| MARK MARKU |
E nderuar zonjë. Ka vite që më dalin parasysh disa tituj librash psikologjikë të tipit: Si të bëhesh papritur interesant në sytë e gjithë botës; Si të bësh karrierë të menjëhershme pa pasur asnjë talent; Si të bëhesh i famshëm në pesë ditë, e gjëra këso dore. Kurrë nuk kam pasur ngasjen t’i lexoj, pasi i kam parë gjithherë si traktate të pastra debilizmi. Këtë herë e kuptova se kam bërë vërtet mirë që i kam vënë fre ngasjes për t’i lexuar. E lexova leksionin tuaj psikologjik dhe e kuptova çfarë nuk kam lexuar. Faleminderit Gridë.
E nderuar Gridë. Në leksionin tuaj Si të mos e mërzisim kurrë shefin, kishe folur për inkoherencën e ideve të mia. Aty ngrije shqetësimin e madh intelektual dhe me plot të drejtë skandalizoheshe: si ka mundësi që një deputet guxon të mendojë? Dhe për më tepër, si guxon të mendojë ndryshe nga partia e vet? Dhe më zi fare: si i shkon në mendje një deputeti (në rastin konkret unë) që mendimet e tij t’i artikulojë edhe publikisht? Faleminderit që më mësove inkoherencën e madhe të jetës sime: që përveç të tjerash, edhe mendoj. Faleminderit që ma sollët ndër mend edhe njëherë filozofinë e Ushtarit të mirë Zhvejk. Kisha ca kohë pa e lexuar dhe më kishte dalë nga mendja.
Tani, e nderuar zonjë, meqë keni marrë përsipër të më tregoni inkoherencën e ideve të mia, po ta kthej nderin, domethënë, po t’i them edhe unë nja dy-tri apo katër inkoherenca lehtësisht të dukshme, që fatkeqësisht qisnin kryet aty-këtu në leksionin tuaj në formë shkrimi.
Inkoherenca e parë ishte mes domethënies së leksionit: hesht! dhe domethënies së emrit tuaj Grida (që me sa duket vjen nga folja italisht gridare, që në shqip do të thotë me bërtit).
Inkoherenca e dytë: Ju, e nderuar zonjë, përdorni një leksion të dobët universiteti si shkrim gazete. Nuk bëni kurrfarë diference mes shkrimit akademik dhe shkrimit publicistik.
Inkoherenca e tretë: Ju këtë leksion e përdorni për të mbrojtur vendin tuaj të punës, ose për të bërë një hap në karrierë. Kështu, ju po vetë jeni hedhur nga fusha e ideve në fushën e aksionit politik, gjë që sipas parimeve tuaja, është e patolerueshme. Sipas jush, njëri e përjashton tjetrin. Si zëvendësministre që jeni, pse mendoni, dhe aq më keq, pse gjykoni?
Inkoherenca e katërt: Ju kam parë ndonjëherë në ekran dhe estetikisht paraqisni një pamje fizike të rregullt, një fytyrë gruaje me tipare të këndshme. Duke lexuar shkrimin dhe duke u përpjekur të nxjerr ndonjë gjë me vlerë përveç humorit dhe gajasjes nga ajo që shkruani në adresën time, mendova: Çfarë inkoherence mes pamjes fizike, estetikisht të rregullt, dhe mendimit, thelbësisht banal dhe pa vlerë! Po mos u mërzit, qenia njerëzore të ofron jo rrallëherë surpriza në këtë drejtim.
Tani në fund edhe një këshillë gjuhësore, pasi dua ta kthej nderin deri në fund, meqë edhe në këtë fushë kishit pasur mirësinë të më jepnit një këshillë. Në shkrimin tuaj, zonjë, kishte një frazë të tillë: “Në respekt të vërtetësisë dhe intelektualit që duhet ta mbarsë atë”… E përdorni jo me vend fjalën mbars, pasi në këtë rast fjala me vend do të ishte folja bart. Dikush, zonjë, e bart një ide. Intelektuali e bart një të vërtetë, nuk e mbars atë, pavarësisht se ideja është në gjininë femërore. Kini kujdes me përdorimet e fjalëve, zonjë, se mund të krijohen keqkuptime të tipit gjinor, kauzë për të cilën ju besoj se militoni dhe jeni e obliguar të militoni si zv.ministre e Integrimit.
Ja, kaq, e nderuar zonjë, dhe, edhe njëherë faleminderit për gazmendin që më sollët në këtë pisk vape.





