Ambasadori sirian në Irak ka dezertuar duke u bashkuar me opozitën. Ai u bëri thirrje politikanëve dhe ushtarakëve që të bëjnë të njëjtën gjë.
Sipas BBC, Nawaf Fares është i pari diplomat i lartë sirian që braktis presidentin Asad.
Qeveria është përgjigjur duke e shkarkuar nga posti.
Ndërkohë vendet e Perëndimit po bëjnë thirrje që OKB të forcojë sanksionet ndaj Sirisë. Ata janë gati për të dërguar një mision të dytë vëzhgues në Siri.
Luftimet vazhdojnë në vend. Një video është postuar në YouTube, ku shihet se si shkatërrohet një tank rus i Sirisë. Ai goditet nga një minë antitank, ndërsa ngjarja mesa duket është filmuar nga rebelët në distancë. Mendohet se ekipi i tankut ka vdekur. Ngjarja ndodhi pranë kufirit me Turqinë.





