Europa Perëndimore Dërgon Romët e Kosovës në Serbi

Europa Perëndimore Dërgon Romët e Kosovës në Serbi:

Për shkak të paqartësive në procedurat e rikthimit, vendet që e njohin Kosovën se vend të pavarur po i kthejnë azilkërkuesit romë nga Kosova për në Serbi, dhe jo Kosovë.

Marija Ristic BIRN Beograd
Sipas drejtoreshës së Zyrës në Beograd të Fondit për Shoqëri të Hapur, Jadranka Jelincic, vendet e Europës Perëndimore që kanë njohur Kosovën si vend të pavarur po keqpërdorin të drejtat për të mbrojtur refugjatët dhe personat  e zhvendosur brenda vendit duke i kthyer në Serbi, dhe jo në vendin e origjinës – Kosovë.
Pas luftës në Kosovë, në vitin 1999, rreth 200,000 persona u arratisën për në Serbi ku iu dha statusi i personave të zhvendosur brenda vendit. Shifra se sa shkuan për të kërkuar azil në vende të tjera, mbetet e panjohur.
“Njerëzit flasin rrallë për këtë problem. E kuptoj kur Spanja i kthen romët e Kosovës në Serbi, duke qenë se nuk e njeh pavarësinë e Kosovës, por nuk mund të kuptoj kur vendet që e njohin Kosovën, si për shembull Suedia dhe Finlanda, e bëjnë këtë”, tha Jelincic.
Agjencia Suedeze për Migrim thotë se nuk ndjekin arsye politike, por ligjore.
“Dokumentet që kanë romët e zhvendosur brenda vendit, janë ose nga Serbia, ose nga ish-Jugosllavia, dhe duke qenë se Serbia është pasardhësi i saj, jemi të detyruar t’i dërgojmë në Beograd”, tha Agjencia Suedeze për Migrim, për BIRN-in.
Avokati nga Beogradi, Nikola Lazic, thotë se në këtë situatë, kushtet politike nuk mund të injorohen.
“Duke pasur parasysh kompleksitetin e situatës, derisa sa të zgjidhet ligjërisht midis shteteve, procesi, ose duhet ndaluar, ose duhet të zgjidhet ndryshe. Për shembull, njerëzit duhen pyetur nëse duan të kthehen në Serbi si persona të zhvendosur brenda vendit, apo në Kosovë si të rikthyer”, shpjegon Lazic.
Në vitin 2010, Këshilli I Evropës, dhe Amnesty International iu bënë thirrje vendeve të ndalonin së dërguari romët në Kosovë “derisa të vërtetohej se mund të jetonin të sigurt atje”.
Në raportin e saj, Amnesty shkruan: “Pas deklaratës unilaterale për pavarësi  të Kosovës, autoritetet e Kosovës kanë pasur presion në rritje, nga Gjermania dhe shtetet e tjera anëtarë të BE-së për të pranuar të rikthyerit. Sidoqoftë, autoritetet në Kosovë kanë mungesë burimesh dhe vullneti politik për t’iu dhënë ndihmë të rikthyerve me forcë”.
Si kusht për regjimin e liberalizimit të vizave, Serbia nënshkroi një marrëveshje rikthimi me Bashkimin Europian në janar të vitit 2008, ndërsa Kosova filloi të nënshkruante marrëveshje individuale me vendet anëtare në BE, në vitin 2004.
Nuk është e qartë se sa persona duhet të rikthehen në Serbi në bazë të marrëveshjes së rikthimit. Në vitin 2003, Këshilli i Europës vlerësoi se shifra mund të jetë midis 50,000 deri në 100,000 por në vitet e fundit, janë cituar shifra deri në 150,000.
Shumica e të rikthyerve në Serbi, rreth 70 për qind, po kthehen nga vendet e Europës Perëndimore, kryesisht nga Gjermania, e më pas vendet skandinave, Zvicra dhe Holanda. Sipas vlerësimeve, rreth 60 deri në 70 për qind janë romë.
Kosova deklaroi pavarësinë nga Serbia në vitin 2008, por Serbia ende e konsideron se provincën e saj jugore dhe refuzon pavarësinë.
Marrë nga Drejtësia Tranzicionale në Ballkan
Europa Perëndimore Dërgon Romët e Kosovës në Serbi burimi: Gazeta S H Q I P Gazeta Shqip