Bilanci pozitiv i misionit të sekretares së Shtetit dhe roli i Zonjës së Parë afroamerikane në historinë e SHBA-sëHilari
E palodhur dhe (shumë) besnike. Bashkëpunëtorja e Obamës ka ditur ta bindë botën dhe të ndryshojë imazhin e amerikanëve
Hilari Klinton ka filluar të jetë shumë në modë, sidomos tani që po afron edhe fundi i administratës Obama. Sekretarja e Shtetit është një grua punëtore, shumë besnike ndaj Presidentit, por i mban të ngrira pozicionet e saj në politikën e jashtme; është e qetë dhe mjaft pozitive, sidomos tani që është shprehur se në fund të vitit do të lërë çdo detyrë politike. Hilari ka treguar gjithashtu se nuk është e “dërguara e Bill Klintonit” në Uashingtonin e Barak Obamës. Në krahasim me tre vjet më parë, kur kandidoi për postin e presidentes dhe e humbi, ka ndryshuar shumë, madje është bërë tjetër njeri: e qeshur, simpatike, në paqe me shtypin. Në fakt, ka arritur një rezultat që shumë pak vetave u dukej i mundur: thuajse nuk është më ajo figura që ngjall urrejtje të ashpër, madje edhe konservatorët i kanë reduktuar në minimum sulmet personale. “Kapelja e Amerikës”, siç e quajnë ndryshe, pjesën më të madhe të gjërave i ka bërë mirë.
Zonja Klinton punon shumë. E kthyer në Uashington më 30 qershor nga një mision në Europë, para disa ditësh u nis sërish për një udhëtim tjetër, në destinacionet Francë, Japoni, Mongoli, Vietnam, Kamboxhia, Egjipt, Izrael. Mes Parisit dhe Tokios, ku do të marrë pjesë në konferencën e vendeve që çojnë ndihma në Afganistan, është ndalur edhe në Kabul për të ripohuar se Shtetet e Bashkuara nuk do ta braktisin vendin, madje e ka ngritur Kabulin në rangun e aleatit të rëndësishëm të vendeve që nuk bëjnë pjesë në NATO, gjë që e theksoi para disa ditësh edhe Presidenti Obama. Mesa duket roli i ministres së Jashtme e entuziazmon. Në sajtin e Departamentit të Shtetit është publikuar përmbledhja numerike e tre vjet e gjysmë udhëtime: 100 vende të vizituara për 399 ditë, 816,839 milje të përshkuara (më shumë se një milion e treqind mijë kilometra) dhe 1776 orë të kaluara në fluturim. Pra punën që ia besoi Obama pasi e zgjodhi ministre të Jashtme e mori me shumë seriozitet.
Virtyti i saj më i mirë është besnikëria, pavarësisht se lufta për kryesimin e kandidatit demokratik ka qenë e ashpër. Megjithatë pas asaj kohe, keqkuptimet mes Hilarit dhe shefit nuk janë bërë më kurrë publike. Ndodh që ministrja e Jashtme ka detyra të ndryshme nga ato të Presidentit. Nga Uashingtoni bëjnë të ditur se para dy vjetësh, kur Obama mbante fjalime, prej të cilave nënkuptohej se SHBA-ja donte ta zvogëlonte lidershipin amerikan në botë, zonja Klinton rendi për ta ndrequr këtë “keqkuptim”, duke ripohuar para partnerëve dhe kundërshtarëve se Amerika do të angazhohej edhe më shumë në mbarëvajtjen e çështjeve ndërkombëtare dhe se është “kombi i domosdoshëm”.
Tani pyetja që qarkullon nëpër qarqet politike, por edhe në shtyp, është se çfarë do të bëjë Hilari në të ardhmen e saj kur të largohet nga Departamenti i Shtetit, duke qenë se është 65 vjeçe. Ajo është shprehur shumë herë se dëshiron ta lërë politikën, por deri tani ka refuzuar të thotë nëse ky largim do të jetë përfundimtar. Shumë vetë mendojnë se i tillë do të jetë. Por Nensi Pelosi, liderja e pakicës në Dhomën e Përfaqësuesve dhe një prej figurave të shquara mes demokratëve, sipas mendimit të saj thotë se Hilari do të kandidojë për zgjedhjet presidenciale të vitit 2016, atëherë kur do të kenë përfunduar të dyja mandatet e Obamës. Gjithsesi duhet theksuar se gjatë këtyre tre vjetëve e gjysmë, zonja Klinton nuk ka zgjidhur kriza vendimtare: ato në Palestinë, Korenë e Veriut dhe në Afganistan, por ka funksionuar si busull për të gjithë administratën, duke nisur nga Presidenti Obama, që ndonjëherë nuk ka ditur të bëjë politikë të jashtme. Kjo nuk është pak. Tregon se edhe Hilari, si i shoqi Bill, di të bëjë politikë, dhe shumë mirë madje.
Udhëtarja botërore
Kilometra të përshkuara – 1,314,574 (30 herë më shumë se gjatësia e Ekuatorit)
Vende të vizituara – 100
Rekordi i mëparshëm: Medlin Ollbrajt me 96 vende (nga 1997-2001)
Orët në udhëtim
1,776 (74 ditë)
Ditët e transferimit 399
Mishel, Zonja e Parë me ngjyrë (pak) e sertë
Ja si e ka ndryshuar Amerikën me sjelljen e saj kundër racizmit
Mishel rikujton takimin e parë me Obamën para telekamerave, fotot e familjes të postuara në “Twitter” dhe të qeshurën me lot kur ishte e ftuar në emisionin “Letterman Show”. Libri i saj që flet për perimet është pëlqyer shumë nga “Economist”. Po ashtu një bloger i “Huffington Post” ka arritur të gjejë tetë arsye pse ajo mund të jetë një kandidate për presidente shumë herë më e mirë se ai. Zonja e Parë duket se është shndërruar në një makinë lufte në garën për zgjedhjet e nëntorit. Në fakt, kanë kaluar vetëm katër vjet nga koha kur e thërrisnin “Mrs. Grievance” (Zonja Inat), madje ajo konsiderohej si pengesë edhe për suksesin e të shoqit. Por çfarë ka ndodhur, ka ndryshuar ajo, apo Amerika?
“Armiqtë më të mëdhenj të Mishelës kanë qenë gjithmonë stereotipat racistë”, shpjegon Farah Grifin, drejtoreshë e Institutit për Studimet Afroamerikane në Universitetin Kolumbia. “Zonja Obama është treguar shumë e kujdesshme në zgjedhjen e fushatave publicitare, në mënyrë që të mos binte ndesh me veten dhe ngjyrën e lëkurës”, shton ajo. Megjithatë Mishel nuk është kënaqur vetëm me një rol dekorativ dhe për të mobilizuar elektoratin me ngjyrë, së fundmi ka vendosur të rrezikojë. “Në një fushatë ajo ka folur më shumë si një lidere, sesa si bashkëshortja e një lideri dhe ka thënë gjëra që as Presidenti i të gjithë amerikanëve nuk do të kishte guxuar t’i thoshte”, komenton Grifin. Me ngjyrë nga pamja e jashtme, pasardhëse e skllevërve, e rritur në komunitetin afroamerikan, me afërsinë e saj e ka bërë edhe Barakun të duket më me ngjyrë se ç’është, pavarësisht se ka pasur gjyshër të bardhë. Ai që amerikanët janë mësuar ta quajnë “Presidenti i parë me ngjyrë”, në fakt pa Mishel do të kishte qenë vetëm “Presidenti i parë gjysmë zezak”. Këtë e thekson edhe neuroshkencëtarja Xhenifer Kubota nga Universiteti i Nju Jorkut, studiuese e racave njerëzore. “Studimet shkencore mbi përsosmërinë e individëve të racës së përzier janë të pakta dhe bazohen te metodat e thjeshta, si elektrokardiograma, por tregojnë se truri ynë i ndan qartë nga individët, që janë njëqind për qind të bardhë ose me ngjyrë. Dimë gjithashtu se njerëzit e bardhë janë të prirur t’i konsiderojnë më tërheqës personat që kanë tipare të përziera dhe t’u atribuojnë atyre cilësi më pozitive sesa zezakëve”, thekson Kubota. Por në rastin e Mishelës, si studiuesja ashtu edhe neuroshkencëtarja, janë të një mendimi: para katër vjetësh përshtypja e parë ka qenë tepër e kushtëzuar nga pamja e jashtme. Mishel dukej e inatosur dhe pak patriotike. Pastaj amerikanët mësuan ta njihnin si person. “Në fakt paragjykimet raciste aktivizojnë një zonë të trurit që përfshihet tek emocionet negative. Ky korrelacion shfaqet më pak kur personin që kemi përballë e njohim”, thotë Kubota. “Në fillim të gjithë shihnin një grua me ngjyrë; sot shohin një mama, një profesioniste, një person që shqetësohet për familjet e ushtarëve dhe shëndetin e fëmijëve”, arsyeton Grifin. Edhe drejtuesit e revistës “People” janë bërë kureshtarë për opinionin e Zonjës së Parë dhe e kanë pyetur se kë do të kishte preferuar ajo në vend të saj, nëse nuk do të ishte zonjë e parë, dhe ajo ishte përgjigjur Bionse. “Do të preferoja të zgjidhja një grua më të angazhuar në planin e edukimit”, rrëfen Grifin. Ka nga ata që e kanë gjykuar si të shtirur përgjigjen e Mishelës, megjithatë kjo nuk do të thotë se është e tillë. Faktikisht vetë Grifin në vitin 2011 shkroi një libër, ku fotografohej evoluimi i çështjes racore në Shtetet e Bashkuara përmes dy figurave që përfaqësojnë një model për vajzat me ngjyrë: avokatja, që është Zonjë e Parë, dhe këngëtarja, që është menaxhere e vetes. Në vitin 2008, vetëm 43% e amerikanëve e pëlqenin Mishel Obamën. Tani ka arritur në 66%. A mos vallë ky popullaritet tregon në një farë mënyre progresin e vendit për kapërcimin e racizmit? “Natyrisht që prania e Zonjës Obama në Shtëpinë e Bardhë ka një efekt pozitiv. Ajo është shembulli më i mirë gruas së shkolluar dhe të fortë, por mund të jetë edhe një përjashtim”, nënvijëzon Kubota. Gjithsesi rizgjedhja e Obamës si President do të ishte një ndihmë për luftimin e racizmit. “Fakti që shumë të bardhë votojnë një me ngjyrë të kualifikuar dhe të zgjuar është shenjë e mirë. Gabojnë ata që mendojnë se kjo është një shoqëri postraciste, megjithatë duke e krahasuar me vendet e tjera, Amerika është më pak raciste”, përfundon studiuesja Grifin.
Zëri i komunitetit me ngjyrë
12,6% – Përqindja e afroamerikanëve, e barabartë me 38,9 milionë persona
4 në 5 gra me ngjyrë janë obeze ose mbipeshë
Shkalla e papunësisë
14,4% mes afroamerikanëve
8,2% në SHBA
28,3% të burgosurit me ngjyrë
47,9% Viktimat e vrasjeve me origjinë afroamerikane
13% Afroamerikanët që kanë humbur të drejtën e votës për krimet e kryera





