarkut të Fierit, lidhur me grabitjen e argjendarisë, theksohet fakti se dy autorët, duke ushtruar dhunë e duke kërcënuar, kanë arritur të vjedhin një sasi prej rreth 2 kg bizhuteri floriri. Gjithashtu, në njoftim sqarohet edhe fakti se nga këqyrja e vendit të ngjarjes u arrit të fiksohen dhe të përfitohen gjurmë papilare, si dhe u sekuestruan në cilësinë e provës materiale një palë syze dielli, të cilat dyshohen se i kanë rënë njërit prej autorëve të ngjarjes. Në njoftim thuhet se po vazhdon të punohet për identifikimin dhe kapjen e autorëve të kësaj ngjarjeje.
Grabitjet
Është e katërta herë që familja Kabuci bie pre e grabitjeve me armë. Për shkak se Ilija ka ngritur një biznes të suksesshëm, ai është vënë në shënjestrën e hajdutëve. Mësohet se disa vite me parë, një hajdut i armatosur me thikë ka hyrë në banesë, ku ndodheshin bashkëshortja e tij, dy djemtë dhe e ëma, duke arritur të marrë një sasi të konsiderueshme të hollash e duke rrezikuar jetën e personave që ndodheshin në shtëpi. Ndërkaq, argjendaria e grabitur dy ditë më parë ka qenë objekt i vjedhjeve me armë edhe dy herë të tjera. Mësohet se një herë janë grabitur rreth 3 kilogramë flori, ndërsa herën e parafundit rreth gjysmë kilogram. Nga të katër grabitjet e kryera, vetëm njëra është zbardhur. Ndërsa dy të tjerat dhe ajo e djeshmja vazhdojnë të mbeten ende pa autor.
Policia
Hetimi, dyshohet se autorët mund të jenë emigrantë të kthyer nga jashtë shtetit
Grabitja u krye kur prezantohej ministri i BrendshëmOra kur u krye grabitja me armë e argjendarisë “Ilija” në qendër të qytetit Fierit, ka korresponduar me momentin kur në Tiranë prezantohej ministri i Brendshëm, Flamur Noka. Ka qenë pikërisht ora 11:00, në të cilën ka nisur ceremonia e prezantimit të ministrit Noka dhe në të njëjtën kohë grabitësit kanë hyrë me dhunë e me armë në dyqanin e Ilija Kabucit. Burime konfidenciale të gazetës janë shprehur se nga hetimet paraprake të policisë dyshohet se nuk ka qenë rastësi që autorët zgjodhën pikërisht orën 11:00 për të nisur vjedhjen e tyre. Sipas burimeve, dyshohet se dikush, që ka pasur dijeni mbi orarin e ceremonisë së prezantimit të ministrit të Brendshëm Flamur Noka, ka bashkëpunuar me autorët për hartimin e planit të grabitjes. Ndërkaq, dyshohet se i njëjti person mund t’i ketë informuar grabitësit edhe për faktin se policia ndodhet në vështirësi për karburant, duke e zvogëluar efikasitetin e saj. Sipas burimeve të sipërcituara, nga hetimi, lidhur me këto dyshime, nuk përjashtohen edhe vetë forcat e policisë. Mësohet se mungesa e karburantit të ketë qenë një nga faktorët që ka sjellë edhe vonesën e punonjësve të policisë në vendngjarje.
Hetimi
Sektori i Krimeve të Rënda pranë Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Fierit e ka shtrirë hetimin në disa pista lidhur me identifikimin e autorëve të grabitjes së argjendarisë “Ilija” në qendër të Fierit. Nga burime të gazetës mësohet se tashmë janë sekuestruar gjurmët papilare të dorës së një prej grabitësve dhe ato janë hedhur në sistem për të gjetur se kujt i përkasin. Ndërkaq, mësohet se është duke u verifikuar edhe sistemi i TIMS-it, me qëllim konstatimi për largimin nga Shqipëria të ndonjë personi të dyshuar apo të skeduar nga policia. Burimet pohojnë se po punohet edhe për nxjerrjen e një identikiti të mundshëm për autorët, bazuar kjo në pamjet filmike dhe nga deklarimet e marra në vendngjarje. Ndërkaq, mësohet se hetimi do të shtrihet edhe jashtë Shqipërisë, pasi dyshohet se autorët mund të jenë emigrantë, të cilët janë kthyer për pushimet e verës. Kjo, pasi edhe gjatë viteve të kaluara ka pasur një rritje të numrit të vjedhjeve të bankave dhe të argjendarive gjatë sezonit veror.
S H Q I P





