Eva Herzigova: Profesioni më i mirë në botë? Mëmësia

Eva Herzigova: Profesioni më i mirë në botë? Mëmësia:

Top modelja rrëfen eksperiencën me dy fëmijët e saj: George 5 vjeç dhe Philip 15 muajsh

Modelja e famshme Eva Herzigova, ka rrëfyer për një revistë britanike se e adhuron rolin e nënës. “Kam dy fëmijë: George, 5 vjeç dhe Philip, 15 muajsh, dhe mund të them se të qenurit nënë është një punë e vështirë, por është më e mira në botë. Çdo ditë është diçka e re dhe fantastike”, ka thënë bukuroshja për revistën “Amuse”, duke shtuar më tej se rritja e fëmijëve ka dhe momente të vështira.
”Djali im i madh, George, pretendon se është i dashuruar pas mësueses së tij. Është diçka argëtuese, kur mendon se është vetëm 5 vjeç, por që tani unë kam nisur të mendoj se si do të ndihem kur ai të largohet nga shtëpia, ndërkohë që ai ka nisur që tani të bëj pyetje të tipit: “Mami, kur të martohem dhe të kem familje, do ta ndjesh  mungesën time?”. E në fund të fundit, pikërisht kjo do të ndodh”, thotë ajo duke qeshur.
Top modelja ka kujtuar më tej fëmijërinë e saj që ka kaluar në Çekosllovakinë komuniste.
“Kam pasur fëmijërinë më të mirë të mundshme. Prindërit e mi nuk donin të ishin pjesë e partisë komuniste, kështu që nuk mund të kishin asnjë avantazh dhe u duhej vetëm të punonin. Argëtimet tona të vetme ishin sporti dhe natyra. Kalonim shumë orë nëpër pyje duke mbledhur kërpudha dhe manaferra, bënim gjëra të thjeshta, por që ishin të rëndësishme për ne. Ishte vërtetë fantastike kur familja është bashkë, pa menduar për paratë dhe gjëra të tjera”, ka përfunduar ajo.
30 qershor 2012 (gazeta-Shqip.com)
Eva Herzigova: Profesioni më i mirë në botë? Mëmësia burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip
Nga diktatura në demokraci