Atentat në Paris

Nga Skifter Këlliçi


Ora shënonte 12.30, kur Avniu la restorantin. Pas pak u ndodh në krye të rrugës “Kastilione”. Qëndroi ca. Pastaj, me hapa të ngadalshëm zuri t’i afrohej hotelit “Kontinental”. Makina e Esat pashës, si zakonisht gjatë atyre ditëve, ishte ndalur buzë këmbësores. Eci përgjatë saj dhe u ndodh para shkallëve të hotelit. Në holl nuk kishte lëvizje, por përmes qelqeve të derës së gjerë shqoi Esat pashën dhe përkrah tij një grua të re që po gajasej.
Avniu shtrëngoi revolverin që mbante në xhepin e xhaketës dhe bëri tutje, pranë njërës prej kolonave të shumta me harqe qe mbulonin balloren e “Kontinentalit”.
Tani ora shënonte 12.30.

Pas pak Esat pasha u duk në shkallët e hotelit dhe nisi t’i zbriste ato ngadalë, për të shkuar te makina që priste gjithnjë pranë këmbësores. Përreth kalimtarët e paktë nxitonin, pa u shkuar ndërmend se çdo të ndodhte ca më pas..Diell, vapë, zagushi. E tillë ishte ajo mesditë e 13 qershorit të vitit 1920.
Avniu u shkëput nga kolona pranë së cilës kishte qëndruar deri atëherë. Tani ndodhej thuajse përballë tij, përballë Esat pashës.
…Roja pranë çadrës e shoqëroi me sy atë që po sillte haberet e valiut. Dhe ai që hyri brenda, ishte Gjoleka. Valiu e këqyri nga sytë këmbët. Edhe Gjoleka e këqyri valiun. Sytë e valiut ishin i kishte të skuqur, si të ishte vrasës. Dhe nuk ka vrasës më mizor se ai që të ka shkelur vatanin. Vrasësi duhej vrarë. Gjoleka nxori koburen. Valiu deshi të ngrihej, t’i sulej. Por ishte tepër vonë…
Edhe Avniu nxori revolverin. Vetëtimthi si Gjoleka. Esat pasha shqeu sytë dhe u drodh. U dëgjua një e shtënë. Esat pasha lëshoi një klithmë të çjerrë përmes buzëve të llagavitura. Sytë e zgavruar, me vështrim të mjegulluar po humbisnin çdo lidhje me gjithçka përreth tij, ku gjithçka valëvitej, shfigurohej, tretej. Veçse vdekja në trajtat e një djaloshi përftohej gjithnjë e më shkoqur.

U dëgjua një tjetër e shtënë.
Dërgoi Gjolekë Spanoi,

Tafil Buzit të m’i thoi,

Gjoleka s’e turpëroi,

Me të shtata e qëlloi…
Esat pasha lëshoi tani një rënkim që zuri të shuhej përmes buzëve si llokoçitjet e ujërave të ndenjura. Trupi i tij i bëshëm u lëkund, u mpak dhe u këput për tokë.

…Në brinjët e shekujve të zymtë, mbi të cilët shkelte atdheu, kërrusur, por kurrë gjunjëzuar, tradhtia ishte shfaqur jo rrallë në trajtat e një vogëlusheje lozanjare, ose të një gruaje fatkeqe që të ndjell mëshirë, duke fshehur kthetrat e saj të kobshme e të lemerishme. Por mjaftonte një grimë dhe ajo, kur nuk e prisje, t’i ngulte ato kthetra në grykë, ose, për më keq, të hidhte kupën e helmit për të të mbytur e për të të vajtuar pastaj të nesërmen me kuje, ashtu siç dinte të të vriste e të të qante vetëm ajo, tradhtia…

Avniu shtrëngoi edhe një herë këmbëzën e revolverit, thua se duke qëlluar mbi Esat pashën, po qëllonte mbi tradhtinë, që për shekuj e shekuj, duke u ngjeshur e shtrydhur si plehra të mykura, si zhele të ndotura,si fëlliqësira të neveritshme,kishte marrë përmasat e këtij pashai..Revolveri këtë herë nuk mori zjarr.Avniu e shtrëngoi sërishmi këmbëzën e tij,por arma edhe këtë radhë heshti.

U bë rrëmujë. Dy gra që po kalonin pranë, ia dhanë ulërimës. Të tjerë aty përreth, u hallakatën si mundën. Britma, lebetima mbuluan rrugën “Kastilione”.
-Ndihmë, ndihmë!Dikë qëlluan, ndihmë!…

Avniu u përkul tërë ankth mbi trupin e Esat pashës.

“Dy të shtëna, vetëm dy…Thua të këtë vdekur?…”Ai deshi të vinte dorën në gjoksin e pashait të përmbysur, për të parë nëse i rrihte zemra, por ndjeu se dikush e goditi fort nga pas. Pastaj një tjetër e ca më pas disa të tjerë.

-Vrasës!

-Ti je vrasës mizor!…
Ktheu kokën. Mbi të u sulën sakaq edhe të tjerë që zunë ta qëllonin ku të mundnin, në kurriz, në gjoks, në fytyrë..
-Nuk jam vrsaës, jam student shqiptar,- briti Avniu. -Befas m’u shfaq përballë ky tradhtar i popullit tim dhe unë nuk u përmbajta e kështu qëllova mbi të.

-Atë do ta shohim, ndaj mos bëj gëk!…

-Lëreni, nuk e shihni që ai nuk kërkon të ikë?…

-Vërtet, as që e bëri këtë përpjekje…
Dy policë e mbërthyen Avniun nga krahët dhe me forcë e shtynë përpara.

Turma njerëzish u grumbulluan tanimë në hyrje të hotelit. Policët mezi i përmbanin. Disa prej tyre e ngritën trupin e Esat pashës dhe e futën në hollin e hotelit.

-Një mjek,gjeni një mjek! -thirri dikush.
U dëgjua një klithmë e mbytur.

-Gjenerali im, gjenerali im!…

-Kush është kjo?-pyeti dikush.

-Ndoshta e bija!

-Ç’thua! E njoh unë këtë. Esat pasha e kishte të dashur…
-Ç’burrë shteti na qenkësh, pra, ky Esat pasha?…
Turmat e kureshtarëve shtoheshin gjithnjë e më shumë. Policët përsëri mezi i përmbanin.

-Më lini të futem brenda,-i tha ndërkohë dikush një polici.

Ishte Gaston Rishari, që sapo kishte arritur para hotelit “Kontinetal”.

-Nuk lejohet!

-Ju lutem, më lini!Jam gazetar i “Lë Pëti Parizienit”. Erdha këtu, sepse dua t’i marr një intervistë Esat pashës.

-Keni ardhur tepër vonë. Atij sapo i bënë atentat.

-Atentat? Cili pati këtë guxim prej të çmenduri?…

-Një djalosh nga Shqipëria.

-Ç’u bë, ia mbathi?

-Jo, çuditërisht shtjeu mbi të dhe nuk bëri asnjë lëvizje tjetër.

-Po Esat pasha jeton?

-Nuk e di, zoti gazetar. Plumbat e kanë qëlluar në gjoks.
Gaston Risharit thuajse nuk i besohej se ç’kishte ndodhur.

-Qenka me të vërtetë e çuditshme, -tha pastaj.

-Për ju gazetarët atentatet janë sensacionet më të mëdha..Do të keni me se ta mbushni gazetën. -ia priti dikush nga turma.
Avniun e futën në hollin e hotelit gjithnjë nën mbikqyrjen e rreptë të policëve.

Mbi tapetin e gjerë të hollit dergjej trupi i Esat pashës.

-Ka vdekur? -pyeti Gaston Rishari, që, megjithatë, kishte mundur të depërtonte deri aty.

Dikush u përkul mbi trupin e viktimës. Ishte një mjek që rastësisht ishte ndodhur në rrugën “Kastilione”.
-Për fat të keq, ka vdekur. Dy të shtëna nga afër i kanë shkaktuar vdekjen e menjëhershme, -shpjegoi mjeku.
Avniu ndjeu se ankthi, që si kafshë e padukshme e kishte brejtur nga brenda gjatë atyre katërmbëdhjetë ditëve kur, hap pas hapi e kishte ndjekur Esat pashën,kudo që vinte, po zhdukej nga qenia e tij. Ktheu sytë nga trupi i shtrirë i pashait.

Por ai trup tanimë ishte kufomë.


Ky fragment është shkëputur nga romani “Atentat në Paris”.(1978). Në qendër të romanit është akti heroik i atdhetarit Avni Rustemi, i cili më 13 qershor të vitit 1920 vrau në qendër të Parisit një ndër tradhtarët më të mëdhenj të historisë së Shqipërisë, Esat pashë Toptanin. I ndodhur në kryeqytetin francez, ai thurte intriga në favor të Fuqive të Mëdha të cilat kërkonin copëtimin e vendit tonë pas Luftës së Parë Botërore.