Nga Avni Halimi
Gjuha shqipe në Maqedoni po përjeton një diskriminim institucional. Asnjëherë më parë nuk ka qenë në këtë pozitë kaq mjeruese. Ky diskriminim po vie si pasojë e grackave, të cilat, popujve të kompleksuar nga rrëfenjëzat mitologjike ua ngrit politika e identitetit! As serbët dhe as maqedonasit nuk mund ta bartin epitetin “popuj bibliko-mitik” pa e nëpërkëmbur etnikisht, pa e përdhosur institusionalisht, pa e zvetënuar me ligje e propagandë shqipen dhe çdo gjë shqiptare. Popujt e civilizuar sapo të dëgjojnë ndonjë fjalë të huaj, do t’ju zgjohet kurreshtja për të ditur sa më shumë rreth asaj gjuhe si dhe për të mësuar sa më shumë fjalë nga ajo gjuhë. Kurse te serbët dhe maqedonasët gjuha shqipe shkakton një reagim agresiv, një urrejtje patologjike që i aktivizon mekanizmat e masave represive, ndëshkimin, shkakton gjakimin për zhdukje nga faqja e dheut! Nuk është ky racizëm klasik?
Në Shtetin aktual të Maqedonisë gjuha shqipe është nën një linçim institucional. Flitet se me Kushtetutë lejohet përdorimi i gjuhës shqipe si gjuhë zyrtare. Nuk është e vërtetë! Në amandamentin e pestë që e rregullon çështjen e përdorimit të gjuhëve si gjuhë zyrtare askund nuk përmendet gjuha shqipe, ndërsa gjuha maqedonase në tri vende. Në Ligjin për përdorimin e Gjuhës Maqedonase kjo sintagmë përmendet 34 herë, ndërsa në Ligjin për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20 % të qytetarëve të Republikës së Maqedonisë si dhe nëpër njësitë e vetëqeverisjes lokale, të miratuar në gusht të vitit 2008, sintagma “gjuha shqipe” nuk përmendet qoftë edhe vetëm një herë ndërsa sintagma “gjuha maqedonase” përmendet plotë 134 herë. Pse ky iritim shovinist i maqedonasëve karshi gjuhës shqipe? Pse kjo këmbëngulje raciste e zyrtarëve maqedonasë që gjuha shqipe të jetë në përdorim zyrtar vetëm nëpër ato njësi të vetëqeversisjes lokale ku ka 20% shqiptarë dhe jo edhe nëpër ato njësi ku shqiptarë ka më pakë apo nuk ka fare. Pse nëpër dokumentet e identifikimit tek maqedonasit të mungojë shkrimi shqip! Pse ky refuzim fashist që ushtrohet nga isntitucionet shtetërore kundër shqipes.
Këto ditë po zhvillohet një konflikt i heshtur në mes të shqiptarëve dhe maqedonasevë përsa i përket shqipes: a është apo nuk është zyrtare gjuha shqipe në Maqedoni. Aktet më të larta shtetërore (Kushtetuta, Ligji), pa e theksuar fare, pra, tërthorazi dhe jo qartë flasin se edhe gjuha shqipe përkrah maqedonishtes është gjuhë zyrtare. Pala maqedonase bën shkelje të qëllimshme të këtyre akteve dhe askush nuk përgjigjet penalisht për këto vepra kaq të rënda.
Qëndrimet e këtilla të zyrtarëve maqedonasë po bëhen gjithnjë e më shqetësuese për shqiptarët. Këta të BDI-së në vend se të nisin ndonjë aksion për ta senzibilizuar opinionin ndërkombëtar për këtë padrejtësi raciste dhe për këto shkelje antikushtetuese të zyrtarëve maqedonasë, ofrojnë disa “zgjidhje” të cilat edhe më shumë u japin forcë dhe motiv nacionalistëve maqedonasë për ta ushtruar diskriminimin institucional mbi gjuhën shqipe. Gjuha shqipe nuk ka nevojë për ligj që do ta rregullojë përdorimin e saj nga popullsia prej 20 %. Gjuhës shqipe i duhet, thjesht, LIGJI PËR GJUHËN SHQIPE, ligj që do ta bëjë zyrtare këtë gjuhë dhe këtë
shkrim, horizontalisht në çdo cep të Maqedonisë dhe, vertikalisht, në të gjitha institucionet shtetërore.
Pra, gjuha shqipe nuk ka nevojë për interpretim autentik të “ligjeve” nëpër të cilat askund nuk përmendet si gjuhë. Çka do të thotë interpretim autentik? Interpretimi autentik i amandamentit të pestë të Kushtetutës së Shtetit do ta vërtetojë faktin që gjuhë zyrtare në shtet është maqedonishtja si dhe alfabeti i saj qirilik. Gjuhë zyrtare mund të jetë edhe ajo gjuhë që flitet prej 20 % të popullsisë në Maqedoni. Një përkufizim shumë relativ, për të mos thënë tepër naiv. Një përqindje bukur e madhe e maqedonasëve e flasin edhe serbishten! Një numër bukur i madh e flasin edhe anglishten! Një përqindje e madhe e maqedonasëve mund të deklarohen se e flasin gjuhën rome, gjuhën turke! Le t’i flasin të gjitha gjuhët e botës, nuk ka problem, vetëm le të sillet një ligj i cili do ta zyrtarizojë gjuhën shqipe!
Interpretimi autentik i Ligjit për përdorimin e gjuhës që e flasin së paku 20 % e qytetarëve të Republikës së Maqedonisë dhe të njësive të vetëqeverisjes lokale, plotë 134 herë do ta vërtetojë se gjuhë zyrtare në vend është gjuha maqedonase dhe alfabeti qirilik! Interpretimi autentik i këtij ligji tërësisht diskriminues për shqipen do të vërtetojë se zyrtarizimi i kësaj gjuhe varet dhe do të varet kryesisht nga disponimet politike dhe nga statistikat që i kontrollon shumica parlamentare; interpretimi autentik i këtij ligji do të nxjerr konkluzionin se qeveria aktuale e Maqedonisë me dy këmbë dhe me plot inat e shkel Kushtetutën dhe Ligjin përkatës. Intepretimi autentik i këtij ligji nxjerr edhe një konkluzion të rëndë që flet se shqiptarët e Maqedonisë mund të jenë si top ping pongu që mund të përfshihen nëpër njësitë e vetëqeverisjes lokale varësisht nga “shpirtgjërësia” e maqedonasëve.
Insistimi i BDI-së për ta zgjidhur problemin e gjuhës shqipe jo me një ligj të ri dhe adekuat por përmes interpretimit autentik të ligjit aktual diskriminues, do të thotë se gjuha shqipe nuk ka nevojë për një institut të gjuhës shqipe; do të thotë se gjuha shqipe nuk ka nevojë për këshill nacional të cilin e themelon dhe e finanson drejtperdrejt qeveria; do të thotë që gjuha shqipe nuk ka nevojë për provimin e lekturës si institucion i veçantë në kuadër të ministrisë së kulturës; do të thotë nuk ka nevojë për shoqatën e lektorëve shqiptarë pa lejen gjuhësore të të cilëve nuk do të guxonte të publikohej asnjë rresht e asnjë fjali; do të thotë që t’u jepet mundësia që me gjuhën shqipe të merren edhe diletantë, sharlatanë e dashakëqinjë të kësaj gjuhe, shqipfolës fillestarë për t’u punësuar si “përkthyes profesionistë”; intepretimi autentik i ligjit aktual për përdorimin e gjuhëve do të thotë mbyllje të dyerve për qindra e qindra përkthyes shqiptarë nëpër institucione shtetërore, nëpër organizata publike e private. Interpretimi autentik i ligjit aktual do të thotë që edhe më tej gjyqtarët shqiptarë në të gjitha instancat gjyqësore deklaratat solemne do t’i japin vetëm në gjuhën maqedonase.
Mosinsistimi për sjelljen e një ligji të ri dhe adekuat dhe kërkesa nonshalante për interpretim eutentik të ligjit aktual për përdorimin e gjuhëve, do të thotë zyrtarizim i diskriminimit institucional kundër gjuhës shqipe. Intepretimet autentike nuk e kanë atë peshë dhe atë forcë të zgjidhjes së çështjeve problematike në mes të palëve, por këtë peshë dhe forcë e kanë vetëm marrëveshjet historike në mes të palëve si dhe vullneti politik e civilizues i tyre. A ka kulturë dhe civilizim aty ku gjuha e një etnie shkakton iritim dhe urrejtje institucionale te shumica e një etnije tjetër? Në këtë rast mirëkuptimi kundërmon në nënshtrim.





